In-short | Culture

Një qiell satelitësh e lidh Kosovën me botën edhe një herë

By - 25.05.2018

Hapet Pavijoni Kosovar në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venedik

Ndërmjet tri botërave të tjera të ndërtuara nga Indonezia, Libani dhe Irlanda, pavijoni i Republikës së Kosovës i hapi dyert më 24 maj në edicionin e 16 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës (apo Biennale Architettura 2018) pasi mungoi në edicionin e vitit 2016. E rrethuar nga një numër i madh i personaliteteve të nivelit të lartë nga Kosova, Eliza Hoxha, kuratorja e pavijonit “The City is Everywhere” (Qyteti është gjithandej) e prezantoi historinë paralele të Kosovës së viteve të 90-a para komunitetit botëror të arkitekturës.

Si në të gjitha historitë e paralelizmit, shumë dimensione u krijuan brenda kësaj hapësire të caktuar, me qëllim për ta sfiduar konceptin e Bienales së sivjetme: hapësira e lirë. Nga jashtë, pavijoni i Kosovës paraqitet i kufizuar me tulla të mëdha ngjyrë portokalli deri në qosh të tavanit që i ngjanë arsenalit, një përkujtim që ka për qëllim rikrijimin e fasadës së jashtme të shumë shtëpive të papërfunduara që ekzistojnë në Kosovë.

Foto: Cristina Marí / K2.0.

Në vitet e 90-a, shtëpitë private shpeshherë u shfrytëzuan për funksione të paplanifikuara, si rrjedhojë e përpjekjeve të Slobodan Milošević për t’i përjashtuar shqiptarët etnikë nga jeta publike, duke i dëbuar nga institucionet publike si shkollat dhe spitalet, dhe duke e krijuar një klimë të shtypjes. Kjo e largoi pjesën më të madhe të shqiptarëve nga hapësirat publike dhe qyteti, duke i kufizuar brenda shtëpive ku ishin më të sigurt.

Brenda pavijonit nis një histori e lirisë psikologjike dhe bllokadës fizike. Muret e brendshme të pavijonit kosovar luajnë me mendjen e vizitorit – pamja e një vizitori paraqitet dhjetëra herë në pasqyret që i mbulojnë të gjitha muret, deri tek tavani. Të jep një ndjesi të shumëfishtë: në njërën anë, një grup njerëzish, tipik për një qytet, dhe në tjetrën, ndjesinë se hapësira është e pakufijshme dhe e pafund.

Foto: Cristina Marí / K2.0.

Mbi kokët e vizitorëve janë 72 satelitë, të cilët e mbulojnë pavijonin si çadra. Është simbol i jetës në Kosovë gjatë viteve të 90-a. Satelitët i kujtojnë njerëzve që e përjetuan këtë periudhë në Kosovë kohën dy-orëshe të lajmeve shqip, kur mblidheshin fqinjët dhe familjarët para televizorit, rëndësinë që e kishte MTV – me gjasë më shumë se kudo tjetër dhe vlerën e informacionit. Pikë hyrëse që i mundësonte qytetarët të kuptojnë çfarë po ndodhte jashtë shtëpive të tyre, dhe pikë dalëse që i mundësonte të arratiseshin e të lidheshin me ndodhitë botërore.

Ekipi i pavijonit kishte për qëllim që t’i merrte të gjithë satelitët si donacione prej qytetarëve, megjithatë kjo nuk ishte e mundur sepse nuk u dhanë satelitë të mjaftueshëm personal për këtë kauzë. Në vend të kësaj ata blenë satelit të ri, e në ato që u dhanë si donacion u shkruan emrat e personave që i kanë dhuruar dhe emrat e personave që hapën shtëpitë e tyre për të zhvilluar mësimin në atë kohë. Një anëtar i ekipit shpjegon se satelitët e mbledhur deri më tani po ruhen për një projekt të mundshëm që poashtu do të lidhet me kujtesën kolektive.

Foto: Cristina Marí / K2.0.

Në dysheme, pavijoni përmban një element qendror, një qilim tradicional të “Prishtinës Paralele”, i thurur nga gratë e rajonit të Hasit. Në këtë qilim paraqitet harta e Prishtinës. Me të zezë paraqiten rrugët dhe institucionet zyrtare publike prej të cilave u përjashtuan shqiptarët. Me të kuqe janë pikat ku organizoheshin ligjëratat universitare në shtëpi private. Kontrasti i ngjyrave demonstron ndarjen e qytetit në atë kohë. Qendra është e mbushur me të zezë, ndërsa e kuqja paraqitet pika pika rreth lagjeve periferike si Ulpiana dhe Arbëria.

