Në thelb | Personat e pagjetur

Eshtrat e paidentifikuara mbajnë dhimbjen e hapur

Nga - 06.06.2018

Procesi i identifikimit të eshtrave mban të hapur në pafundësi plagët e familjarëve të të zhdukurve.

“Nuk jam i sigurt nëse ky është rivarrimi i fundit i eshtrave të babait tim”, thotë Fitim Batusha, nga Krusha e Vogël që bashkoi dy eshtrat e babait të tij me 25 maj. “Babai im është identifikuar e varrosur moti, por po vijnë eshtra shtesë dhe ky na është bërë një ankth”.

Batusha është njoftuar një muaj më parë nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, që dy eshtra të tjera të babait të tij, Zaim Batusha, janë identifikuar edhe pse ai ishte varrosur në vitin 2007. Së bashku me 19 mbetje të tjera mortore, u ribashkuan në varrezat e fshatit ku pushojnë 45 martirët.

Plaga e familjes Batusha dhe familjeve të tjera në Krushë të Vogël, siç duket mbetet gjithnjë e hapur dhe jo vetëm për faktin e ribashkimeve të eshtrave të identifikuara vite pasi janë varrosur trupat e gjetur, por edhe për shkakun se vetëm 45 trupat nga 113 banorëve të vrarë me 26 mars të 1999-tës janë gjetur. 68 të zhdukurit nga Krusha e Vogël janë në mesin e 1,650 personave që ende figurojnë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Fitim Batusha ka përjetuar traumën e ribashkimit të eshtrave të babait të tij dhe dhimbjen për dy vëllezërit e zhdukur. Foto: Atdhe Mulla/ K2.0.

Për Batushën, hapja e varrit të babait për ribashkimin e eshtrave të tij nuk është dhimbja e vetme. Me një shikim të mprehtë dhe me përpikmëri në narrativë, ai tregon se në mesin e të zhdukurve të fshatit janë edhe dy vëllëzërit e tij, Feim dhe Mërgim Batusha, që janë në mesin e tetë anëtarëve të familjes së ngushtë për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë.

Përveç shpresës së vazhdueshme se një ditë do t’i gjejnë eshtrat e vëllezërve, vërehet edhe një dozë frike se edhe gjetja e trupave të tyre nuk do ta mbyll plotësisht vuajtjen e gjatë që e ka përcjellur familjen e tij. Sidomos, kur kihet parasysh ribashkimi i eshtrave të babait dhe trazimi shpirtëror që ka pësuar familja nga gjetja e eshtrave të tij, vite më vonë, pasi është varrosur dhe pasiguria që ky mund të mos jetë bashkimi i fundit i eshtrave të babait të tij.

Për Batushën, institucionet kanë qenë të  “papërgjegjshme” në mënyrën sesi i kanë trajtuar familjet e tyre. Bindja e disa të afërmve të tij për për të pranuar ribashkimin e mbetjeve të babait, ishte sfiduese, pasi shumë prej tyre u mërzitën që eshtrat po vijnë prapë pas kaq shumë vitesh.

Arsim Gërxhaliu, i cili që nga viti 2008 është Drejtor i Mjekësisë Ligjore të Kosovës, thotë se i mirëkupton familjarët dhe mllefin e tyre që i ka percjellur gjatë gjithë këtyre 19-të viteve.

Por, sipas Gërxhaliut, ribashkimi i eshtrave po ndodh për shkak të kompleksitetit të krimeve që kanë ndodhur dhe të varrimeve e zhvarrimeve gjatë luftës në Kosovë nga forcat Serbe, që për qëllim kanë pasur fshehjen e gjurmëve të krimit.

“Kemi rast që pjesë të trupit të një njeriu i kemi gjetur në Vërmicë [afër Prizrenit] por më vonë pjesë të të njëtit trup janë gjetur 500 km më larg në Batajnicë [në periferi të Beogradit]. Për t’i fshehur gjurmët, forcat serbe i kanë zhvarrosur trupat prej Prizrenit, por aty ka mbetur ndonjë pjesë kockore sepse trupi i ka 208 pjesë kockore”, thotë ai. 

Morgu në Prishtinë i ka mbi 300 mbetje mortore të paidentifikuara, duke sfiduar kështu edhe udhëheqësin e Departamentit të Mjekësisë Ligjiore, Arsim Gërxhaliun. Foto:Atdhe Mulla / K2.0.

Gjetja dhe identifikimi i eshtrave paraqet një sfidë për departamentin që ai drejton. E çka të bëjmë ne kur t’i gjejmë,” pyet retorikisht Gërxhaliu para se të shtojë, se ka pasur raste kur familjarët kanë thënë ‘mos na i hapni plagët’ dhe kanë refuzuar ribashkimin e eshtrave. “Kjo është e drejtë ligjore e tyre sikurse është obligim ligjor për neve me iu tregu nëse një pjesë e trupit është gjetur”, thotë ai.  

Sipas Departamentit të Mjekësisë Ligjore, janë mbi 300 eshtra me profil të veçantë që ende janë të paidentifikuara në morgun e Prishtinës, të cilat datojnë nga periudha të ndryshme. Sipas Gërxhaliut, pjesët kockore në shumë raste kanë rezultuar poashtu të periudhave të tjera historike, gjë që e vështirëson identifikimin.

“Gjatë punës, kemi gjetur mbetje të luftës së parë e dytë botërore si dhe të periudhës së [ish-zëvendëspresidentit jugosllav, Aleksandar] Rankovićit sepse janë gjetur monedha të asaj kohe,” shpjegon ai.

Për një kohë të gjatë, kjo gjendje e ka shtuar edhe më tej makthin e familjes Batusha. “Neve po na thonë se janë 300 mbetje mortore e na po thojmë me veten tonë ‘ahh, a mundet me qenë dikush prej familjes sonë aty’. Eshtrat rrijnë me vite aty kurse nuk bëhet identifikimi [i tyre]”, ka thënë Batusha. 

Një proces kompleks dhe përzierje institucionesh

Përderisa dhimbjet e familjarëve me vite nuk po kanë fund, identifikimi i mbetjeve mortore nga paslufta ka përfshirë një mori institucionesh ndërkombëtare e vendore që janë marrë me zhvarrimin, identifikimin dhe ribashkimin e mbetjeve mortore.

Në qershor të vitit 2002 u krijua Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore si pjesë e zyrës Ligjore të Administratës së Misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK.

Por nuk ishte vetëm UNMIK-u që merrej me gjetjen e varrezave masive dhe identifikimin e të pagjeturve, por edhe institucione të tjera sikurse Gjykata e Hagës (ICTY) e cila kishte dërguar 14 ekipe të specializuara të forenzikës nga vendet e ndryshme të botës. Prej vitit 1999 deri në 2002, ekspertë të Gjykatës së Hagës kanë identifikuar 4,019 persona, por pa aplikuar analizat e ADN-së, që filluan të bëhen tek pas vitit 2004.

Poashtu, në vitet e para të pasluftës mbi 2,000 trupa të tjerë janë identifikuar nga familjarët, me forma “tradicionale”, kryesisht përmes veshmbathjeve të të afërmve të tyre, gjë që e ka shtuar mundësinë e gabimeve në procesin e identifikimit.

Gabimet e bëra në të kaluarën dhe një grup i pakompletuar i mostrave të gjakut, e bëjnë procesin e identifikimit të mbetjeve mortore edhe më sfiduese. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Gërxhaliu thotë se 300 mbetjet nuk konsistojnë me profilin e gjakut që kanë dhënë familjarët për Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur [KNPZH].

Ndër arsye të tjera që e bën të vështirë identifikimin e mbetjeve mortore, është edhe mosdhënia e gjakut nga disa familje të të pagjeturve. Për arsye të ndryshme nuk kanë pranuar ta bëjnë dhe kjo formë e ka pamundësuar identifikimin përmes ADN-së.

Ndonëse numri i atyre që refuzojnë të japin gjak është cilësuar i vogël, sipas të dhënave që ka siguruar K2.0 nga EULEX-i, janë rreth 20 familje që kanë refuzuar në vazhdimësi dhënien e gjakut.

Tarja Formisto është zëvendësdrejtoreshë e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke punuar në misionin e BE-së që prej vitit 2008. Formisto beson se familjet mund të kenë refuzuar të japin gjak për një numër të ndryshëm arsyesh.

Ajo sygjeron që në mesin e tyre janë edhe disa familje që janë zhvendosur pas luftës së fundit. Në mesin e 1,650 të zhdukurve janë edhe qindra nga komuniteti serb, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas, por institucionet relevante nuk i klasifikojnë në baza etnike dhe për këtë shkak nuk ka numër të saktë të të zhdukurve nga përkatësia e tyre kombëtare.

Mosdhënia e gjakut e ka pamundësuar në disa raste identifikimin e mbi 300 mbetjeve mortore që gjinden në morg. Sipas Formisto, me një afat jo të largët eshtrat që nuk do të mund të identifikohen do të varrosen në një lokacion të përbashkët që e ka ndarë komuna e Prishtinës. 

Përgjegjësi e vendorëve apo ndërkombëtarëve?

Procedura e identifikimit të mbetjeve mortore është një proces kompleks duke përfshirë një mori institucionesh. Mbledhja e gjakut që nga viti 2004 është bërë nga KNPZH. Analizat e ADN-së në anën tjetër, janë kryer në Bosnjë dhe Hercegovinë e së fundmi janë bartur në Hagë dhe kushtojnë mbi 500 dollarë amerikanë për një person.

Nuk ka një shpjegim të qartë, se pse Kosova nuk ka një laborator ku bëhen analizat e ADN-së për identifikimin e mbetjeve mortore që datojnë nga koha e luftës, pasi veçse ekziston një laborator i cili përdoret për rastet e krimeve të përditshme. Gërxhaliu thotë të ketë bërë kërkesa shumë vite më parë, por sipas tij, kjo ka qenë në dorë të misioneve ndërkombëtare të cilët nuk e kanë lejuar një gjë të tillë.

Çështja e trajtimit të krimeve të luftës dhe rrjedhimisht çështja e personave të zhdukur dhe identifikimi i mbetjeve mortore, ka qenë gjithmonë e udhëhequr nga organizatat ndërkombëtare: nga misioni i ICTY, UNMIK, tek mandati aktual i EULEX-it.

Mandati i EULEX-it, i cili ishte vazhduar në vitin 2016, skadon më 14 qershor dhe është në fazën finale të diskutimit mbi rolin e ardhshëm që do të ketë misioni, sa i përket krimeve të luftës si një ndër fushat ku ka fuqi ekzekutive.

Prenk Gjetaj, Kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, edhe pse nuk dëshiron të paragjykoj mbi rolin e EULEX-it pas qershorit, insiston se institucionet e shtetit të Kosovës duhet ta marrin udhëheqjen edhe sa i përket mbetjeve mortore. “Tash mendoj se ka ardhë koha që ky proces të kalojë tek vendorët,” thotë ai.

Shefi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore Arsim Gërxhaliu beson se, departamenti i tij e ka vullnetin për të trajtuar përgjegjësitë për identifikimin, por janë lënë të papërgatitur nga mungesa e trajnimeve dhe investimeve. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Edhe pse me vullnet të njëjtë, më ndryshe e sheh këtë çështje udhëheqësi i Mjekësisë Ligjore kosovare. Ndonëse Gërxhaliu thotë të mos mungojë vullneti, instituti që ai drejton nuk ka kapacitete për të marrë gjithë përgjegjësinë, pasi ka pasë neglizhencë të vazhdueshme të qeverive për të krijuar kapacitete si njerëzore por edhe teknike.

Divizioni për persona të zhdukur brenda mjekësisë ligjore ka 10 punëtorë, nga gjithsej 60 në total sa ka mjekësia ligjore, por ka mungesë kualifikimesh për të marrë përgjegjësinë nga EULEX-i. Gërxhaliu kritikon qeveritë e ndryshme të Kosovës për mosndihmesë, por pa faj nuk e lë as EULEX-in. “Ne për këto 18 vite nuk kemi arritur t’i çertifikojmë as dy antropologët [e forenzikës] që i kemi,” thotë Gërxhaliu.

Për ndryshim nga Gjetaj dhe Gërxhaliu, Formisto nuk beson se autoritetet vendore kanë kapacitete e as vullnet për të marrë në dorë procesin e identifikimit të të zhdukurve dhe mbetjeve mortore. Ajo mendon se çertifikatat nuk ndihmojnë kur nuk e ke dijen dhe vullnetin. “Autoritetet kosovare nuk kanë përgatitje akademike, nuk kanë shumë përvojë dhe posaçërisht nuk kanë vullnet për të bërë një gjë të tillë,” thotë Formisto.

Zëvendësdrejtoresha e Departamentit të Forenzikës së EULEX-it, Tarja Formisto, mendon se organizata e saj është bërë adresë e lehtë justifikimi dhe se ka mungesë vullneti nga institucionet kosovare për të marrë përgjegjësinë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Formisto poashtu mendon, se EULEX-i akuzohet për arsye se është adresë e lehtë justifikimi për punën e pabërë nga të tjerët. “Nëse nuk iu bëhet vonë se çka iu ka ndodhur këtyre njerëzve dhe nuk keni vullnet për t’i gjetur, çfarë bëni është, uleni në tavolinë dhe flisni gjëra të pakuptimta,” thotë ajo.

Formisto duket e zhgënjyer nga përkushtimi i vendorëve dhe stafit që punojnë në morg. “Kur e kam filluar inventarizimin e eshtrave, nuk ka kaluar shumë kohë për ta kuptuar se askush nuk ishte i interesuar për të punuar në bodrum [ku gjinden mbetjet mortore] ku ora shtatë e mengjesit iu është dukur herët për ta filluar punën.”

Të harruar nga politika

Përveç problemeve teknike përmes të cilave është neglizhuar identifikimi i eshtrave dhe gjetja e mbi 1,650 personave të zhdukur, niveli politik poashtu nuk e ka pasur si prioritet çështjen e të pagjeturve. Qeveritë e kaluara të Kosovës, nuk e kanë vendosur asnjëherë në tavolinë çështjen e të zhdukurve dhe reparacioneve të tjera të luftës në dialogun e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011.

Këtë vit, është duke u folur për një marrëveshje “finale” të normalizimit  mes Kosovës dhe Serbisë por nuk është bërë e qartë nëse çështja e të pagjeturve do të adresohet.

Familjarët e të zhdukurve janë të pakënaqur rreth përkushtimit të qeverisë së Kosovës dhe mosadresimit të çështjes së të zhdukurve. Për Batushën, institucionet kosovare në vazhdimësi kanë pas moskokëçarje për të zhdukurit.

“Me pas qenë ma këmbëngulës kishim mujtë me vendos si kusht,” thotë ai. “Nëse nënshkruhet një marrëveshje finale pa zgjidhur punën e të zhdukurve, do të jetë një katastrofë për ne familjarët, pra një rivrasje dhe dëshmim se nuk është bërë asgjë.”

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, beson se Bashkimi Evropian nuk i ka dhënë çështjes së personave të zhdukur mjaft peshë në dialog. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në anë tjetër, Gjetaj nga Komisioni Qeveritar i fajëson ndërkombëtarët se nuk kanë lejuar këso kushtëzimesh. “Bashkësia evropiane nuk ka treguar interesim që çështja e të zhdukurve të jetë pjesë e dialogut politik dhe ta kushtëzojnë rrugë evropiane të Serbisë me fatin e të pagjeturve”, thotë ai. 

Formisto, ndryshe nga Gjetaj mendon se vullneti politik ka munguar nga të dyja palët dhe sipas saj arsyet janë të qarta. “Ata që janë në pushtet si në Kosovë edhe në Serbi, pse duhet t’i hetojnë krimet të cilat i kanë bërë vet,” përfundon ajo.

Përderisa ka shpërfillje nga ana institucionale, si dhe paqartësi e përzierje institucionesh vendore e ndërkombëtare për të identifikuar qindra eshtra në morg, familjarët vazhdojnë të jetojnë nën shpresën dhe ankthin se dikush do iu trokasë në derë për të lajmëruar për ribashkimin e radhës së eshtrave kockore të më të dashurve të tyre apo gjetjen e trupave të tyre.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Redaktuar nga Leurina Mehmeti dhe Jack Robinson.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO