Në thelb | Arsimi

Në arsim, të barabartë vetëm në letër

Nga - 20.12.2016

Vajzave kosovare nuk po u ofrohet aftësim për pjesëmarrje të barabartë në fuqi punëtore.

“Kur arsimon një vajzë, arsimon një popull”. Kjo është ndër thëniet më të shpeshta në raporte a publikime që ndërlidhen me arsimimin e vajzave kudo. Mjafton një klikim i vogël në internet dhe shfaqen në ekran mijëra artikuj për nevojën e rëndësinë e arsimimit të vajzave të reja, që mbetet sfidë globale.

Është në fakt lideri amerikan i viteve 1847 Brigham Young që citohet të ketë përdorur i pari këtë thënie duke ngrehur zërin për nevojën e arsimimit të barabartë si tek djemtë, ashtu edhe tek vajzat. Arsimi, sipas tij, është fuqia për të menduar në mënyrë të qartë, fuqia për të vepruar mirë në punën e botës, dhe fuqia për ta vlerësuar jetën.

Këtë mendim, pak a shumë të njëjtë, e ndajnë edhe liderët bashkëkohor, përfshirë edhe ata në Kosovë, qoftë në fjalimet elektorale apo edhe në ditët që i kushtohen vajzave dhe grave. Por sa realisht po punohet që të garantohet arsimimi i barabartë për vajzat dhe djemtë?

Kosova lavdërohet që ka arritur përpilimin e një kornize të mirëfilltë për garantimin e barazisë gjinore.  Ligji për barazi gjinore garanton mundësi dhe trajtim të barabartë, në sferën publike dhe private të jetës shoqërore, siç thotë “për meshkujt ashtu edhe për femrat”, duke përfshirë këtu barazi në jetën politike dhe publike, punësimin, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, përfitimet shoqërore, sportin dhe kulturën.

Pesëdhjetë përqind e studentëve të regjistruar në universitete në Kosovë janë vajza.

Sa i përket arsimit, të paktën në letër, duket të mos qëndrojë keq barazia gjinore. Statistikat flasin për një pjesëmarrje të kënaqshme të vajzave në sistemin arsimor. Nëse shihen për shembull të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), pjesëmarrja e vajzave në arsimin fillor dhe të mesëm është përafërsisht e njëjtë me pjesëmarrjen e djemve. Pesëdhjetë përqind e studentëve të regjistruar në universitete në Kosovë janë vajza. Pra është shënuar një rritje nga 47 përqindëshi i periudhës 2010/11, ndërsa nga 374.407 nxënës që janë të përfshirë në arsimin para universitar, 180.211 (ose 48 përqind) janë vajza.  

Vajzat në Kosovë janë po ashtu më pak të prirura që ta braktisin arsimimin në nivel të shkollës së mesme, në krahasim me djemtë. Vitin e kaluar, niveli i braktisjes në shkollat e mesme për vajzat ishte 48 përqind, ndërsa për djemtë ishte 52 përqind. Shifra më e lartë e djemve mund t’i atribuohet pjesërisht kushteve socio-ekonomike, meqë ekziston një presion i veçantë mbi djemtë që ta braktisin arsimin për shkak të kushteve të rënda ekonomike, në mënyrë që të punojnë dhe të ndihmojnë për gjenerimin e të hyrave për familjet e tyre.

Pa barazi në punësim

Ndonëse pjesëmarrja në sistemin e arsimit në Kosovë, sipas statistikave del të jetë e barabartë në aspektin gjinor, tregu i punës në Kosovë dominohet nga meshkujt. Sipas rezultateve të dala këtë muaj nga raporti i Agjencisë së Statistikave në Kosovë “Gratë dhe burrat në Kosovë 2014/2015”, niveli i punësimit për burra ishte 39 përqind, por  më pak se 12 përqind për gra.

Sipas të dhënave të anketës për fuqi punëtore në Kosovë, në tremujorin e parë të vitit 2016, 30 përqind e grave ishin të papuna, në krahasim me 27 përqind të burrave, ndërsa papunësia në mesin e 15-25 vjeçarëve ishte 54 përqind. Megjithatë, këto statistika i marrin parasysh vetëm ata që konsiderohen si ‘aktiv’ në tregun e punës; 83 përqind e grave dhe 47 përqind e burrave konsiderohen si ‘joaktiv’, që do të thotë se as nuk janë duke kërkuar punë.

Pjesëmarrja e grave kosovare në tregun e punës vlerësohet të jetë më e ulëta në Evropë, pavarësisht faktit se vajzat kosovare performojnë më mirë sesa djemtë në arsim. Kjo së fundi u pasqyrua edhe në rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar PISA që përfshiu nxënës 15 vjeç. Ndonëse rezultatet në përgjithësi ishin dëshpruese – Kosova u rendit e në mesin e pesë shteteve më të dobëta në botë – vajzat shënuan 36 pikë më shumë se djemtë në lexim dhe 9 pikë më shumë në shkencë. Djemtë performuan më mirë se vajzat vetëm në matematikë.

Sipas Merita Jonuzit nga departamenti i MASHT për mundësi të barbarta, e cila vuri në pah se 77 përqind e vajzave në klasët 10-12 kanë arritur suksese ‘të shkëlqyeshme’, ‘shumë të mirë’ ose ‘të mirë’, shifrat relativisht pozitive për vajzat në arsim në krahasim me djemtë duhet të përktheheshin edhe në mundësi në tregun e punës. “Meqë vajzat po tregojnë sukses në arsim, mundësitë e tyre në tregun e punës duhet gjithashtu të jenë të kënaqshme”, thotë ajo.

majlinda-hoxha-girls-education-merita-jonuzi-11-2016_2

Merita Jonuzi thotë se vajzat po performojnë më mirë se djemtë në Kosovë, dhe kështu duhet të kenë mundësi të kënaqshme në tregun e punës.

Por, logjika e tillë mohohet nga Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, e cila aludon se pabarazia në tregun e punës i atribuohet arsyeve të rrënjosura socio-kulturore. “Detyrat dhe përgjegjësitë familjare, si dhe kujdesi për anëtarë tjerë të familjes, vazhdimisht përmenden si arsye që ndikojnë në pasivitetin e grave në tregun e punës”, thotë ajo. “Sidoqoftë, këto nuk janë arsyet e vetme. Ky pasivitet lidhet gjithashtu me diskriminimin në vend të punës”.

Sipas Demollit, gratë diskriminohen rregullisht për shkak të gjinisë së tyre, statusit martesor ose përgjegjësive familjare. “Në fakt, çështja e gjinisë në punësim bëhet edhe më problematike për gra në vitet riprodhuese, periudhë gjatë së cilës niveli i papunësisë veç se arrinë një 44.3 përqindësh alarmues për gratë dhe burrat e moshave 25-35”, thotë ajo. “Gjatë intervistave për punësim, ende ka raste kur shtrohen pyetje klasike diskriminuese si ‘A je e martuar?’, dhe, ‘Sa fëmijë i ke?’”.

Përgatitje jo e barabartë

Për ato gra që janë të punësuara, ekziston një ndarje e dallueshme në mes të industrive në të cilat ato kanë mundësi që të punësohen, dhe atyre që konsiderohen si sferë e burrave. Raporti i ASK-së për tremujorin e parë të vitit 2016 tregon se 51 përqind e grave të punësuara punojnë në sektorët e arsimit, tregtisë ose kujdesit shëndetësor, ndërsa burrat e punësuar kryesisht (44 përqind) janë të punësuar në prodhimtari, tregti dhe ndërtimtari.

Një ndarje e tillë e punës nis në shkolla, kur fëmijët bëjnë zgjedhje arsimore. Sipas Jonuzit, ka trende të dallueshme sa i përket lëndëve që ndiqen. “Sa i përket arsimit dhe kualifikimit profesional, ka dallime sipas preferencave për profesione të caktuara”, thotë ajo.

Të dhënat e ministrisë së arsimit konfirmojnë se, sa i përket arsimit profesional, vajzat kryesisht zgjedhin linja arsimore që çojnë në profesione që konsiderohen si më të përshtatshme për gra, si shkolla të mesme të shkencave natyrore dhe matematikës, shkolla të mesme gjuhësore dhe të shkencave sociale, teknologji, mjekësi, teknologji e ushqimit, dizajn, ekonomi, juridik, administratë dhe arkitekturë; janë shumë më pak të prirura se djemtë që të ndjekin linja si ndërtimtari, furnizim ushqimor, rrobaqepje ose floktari. “Dhe janë shumë pak që zgjedhin bujqësi, inxhinieri mekanike, inxhinieri elektrike dhe fusha tjera të ngjashme”, thotë Jonuzi.

Demolli aludon se tendenca e dukshme drejt një tregu të punës të ndarë në bazë të gjinisë është rezultat i një mendësie të trashëguar të rregullimit të jetës publike në Kosovë, mendësi kjo që duhet sfiduar. “Institucionet tona nuk po kërkojnë mënyra inovative për të organizuar punën duke zgjeruar sektorët për të dy gjinitë, gjë që mund të arrihet duke siguruar punë të ndryshme jotipike”, thotë ajo. “Për shembull, nuk ka burrë në Kosovë që punon në çerdhet tona”.

Edhe Petrit Tahiri nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) pajtohet se programet arsimore po dështojnë në përgatitjen e barabartë të vajzave për tregun e punës, dhe se statistikat në lidhje me pjesëmarrjen dhe performancën e vajzave në arsim nuk pasqyrojn barazinë e dispozitave arsimore. “Për shembull, mund të shihni se disa vajza zgjedhin fusha teknike dhe si rezultat kemi numër shumë të madh të vajzave që punojnë në arsim dhe shëndetësi”, thotë ai. “Mundësitë në saje të qasjes në arsim janë të barabarta, por programet aktuale arsimore nuk garantojnë këtë barazi sepse ofrojnë kushte që i favorizojnë djemtë para vajzave, sepse janë programe për profesionet që konsiderohen të jenë për burra”.

majlinda-hoxha-girls-education-petrit-tahiri-1-01-12-2016_3

Petrit Tahiri aludon se sistemi i arsimit në Kosovë nuk po u ofron vajzave mundësi të barabarta për të hyrë në tregun e punës.

Hulumtimi i KEC i vitit 2014 i titulluar “Konceptet e qytetarisë në mesin e nxënësve të Kosovës” ilustron qëndrimet e nxënësve ndaj mundësive të barabarta në arsim dhe punësim, nëpërmjet një sonazhi të 1700 nxënësve të klasës së tetë. Kur flasim për perceptimet e nxënësve në lidhje me mundësitë në jetë, 96 përqind u pajtuan se djemtë dhe vajzat duhe ttë kenë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në qeveri. Hulumtimi gjithashtu tregoi se 95 përqind e atyre që u anketuan u pajtuan se djemtë dhe vajzat duhet të kenë të drejta të barabarta në çdo aspekt, dhe në këto përgjigje pati një distribuim gati të barabartë gjinor.

Sidoqoftë, në pyetje tjera, ku nxënësit u pyetën se a pajtohen me deklarata si, ‘Burrat duhet të kenë më shumë të drejta në punësim se gratë kur mundësitë e punësimit janë të rralla’, ‘Burrat dhe gratë duhet të paguhen barabartë kur e bëjnë të njejtën punë’ dhe ‘Burrat janë më të kualifikuar se gratë për t’u bërë liderë politik’, rezultatet nuk ishin aq bardhë e zi. 22 përqind e nxënësve u pajtuan që ‘Gratë duhet t’i rrinë larg politikës’, përfshirë 16 përqind e femrave të anketuara.

Qëndrimet e tilla me gjasë pasyqrojnë një mungesë të grave modele në shoqërinë patriarkale të Kosovës, meqë gratë janë më pak të prirura për të punuar në pozita të vendimmarrjes në krahasim me burrat. Derisa kjo të ndryshojë, ekspertët aludojnë se barazia në arsim, dhe rrjedhimisht në tregun e punës, me gjasë do të mbetet vetëm në letër.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO