Shkurt | Zgjedhje

Premtimet zgjedhore: Analizë e fakteve

Nga - 07.10.2017

Analizojmë disa prej pretendimeve më të guximshme të kësaj jave.

Meqë Kosova po bëhet gati për të votuar përsëri – këtë herë në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor – politikanët po bëjnë gjithnjë e më shumë premtime. Miliona euro po premtohen për lloj-lloj projektesh, prej sistemit nëntokësor të trenave në Prishtinë e deri te spitalet e shkollat e reja, dhe joshja e investitorëve të huaj.

Çdo javë gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, K2.0 po i analizon disa prej pretendimeve më të guximshme të dhëna nga kandidatët për kryetarë të komunave, për t’i parë gjasat për realizimin e tyre kur marrim parasysh buxhetin, afatet kohore, kompetencat zyrtare dhe faktorët e tjerë.

Javën e kaluar i analizuam premtimet për shkolla të reja në Prishtinë si dhe për furnizim me ujë 24/7 në Prizren. Këtë javë vazhdojmë me fjalë të mëdha nga Ferizaji dhe Kamenica…

Komuna: Ferizaj

Premtimi: Përfundimi i ndërtimit të spitalit të ri (Agim Aliu, PDK)

Në vitin 2013, kur Ferizaji qeverisej nga PDK-ja, u nënshkrua një memorandum i bashkëpunimit ndërmjet komunës lokale dhe Ministrisë së Shëndetësisë që e lejonte Ministrinë për të investuar më shumë se 9.4 milion euro për ndërtimin e një spitali të ri rajonal në Parkun e Lirisë në periferi të qytetit.

Megjithatë, ndonëse ky spital u përfshi në buxhetin e Kosovës për vitin 2016, për shkak të parregullsive dhe apeleve të supozuara në procesin e tenderimit, të cilat kanë rezultuar me dhënien e një kontrate të ndërtimit tri herë, ndërtimi i një spitali të ri ende nuk ka nisur.

Zgjedhjet e ardhshme lokale kanë shërbyer si mundësi për ta hapur diskutimin për këtë projekt. Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Ferizajit, Agim Aliu, e përdori këtë çështje për të fituar pikë politike kundër kryetarit aktual të LDK-së, Muharrem Svarqës. Gara në Ferizaj, vendi që gjithmonë është qeverisur nga PDK-ja ose LDK-ja, pritet të jetë veçanërisht interesante sivjet meqë deputeti i Kuvnedit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, gjithashtu pritet t’i sfidojë seriozisht dy të parët për karrigën kryesore të komunës së Ferizajit. Partia e tij u paraqit mirë në zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën në qershor.

"Premtimet e kandidatëve për kryetar të komunës, ato nga e kaluara dhe ato që i bënë tash, janë premtime të zbrazëta"

Albulena Nrecaj, Iniciativa për Progres

Aliu, i cili ishte kryetar i Ferizajit kur u nënshkrua memorSpitali Rajonal i Ferizajt do të ndërtohet, bashkë me shumë projekte të tjera, pjesë e platformës sime qeverisëse”, tha Aliu të premtën (6 tetor), gjatë një vizite në spitalin ekzistues të qytetit.

I njëjti premtim u dha nga lideri i PDK-së, Kadri Veseli, kur iu bashkangjit Aliut në rrugëtimin e fushatës së tij nëpër fabrika lokale, të martën. Veseli dha një afat kohor edhe më ambiciz për projektin. “Brenda dy viteve të para do të përfundojë”, tha Veseli. “Nuk po them do të nis, por brenda dy viteve të para të qeverisjes së Agim Aliut do të përfundojë spitali të cilin e meriton Ferizaji”.

Duke mos dashur të mbetet jashtë kësaj çështjeje, të dielën (1 tetor) Svarqa i LDK-së u takua me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajlin. Ai tha se “e mori mbështetjen” për të vazhduar me ndërtimin e spitalit.

Megjithatë, këto pretendime të dhëna nga kandidatët në lidhje me spitalin janë të vështira për t’u realizuar. Ndonëse kushdo që zgjedhet kryetar i Ferizajit më 22 tetor pashmangshëm do ta ketë rol të madh në lobimin tek Qeveria qendrore për të vazhduar me këtë projekt, përgjegjësia për spitalin e ri nuk është kompetencë e Komunës.

