Biseda | Kulturë

Eliza Hoxha: Për të pasur krenari kolektive, duhet të flasim për kujtesën kolektive

Nga - 23.05.2018

Arkitektja kosovare prezanton historinë e Kosovës të viteve të 90-a në Bienalen e Arkitekturës 2018 në Venedik.

Eliza Hoxha po e sjell një shtëpi kosovare në Venedik. Në tokën jostabile të qytetit magjepsës mesdhetar që ngadalë po zhytet, do të pritet një stil i strehimit pak më ndryshe. Është hera e tretë që Kosova po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës – Biennale Architettura.

Sivjet, në edicionin e 16-të, kjo ngjarje e vlerësuar ndërkombëtarisht po kurohet nga Yvonne Farrell dhe Shelley McNamara, të cilat e kanë theksuar konceptin e ‘hapësirës së lirë’ – tema e ekspozitës së sivjetme.

Hoxha, e lindur në Mitrovicë në vitin 1974, është arkitekte dhe jep mësim në Fakultetin e Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës. Ajo po e përdor këtë mundësi të rrallë për ta ndarë me gjeneratat e ardhshme një histori që ajo shpreson do të mbetë në kujtesën kolektive të Kosovës. “Nëse nuk e bëjmë ne, atëherë kush do ta bëjë?”, pyet Hoxha.

Përpjekjet e saja si kuratore e pavijonit kosovar, titiulluar “The City is Everywhere” (Qyteti është gjithandej), fokusohen në sjelljen e shtresave të shumta që e kanë formësuar atë që ajo e konsideron si ‘hapësirë të lirë’ në Kosovën urbane të viteve të 90-a – një hapësirë kryesisht e lirë, por jo vetëm, brenda mureve të shtëpive private.

Koncepti i saj, i sajuar me një ekip të madh të bashkëpunuesve, flet për liritë dhe kufizimet e sistemit paralel të Kosovës, dhe kuptimin e ‘hapësirës së lirë’ nën okupimin e atëhershëm. Pasi që mijëra shqiptarë u detyruan të largohen nga vendet e tyre të punës gjatë viteve të 90-a, dhe Slobodan Milošević zbatoi masa të shtypjes, përvoja urbane u shënua nga lufta për mbijetesë dhe ndjesia e fortë e solidaritetit për të vazhduar jetën.

Pjesa e punimit që Hoxha na ka lejuar ta shohim flet shumë, por gjithashtu i fshehë disa shtresa, në një interpretim ndërmjet dimensioneve psikologjike dhe fizike.

Shtëpia e Kosovës në Venedik do të jetë e papërfunduar në pjesën e jashtme, siç janë shumë në Kosovë. Por ajo është e mbushur me elemente të cilat janë përkujtim i jetës në Kosovë gjatë viteve të 90-a. Tavani i saj, një strehë simbolike e satelitëve të dhuruar nga qytetarët, të kujton lirinë psikologjike që e ofronin informatat në këtë kohë – një zgjerim virtual i lirisë.  

Muret do të jenë të përbëra krejtësisht me pasqyre të cilat do ta shumëfishojnë imazhin e pjesës së brendshme, duke rikrijuar qytetin brenda shtëpisë, si dhe duke paraqitur një reflektim ballafaques për vizitorët brenda hapësirës, me të gjitha veçoritë e mira dhe ato që Hoxha i quan “vrimat e zeza”.

Në dysheme, një qilim do t’i reflektojë dy harta të qytetit: një hartë zyrtare që paraqet qytetin ashtu siç ishte me rrugët e tij dhe një tjetër që paraqet shtrirjen e rezistencës dhe jetës ‘paralele’. Për ta shoqëruar këtë prezantim, kuratorja e ka përpiluar një libër me tregime për ‘hapësirën e lirë nën okupim’.

K2.0 bisedoi me Eliza Hoxhën për të mësuar më shumë për rrugëtimin e saj drejt “The City is Everywhere” dhe për përvojat e saj me hapësirën e lirë nën okupim, nga vitet e 90-a e deri më sot.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

K2.0: Si ishte shtëpia juaj gjatë viteve të 90-a?

Eliza Hoxha: Unë jetoja në një apartament, kështu që nuk kishim hapësirë për të tjerët. Ishim gjashtë persona në një hapësirë 52 metra katrorë, por arritëm të bashkëjetojmë dhe ta ndajmë hapësirën për profesione të ndryshme.

Katër fëmijë ishim që jetonim në të njejtën shtëpi, dy prej tyre ishin muzikantë, unë studioja arkitekturën dhe tjetri merrej me teknologji informative. Unë e ndaja krevatin me motrën time, prindërit e kishin një dhomë dhe vëllezërit flenin në kuzhinë – këtë hapësirë e kemi përdorur në mënyrë të përkryer.

Kur i nisa studimet, isha zog i mesnatës, sepse arkitektura kërkonte shumë punë. Punoja gjatë tërë natës në tryezën e kuzhinës dhe dikur fillova të fleja në kuzhinë.

Kur rritesh dhe e ke hapësirën tënde, e kupton se hapësira është diçka ekzistenciale, një domosdoshmëri për të gjithë. Të jep liri për t’i shtjelluar mendimet kohë pas kohe.

“The City is Everywhere” është titulli i Pavijonit Kosovar në edicionin e sivjetëm të Biennale Architettura. Vitet e 90-a janë një periudhë në të cilën jeta publike, apo jeta në qytet, u përjetua edhe në shtëpi. Si e përjetove “qytetin” në atë kohë?

Më kujtohet mjaft mirë. Por disa gjëra po zhduken sepse ne nuk flasim për to.

Në atë kohë ishte thjeshtë diçka që duhej ta bënim: Duhej të ballafaqoheshim, duhej të mbijetonim. Askush nuk pyeste pse. Ishte thjeshtë një strategji kolektive për t’u ballafaquar me situatën politike dhe për të gjetur hapësira të reja alternative për nevojat tona, të cilat nuk mund t’i përmbushnim në sistemin e rregullt.

Në atë kohë nuk e kuptoja shumë mirë. Isha shumë e re. Isha në vit të tretë të shkollës së mesme të ulët kur na larguan prej shkollave. Por gjysmën e shkollës së mesme të lartë dhe gjithë procesin universitar e përjetova në këto hapësira të reja shoqërore dhe arsimore, të cilat praktikisht ishin shtëpi të njerëzve.

E rëndësishme është ta dimë se sido që e përdorëm qytetin më parë, lëvizja, modelet e lëvizshmërisë dhe vendtakimet e njerëzve filluan të zhduken, dhe në qytet doli një model i ri i lëvizjeve, i tubimeve shoqërore dhe disa shenjues dhe hapësira të reja shoqërore.

Të gjitha ishin kryesisht në zona periferike, sepse qyteti ishte i projektuar ashtu që infrastruktura dhe institucionet publike ishin kryesisht në qendër të qytetit. Ky model i ri i mobilizimit shoqëror, nëse e sheh nga një perspektivë hapësinore, u gjallërua në zonën periferike, në margjinat e qytetit, në qoshe, sepse këto zona ishin kryesisht me shtëpi.

Gjithë ky mobilizim shoqëror ishte mënyrë për të mbijetuar në mënyrë kulturore dhe shpirtërore. Në atë kohë, Milošević i sulmoi dy shtylla kryesore të shoqërisë civile: arsimin dhe informacionin. Shqiptarët u lejuan të kenë dyqane, kafene, restorane, dyqane artizanale… Mund të bëje çfarë të doje, mund të merrje leje nga komuna shumë lehtë për të qenë zejtar apo dyqanxhi.

"Bisedat për vitet e 90-a është dashur t’i bëjmë më herët. Dhe jo vetëm për vitet e 90-a si kohë e rezistencës dhe mobilizimit shoqëror, por edhe për luftën që ndodhi në fund. Por nuk e bëmë këtë."

Por nga një pikëpamje intelektuale, duhej të mësoje nga kurrikula në gjuhën serbe, në çirilicë dhe vetëm nga pikëpamja serbe, qoftë në lëndën e historisë, e në të gjitha të tjerat. Ne u larguam nga kjo dhe e krijuam sistemin tonë, dhe kjo e krijoi një qytet tjetër.

Nëse e analizon sot mënyrën se si funksionoi qyteti në atë kohë, nga një pikëpamje shumë racionale dhe jo nga një pikëpamje emocionale, ishte një qytet me dy shtresa. Dy komunitete të ndryshme po e përdornin qytetin dhe hapësirat e tij në mënyra të ndryshme, të grumbulluar e të tubuar.

Nëse e bëjmë një analizë të vendbanimeve të serbëve dhe të vendeve ku ata kalonin kohë të lirë apo punonin dhe pastaj e shton një shtresë ku i sheh modelet e mobilizimit shoqëror dhe pikat aktive të jetës shoqërore të shqiptarëve… shihet se praktikisht ishte qytet me dy shtresa.

Ishin disa pika të përbashkëta, për shembull bulevardi Nëna Terezë. Ne e përdornim atë hapësirë, por ishte hapësirë tranzit, sepse nuk kishte më gjë aty. Më parë ishte korza: Njerëzit kalonin kohë aty për të parë e për t’u parë. Njerëzit tuboheshin rreth një druri të caktuar të cilin e kishin vendosur si vendtakim.

Kjo veprimtari u shua, veçanërisht pas 1994-95, kur situata filloi të keqësohej. Pastaj e përdorëm atë hapësirë vetëm për të protestuar. Pra edhe kur e përdorëm hapësirën publike, ishte kryesisht për të protestuar, jo për tu bashkuar dhe për t’u shoqëruar me njëri tjetrin.

Nuk është se hapësira publike nuk ekzistonte për shqiptarët, sepse përveç që i përdornim shtëpitë si kompensim për qytetin, për gjithçka që qyteti lehtësonte më parë, gjithashtu u krijuan hapësira të reja publike brenda qytetit: lagjet si Kurrizi, Santea, Qafa. Në këto hapësira kishte shumë kafene dhe ne zhvillonim shumë aktivitete, përfshirë këtu aktivitete edukative dhe arsimore – madje ndonjëherë edhe provime.

Shumë aktivitete, si ato të artit, poashtu filluan t’i lëvizin jashtë hapësirave [të zakonshme]. Arti u shkyç nga të qenit akademik, nga koncepti se je artist vetëm nëse je akademik. Pra në fakt shumë lëvizje alternative dhe nëntokësore dolën për shkak të nevojës [për të ekzistuar], por gjithashtu për shkak të revoltës dhe protestës. Arti përdorej si platformë për të demonstruar.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në Venedik ju po e sjellni një shtëpi me fasadë të papërfunduar në pjesën e jashtme, me tavan të satelitëve dhe mure të pasqyruara… një rikujtim simbolik i asaj se si u shndërruan shtëpitë gjatë viteve të 90-a, kur shtëpia u bë hapësirë e sigurt – hapësirë e lirë, teknikisht. Si ju erdhi kjo ide?

Fillimisht ishte koncepti i hapësirës së lirë dhe domethënies së saj në Kosovë. Gjithashtu më erdhi idea ta trajtoja temën e viteve të 90-a. Dimensioni shoqëror [i kësaj periudhe] është shumë i fuqishëm. Është mëkat që nuk përkthehet në hapësirë fizike. Psikologjikisht ishin disa hapësira të lira, sepse ndiheshe i lirë dhe i sigurt kur ishe brenda këtyre shtëpive të vogla.

Këndi tjetër ishte ky krahasim ndërmjet krijimit të hapësirës së lirë gjatë okupimit dhe të qenit i lirë përderisa ende ekzistonte ndjenja e të qenit i okupuar në kuptime të tjera – si në Kosovën e sotme: jemi të lirë në shumë mënyra, por nuk kemi mundësi të lëvizim. Pra si është ta festojmë gjithë këtë liri dhe të jemi të mbyllur, apo të jemi të lirë dhe të krijojmë hapësira të lira kur jemi të okupuar?

Me sa duket po përhapen gjithnjë e më shumë diskutimet për vitet e 90-a dhe janë disa nisma që po nxisin biseda publike rreth ndodhive të viteve të 90-a. Pse mendoni se po ndodh kjo tani? Pse po flisni ju tani për këtë?

Bisedat për vitet e 90-a është dashur t’i bëjmë më herët. Dhe jo vetëm për vitet e 90-a si kohë e rezistencës dhe mobilizimit shoqëror, por edhe për luftën që ndodhi në fund. Por nuk e bëmë këtë. Ndoshta kishim nevojë për më shumë kohë.

Ndërkohë, ne nuk u përballëm me problemet dhe tani ato po zmadhohen. Platforma që na ndihmoi të mbijetojmë disi i la disa vrima të zeza dhe ne nuk deshëm t’i shohim ato, në një farë mënyre.

Njëzet vite më vonë, unë mendoj se ka ardhur koha të fillojmë t’i shohim ato vite dhe njerëzit që i ndihmuan të gjithë shqiptarëve për të mbijetuar në mënyra të ndryshme – të gjithë që ishin pjesë e atij procesi, që dhanë çfarëdo që kishin apo e mbështetën sistemin në mënyra të ndryshme, mësuesit që punonin në fillim pa kurrfarë kompensimi dhe gjithë të tjerët.

Atyre duhet t’u njihen këto kontribute, sepse ata kontribuan për shtetin e sotëm të Kosovës. Nuk është vetëm lufta. Nuk janë vetëm heronjtë dhe njerëzit të cilët nuk janë më me ne. Janë poashtu njerëzit të cilët i ndihmuan kësaj shtrese të shoqërisë për të mbijetuar – sepse përndryshe, jo vetëm unë, por disa gjenerata të të rinjve do të kishin mbetur të paarsimuar.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

I përmendët vrimat e zeza. Në lidhje me familjet që i hapën shtëpitë e tyre për t’i bërë klasa e kështu me radhë dhe me sistemin e madh të solidaritetit ku të gjithë po ndihmonin… a do të thonit se kjo ide e jetesës në shtëpia gjatë viteve të 90-a ka ndikuar në mënyrën se si e përjetojmë ne qytetin sot? Në kuptimin se kishte efekt në ndërtimin e një shoqërie që është më individualiste…

E kam një fjalë për këtë. E di që njerëzve nuk do t’u pëlqejë, por nuk më bëhet vonë. E urrej idenë se shqiptarët bëhen bashkë vetëm kur janë në rolin e viktimës.

Kjo ka ndodhur historikisht. Është mirë t’i ndihmojmë njëri tjetrit kur na mungon diçka dhe jemi në një pozitë shumë të keqe. Është shumë njerëzore. Por ne harrojmë se kemi nevojë ta kemi aftësinë për t’u bërë bashkë për të mirën publike, për të mirën tonë edhe në ditët e sotme.

Jemi në një pozitë më ndryshe [sot] por shteti i Kosovës nuk krijohet vet. Për të qenë shtet funksional, ne duhet të veprojmë çdo ditë dhe jo thjeshtë të presim që të tjerët të veprojnë për neve, e pastaj dy ditë më vonë ta shkatërrojmë atë që e kanë bërë tjerët.

Unë mendoj, se kjo marrëdhënie me “të jashtmen” u dobësua apo u shkatërrua gjatë viteve të 90-a. “Jashti” nuk na përkiste neve – publikja ishte “e tyre”, dhe nuk ishte “e jona”. Dhe pastaj ne ju kthyem ambienteve të brendshme – shtëpive, kafeneve, apo çfarëdo tjetër.

"Të gjithë e duam Kosovën dhe Prishtinën, por askush nuk ka dëshirë të kujdeset për diçka jashtë hapësirës së tyre private."

Ne punuam shumë në ambiente të brendshme. U kujdesëm shumë për të gjitha që i kishim brenda, deri te pragu. Në momentin kur dilnim jashtë – dhe këto sjellje i vërejmë edhe sot – atëherë jemi të rrethuar me sende që nuk janë “tonat”, nuk na përkasin. Kjo është diçka që u shtyp dhe u shkatërrua gjatë asaj kohe dhe asnjëherë nuk kemi arritur ta formësojmë, mendojmë apo bëjmë përsëri.

Pra, të gjithë e duam Kosovën dhe Prishtinën, por askush nuk ka dëshirë të kujdeset për diçka jashtë hapësirës së tyre private. Janë shumë qytetarë dhe njerëz aktivë të cilët po mundohen ta ngrisin zërin, por është ende një grup shumë i vogël. Kjo ndjesi e komunitetit të cilën e kishim më parë dhe idea e solidaritetit, kanë humbur. Kemi probleme të komunikimit edhe në blloqe të vogla të banimit. Njerëzit nuk e njohin njëri tjetrin. Po ndodh për shumë arsye dhe poashtu për shkak se mbijetesa është e vështirë për shumë njerëz.

Kosova ka shumë punë për të bërë sa i përket riformësimit të mendësisë urbane në përgjithësi dhe poashtu të ndjesisë së komunitetit, dhe ndjesisë së përkatësisë. Nëse punojmë për këtë, do ta krijojmë një vrull për ta krijuar më pas një krenari kolektive. Por për të krijuar krenari kolektive, duhet të punojmë shumë për kujtesën kolektive – dhe jo vetëm kujtesën zyrtare dhe historinë e atyre që janë në pushtet, por të historive dhe kujtimeve të njerëzve dhe akterëve të ndryshëm që ishin pjesë e procesit apo u ndikuan prej tij, qoftë në luftë, qoftë në paqe. Ata duhet t’i njohim si pjesë e historisë së Kosovës.

Nëse punojmë më shumë për perspektiva të ndryshme, siç kemi filluar në vitet e fundit, e krijojmë këtë platformë të historive të ndryshme dhe e krijojmë një mozaik historik. Nuk më pëlqen idea ‘të jetojmë në të kaluarën’, por është e rëndësishme t’ua mësojmë njerëzve historinë dhe t’i kuptojmë të gjitha shtresat e historisë, për secilin komunitetit.

Në punimet e juaja akademike dhe publike keni shkruar për moton ‘shkatërro të vjetrën, ndërto të renë’. Kjo moto jugosllave flet për idenë e shkatërrimit të trashëgimisë arkitekturale të epokave të kaluara, në këtë rast epokës osmane dhe sjelljen e arkitekturës më moderne. Si aplikohet kjo moto tek qyteti në vitet e 90-a?

Në vitet e 90-a nuk ishte më për ta shkatërruar të vjetrën dhe ndërtuar të renë, ishte për të gjetur zbrazëti për të ndërtuar objekte të reja. Ishin disa zona të banimit për serbët që po vinin në Prishtinë, për t’i mbushur institucionet kur shqiptarët u shkarkuan nga vendet e punës, ndërsa katet përdhesë me dyqane drejtoheshin nga shqiptarët. Ironikisht ishte kështu.

E vetmja gjë që mund të jetë shenjues kryesor i asaj kohe, si paraqitje e pushtetit, është kisha në zonën e universitetit. Plani për kampusin e universitetit nuk përfshinte kishën. Kisha ishte paraqitje e pushtetit.

Asgjë tjetër nuk u ndërtua. Ishte kryesisht informalitet: shtoje një dyqan këtu, transformoje një garazhë në dyqan apo shtoje një hapësirë për shkak të nevojës për klasa. Kështu nisi informaliteti dhe pastaj u bë stil i jetës.

Ky informalitet shpërtheu pas luftës dhe këtë u mundua ta ndalë Rexhep Luci, Drejtori i Planifikimit, Rindërtimit dhe Zhvillimit në UNMIK. Pas vdekjes [së pazgjidhur] të tij, qyteti me të vërtetë shkoi poshtë, me informalitet dhe ndërtime të paligjshme, të cilat kanë vazhduar deri në kohët bashkëkohore. Të gjithë ata që ndërtuan në qytet e bënë për interesa të tyre.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Gjithashtu përballemi me problemin që disa hapësira të cilat ishin të rëndësishme në këtë periudhë për kujtesën kolektive po zëvendësoheshin apo thjeshtë po braktiseshin, duke u lënë për t’u shkatërruar në një mënyrë…

Kjo qasje gjatë periudhës së socializmit, “kjo nuk na përket neve”, nuk mbështetej vetëm nga qytetarët, por edhe nga arkitektët që po e rinovonin qytetin. Nuk e di nëse lidhej me mungesë të njohurive apo me mënyrën tonë të edukimit.

Gjatë edukimit tonë në shtëpi private, ne nuk kemi operuar në lokacione reale. E kishim një faqe të zbrazët, një shigjetë të kthyer nga veriu, nga lartë, dhe kështu bënim çfarë të donim. Ne e vendosëm egon tonë në atë copë letër – pra s’ka njerëz, s’ka modele, s’ka shtresa tjera të qytetit. Si arkitekt duhet ta njohësh vlerën e shtresave të ndryshme të qytetit dhe ndërtesave relevante në të, sepse ato janë shenjues të një periudhe të rëndësishme.

Çdo qytet është organizëm i gjallë dhe ka ndryshime, por ende janë disa pika të rëndësishme të kujtesës kolektive të cilat qytetet i mbrojnë sepse nëpërmjet tyre e shfaqin historinë. Ne dështuam në këtë aspekt, dhe po dështojmë përsëri e përsëri, pjesërisht për shkak se zëri i arkitektit nuk është edhe aq i fuqishëm.

Ndoshta ka edhe arsye të tjera – të gjithë duan ta kenë një projekt me komunën apo diçka të ngjashme sepse jetojnë prej kësaj. Por nuk mund të harrojmë se përveç që jemi arkitektë, jemi edhe qytetarë të qytetit.

Në paraqitjen e fundit të Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në vitin 2014, Gëzim Paçarizi e prezantoi një punim që gjithashtu lidhet në një mënyrë me trashëgiminë dhe kujtesën kolektive. Ju po e sjellni një projekt i cili po e prezanton kujtesën kolektive si temë relevante dhe të domosdoshme – dhe ka të tjerë. Janë disa arkitektë individual të cilët kanë shfaqur vullnet për të biseduar për rigjenerimin urban dhe mbrojtjen e qytetit dhe kujtesës së tij. A mendoni se këta janë vetëm disa individë, apo është një grup i planifikuesve urban të cilët po mundohen me të vërtetë të bëjnë diçka?

Realisht varet nga individët ajo se, a kanë vullnet të mirë për të diskutuar për interesat publike dhe pastaj për të bërë diçka që i kontribuon atyre kauzave. Ose nëse nuk kontribuojnë, të paktën të mos dëmtojnë.

Shumë njerëz nuk flasin për shkak se jetojnë nga fondet e komunave apo ministrive. Tjerët e shohin arkitekturën dhe qytetin si platformë për t’i realizuar ëndrrat dhe për të përfituar prej kësaj, duke e ndërtuar një ndërtesë të re dhe duke thënë se e kanë si foshnje. Këso sjellje si të yjeve i shohim edhe tek arkitektët ndërkombëtarë, jo vetëm këtu.

Pastaj i ke planifikuesit e avokimit, të lidhur më shumë me përbërësin shoqëror të qytetit dhe idenë e komunitetit, të cilët i përdorin nevojat e komunitetit si pikënisje për ide apo për punë në ndonjë zonë, apo për të theksuar diçka që veç se ekziston. Prapëseprapë, në Kosovë i mbetet individëve të cilët besojnë në idenë e të bërit diçka për publikun.

Gjithashtu kemi problemin që arkitektët këtu nuk janë të licensuar, kështu që askush nuk merr përgjegjësi për krijimet e tyre në rast që shkon diçka keq. Kjo lidhet me mungesë të etikës, por edhe me idenë që nuk kemi organ [që e rregullon këtë profesion dhe kërkon llogari nga profesionistët].

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

T’i kthehemi konceptit të okupimit. Ishte mjaft e qartë në vitet e 90-a ajo se kush ishte ‘okupatori’. Ishte vendosur një sistem i dhunës dhe shtypjes. Por sot okupatori i ka marr disa forma. Çfarë po e okupon qytetin sot?

Kur them okupim… në vitet e 90-a ishte okupim politik. Tema e ‘hapësirës së lirë’ nuk është e përqendruar tek okupimi, është e përqendruar tek prodhimi i këtyre hapësirave brenda zonave private. Sot është krejt e kundërta. Ka faza të ndryshme të okupimit të hapësirës, qoftë për të keq apo për të mirë. Qoftë komerciale apo për qëllime të protestimit.

Secili grup që demonstron apo secili grup që dëshiron të jep diçka për qytetin, fillimisht e ka për interesat e vogla të grupit, e pastaj për qytetin. Duhet të jetë e kundërta.

Të gjithë duan të kapin diçka, të okupojnë diçka për përfitime personale. Unë kohëve të fundit eci rrugëve të tjera për shkak të këtyre kafeneve të reja që po hapen në hapësira publike dhe janë më të mëdha jashtë se në pjesën e brendshme. Pse? Sepse komuna u ka dhënë leje dhe nuk është e jashtëligjshme, është e ligjshme. Është ‘për të mirën e komunës’, thjeshtë për shkak se është duke dhënë hapësirë me qira. Plot njerëz e kanë përdorur atë hapësirë më parë. Dikur ishte hapësirë e gjelbërt.

Nuk jam kundër sektorit privat, por komuna duhet të sigurohet që përderisa funksionon me sektorin privat, publiku përfiton parimisht. Në këtë rast është thjeshtë një shkëmbim, qira. Dhe pastaj komuna mund të thotë se e ka shtuar buxhetin. Si e ka bërë? Duke dorëzuar hapësirë publike! Bëhem shumë nervoz kur flas për këtë. Okupimi nuk është politik si i tillë, por këto janë politikat që e qeverisin qytetin dhe ne mbesim brenda përsëri.

Janë disa faktorë që mund ta shpjegojnë atë se pse qytetarët e kanë humbur të drejtën e tyre për qytetin. Cilët faktorë mendon që janë? A është ndjesia e humbjes së qasjes, apo është stili individualist i jetesës që është i pranishëm më shumë edhe në botë?

Janë disa arsye. Fillimisht, gjithë këtë kohë Prishtinës i ka munguar idea e përkatësisë. Ende kam shokë të cilët kanë jetuar këtu për 40 vite dhe thonë se janë nga Gjakova. Askush nuk e ndjenë Prishtinën si qytet të vetin.

E dyta është idea se kushdo që ka hyrë në pushtet është munduar ta lëjë trashëgiminë e tij. Kjo trashëgimi nuk shton vlera të reja, por i fshinë të vjetrat. Bëjnë çfarë të dojnë.

E treta është idea e të drejtës për qytetin. Mendoj se njerëzit nuk e dinë se kanë të drejtë për ta shprehur mendimin dhe për të kërkuar nga qyteti. Nuk e demonstrojnë, nuk e manifestojnë. Thjeshtë, presin nga komuna.

Nga kjo perspektivë, mund të flas si qytetare dhe si dikush që është përfshirë në procesin e planifikimit: kur institucionet i ftojnë njerëzit, ata nuk vijnë. Nëse nuk kanë çështje personale, apo ndonjë copë tokë në atë zonë, diçka personale që i lidhë me çështjen… nuk vijnë. Të dy palët, komunitetet – qytetarët, arkitektët, cilido komunitet që ndikohet nga çështja në fjalë – dhe organet qeverisëse duhet të luajnë rol në zhvillimin e qytetit dhe në vendimmarrje.

Ligji për planifikim hapësinor thotë se procesi i planifikimit duhet të jetë gjithëpjesëmarrës, por kjo nuk ndodh. Në shumë raste është projekt i njëanshëm. Duhet t’i inkuadrosh njerëzit në fillim të procesit dhe këtë nuk e bëjnë institucionet. Nëse dëshiron ta krijosh një qytet më të hareshëm dhe më të shëndetshëm si dhe një kulturë të qytetarisë aktive, duhet të punosh me njerëzit.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përtej të drejtës për qytetin dhe humbjes së qasjes tek qyteti, “The City is Everywhere” gjithashtu ngritë çështjen e pengesave virtuale dhe psikologjike…

Sateliti është element shumë i dukshëm në peizazhin e qytetit. Na ka formësuar neve, mënyrën tonë të mendimit, atë se çfarë jemi dhe mënyrën se si i shohim gjërat. Sateliti është koka jonë, në mënyrë figurative. Ne fizikisht ishim në Kosovë, por kokat tona ishin të kthyera, duke parë jashtë Kosovës, të informuar nga satelitët për ndodhitë në Kosovë.

Ishte një pjatë e edukimit, bashkë me sistemin paralel. Sateliti ishte gjithashtu një simbol. Kur shihje satelit në një shtëpi, e dije se aty jetonin shqiptarë. Njerëzit që nuk kishin satelitë shkonin tek fqinjët, veçanërisht gjatë dy orëve të lajmeve shqip, për të pirë çaj e kafe dhe për t’i parë lajmet. Pas 1994-95, mision ishte sigurimi i satelitëve. Kishte njerëz që nuk hanin si duhet, por kishin satelit. Ishte prioritet!

Pasqyra [një element tjetër i pavijonit] përsëri e reflekton idenë e hapjes së mendjes, të mbyllur në çdo shtëpi por duke menduar më gjërë. E krijon këtë iluzion optik të hapësirës më të madhe, të një synimit më të madh. Por prapëseprapë është pengesë, prapëseprapë je i ngecur brenda.

Gjithashtu funksionon si pranëvënie – është përballje me vetveten e vërtetë. Ne duhet t’i konfrontojmë të 90-at për t’i parë me të vërtetë përfitimet e solidaritetit dhe mobilizimit të asaj kohe, por gjithashtu duhet t’i shohim vrimat e vogla të zeza dhe devijimet e pranishme në shoqërinë tonë bashkëkohore.

Edhe në këtë vit të përvjetorëve të rëndësishëm, nuk ka shumë nisma qeveritare të cilat i kthehen viteve të 90-a dhe e njohin me të vërtetë punën e qytetarëve, mësuesve, punëtorëve të shëndetësisë e të tjerë, të cilët ndihmuan për ta vazhduar jetën në shoqëri. Pavijoni në Venedik u mundësua nga Jehona Shyti në emër të Ministrisë së Kulturës dhe është mbështetur nga ministritë e tjera. A e shihni këtë si mundësi për t’i bërë në një farë mënyre homazh publik të gjithë atyre njerëzve?

Ministria ma delegoi këtë dhe unë e prezantova këtë ide. Ata e morrën si të tillë. Personalisht, e shoh si krijimin e një momenti për të bërë diçka për këtë periudhë dhe për ta krijuar një burim të hapur me këto informata që kemi arritur t’i mbledhim, dhe për të bërë më shumë pas Bienales.

E kemi plan ta krijojmë një stemë përkujtimore për çdo shtëpi që ka shërbyer si shkollë në Prishtinë. Duam ta vendosim në secilën shtëpi. Poashtu, duam të bëjmë një thirrje të hapur për çdo shtëpi që mund të mos jetë përfshirë në hulumtime. Duam t’i njohim këta njerëz dhe shtëpitë e tyre.

Kemi marrë përgjigje pozitive nga ministria, por edhe nëse pas Bienales nuk mund ta bëjë ministria, unë do të punoj për këtë bashkë me ekipin me të cilin kam punuar deri tani. Kjo është një histori unike dhe duhet t’i tregohet botës.

Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik u hap më 24 maj në 14:15.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

2
SHIKO KOMENTET
  • 06 Jun 2018 - 14:58 Driton Bakija Gjakove: Te Lumt ,Eliza Hoxha.
  • 06 Jun 2018 - 06:11 Driton Bakija Gjakove: Te lumt ,Eliza Hoxha.
KOMENTO

KOMENTO