Hapësirat e kujtesës kolektive

Arkitekti i cili ka fituar disa çmime dhe e përfaqësoi Kosovën për herë të parë në Biennale Architettura 2012, Përparim Rama, mendon se pavijoni lidhet me nënndërgjegjen e tij dhe ka ndikim të fortë. “Kjo hapësirë e përhershme dhe e vazhdueshme, dhe satelitët që rrinë pezull mbi ne, disi më lidhin me përvojat e mia të viteve të 90-a, me fëmijërinë time”, thotë Rama, i cili i kaloi dy vjet në Kosovë gjatë kësaj dekade. “Përvoja ime ishte shumë e ngjashme me këtë që po e përjetojmë në pavijonin kosovar”.

Për arkitektin i bazuar në Londër, tema e pavijonit vjen me kuptim. “Është histori shumë e afërt, kur shqiptarët në Kosovë ishin të burgosur me kuptimin e plotë të fjalës”, thotë ai, “ose ishin të lirë në sferën private, pra ishte anasjelltas: Kur dilnin nga shtëpia, nuk ishin më të sigurtë. Pra hapësira publike ishte burgu”.

Pavijoni e sjell në të tashmen një copë histori e cila mbetet mjaft e padiskutuar, e padokumentuar dhe e shpërfillur nga institucionet dhe shoqëria në përgjithësi. Pavijoni i Kosovës fokusohet në dimensionet e përgjithshme paralele të krijuara brenda qytetit duke përdorur shtëpinë si metaforë, me një theks të veçantë mbi sistemin paralel të arsimit.

Në shtator 1991, pasi regjimi largoi plot mësues shqiptarë të Kosovës nga pozitat e tyre dhe e imponoi kurrikulën serbe, sistemi arsimor në Kosovë u mbyll krejtësisht për shqiptarët e Kosovës. Siç raportoi K2.0 në edicionin “90-at” të revistës së saj, është vlerësuar se 21,000 mësues u shkarkuan nga puna dhe 400,000 studentë u përjashtuan nga shkollat fillore, të mesme dhe nga niveli universitar, duke iu mohuar kështu e drejta për t’u arsimuar në institucione arsimore publike.

Foto: Cristina Marí / K2.0.

Përtej projektit fizik në Venedik, “The City is Everywhere” gjithashtu përfshin një numër të punimeve shoqëruese të cilat synojnë ta lartësojnë ndikimin e pavijonit përtej pranisë së tij në këtë ngjarje prestigjioze. Si pjesë e saj do të përgatitet një libër i cili ofron tekste shoqëruese të bazuara në përvojat e qytetarëve të ndryshëm të Kosovës. Ky libër gjithashtu do t’i përfshijë rezultatet e hulumtimeve që kishin për qëllim paraqitjen në hartë të të gjitha shtëpive dhe hapësirave private në Prishtinë, që u shndërruan në klasa universitare.

Në mesin e hulumtuesve ishte Ardita Byci, planifikuese urbane dhe profesoreshë në Fakultetin e Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës. Ajo vet u shkollua në sistemin paralel të arsimit, duke i kryer tri vitet e para të universitetit.

Bycit i kujtohet mirë se si pavarësisht faktit se studionte në shtëpi private, profesorët ishin shumë të përkushtuar për të vazhduar me normalitet. “Në një rast një shoqe u vonua për ta dorëzuar një projekt për shkak se e kishin ndalur policia në rrugë, dhe profesori nuk ja pranoi esenë, madje edhe në këto rrethana”, thotë ajo paksa e zemëruar por nostalgjike. “Është thjeshtë shembull i përkushtimit të tyre për të mos i ndryshuar rregullat të cilat do t’i kishin zbatuar në klasa normale – për ta mbajtur nivelin e njejtë që e ke në shkollë”.

Për Bycin, që kontribuoi në hulumtimin për pavijonin dhe e shkroi një tekst për librin shoqërues, universiteti ofron një lidhje që asnjë hapësirë tjetër nuk e ka bërë. “Gjatë viteve të 70-a u krijua universiteti dhe u prit si arritje e madhe. U bë urë e fortë, një motor i jetës dinamike ndërmjet hapësirave të banimit dhe hapësirës publike”, shpjegon ajo.

Foto: Cristina Marí / K2.0.

Ajo i referohet veçanërisht kampusit të Universitetit të Prishtinës, i cili jo si plot kampuse të tjerë në botë, gjindet në qendër të qytetit. “Kur u mbyll universiteti në vitet e 90-a, motori i kulturës, edukimit dhe jetës shoqërore u ndal bashkë me të”.

Pavarësisht kësaj ndërprerje, Byci beson se drita që solli ky motor i vetëm u transformua në disa motorë në pjesë të ndryshme të qytetit. Ajo e përmend teorinë e teoricienit të mirënjohur të dizajnit bashkëkohor, Christopher Alexander, i cili argumenton se kur universitetet janë të shpërndara nëpër qytet, në vend se të jenë kampuse të izoluara, ka më shumë larmi. “Ne po e bënim këtë që moti…”, thotë Byci, mes shakasë dhe seriozitetit.

Liria psikologjike, zëvendësim për vizat

Në fjalimin e saj kuratorja e pavijonit Eliza Hoxha, i përmendi zyrtarët publik të Kosovës të cilët ishin të pranishëm, mes të cilëve ishin Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli; Ministrja e Planifikimit Hapësinor dhe Ambientit, Albena Reshitaj; Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi; Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe përfaqësues të tjerë si ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama dhe komisionerja e pavijonit, Jehona Shyti, e cila veproi si udhëzuese e ceremonive.

Veseli e shfrytëzoi këtë mundësi për të thënë: “Kosova nuk do të mbetet e izoluar. Kosova nuk ka më nevojë për satelit dhe ne presim që nga dhjetori të kemi liberalizim të vizave”. Megjithatë, ende nuk është dhënë drita e gjelbërt nga Parlamenti Evropian dhe nuk janë caktuar data zyrtare nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Foto: Cristina Marí / K2.0

Izolimi i shkaktuar nga liberalizimi i vizave është poashtu një çështje të cilën kuratorja u mundua ta adresojë në punimin e saj. Në një intervistë të gjërë me K2.0 para udhëtimit të saj në Venedik, Hoxha tha: “Në Kosovë sot je i lirë në disa mënyra, por nuk ke mundësi të lëvizësh”.

Në fjalimin dhe prezantimin e saj në Venedik, Hoxha u fokusua në rolet e qytetarëve të Kosovës gjatë viteve të 90-a të cilat sipas saj, nuk janë njohur sa duhet si dhe në nevojën për diskutime publike. “Po të mos ishin këto shkolla, unë nuk do të isha këtu”, tha Hoxha para publikut të mbledhur, të përbërë prej zyrtarëve publik, bashkëpunëtorëve të projektit të pavijonit, komunitetit të arkitektëve nga Kosova dhe vizitorëve të tjerë kuriozë. “ Ishte e vështirë t’i koleksionojmë këto tregime të pathëna. Është kohë jetike për të folur për këtë temë dhe ka ardhur koha të flasim për këtë histori, 20 vite më vonë dhe të ballafaqohemi me të”.

Më vonë, në bisedë me K2.0, Hoxha gjithashtu theksoi se tani ka ardhur koha për veprime qeveritare. “Ne bëmë gjithçka në vitet e 90-a. Nuk kishim qeveri. Tani është koha që qeveria t’i njeh vitet e 90-a dhe ta mbështetë idenë e tregimit të kësaj historie”.

Foto: Cristina Marí / K2.0.

Për Hoxhën, Bienalja dhe platformat e tjera të mëdha kulturore si Cannes, janë të rëndësishme për shoqërinë kosovare. Por ajo gjithashtu thekson faktin se është kosovarja e parë e cila jeton dhe vepron në Kosovë që e përfaqëson vendin në një platformë kaq të madhe.

“Të gjithë që kanë ekspozuar në Bienale janë kosovarë që jetojnë jashtë vendit dhe me të vërtetë është diçka e mirë se të siguron që do të ketë sukses, sepse ata janë të suksesshëm – Petrit [Halilaj], Flaka [Haliti], Përparim [Rama], Gëzim [Paçarizi], Sislej [Xhafa]”, thotë ajo. “Kjo është hera e parë që iu dha një mundësi dikujt që vjen nga Kosova. Ata të gjithë janë kosovar dhe i kontribuojnë historisë së Kosovës, por duhet t’i japim mundësi atyre të cilët vendosën të jetojnë në Kosovë dhe nuk kanë mundësi jashtë vendit. Kjo është një derë e hapur për tjerët”.K

Foto dhe video kryesore: Cristina Mari / K2.0.

Comments

0
Comment

Comment