Albulena Nrecaj – drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së së qytetarisë aktive, Nisma për Progres, që e monitoron gjerësisht Komunën e Ferizajit – thotë se premtimet e bëra nga kandidatët për përfundimin e spitalit janë “të kota”. Premtimet e kandidatëve për kryetarë të komunës, ato nga e kaluara dhe ato që i bënë tash, janë premtime të zbrazëta dhe janë thellësisht të politizuara, meqë ky projekt udhëheqet nga Ministria e Shëndetësisë”, thotë Nrecaj.

Premtimet për përfundimin e këtij projekti në të ardhmen e afërt duhet të analizohen në kontekstin e komenteve të bëra nga Ministri i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së gjatë takimit të fundit të tij me Svarqën. “Nuk mund të them që do ta bëjë për një muaj. Çështjet e mjekësisë duan kohë më të gjatë por vitin e ardhshëm ju dhe ne do ta festojmë fillimin e fundit të këtij problemi”, tha Ismali.

Komuna: Kamenicë

Premtimi: 1 milion euro për renovimin e hyrjes së qytetit (Kujtim Gashi, PDK)

Prej fundit të luftës Kamenica është udhëhequr nga LDK-ja ose PDK-ja. Kandidati i LDK-së, Shaip Surdulli, ka qenë kryetar në këtë komunë për 11 vjet. Ai më pas u zëvendësua nga kryetari aktual nga radhët e PDK-së, Begzad Sinani, në vitin 2014. Megjithatë, sivjet kjo garë tradicionale ndërmjet këtyre dy partive është bërë më interesante me rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e përgjithshme. Deputeti i sapozgjedhur në Kuvendin e Kosovës, Qendron Kastrati, pritet të ketë mundësi të mirë për ta sfiduar këtë duopol.

Këtë garë shumë të nxehtë për kryetar të komunës Kujtim Gashi i PDK-së e bëri edhe më të nxehtë këtë javë në një debat në RTV Dukagjini duke premtuar se do të investojë mbi 1 milion euro në ridizajnimin e hyrjes kryesore të qytetit, për ta lidhur atë me sheshin kryesor.

Shkalla e investimit të propozuar është mbresëlënëse, por kur i analizojmë financat e kësaj Komune vërehet se realisht është vështirë të zbatohet ky plan. Komuna e Kamenicës buxhetin total për investime kapitale për vitin 2017 e ka më pak se 125,000 euro – 1/8 e investimit të premtuar.

"Unë nuk e di se si bizneset e qytetarët marrin pjesë në investime publike

Amir Jakupi, gazetar

Kjo do të thotë se, sikur në këtë projekt të investohej buxheti total për investime kapitale në këtë Komunë për secilin nga katër vitet e mandatit të ardhshëm – dhe sikur të ndaleshin të gjitha projektet e investimeve kapitale – prapëseprapë kjo do ta mbulonte vetëm gjysmën e 1 milion eurove të premtuara.

Amir Jakupi, gazetar nga Kamenica, thotë se ideja e renovimit të hyrjes së qytetit nuk është ide e re, dhe se ky ishte një premtim i kahmotshëm i bërë nga kolegu partiak i Gashit, Begzad Sinani, kur ai u zgjodh për mandatin aktual.

Jakupi thotë se realizimi i premtimit të Gashit do të ishte i “mirëpritur”, por se është jorealist kur e marrim parasysh buxhetin aktual të komunës. Ai thekson se me këtë buxhet janë përballur me probleme për ta siguruar derivate për kamionë të zjarrfikësve dhe ambulancën e spitalit lokal.

Kur u pyet gjatë debatit për planin e tij për ta financuar këtë premtim kur i marrim parasysh kufizimet buxhetore të kësaj komune, Gashi reagoi duke thënë se nuk do të përfundohet brenda një apo dy viteve, dhe se do të përfshinte “një partenritet publik dhe privat”.

Për Jakupin, duhet të shtrohen disa pyetje sa i përket kësaj çështjeje. Fillimisht, çfarë nxitje ka një projekt i tillë për investim të jashtëm, i cili ndryshe nga projektet e tjera të mëdha të infrastrukturës me gjasë do të ofronte pak mundësi në të ardhmën për ta rikthyer investimin. “Unë nuk e di se si bizneset e qytetarët marrin pjesë në investime publike”, thotë ai.K

Foto kryesore: Matko Bulent / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO