Biseda | Feminizmi

Eli Krasniqi: ‘Realisht, patriarkati vret’

Nga - 27.08.2018

Bisedë për Feminizmin në Ballkan (Pjesa 1) – Socio-antropologia flet për vështirësitë dhe përpjekjet e përditshme të feminizmit në Kosovë.

Në fushën e feminizmit global, viti 2017 do të kujtohet për lëvizjen #MeToo.

Kjo nismë, e themeluar në SHBA pas skandalit të Harvey Weinstein – në të cilin prodhuesi i njohur i filmave është akuzuar për ngacmime dhe sulme seksuale kundër dhjetëra grave – u përhap në shtete të tjera, duke bërë që qindra e mijëra gra të thonë publikisht “me too” (“edhe unë”… jam viktimë e ngacmimit), për ta theksuar faktin se dhuna seksuale është problem i përhapur dhe serioz. Revista Time e shpalli lëvizjen “me too”, apo ato që e “thyen heshtjen”, si person të vitit.

Ndonëse “me too” arriti edhe Ballkanin, shtetet në këtë rajon ende përballen me beteja të ndryshme. Disa nga temat e theksuara nga aktivistët feministë në Ballkan janë e drejta për abortim, përfaqësimi i grave në pozita të vendimmarrjes, prania e grave në politikë dhe dhuna kundër grave.

Në një seri të Bisedave, K2.0 ka folur me disa prej feministeve më të shquara në rajon për zhvillimin dhe gjendjen aktuale të feminizmit në shtetet e tyre përkatëse dhe problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen.

Për ta hapur këtë seri, K2.0 foli me Eli Krasniqin, socio-antropologen që po hulumton trajektoren feministe në Kosovë në shekullin 21 si pjesë e studimeve të doktoraturës në Universitetin e Grazit. Ajo është gjithashtu bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë, si dhe aktiviste e mirënjohur feministe.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

K2.0: Një një panel diskutimi më herët këtë vit, derisa është diskutuar mungesa e solidaritetit në mes aktivisteve për të drejtat e grave, ke thënë që është vështirë të ketë solidaritet derisa gratë e kanë të internalizuar patriarkalitetin. Mund të elaborosh më shumë rreth kësaj?

Eli Krasniqi: Nuk mendoj që nuk ka fare solidaritet. Në raste të dhunës ndaj grave, apo të shtymjes së ndonji ligji që avancon të drejtat e grave, gratë e shohin se kjo kauzë asht e përbashkët dhe organizohen protesta, marshe etj. Por jo në gjithçka.

Së pari, grupet krijojnë solidaritet kryesisht në kohë krizash, qysh ka qenë në vitet e ‘90 për shembull. Sepse ‘armiku’ asht qartë i definum dhe asht i përbashkët, si në rastin e shtetit serb. Dhe në këto periudha asht ma lehtë me u mobilizu. Kur kryhet pastaj ajo periudhë, përpjekja me i mobilizu njerëzit rreth një ideje të përbashkët kundër diçka si sistemi patriarkal është shumë më e vështirë.

Në kohë të paqes ka njëfarë stabiliteti që realisht është i rrejshëm, sepse në shoqëritë tona nuk ka kurgja stabile. Gjithçka është tu pëlcitë. Por duke qenë që ne kemi pasë luftë, në periudhën e pas luftës problemet tjera si patriarkalizmi duken të vogla në krahasim me këtë.

"Ku ka ma krizë se kur gratë vriten dhe vrasësit mbrohen në liri, apo thjesht dalin të pafajshëm apo thjesht u jipet nji dënim qesharak?"

Në realitet, patriarkalizmi vret. I vret gratë. Bile edhe në emër të dashnisë. Pastaj po, asht edhe përbrendësimi i patriarkalizmit, si sistem i të menduemit, e i praktikave që janë rranjosë thellë në shoqni, e që nuk asht karakteristikë e shqiptarëve vetëm, apo e Ballkanit. Asht proces historik, gjithkund, por dallon mënyra e shpërfaqjes dhe shkallët e shtrirjes së këtij sistemi.

Nganjihere më duket sikur sukses i madh, çoftë edhe si solidaritet veç kur ka njifarë pranimi që jetojmë në shoqni patriarkale. Sepse kjo asht çashtje përceptimi, formimi teorik ideologjik, çashtje e interesave dhe se çka na përjetojmë si problem në Kosovë, etj.

Pra, dallon edhe mënyra qysh artikulohen krizat. Ku ka ma krizë se kur gratë vriten dhe vrasësit mbrohen në liri, apo thjesht dalin të pafajshëm apo thjesht u jipet nji dënim qesharak?

Ne kishim pasë dëshirë që çashtja e shembjes së patriarkalizmit të konsiderohet po aq e randsishme sa konsiderohet çashtja kombëtare. Patriarkalizmi nuk ta jep idenë që je e kërcënume me ekzistencë, edhe pse je, sepse numri i grave të vrame e mbështetë këtë pohim, pa e mohu që patriarkalizmi shtyp edhe burrat.

Por duke qenë që gratë janë në një pozitë të pafavorshme si ekonomike, e kulturore e qyshdo qoftë, viktimat e para janë gra. Përbrendësimi apo edhe mbrotja e këtij sistemi asht proces gati se i pavetëdijshëm, sepse asht çashtje e mbijetesës në atë hierarki, ku shpesh sa ma mbrojtëse e këtij sistemi, shansat janë ma të mëdha për me mbijetu apo me përfitu dhe siç e thashë nuk asht proces i vetëdijshëm, por pjesë e praktikave tona të përditshme shoqnore, politike, kulturore etj.

Problemi tjetër që e vështirëson solidaritetin midis grave feministe asht mungesa e fondeve. OJQ-të janë të varura prej fondeve dhe me zvogëlimin e fondeve asht rritë konkurenca, por nganjihere edhe animoziteti. Ndoshta na duhet me ri-definu se çka nënkupton solidariteti sot dhe si ishte dashtë mu nxjerrë në sipërfaqe.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Duke marrë parasysh çështje të tilla si shkalla e lartë e dhunës në baza gjinore, qasja diskriminuese në sistemin gjyqësor, siç është çështja e të drejtës në pronë dhe hendeku i madh në punësim mes burrave dhe grave, a nuk janë këto mjaft arsye që lëvizja të jetë më radiakle – që t’i shpallë luftë patriarkatit?

Këtë pyetje a baj shpesh, pra pse nuk jemi ma radikalë si popull. Si është e mundshme që na tolerojmë faljen e 53 milionëve [euro – një taksë ndëshkuese ndaj qeverisë për shkelje të një kontrate për ndërtim të autostradës], rritjen e pagave të qeveritarëve, skandalet e nji pasnjishme politike e ekonomike për tash sa kohë?

Po flasim për një popull të varfër, me një përqindje shumë të madhe të moshës mesatare të re, me arsimim komplet të korruptuem, me shëndetësi komplet skandaloze, me kushte ku pacienti edhe shiringat i blen vetë. Dhe në këtë situatë, ne shpesh e bajmë pyetjen se si asht e mundun që nuk ka zemërim masiv kundër këtij pushteti.

Nuk kam përgjigje të saktë për për këtë, por vetëm hamendësime. Ndërkaq sa i përket patriarkalizmit, them që përderisa patriarkalizmi dhe forma qysh shpërfaqet në jetë të përditshme, normalizohet, si pjesë e kulturës, radikalizmi kundër këtij sistemit në mënyrë masive asht kogja ma pak i pritshëm dhe i realizueshëm. Kjo ka të bajë edhe me idenë e lojalitetit për kulturën dhe identitetin. Pra, kjo përpjekja për me qenë lojalë ndaj një rendi shoqëror, kulturor, njëfar mënyre e tërheqë mbrapa çfarëdo mobilizimi ma të madh.

Por mandej janë edhe aspekte praktike të organizimit dhe mobilizimit. Por, fillimisht mendoj që duhet nji pajtim i përgjithshëm i identifikimit të saktë të problemit dhe pajtimi për format e organizimit.

Shpeshherë përgjatë rrugëtimit, mungon konsistenca. Në vendet si tonat p.sh, ku politika  e ngulfat secilin aspekt tjetër të jetës, sociale ekonomike, është goxha vështirë me pasë kundërshtim masiv konsistent kundër patriarkalizmit. Sepse kjo e fundit siç e thashë nuk shihet si problem.

Qeveria konsideron që me kalimin e disa ligjeve për barazi gjinore e ka kryer punën sa i përket kësaj çashtje. Në fakt, nganjiherë m’vjen sikur ligjet a normat zakonore shtypëse janë ma prezente në qeveri se në popull.

P.sh në rastet kundër dhunës ndaj grave, e kam përmend në nji artikull ma herët, në format e aplikimit të ligjit ka nji lloj përshtatje apo përbrendësim të qëndrimeve dhe praktikave kanunore, tue fillu madje edhe prej mënyrës së komunikimit.

"Problemi asht se sa thellë asht e rranjosun mendësia kanunore brenda përbrenda shtetit, mendësi e cila e shndërron kuvendin në odë burrash."

Kur janë në pyetje gratë, apo dhuna ndaj tyre, iu bien hise atyne me pagu çmimin për ‘rujtjen e familjes’, kërkohet prej grave me e sakrifiku mirëqenien e tyre, ndërkaq burrit që shtron dhunë, i thuhet ‘si burri -burrit’ me fjalë diçka sikur ‘mos e rreh gruan se nuk ka kuptim’. Po, kaq banale asht.

Ky pushtet e sheh shtetin si familje patriarkale dhe shoqninë si anëtarë të familjes, ku hierarkia e gjinisë dhe moshës janë modus operandi e ma i vjetri quhet ‘bac’. Pra, problemi asht se sa thellë është e rranjosun mendësia kanunore brenda përbrenda shtetit, mendësi e cila e shndërron kuvendin në odë burrash me idetë identitare se kush jemi na.

Siç u tha para disa mujsh për ligjet që mbrojnë gratë ‘nuk u vjen era shqip’. Mendohet se kështu komunikohet ma mirë me popullin. [Sociologia] Nita Luci ka nji shkrim me titullin ‘Kujtesa kolektive: midis popullit dhe popullizmit’. Unë e kisha marrë këtë formulim me thanë që tash kanuni asht midis popullit dhe popullzmit të shtetit. Në rastet e dhunës ndaj grave, duket sikur familja ku shtrohet dhuna, qoftë psikologjike a fizike, bashkë me shtetin konspirojnë për me i lanë gratë në margjina.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Si pjesë e studimeve të doktoratës tuaj, keni bërë hulumtime të gjera mbi pjesëmarrjen e grave në Ilegalja – grupe politike të nëndheshme që u zhvilluan në vitet ’60, si rezultat i shtypjes nga regjimi i atëhershëm jugosllav. Ne rrallë dëgjojmë për këto grupe. Si ka ndikuar ky mos dokumentim dhe përjashtim i pjesëmarrjes së grave në zhvillimet politike të asaj kohe? Dhe cili është ndikimi i tij në lëvizjen e sotme?

Në historinë shqiptare rastet e grave që kanë dalë në sipërfaqe dhe kanë pasë kontribut çlirimtar kombëtar e tjera, janë partikulizu diqysh. I kemi disa emra që jemi rritë me to Shote Galica, Ganimete Tërbeshi etj.

Por atyre u kanë vënë atribute burrnore. Format e shkrimit për to sikur kanë dhanë mesazh se e vetmja mënyrë me u njoftë kontributi i grave asht po që se ato kanë këto atribute si ‘burrnore’ apo ‘trime’. Pra në nji farë mënyre, nënteksti asht që gratë prej natyrës nuk qenkan të ‘bekueme’ me trimëni dhe ato tipare që janë edhe të grave, fillimisht qenkan tipare të natyrshme të burrave, prandaj edhe cilësimi ‘burrnore’, dhe krejt në fund, nëse këto gra i kanë këto tipare, qenkan unike.

Para se me vazhdu me aspektin e historiografisë, po du me folë për çmimin që gratë pagujnë për angazhimin e tyne dhe format e rrebelimit. Duke qenë se pozita e grave ka qenë e varur prej familjes, prej shoqërise, kontributi kombëtar i grave shpesh është heshtë dhe gratë asht dashtë me ba kompromis me këtë heshtje që me mujtë me vazhdu jetën përtej aktivizmit të tyne politik.

"Gratë me kontributin kombëtar mbështeten derisa kontributi e lufta e tyne nuk përban kërcënim për prishjen e nji rendi shoqnor e kulturor ku dominues janë burrat."

Nëse i marrim shembull gratë e ilegales, ato kanë qenë shumë të respektueme prej shoqërisë, por edhe kanë pagu nji çmim social për angazhimin e tyne. E kam një intervistë të nji aktivisteje të Ilegales të vitit 1984, ku ajo e spjegon shembullin e vet.

Ajo thotë që gjithçka ka qenë në rregull derisa nuk ka kërku prej burrit të saj të atëhershëm që me i nda punët e shtëpisë me të, apo deri sa nuk i ka kundërshtu disa rituale të martesës e të qenunit ‘nuse’. Biles thotë ajo, edhe shokët e saj të aktivizmit të Ilegales janë përpjekë me e bindë tue i thanë ‘‘mundohu pak mu përshtatë’’.

Pra, gratë me kontributin kombëtar mbështeten derisa kontributi e lufta e tyne nuk përban kërcënim për prishjen e nji rendi shoqnor e kulturor ku dominues janë burrat dhe kur nuk u rrezikon pushtetin atyre. Pushteti vjen me privilegje dhe privilegjet rrallë dorëzohen vullnetarisht.

Për gratë ka qenë dhe vazhdon edhe sot me qenë shumë ma e vështirë mu angazhu politikisht apo me pasë çfarëdo angazhimi tjetër përtej domenit privat familjar. Qoftë si djem kur janë në shtëpi të prindërve, qoftë si burra kur janë me familjen e vet, shoqnia akomodon nevojat e burrave, përmes grave.

Ndërkaq sa i përket historiografisë, problemi asht si me krejt shkencën në përgjithësi në Kosovë. Përveç mungesës së vetëdijes gjinore, problemi asht se çfarë detyre i jep kjo shoqni ose shkencëtarët diciplinës së historisë.

Historiografia shqiptare zyrtare në Kosovë nuk duket që e ka synim historinë shoqnore apo historinë e jetës së përditshme. Hulumtimi historik në Kosovë kryesisht është histori politike, ku nxjerrë në sipërfaqe burrat, politikan, mbretër etj. Historia apo hulumtimi në histori në Kosovë, në masë të madhe asht reduktu në hulumtime që legjitimojnë ekzistencën e shqiptarëve në Ballkan dhe të drejtën e tyre për shtet.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Përderisa e kuptoj këtë nevojë tue e marrë parasysh rrethanat e randa politike të shtypjes historikisht, nuk e arsyetoj garimin e burrave me pushtet për me i kapitalizu veprimtaritë politike përmes historisë. Në këtë ‘garë’, nuk nxirren në siparfaqe gratë. Edhe kur kjo ndodhë, ato i portretizojnë si raste unike, në forma romantike apo edhe brenda domenit të familjes dhe farefisnisë.

Kur flasim për protagoniste që janë gjallë, është problem i zgjidhshëm, por si me gërmu historikisht për kontributin e grave në periudha ma të hershme. Metodologjitë që përdoren në hulumtimin historik në Kosovë, ngushtojnë hapsinën për një vështrim ma të nuancuem për të kaluemen dhe për përfshimjen e grave në këtë vështrim. Problem tjetër asht gjuha. Nëse merret nji libër klasik i historisë, më shumë ka cilësime të protagonistëve apo ngjarjeve, sesa që vërtetë kuptohet se çfarë ka ndodhë.

Kemi kuota të Kuvendit dhe diskutime të pafundshme për përfaqësimin 50/50 në pozitat vendimmarrëse në legjislaturë. Sa i shtyjnë partitë e Kosovës, sidomos ato që e emërtojnë veten si të majtë, përpara çështjet gjinore?

Vetëvendosje është prej partive të vetme që ka dhanë njëfar ideje dhe imazhi ku barazia gjinore trajtohet seriozisht. Por gratë politikane, përveç [deputetes së Partisë Social Demokrate] Aida Dërgutit, nuk i kam dëgju duke u deklaru si feministe. Kjo nuk do me thanë që nuk janë. Mundet me qenë që veç unë nuk i kam dëgju. E pse asht e rëndësishme kjo? Sepse edhe me u deklaru feministe asht akt poltik.

Të deklaruemit si feministe jo domosdo e ban nji gru apo burrë me qenë aktiviste feministe, por vetëm tregon që ajo\ai pajtohet me mendimin dhe besimin që gratë dhe burrat me gjithë ndryshimet duhet me qenë të barabartë dhe që patriarkalizmi asht sistemi që duhet shembë. Natyrisht kjo duhet me u përcjellë me veprime konkrete feministe.

"Por kuota nuk mjafton ma. Duhet nji kuota plus. E kjo ‘plus’ asht feminizmi, por kjo duhet të jetë edhe për burra."

Sa i përket kuotës – më duket e randësishme sepse kuota e ka thy deri dikund atë bindjen që gratë nuk munden me qenë në politikë. Bile, pasi që u instalu kuota 30% e deputeteve në parlament, dolën në sipërfaqe standardet e dyfishta kur ishte çashtja e vlerësimit të burrave dhe grave në politikë. Gratë shiheshin me llupë dhe atyre nuk u faleshin shkarjet, e njejta nuk vlente për burrat.

Por kuota nuk mjafton ma. Duhet nji kuota plus. E kjo ‘plus’ asht feminizmi, por kjo duhet të jetë edhe për burra. Dallimin e ban pra feminizmi. Feminizmi asht pjesë e pashmangshme dhe duhet trajtohet si e tillë, e veprimtarive dhe narrativave politike, kombëtare, çlirimtare, emancipuese ejt, sepse nuk vjen automatikisht. Nuk ka ardh asnjëhërë.

Madje kisha me thanë – do të duhej me qenë feminizëm i majtë sepse kjo kishte me siguru nji adresim të çashtjeve të diskriminimit të grave mbi bazë të gjinisë dhe klasës.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Keni përmendur në fillim se nuk ka pasur një lëvizje të grave, por një lëvizje feministe? Kur u bë ky dallim?

Ta marrim për shembull prej pas Luftës së Dytë Botërore dhe tutje, shteti ka pasë dy kampanja që kanë pasë për qëllim emancipimin e grave – përmes heqjes së ferexhes dhe arsimimit.

Në vitin ‘78 bëhet konferenca e parë feministe në Beograd, në nivel jugosllav por nuk kam informata për pjesëmarrjen e grave nga Kosova. Socializmi arriti me i njxerrë gratë në sferën publike (të paktën ato në hapsinat urbane), por nuk arrit t’i bante burrat pjesë të sferës private, ku ‘amvisnia’ termi që përdorej atëherë, të ndahej bashkarisht.

Në atë periudhë, revista ‘Kosovarja’ kishte artikuj për feminizëm dhe promovonte gratë e suksesshme, por paralelisht me artikujt që u tregonin grave për zierje e gatim e për dekorim të shtëpisë. Lëvizja Ilegale, përveç emancipimit kombëtar, grupacionet e viteve të 1980, kanë pasë synim edhe emancipimin gjinor. Në fillim të ‘80 Ilegalja nxjerri edhe gazetën për gra.

"Pas marrjes së autonomisë së Kosovës në 1989 dhe dakada që pasoj, shënoi nji regres."

Ku narrativi dhe gjuha emancipues për gratë nuk ndryshonte shume prej asaj se çfarë prodhonte shteti që poshtu në dukje kishte synim avancimin e pozitës së grave. Në këtë periudhë, gratë aktiviste të Ilegales tregojnë se aktivizmi i tyre ishte edhe me premtimin se me çlirimin kombëtar vijnë edhe të drejtat e grave, ide (apo premtim) që përcillet edhe në vitet e ‘90.

Pas marrjes së autonomisë së Kosovës në 1989 dhe dakada që pasoj, shënoi nji regres sepse pas përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet publike, gratë u shtynë përsëri në domenin privat familjar.

Kjo dekadë ndoshta duhet me u pa prej prej dy skajeve, një njërën anë ka njëfarë regresi për shkak të këtij kthimi në sferën private, por në anën tjetër ka njëfarë progresi për shkak të formimit të organizatave të para jo-qeveritare të grave dhe aktivizmit të tyre masiv.

Protesta e parë që bajnë gratë, ishte protesta kundër vrasjes së Armend Dacit në prill të vitit 1996. Para kësaj proteste në fillim të viteve ‘90, ushtarët që shërbenin në armatën e jugosllavisë në vende të ndryshme, ktheheshin të vrarë.

Në atë kohë, ‘Kosovarja’ boton nji apel të grave shqiptare ‘‘Apel të gjitha nënave të Jugosllavisë’, ku Forumi i grave brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës apelonte te nanat e Jugosllavisë për me ngritë zanin prej nane (ashtu siç thuhet në letër), për me u zbardhë rastet e ‘vetëvrasjes’ së ushtarëve.

Lëvizja e grave të viteve të ‘90 përveç aktivizmit për të drejtat e grave,i ka edhe dy elemente: atë kombëtar dhe kulturor. Kjo e fundit ishte për shkak të imazhit të grave shqiptare që riprodhohej në mediat serbe, por edhe i ngulitun në shoqninë serbe prej qysh ma herët.

Mary Motes, mësuese e anglishtes që kishte fillu punën e saj që nga viti 1966 në Kosovë, ndër tjera, shkrun edhe për këto paragjykime që ajo i kishte hasë.  Poashtu, ajo shkrun edhe për habinë e serbëve për faktin që Motes po jetonte në ‘perëndimin e egër të Jugosllavisë’, me ‘zezakët e jugut’ të Serbisë’, në ‘Kosmet’.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Megjithatë, propaganda e racizmit kulturor fillon e shfaqet pas rezultateve të regjistrimit të popullatës në Kosovë në vitin 1981, ku rritja e popullatës te shqiptarët ishte ma e nalta në Jugoslllavi. Në mesin e viteve 1980 mediat serbe haptazi shfaqin këtë racizëm kulturor ku shënjester ishin gratë shqiptare.

Gratë në Kosovë portretizoheshin vazhdimisht vetëm si muslimane me shami, si gra që lindin shumë fëmijë dhe shqiptarët në përgjithësi konsideroheshin se ishin bartës të një trashëgëmie otomane. Ky vështrim i njëanshëm radhitej në listën e faktorëve që përbanin pretekstet për diskriminim ndaj shqiptarëve.

Pas luftës së fundit 1999, bahen koalicione të grave në politikë dhe atyne të shoqërisë civile, të cilat inicojnë kuotën për 30% gra deputete në parlament, hartojnë draftojnë dhe shtyjnë ligje që sigurojnë barazinë gjinore.

Dhe si u ndryshua pas pavarësisë?

Pas pavarësisë së Kosovës në 2008, ka edhe njifarë çlirimi të feminizmit prej barrës së kombit dhe shtetit. Në sipërfaqe del aktivizmi i gjeneratave të reja të feministeve të cilat janë brenda dhe jashtë shoqnisë civile. Nji shembull për këtë të fundit janë artistet nga ‘Haveit’. Arti si formë proteste asht përdorë edhe në vitet e 1990-a por dallimi që artikulimi feminist asht ma i qartë në këtë periudhë dhe i shkëputun nga korniza kombëtare.

Nji prej intervenimeve artistike dhe feministe, ndër të parat të ‘Haveit’, ndodh në hapsinën publike para ndërtesës së kuvendit të Kosovës, në protestën që Alter Habitus pati organizu në vitin 2013 kundër përdorimit të gjuhës seksiste të deputetëve dhe deputeteve në diskutimin për përfshirjen e grave të mbijetueme të dhunës seksuale në ligjin për veteranët e luftës.

Mendoj që në përgjithësi rreth kësaj periudhe fillon zashëm me u përdorë termi feminizëm dhe me këtë term me u spjegu aktivitetet e ndryshme, projektet, dhe agjendat e grave që janë marrë në përgjithësi, futeshin nën termin ‘gender’’ ose ‘barazia gjinore’.

Në vitin 2009, e themelojmë Alter Habitus-in i cili asht institut feminist për studime në shoqëri dhe kulturë. Art Polis organizon festivalin e artisteve feministe ‘ArtFem’. Brenda Universitetit të Prishtinës, themelohet Programi për Studime dhe Hulumtim Gjinor. Formimi i kolektivit ‘Marshojmë s’festojmë’ kolektiv që nxjerr edhe nji farë ndërthurje feministe e që krijon hapsinën që çdo 8 mars me u goditë çashtje të padrejtësive sociale, ekonomike e politike ndaj grave. Janë gratë muslimane pastaj që kërkojnë të drejtat e tyre për me pasë qasje ma të drejtë institucionale ndaj grave me mbulesë.

Këto janë vetëm disa nga nisjativat (ka edhe të tjera), që më bajnë me mendu që historikisht, asht nji periudhë e shkurtë për nji zhvillim të hovshëm të mendimit dhe aktivizmit feminist, pavarsisht nëse asht emnu më këtë emën apo jo.

Kjo është biseda e parë në kuadër të serisë sonë “Biseda për Feminizmin në Ballkan” që trajton gjendjen e feminizmit në rajon. Na vizitoni javën e ardhshme për një intervistë tjetër me një feministe të shquar nga Ballkani Perëndimor.

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është zhvilluar në gjuhën   shqipe.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.