Shkurt | Zgjedhje

Premtimet zgjedhore: Analizë e fakteve

Nga - 14.10.2017

Analizojmë disa prej pretendimeve më të guximshme të kësaj jave.

Meqë Kosova po bëhet gati për të votuar përsëri – këtë herë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor – politikanët po bëjnë gjithnjë e më shumë premtime. Miliona euro po premtohen për lloj-lloj projektesh, prej sistemit nëntokësor të trenave në Prishtinë e deri te spitalet e shkollat e reja, dhe joshja e investitorëve të huaj.

Çdo javë gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, K2.0 po i analizon disa prej pretendimeve më të guximshme të dhëna nga kandidatët për kryetarë të komunave, për t’i parë gjasat për realizimin e tyre kur marrim parasysh buxhetin, afatet kohore, kompetencat zyrtare dhe faktorët e tjerë.

Në artikujt e mëparshëm i analizuam premtimet për shkollat në Prishtinë dhe furnizimin me ujë në Prizren, si dhe ndërtimin e spitalit në Ferizaj dhe investimin në vlerë një milion euro në Kamenicë.

Këtë javë, K2.0 i analizoi disa prej pretendimeve më të guximshme të kandidatëve për kryetarë të komunave sa i përket investimeve ekonomike në perendim të Kosovës, në Pejë, si dhe shpenzimeve në sport në rajonin lindor të Gjilanit.

Komuna: Pejë

Pretendimi: 24 milionë euro do të shpenzohen në 37 projekte të investimit kapital (Sabiha Shala, PDK)

Sipas traditës, gara për kryesinë e Pejës është zhvilluar ndërmjet LDK-së dhe AAK-së. Në vitin 2013, Gazmend Muhaxheri i LDK-së u bë kryetar i komunës së Pejës pas mandatit të Ali Berishës të AAK-së. Ky i fundit e kishte udhëhequr këtë qytet prej kur Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Megjithatë, PDK-ja gjithmonë ka luajtur rol në politikën e kësaj zone, shpeshherë duke u dëshmuar si vendimtare gjatë formimit të qeverive komunale. Në përpjekjet e tyre për të fituar më shumë ndikim në rajon, ata e kanë zgjedhur Sabihe Shalën si kandidate për kryetare të komunës së Pejës. Shala është pedagoge dhe anëtare e senatit në Universitetin Publik ‘Haxhi Zeka’ në Pejë.

Fushata e PDK-së me sa duket është e bazuar në parimin e shpenzimit të parave për të fituar para, meqë Shala premtoi në një debat në TV Dukagjini të shtunën (7 tetor) se do t’i shpenzojë 24 milion euro për t’i realizuar 37 projekte të investimit kapital të cilat kanë për synim stimulimin e ekonomisë lokale.

Në vitin 2017 buxheti për të gjitha investimet kapitale në Komunën e Pejës ishte 5.8 milionë euro. Në vitin 2018 kjo shumë do të rritet deri në 6.2 milionë euro, ndërsa në 2019 pritet të rritet përsëri në 6.6 milionë euro.

Ndonëse projektet e Shalës për stimulimin e ekonomisë mund të jenë të mirëpritura në Pejë, me gjasë me këtë do t’i pakësonin buxhetet e disa departamenteve të tjera, përfshirë këtu Departamentin e Shëndetësisë, Arsimit dhe Shkencës, dhe Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Nëse buxheti vjetor për investime kapitale është rreth 6 milionë euro, do të duhej që pothuajse të gjitha investimet kapitale në këtë qytet të shpenzoheshin në 37 projektet e premtuara nga Shala.

“Do të ishte mirë të flisnim për projekte të zbatueshme brenda kapaciteteve financiare të komunës së Pejës”.

Imer Mushkolaj, analist politik i rajonit të Pejës

Duke e shtjelluar premtimin e saj, Shala deklaroi se 16 milionë euro do të shpenzoheshin në ndërtimin e ndalesave të reja për autobusë. Për këtë ajo premton se do të përfshijë partneritete publiko-private për investime, si dhe do të kërkojë ndihmë nga institucionet qendrore.

Imer Mushkolaj, analist politik i rajonit të Pejës, mendon se premtimet e Shalës kërkojnë shumë mbështetje dhe ndihmë nga niveli qendror. “Do të ishte mirë të flisnim për projekte të zbatueshme brenda kapaciteteve financiare të komunës së Pejës”, tha Mushkolaj për K2.0. “Znj. Shala duhet të qartësojë në detaje se si do të sigurohen paratë për këto projekte, ngase kjo shumë investimesh është kafshatë e madhe për Pejën.”.

Komuna: Gjilan

Pretendimi: Një milion euro për t’i mbështetur klubet e sportit në komunë (Lutfi Haziri, LDK)

LDK-ja dhe PDK-ja janë shtyrë për Komunën e Gjilanit që prej zgjedhjeve të para lokale të cilat u mbajtën në Kosovë në vitin 2000. Pushteti ka kaluar herë te njëra, herë te tjetra. Megjithatë, rezultatet e Vetëvendosjes në zgjedhjet e përgjithshme i kanë dhënë kësaj partie shpresë për fitore në Gjilan, si dhe në shumë qytete të tjera në Kosovë.

Pasi doli në vendin e parë me 42 për qind të votave të fituara në qershor, Lëvizja Vetëvendosje e zgjodhi deputetin aktual të Kuvendit të Kosovës, Sami Kurteshin, si kandidat për të garuar kundër kryetarit aktual të Gjilanit nga radhët e LDK-së, Lutfi Hazirit, dhe Zenun Pajazitit të PDK-së.

Të tretë kanë folur për rëndësinë e sportit në rajonin e Gjilanit. Në programin e tij 20-pikësh për Gjilanin, Kurteshi premton se do t’i rigjallërojë fushat e futbollit në këtë zonë, dhe do të ndërtojë fusha të reja aty ku ka nevojë. Ndërsa Pajaziti është zotuar se do të punojë shumë për të krijuar kushte më të mira për sportistët e Gjilanit.  

Ndërkohë Haziri e përshkruan sportin si ‘identiteti i Gjilanit’. Ai deklaroi në Facebook se mbështetja financiare e komunës për klubet e sportit në këtë rajon “definitivisht do të arrijë vlerën një milion euro gjatë katër viteve të ardhshme”.

Haziri do të detyrohet t’i rialokojë disa pjesë të mëdha të buxhetit për ta realizuar këtë premtim për t’i shpenzuar një milion euro për klubet e sportit në rajon, veçanërisht nëse dëshiron të ketë para tjera të mbetura për t’i shpenzuar në projekte të kulturës dhe rinisë.

Mbështetja për klubet e sportit nga komunat zakonisht vjen nga buxheti i subvencioneve për Departamentin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që në Gjilan ishte 190,000 euro në vitin 2017.

Ndonëse buxheti total i Komunës nuk është planifikuar të rritet në vitet e ardhshme, Haziri do të detyrohet t’i rialokojë disa pjesë të mëdha të buxhetit për ta realizuar këtë premtim për të shpenzuar një milion euro për klubet e sportit në rajon, veçanërisht nëse dëshiron të ketë mjete të tjera të mbetura për t’i shpenzuar në projekte të kulturës dhe të rinisë.

Gazetari i këtij rajoni, Amir Jakupi, beson se premtimet joreale janë bërë tipare të zgjedhjeve në Gjilan. Jakupi gjithashtu thekson se, ndonëse beson se premtimi i Hazirit është “i parealizueshëm brenda katër viteve dhe pa analizë”, nevoja për ta trajtuar çështjen e objekteve të klubeve lokale të sportit është urgjente.K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO