S`fundmi | Demokraci

Zgjedhjet: Çka ndodh tash?

Nga , - 14.06.2017

Krejt çka duhet të dini në kohën kur negociatat politike veç kanë filluar.

Siç edhe është pritur, zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit nuk kanë nxjerrë ndonjë parti apo koalicion me shumicë absolute të votave, rrjedhimisht fitues të “dukshëm” të këtyre zgjedhjeve. Vetëvendosje mund të festojë rritjen e madhe të votave të saj, meqë dyfishoi mbështetjen krahasuar me vitin 2014, por ishte koalicioni PAN (PDK, AAK dhe NISMA), ai i cili mori mbështetje më të mdhe elektorale në përqindje, përkundër faktit që votat veç e veç të partive të këtij koalicioni shënuan rënie krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Ky rezultat ka bërë që në njërën anë kandidati i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj, e në anën tjetër edhe kandidati i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të pretendojnë se do ta marrin pozitën e shefit të ekzekutivit të ardhshëm të Kosovës. Në debate televizive, në Facebook dhe në media tradicionale, janë zhvilluar shumë debate e diskutime lidhur me atë se çka do të ndodh pas zgjedhjeve dhe se kush do të ketë ligjërisht mandatarin për ta formuar qeverinë e re.

Edhe pse disa gjëra ende mbesin të paqarta, K2.0 ka shikuar kornizën ligjore dhe është konsultuar me ekspertë kushtetues për t’ju dhënë një pasqyrë rreth asaj se si qëndrojnë gjërat dhe çka mund të ndodhë tutje.

Çka po ndodh tash?

Partitë kryesore politike tashmë kanë filluar manovrat mbrapa perdeve në përpjekje për t’i forcuar pozicionet e tyre dhe për të parë se çfarë marrëveshje mund të kenë në tavolinë.

Por hapi formal që duhet të paraprijë këtë proces është që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), t’i shpallë zyrtarisht rezultatet e certifikuara nga zgjedhjet e së dielës, hap i cili në të kaluarën ndërmerrej menjëherë pas ditës së zgjedhjeve, gjë që nuk ndodhi edhe kësaj radhe. As katër ditë pas ditës së votimit nuk ka rezultate finale nga KQZ.

Derisa rezultati i zgjedhjeve ka pak gjasa të prodhojë ndryshime të konsiderueshme – rezultatet preliminare tregojnë se PAN ka siguruar 39 ulëse, Vetëvendosje 31, dhe LAA (LDK, AKR, Alternativa) 30 ulëse – njoftimi zyrtar është i rëndësishëm për dy arsye.

Së pari, për shkak të sistemit zgjedhor me lista të hapura, rezultatet finale do të konfirmojnë se cilët kandidatë i kanë fituar votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë, dhe do të saktësojë barazpeshën e fuqisë brenda secilit prej dy koalicioneve parazgjedhore, PAN dhe LAA. Kjo do të mund të ketë efekt më të madh në të ardhmen, meqë do të na japë indikacion më të mirë të fuqisë negociuese të partive të ndryshme si dhe përllogaritjet e koalicioneve të mundshme qeverisëse.

Së dyti, certifikimi i rezultateve finale shënon edhe fillimin e afatit i cili duhet të respektohet, bazuar në Kushtetutë, për mbajtjen e seancës së parë konstituive pas zgjedhjeve. Pas njoftimit zyrtar të rezultateve presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda 30 ditëve. (Nëse presidenti nuk mund ta bëjë këtë, seanca mund të thirret edhe pa praninë e tij).

Në seancën konstituive, grupi më i madh parlamentar, në këtë rast PAN-i, propozon një kandidat për kryetar të Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë. Për t’u zgjedhur, kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë votat e shumicës së thjeshtë të deputetëve, pra 61 vota.

Si zhvillohet procesi i formimit të qeverisë?

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese (e cila interpreton Nenin 84 dhe Nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës), mbi vlerësimin e kushtetuetshmërisë së rezultateve të kontestuara të zgjedhjeve të vitit 2014, presidenti propozon kandidatin prej “partisë apo koalicionit” më të madh — në këtë rast, Ramush Haradinajn nga PAN-i — për të qenë kryeministër.

Me t’u emëruar kryeministri, e njëjta parti apo koalicion ka afat prej 15 ditësh për ta formuar qeverinë dhe t’ia paraqesin Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar (me ministra dhe zëvendësministra), e i cili duhet të miratohet me shumicën e thjeshtë të deputetëve.

A i ka PAN-i numrat?

Për ta formuar qeverinë, një koalicion duhet të ketë të paktën 61 deputetë — që paraqet shumicën e thjeshtë prej 120 deputetëve.

Duke marrë parasysh se PAN është “partia apo koalicioni” më i madh me 39 deputetë, atyre do t’u jepet mundësia e parë për ta formuar qeverinë. Megjithatë, atyre do t’iu duhet ta formojnë edhe një koalicion, që nuk duket assesi të jetë një punë e thjeshtë.

Edhe nëse supozojmë se PAN e siguron mbështetjen e 20 deputetëve prej komuniteteve minoritare (të cilat, sipas Kushtetutës, kanë vende të rezervuara në Kuvend), këtij koalicioni përsëri do t’i duhen edhe dy deputetë tjerë për ta pasur shumicën e thjeshtë, dhe të cilët duhet të jenë nga radhët e LAA-së apo të Vetëvendosjes. Këto ndërkaq kanë hedhur poshtë mundësinë e ndonjë koalicioni me PAN-in.

Në dukje këto deklarime sikur tregojnë se një koalicion qeveritar ndërmjet PAN dhe LAA është i pamundshëm. Haradinaj tashmë ka lënë të kuptohet se PAN-i do të përpiqet të bëhet bashkë me LDK-në, mundësi e cila u përjashtua kategorikisht nga zyrtarë të LDK-së. Megjithatë duhet kujtuar se LDK-ja edhe në vitin 2014 e kishte hedhur poshtë një koalicion qeveritar me PDK-ne, por kishte ndryshuar këtë qëndrim pas plot gjashtë muajsh bllokade politike duke nënshkruar marrëveshjen për qeverisje me të.

“Pasi që, sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit, është përgjegjësi e Presidentit të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizoteruese për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të shmangën zgjedhjet”.

PAN gjithashtu mund të provojë të ‘peshkojë’ dy deputetë nga ndonjëra prej partive tjera (AKR dhe Alternativa), në mënyrë që ta arrijnë numrin prej 61 deputetëve. Kjo do të mund të nënkuptojë ose ofrimin e mundësive që deputetët e caktuar të largohen nga partitë e tyre ose, varësisht prej numrit të deputetëve të partive të koalicionit të LAA-së, PAN mund të provojë ta bindë njërën prej partive më të vogla, AKR-në apo Alternativën, që t’i bashkohen si subjekte këtij koalicioni.

Nëse PAN nuk mund ta formojë qeverinë, a do t’i jepet kjo mundësi Vetëvendosjes?

Nëse i nominuari i parë për kryeministër nuk arrin të sigurojë votat për ta formuar qeverinë, presidenti i Kosovës “në diskrecionin e tij/saj” konsultohet me partitë dhe koalicionet, para se ta nominojë kandidatin tjetër për kryeministër, brenda 10 ditësh.

Supozohet se si kandidat për kryeministër nga radhët e ‘partisë apo koalicionit’ të dytë më të madh, Hashim Thaçi duhet të nominojë Albin Kurtin e Vetëvendosjes (i cili do të kishte 15 ditë për ta formuar qeverinë e cila miratohet nga shumica e Kuvendit).

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, sa i përket mandatarit të dytë ka paqartësi, duke thënë se presidenti më këtë rast mund të nominojë një kandidat tjetër nga ‘partia apo koalicioni’ i njëjtë.

Por, sipas ekspertëve kushtetues, është e qartë se në këtë pikë nuk ka dykuptimësi, për shkak të paragrafit 94 të Kushtetutës i cili thotë:

“Pasi që, sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit, është përgjegjësi e Presidentit të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizoteruese për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të shmangën zgjedhjet”.

Me fjalët tjera, presidenti i Kosovës nuk duhet të jetë i përfshirë në politikat e partisë në kurrfarë mënyre, dhe nesë partisë së dytë më të madhe i mohohet mundësia për formimin e qeverisë, ai e shkel Kushtetutën.

A do t’i ketë Vetëvendosje numrat?

Vetëvendosjes gjithashtu do t’i duhej të formonte koalicion për të siguruar 61 ulëse të nevojshme për formimin e qeverisë, meqë ajo sipas rezultateve preliminale del t’i ketë vetëm 31 deputetë.

Albin Kurti dhe anëtarët tjerë drejtues të Vetëvendosjes kanë shprehur gatishmërinë të formojnë koalicion me koalicionin LAA, e cila në anën tjetër ka lënë të kuptohet mjaft qartë se një koalicion potencial me Vetëvendosjen është i mundur.

Me 30 deputetët e LAA-së dhe 31 deputetët e Vetëvendosjes arrihet shumica e thjeshtë prej 61 deputetëve, pa i llogaritur 20 deputetët e komuniteteve pakicë.

Kurti gjithashtu ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunojë edhe me anëtarët e caktuar të koalicionit PAN.

Çka ndodh nëse dështon edhe përpjekja e dytë për formimin e qeverisë?

Nëse qeveria nuk zgjedhet për herë të dytë, vendi do të përsërit zgjedhjet parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.K

Foto kryesore: K2.0.