Independence
Biseda | Kosova

Tetë fytyrat e pavarësisë

Nga - 17.02.2016

Tetë vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tetë qytetarë shpjegojnë domethënien e saj për ta.

Nënshkrimi i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 2008, në mes të gjithë atij gëzimi e gjithë asaj vëmendjeje ndërkombëtare, u pa gjerësisht si moment historik; njerëzit dolën në kafene e në rrugë, deri sa një valë euforie mbuloi pjesën më të madhe të popullsisë.

Njohjet ndërkombëtare nisën menjëherë, SHBA, Britania e Madhe, dhe Shqipëria, në mesin e pesë të parëve që i dhanë këtij shteti të ri mbështetjen e tyre; dhjetëra tjerë iu bashkuan në ditët e javët e ardhshme. Pasi që Kosova për disa çaste ishte në qendër të vëmendjes botërore për arsye pozitive, pati shpresa reale se ardhmja mund të ishte e ndritshme.

Pas tetë viteve, për shumë njerëz, shkëlqimi është larguar. Vendi është i ‘sëmurë’ nga problemet ekonomike dhe politike, korrupsion ka çdokund, kosovarët mbesin të izoluar nga Evropa, dhe për shumicën e qytetarëve, jeta nuk është e lehtë. Sivjet, në vend të festës në rrugët e sheshet e Prishtinës, është planifikuar një protestë masive kundër qeverisë.

Por për shumë, simbolika e pavarësisë së Kosovës mbetet e fuqishme, pavarësisht vështirësive të përditshme. Tetë vite pas 17 shkurtit të vitit 2008, K2.0 kërkoi nga tetë kosovarë që të reflektojnë mbi pavarësinë e Kosovës, duke menduar për domethënien e kësaj date për ta atëherë dhe tani, dhe çfarë domethënie mund të ketë në të ardhmën:

Admir Salihu

1eightfaces

Mosha: 35
Profesioni: Avokat
Nga: Ferizaj

Më kujtohet saktësisht. Atë ditë jam nis për në Afganistan nga Ferizaji sepse në atë kohë punoja në Afganistan. E mbaj mend se i kam shti të gjithë, që më kanë percjellë atë ditë, të nënshkruajnë në një flamur me shqiponjën kuq e zi. Mesazhi ka qenë se për herë të fundit po e festojmë pavarësine me flamurin kombëtar, sepse tani e kemi flamurin tonë. Dhe njëkohësisht e kam marrë një flamur të Kosovës të sapodalur atë ditë, të cilin e kam marrë në Afganistan. Me 18 e 19 [shkurt] e kemi vazhdu festimin me flamurin e Kosovës.

Unë shpresoj se pas 10 viteve sheshi ku punoj në Ferizaj, po edhe në Prishtine, do të jetë kaltër e verdhë e nuk do të jetë kuq e zi siç është sot. Mendoj se ngjyrimi kuq e zi gjatë festës së 17 shkurtit është më shumë patriotizëm folklorik sesa realitet. Unë jam prind dhe kam dy fëmijë e nganjëherë është i paqartë për ta dallimi mes Kosovës e Shqipërisë në kontekstin e flamurit.

Iliriana Banjska

2eight

Mosha: 26
Profesioni: Analiste gjinore
Nga: Mitrovica / Kampen (Holandë)

Në vitin 2008, kur u shpall pavarsia në Kosovë, unë isha në Kampen, qytet i vogël në Holandë, sepse aty po jetonim me familje. Dhe më kujtohet një lloj vështirësie për të kuptuar se çfarë po ndodhte, sepse nuk e dija ndikimin e madh që mund ta kishte – them, mund ta kishte pasur – në Kosovë. Isha në dhomë të ditësm e prindërit, vëllaun dhe motrën, duke e parë në TV, tërë ceremoninë, dhe ceremonia vet nuk më preku shumë; ajo që më preku më së shumti ishte kur babait tim iu mbushën sytë me lotë, kur po e nënshkruanin dokumentin; babai im është burrë i fortë, shqiptar, me mustaqe, që nuk qanë kurrë, dhe kur iu mbushën ati sytë me lotë, atëherë e dita – kjo është diçka e madhe, diçka që njerëzit e kanë pritur shumë gjatë!

E kemi këtë traditë me shqiptarët tjerë që i njohim në këtë zonë. Jemi ndoshta katër familje në atë qytet ku jam rritur, të gjithë nga Kosova, kryesisht nga Mitrovica, por edhe prej qyteteve tjera në rajon. E merrnim me qira ndonjë hapësirë dhe festonim së bashku… lëshonim muzikë shqipe, vallëzonim e pinim dhe festonim kështu.

Nuk mendoj se këto neja ma definuan qartë në mendjen time se për çfarë po festonim; ishte thjeshtë ‘pavarësia’. Por kur ulem dhe mendoj… është për festimin e një epoke të shtypjes, dhe nisjen e një epoke të re, me mundime, por epokë e re ku mund të vendosësh vet se çfarë do të bësh me vendin tënd. Edhe pse i ka të metat e veta, siç e kemi parë, prap është fillim i ri, në të cilin po mundohemi t’i çbëjmë disa gabime që u bënë në të kaluarën.

Do ta festoj pavarësinë sivjet. Siç e dimë do të ketë protestë, në të cilën do të marr pjesë poashtu. Do të jetë festë e çuditshme. Mendoj se do të jetë më shumë… kjo protestë qëndron për faktin se pavarësia nuk doli si e përfytyruam. Është shumë simbolike që po marr pjesë në një protestë që ka të bëjë me… dënimin e qeverisë që e ka udhëhequr vendin prej pavarësisë, me gabimet që i kanë bërë, duke mos i shfrytëzuar mundësitë që do të mund t’i kishin pasur me një shtet të pavarur.

Pas 10 viteve do të jem 36 vjeçare. E përfytyroj vetën duke mos jetuar më në Kosovë, por duke festuar nga larg. Dhe shpresoj që do të jetë e mbushur me më shumë krenari, dhe jo me këtë ndjenjë ‘Pse po festojmë diçka kaq të zbrazët?’

Azem Zogaj

3eight

Mosha: 65
Profesioni: Shitës i librave
Nga: Prishtina

Pavarësinë e kemi festu me një gëzim shumë të madh. Me shpresa shumë të mëdha. Tri herë në qytet kam dal në këmbë me të shoqen, sepse me makinë ka qenë e pamundur me qarkullu prej veturave të shumta. Pata marrë pjesë në koncertin e filharmonisë së Kosovës dhe Shqipërisë në sallën 1 Tetori. Pastaj në manisfestimet në qytet. Po ashtu patëm qëndru edhe në qendër se djalin e kam DJ të njohur dhe për hatër të tij patëm qëndru në shesh në një temperaturë ekstremisht të ftohët deri në orët e vona të natës në pllatonë e rinisë. Ishte një gëzim i madh, kishte shpresa të mëdha. Por tash u shuajtë si festë. Dhe tash [si do e festoj] absolutisht nuk e di se jemi në vigjilencë të festës së pavarsisë.

Albulena Nrecaj

4eight

Mosha: 26
Profesioni: Juriste
Nga: Ferizaj

Më duhet me u kthy tetë vite mbrapa për me kujtu një acar të madh që ka mbretëru me minus 20 gradë, por emocioni dhe gëzimi që kemi ndjerë më ka bërë që mos te ndjejë atë acar për të festu me bashkëqytetarët në sheshin e qytetit. Kam qenë me familje, por edhe me bashkëqytetarë, dhe nga entuziazmi të gjithë jemi përqafu në ato momente madje edhe me njerëz që nuk i kemi njohur. Ideja ka qenë veç me e uru njani tjerin për një ditë kaq të veçantë.

Ajo çfarë di është se pavarësia do të jetë e ngulitur në memorien time personale, tu pas parasysh se atëherë kur është shpallur pavarsia kam qenë studente e vitit të dytë të juridikut, dhe pavarësia më pat kriju një ndjenjë të lirimit dhe garantimit se më në fund shkollimi im mund të gjejë zbatim në shtetin tim.

Zakonisht tek ne festat kanë karakter familjar, por mua s’më ka pëlqyer asnjëherë ky lloj festimi. Zakonisht me shoqërinë time preferojmë të dalim dhe t’i kujtojmë sukseset dhe dështimet si shoqni. Pra, kjo ditë përveç karakterit festiv duhet me pas edhe një mesazh përtej saj.

Bekim Shabani

5eight

Mosha: 43
Profesioni: Aktivist i Komunitetit Ashkali
Nga: Prishtina

Edhe ne sikur gjithë qytetarët e tjerë menzi e kemi prit 17 shkurtin 2008, pavarësinë, edhe ne që i përkasim komunitetit ashkali. Neve kurgjo nuk na ndan prej komunitetit shqiptar. I kemi traditat e njejta, kështu që menzi e kemi prit këtë ditë për me festu. Në 2008 komuniteti ashkali është gëzu pa masë. Më kujtohet shumë mirë që ka marrë pjesë ish lideri jonë Sabit Rrahmani që edhe ai vet e ka nënshkru pavarësinë, duke mendu që ka me na sjellë shumë të mira pavarësisht cilit komunitet [i takon]. Kemi dal në sheshin e Prishtinës me gjithë familjen e kemi festu deri në orët e vona. Është kan e papërshkrueshme, kur përfaqësuesi jonë Sabit Rrahmani e ka nënshkru [deklaratën e] pavarësisë.

Edhe sot jemi organizu për me dal me festu, sepse jemi të barabartë. Do të festojmë në sheshin Zahir Pajaziti dhe do të festojmë si gjithë të tjerët. Mas 10 viteve … na po e shohim se çysh po shkon gjendja, por shpresojmë që në të ardhmen po bahet najsen për të gjithë – e sidomos punësimi. Te komuniteti ashakali punësimi është problemi ma i madh. Shumë pak janë të integruar në nivel të punësimit. Kam andërr që së paku një numër i ashkalinjëve me u integru në punë. Nuk jetohet jeta me kanaqe e bërllogje, andaj edhe kaniherë jemi të zgjënjyer që jemi të anashkaluar nga kjo qeveri.

Imer Ahmeti

6eightMosha: 54
Profesioni: I papunësuar, inxhinier i ndërtimtarisë
Nga: Ferizaj

Unë shoh shumë arsye me festu dhe do e festoj në shtëpi e do dalim të shëtisim edhe pse do ketë të tjerë që s’festojnë. [Mas 10 vjetëve] sdij ç’të iu them. Nëse vazhdon me këtë trend shumë zbehtë. Njerëzit ende s’janë të vetëdijshëm me festu një ditë që duhet festuar pavarësisht gjendjes politike e ekonomike. Shteti si shtet s’po bën organizim ashtu siç duhet. Një program më të mirë kulturo-artistik, por siç duket këta s’janë të interesuar me organizu diçka.

Burim Lushta

7eight

Mosha: 35
Profesioni: I diplomuar në elektro-energjetikë
Nga: Mitrovica

Prej [vitit] 2008 kam prit që politikanët të rregullojnë prej çështjeve shëndetësore e deri tek gjykatat, që janë primare për një shtet që duhet të funksionojë normal. Pres që politikanët të merren vesh me njëri tjetrin dhe t’ia japin një përparësi të madhe popullit dhe të bëjnë zhvillimin ekonomik primar. Shpresoj që kafiqat do të jenë të thatë e kanë me punu të gjithë.

Vesë Kelmendi

8eight

Mosha: 23
Profesioni: Hulumtuese
Nga: Prishtina

Mënyra më e mirë për me dëshmu festimin e Republikës së Kosovës është protesta që do të organizohet me 17. Ndoshta një pjesë e qytetarëve do të festojnë, por më e mira e të mirës është t’i përgjigjen kësaj proteste. Jo veç kundër Asociacionit, por edhe problemeve tjera kryesore të Kosovës si papunësia, varfëria e arsimi i dobët, që padyshim janë arsye parësore që ne do të duhej të protesonim.K

Raportimi nga Eraldin Fazliu. Fotografitë nga Atdhe Mulla.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO