Blogbox | Të drejtat e njeriut

Emri i ngjyrave në historinë orale

Nga - 07.10.2016

Figura të mirënjohura të komunitetit rom diskutojnë ballafaqimin me gjuhë nënçmuese.

Gjatë katër viteve të fundit, Iniciativa për Historinë Orale të Kosovës po i mbledhë rrëfimet jetësore të njerëzve. E dimë që Kosova ka një suficit të traditës orale, për shkak se për një kohë të gjatë historia është rrëfyer e nuk është shkruar. Për çdo moment epokal në historinë e këtij shteti të ri, të banuar nga popuj të vjetër, ka shumë poezi, balada e dëshmi. Dhe ato të gjitha janë organizuar me pedantri përgjatë vijave nacionale konfliktuoze, mes të cilave rrëfimet shqiptare dhe serbe janë kryesoret.

Andaj, çfarë dobie ka nga mbledhja e vazhdueshme e këtyre rrëfimeve? Çështja është që narracionet kryesore nacionale ose i harrojnë ose i shtypin rrëfimet, meqë nuk i përshtaten shtjellimit të tyre. Menduam se duke i pyetur njerëzit për jetën e tyre, në vend se t’i pyesim për momentet e mëdha historike, mund t’i kapnim ato që zhduken përfundi radarit.

Kujtimet e njerëzve për jetërat e tyre i ndërlikojnë këto narracione. Sikur popujt, ato harrojnë, mbajnë mend në mënyrë selektive atë që është më e rëndësishme për ta në atë pikë jete. Shpesh, nuk i tregojnë gjërat siç ishin. E kujtojnë fëmijërinë dhe rininë si të bukura, ndonëse në varfëri të skajshme. I fshijnë disa kujtime sepse janë të brengosur për reputacionin e tyre dhe të familjeve. Megjithatë, rrëfimet e tyre zbulojnë të vërtetën për aspiratat e tyre, shqetësimet dhe frikën; na tregojnë për ndjenjat e njerëzve. 

Historia orale shpesh na befason, sidomos kur individët të cilëve rrallë u është kërkuar të flasin për veten në detaje, fillojnë të flasin. Rrëfime të fshehura dalin në sipërfaqe, sikur edhe ndjenjat që janë intime dhe treguese të çështjeve më të mëdha. Kur Kujtim Paçaku dhe Bajram (Kafu) Kinolli pranuan të intervistoheshin, ne ishim të vetdijshëm në çast se arkiva jonë do të pasurohej shumë për këtë shkak. 

Dytë njihen mirë nga shoqëria. Janë njerëz kreativ që shpesh dalin në TV, në hapësira performuese, në gazeta. I quajnë dhe ata e quajnë veten romë, edhe pse kuptimi i këtij klasifikimi nuk u është shumë i qartë njerëzve, edhe atëherë kur ata janë të sigurtë se çfarë nënkupton. 

Kujtim Paçaku, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Kosovaki Nevi Romani Partia (KNRP), së fundi kërkoj që Kuvendi t’i kërkoj falje për gjuhën denigruese që e kishte përdorur një deputet tjetër kur iu kishte referuar romëve. Pothuaj në po të njejtën kohë, Iniciativa për Histori Orale kishte publikuar intervistën me Bajram (Kafu) Kinollin, muzikant kreativ i njohur që shpesh argëton netët prishtinase me grupin e tij Gypsy Groove, me një kombinim të muzikës tradicionale rome me xhez, punk dhe rege.

Në një intervistë prekëse të historisë orale, Kafu na ka treguar se si është rritur në një familje sufiste në Gjakovë gjatë viteve të 90-ta, si shqipfolës që është shoqëruar me shqiptarë. Ai e ka ditur se nuk është i bardhë sa të tjerët, por kishte gjetur shokë me të cilët luante, arsimtarë të dashur që e ushqyen sikur edhe njerëz që e mbanin larg. Pas luftës ai filloi të ndihej që nuk përkon më dhe emrat me të cilat e thërrisnin filluan ta lëndojnë. 

Siç na tha Kafu, “Magjup, gabel, çërgash, janë fjalë që i dëgjonim rrugëve, ose me të cilat na shanin. I kam përdorur pa qenë i vetëdijshëm, nuk e kam ditur se çka do të thonë. Gabel ishin ata që flisnin gjuhën rome, magjup ishin ata që flisnin shqip, çërgash ishin ata që dilnin në rrugë për të kërkuar para. Këto ishin klasifikime të bëra nga romët, nga ne, (rrodhën) nga përbrenda komunitetit. (…) Më vonë, në vitin 2002, doli fjala rom. Atëherë u interesova, më vonë u interesova. Vëllau i madh më thoshte, “jemi egjiptas.” Në shkollë më thonin je rom.” Dikush tjetër në rrugë më thoshte “je ashkali”. Filloi të bëhej… i kisha 16 vjet, më shkonte mendja gjithandej. (…) Kush jam unë? Këtë pyetje e bëra plot tri vjet. Kush jam unë? Pse po më thërrasin magjup, ose gabel, ose qërgash, ose rom? Pse po më thërrasin me këta emra?… ose ashkali, ose egjiptas”.

Kujtimi Paçaku, shkrimtar dhe poet nga Prizreni i shkolluar në Francë dhe në Kosovë, është rritur gjatë viteve të 70-ta, kur në Kosovë po u jepej hapësirë kulturave dhe përvojave të ndryshme. Ai na i tregoi disa rrëfime domethënëse se çka do të thotë të jesh rom – i pasur kulturalisht dhe i margjinalizuar, i diskriminuar. 

Më 1986 kur programi i parë në gjuhën rome ishte transmetuar në radio, Paçaku na tha “mbase ishte i pari në Evropë. Dhe (…) në programin e parë thash ‘Lacho dive romalen me se e Durmishesko chavo o Kujtimi, ka kerva i emisija pi rromani chib! Mirëdita njerëz, unë jam Kujtim Paçaku, djali i Durmishit, dhe do ta fillojmë programin në gjuhën rome.’ (…) por disa romë në Prizren, dhe gjetiu, e lëshuan radion me zë shumë të ulët në mënyrë që fqiu tjetër të mos e dinte se ishte rom. Në vitin 1986 kishte njerëz që ishin më të bardhë se unë, më të pasur se unë, dhe nuk kishin levërdi ta paraqitnin veten si romë”. 

Në Kosovën e pasluftës, thotë Kafu, “mjaft me viktimizim! E dini çka, nuk ka kohë ta përulni veten, jo më ‘ky është më i mirë, ai është nga atje, ai nga këtu, e ke këtë lëkurë, nuk e kam këtë lëkurë, ose jam pozitiv, jam negativ.’ Çështja është ku dëshiron të shkosh”. 

Paçaku e ka shprehur në vargje, në poezinë “Ngjyra”.

Përse frikësohesh, përse fshihesh? 

A të vjen turp për ngjyrën e lëkurës tënde?

O Njeri!

Si ty, si mu dhe të gjithë të tjerët

Zoti i ka krijuar.

 

Dëgjo!

Nën ngjyrën e lëkurës tënde,

Fshihet një ylber,

Brenda shpirtit tënd,

Andaj, kokën lart! 

Mund ta dëgjoni teksa e reciton poezinë gjatë intervistës së historisë orale këtu.

KOMENTO