Biseda | BiH

Zilka Spahić-Šiljak: ‘Ndarja etnike çon deri te shkelja e të drejtave të grave, por edhe të burrave’.

Nga - 17.09.2018

Bisedë për Feminizmin në Ballkan (Pjesa 4) – Profesoresha e studimeve gjinore flet për religjionin dhe feminizmin dhe se si ndikon nacionalizmi tek gratë.

Në fushën e feminizmit global, viti 2017 do të kujtohet për lëvizjen #MeToo.

Kjo nismë, e themeluar në SHBA pas skandalit të Harvey Weinstein – në të cilin prodhuesi i njohur i filmave është akuzuar për ngacmime dhe sulme seksuale kundër dhjetëra grave – u përhap në shtete të tjera, duke bërë që qindra e mijëra gra të thonë publikisht “me too” (“edhe unë”… jam viktimë e ngacmimit), për ta theksuar faktin se dhuna seksuale është problem i përhapur dhe serioz. Revista Time e shpalli lëvizjen “me too”, apo ato që e “thyen heshtjen”, si person të vitit.

Ndonëse “me too” arriti edhe Ballkanin, shtetet në këtë rajon ende përballen me beteja të ndryshme. Disa nga temat e theksuara nga aktivistët feministë në Ballkan janë e drejta për abortim, përfaqësimi i grave në pozita të vendimmarrjes, prania e grave në politikë dhe dhuna kundër grave.

Në një seri të Bisedave, K2.0 ka folur me disa prej feministeve më të shquara në rajon për zhvillimin dhe gjendjen aktuale të feminizmit në shtetet e tyre përkatëse dhe problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, K2.0 foli me Zilka Spahić-Šiljak, profesoreshë e studimeve gjinore, aktiviste dhe feministe, punimet akademike të së cilës fokusohen në të drejtat e njeriut, të drejtat e grave, religjionin dhe feminizmin në fenë islame.

Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.

K2.0: Në Kroaci së fundmi ishim dëshmitarë të një proteste masive kundër Konventës së Stambollit, konventës që u nënshkrua nga Këshilli i Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në vitin 2011. Kjo Konventë u miratua në Bosnje dhe Hercegovinë. A mund të themi se në Bosnje nuk ka grupe të ngjashme që mund të mobilizohen për një qëllim të ngjashëm?

Zilka Spahić-Šiljak: Me sa duket Bosnja dhe Hercegovina teksa po hynë në këtë fazë. Këtu ende nuk kemi qëndrime të tilla të artikuluara kundër Konventës së Stambollit; është ratifikuar dhe gjithçka kaloi pa debat. Po t’i analizojmë të drejtat e grave në Bosnje, ato nuk janë në thelb më ndryshe në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit, dhe sigurisht duhet ta kemi parasysh realitetin politik të Bosnjes dhe Hercegovinës – ndarjet etnike, fragmentimin administrativ të vendit dhe nivelin e lartë të varfërisë.

Në Bosnje dhe Herzegovinë nuk kemi parë rezistencë ndaj Konventës së Stambollit, sepse Komuniteti Ndërkombëtar i kushtëzon shumë sende, dhe e njejta ka ndodhur me këtë konventë. Ne miratojmë gjithfarë strategji dhe dokumente, ndërsa nuk merremi me domethënien e tyre në praktikë dhe përgjegjësitë që burojnë prej tyre. Nuk ka kundërshtim më të gjërë ndaj kësaj në publik, dhe do të thoja se kjo është për shkak të faktit se çështjet e gjinisë dhe barazisë gjinore nuk merren me seriozitet nga institucionet në Bosnje dhe Hercegovinë. Për to [institucionet], këto nuk janë pyetje reale.

Kardinali aktual nga Bosnja, Vinko Puljić, deklaroi në fjalimin e tij për Pashkë se gratë – do ta parafrazojë – ‘nuk do të marrin ndihmë nga konventat, por nga besimi dhe Zoti’, dhe se ‘ndihma nuk duhet të kërkohet në konventa, por tek besimi dhe Zoti’.

Unë besoj se kjo që po ndodh në Kroaci dhe vende të tjera, ngadalë do të depërtojë në pjesët tjera të Ballkanit dhe Bosnjes.

A është çështja e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje e përhapur në Bosnje dhe Hercegovinë?

Dhuna në familje është problem i madh në të gjitha shoqëritë në ditët e sotme, ndërsa shoqëria në Bosnje dhe Hercegovinë ka faktorë shtesë të traumës së luftës dhe varfërisë, ndonëse kjo nuk mund të përdoret si justifikim.

"Nëse një shoqëri është patriarkale, me pritje dhe role gjinore të ndara në mënyrë të qartë, secili hap jashtë kësaj strukture i bënë gratë të prekshme, dhe i jep burrit justifikim për dhunë."

Dhuna kryhet nga njerëzit e arsimuar dhe të paarsimuar, të varfër dhe të pasur, nga besimtarët dhe ata që nuk besojnë në Zot; ndërsa trauma, varfëria dhe alkooli veç sa i kontribuojnë dhunës, por nuk janë shkaktarë kyç të saj. Nëse një shoqëri është patriarkale, me pritje dhe role gjinore të ndara në mënyrë të qartë, secili hap jashtë kësaj strukture i bënë gratë të prekshme dhe i jep burrit justifikim për dhunë.

Dhuna ende konsiderohet turpi i viktimës, jo i autorit të krimit edhe pse ligjet në fuqi parashohin dënime – ndonëse ato janë të lehta – dhe vetëm një pjesë e vogël e autorëve të këtyre krimeve sanksionohen. Stigma shoqërore ende është e fortë dhe kështu dhuna nuk po diskutohet haptas, përveç kur eskalon në forma të rënda të veprave penale dhe e vetmja zgjidhje është raportimi në polici. Gratë që guxojnë ta raportojnë dhunën nuk po marrin mbrojtje adekuate.

Është një problem shtesë në komunitete më të vogla, ku njerëzit e njohin njëri tjetrin, prandaj është më lehtë të ushtrohet ndikim te policia që ata të mos e përcjellin rastin te autoritetet kompetente. Për më tepër, në media mund të shohim çdo ditë raste të rrahjes apo vrasjes së grave, për shkak se ato kanë guximin t’i braktisin këta kriminelë të dhunshëm. Nëse rastet e tilla nuk sanksionohen në mënyrë adekuate, atëherë kjo i inkurajon autorët e krimeve dhe i thotë viktimave se shteti dhe sistemi nuk mund t’u ndihmojë atyre.

Këto çështje ende kryesisht trajtohen nga organizatat joqeveritare; disa prej këtyre OJQ-ve kanë themeluar shtëpi të sigurta dhe programe të ndihmës psikoterapeutike për gra dhe fëmijë, por nuk ka zgjidhje sistematike.

Më me rëndësi është se kultura e dhunës ende po promovohet dhe kështu dhuna po normalizohet dhe po bëhet e pranueshme në shoqëri. Shumë pak apo aspak nuk po mendohet për atë se sa shkatërruese është të kemi fëmijë, familje dhe gjenerata të ardhshme që rriten në mjedise të dhunshme.

Keni përmendur shoqërinë patriarkale dhe ndarjen tradicionale të roleve gjinore në kuptimin se grave dhe burrave u caktohen disa atribute të caktuara: Gratë lidhen me shtëpinë dhe shihen si më të buta, ndërsa burrat shihen si të fuqishëm, si ata që kujdesen për të tjerët… A na inkurajojnë sistemi aktual i arsimit dhe prodhimet mediale të jemi më të hapur ndaj kësaj çështjeje?

Shoqëria në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe shoqëritë në shumë vende në rajon dhe përtej, janë thellësisht patriarkale. Socializimi i grave dhe burrave sipas roleve gjinore të tyre ende është tradicional. Kjo do të thotë se pritjet dhe stereotipet gjinore ende janë të vendosura, dhe i caktohen njërit apo tjetrës gjini.

Sistemi arismor nuk ka bërë progres në atë kuptim, sepse librat shkollorë janë përplot me stereotipe, ndërsa stafi i mësimdhënies në shkolla dhe fakultete nuk janë të informuar sa duhet për çështje gjinore. Kjo do të thotë se modelet tradicionale të roleve gjinore ende transmetohen nëpërmjet socializimit primar dhe sekondar, dhe se mediat nuk janë të hapura sa duhet ndaj qasjeve kritike drejt këtyre çështjeve.

Ja vlenë të përmendim se rolet stereotipike të grave dhe burrave inkurajohen nëpërmjet klasave religjioze, ndërsa interpretimi dominues i mesazheve religjioze insiston në një karakterizim tipik të mashkullit dhe femrës që thuhet të jetë i bazuar në ontologji, e se nuk është i ndërtuar nga shoqëria.

Kjo pastaj ka pasoja në ndarjen e pritjeve dhe roleve gjinore që gratë dhe burrat i formojnë vet në përputhje me rrethanat, thuajse këto role janë të natyrshme dhe të dhëna nga Zoti. Duhet të ketë reforma tërësore të sistemit të arsimit dhe sensibilizim të mediave në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të mund të rriten jashtë roleve të themeluara në bazë të stereotipeve dhe të jenë të përgatitur të veprojnë në partneritet, me respekt të ndërsjellë.

Keni kritikuar atë që e shihni si mësime diskriminuese të fesë Islame dhe religjionit në përgjithësi. A ka Bosnja problem me mësime mizogjiniste islamike?

Kjo nuk është vetëm çështje e Islamit. Interpretimet mizogjiniste nuk ekzistojnë vetëm në religjione. Dhe nëse e analizojmë me kujdes, shohim se ato janë marrë kryesisht nga sfera laike e jetës. Për shembull, kuptimi [hierarkik] aristotelian i lindjes së kafshëve të gjalla [vendosjes së krijesave më lartë në ‘shkallët e jetës’] ndikoi drejtpërdrejtë tek zhvillimi i antropologjisë së njeriut në mësimet çifute-krishtere-islamike. [Aristoteli besonte se gratë ishin natyrisht inferiore ndaj burrave, pra burrat janë udhëheqës dhe gratë subjekte.]

Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.

Mund të themi se Islami këtu, në Bosnje dhe Ballkan, përjetohet si diçka progresive në krahasim me disa shtete tjera. Ka plot arsye për këtë, nëse marrim parasysh pozitën gjeopolitike të Islamit, në kufijtë ndërmjet kulturave dhe civilizimeve të ndryshme. Ka presion të vazhdueshëm, përpjekje për të mbijetuar, për shkak të së cilave muslimanët gjithmonë kanë gjetur mënyra për t’u adaptuar dhe për të vepruar në ambiente laike.

Duhet ta përmendi laicizimin e shoqërisë gjatë shekullit 20 [gjatë socializmit] që solli ndryshime të mëdha dhe u reflektua në jetët e muslimanëve, e prandaj pjesa më e madhe e tyre sot janë laicizuar. Në këto zona, religjioni është më shumë identitet dhe traditë se sa besim.

Photo: Imrana Kapetanović / K2.0.

Sa i përket barazisë dhe politikave gjinore, mund të themi se gratë muslimane kanë status disi më të mirë se në shtete tjera, për shkak se nuk ka, dhe nuk kishte kurrë, ndarje të rreptë shoqërore. Gratë gjithmonë kanë shkuar në xhami, vendi i lutjes nuk është i ndarë me perde apo mure, gjatë tubimeve të mëdha gratë gjithmonë kanë kënduar dhe recituar në xhami bashkë me burra, studiojnë bashkë me ta në shkolla religjioze…

"Zoti nuk diskriminon ndaj asnjë religjoni, kjo bëhet nga burrat që kanë monopol mbi interpretimin e religjioneve të caktuara."

Sot kemi gra në Këshillin e Komunitetit Islamik [autoriteti më i lartë përfaqësues dhe legjislativ i komunitetit Islamik në Bosnje], edhe pse nuk marrin pjesë në procese të vendimmarrjes, dhe statusi i tyre nuk është as afër asaj që mund të jetë dhe duhet të jetë. Si në sfera tjera të jetës, ekziston një monopol [i burrave] mbi njohuritë dhe menaxhmentin. Dhe fatkeqësisht, komuniteti Islamik nuk po e merr parasysh potencialin dhe kapacitetet e grave.

Nëse e analizojmë kurrikulën në medrese, fakultetet shkencore islamike dhe librat shkollorë që përdoren në klasa religjioze në shkolla, nuk ka barazi gjinore, dhe gratë paraqiten në role tradicionale të nënës, gruas, motrës.

Kur janë të dukshme në publik, është një punë që janë dorë e shtrirë e sferës private, që do të thotë në rolin e mësueses, motrës medicinale etj. Pra nuk ka ndryshime të mëdha, siç nuk ka në libra shkollorë që përdoren në shkolla publike, dhe kështu nuk kemi gjininë apo perspektivën gjinore të përfshirë në përmbajtje të librave shkollore.

Si është hapësira religjioze feministe në Bosnje dhe Hercegovinë? A ka feminizëm ‘unifikues’ në nivel shtetëror?

Nuk ka ‘lëvizje religjioze feministe’, sepse kemi vetëm një numër të vogël të feministeve religjioze aktive, dhe ato janë integruar kryesisht në organizata laike joqeveritare. Edhe atje kemi një paradoks – nuk ka hapësirë për veprim brenda kishave dhe komuniteteve religjioze, por vetëm brenda organizatave laike.

Sado që është e hapur kjo hapësirë, unë besoj se nuk kemi ndërgjegjësim të mjaftueshëm për atë se sa me rëndësi është përdorimi i burimeve të religjioneve për ndërtim të paqes dhe barazisë gjinore. Zoti nuk diskriminon ndaj asnjë religjoni, kjo bëhet nga burrat që kanë monopol mbi interpretimin e religjioneve të caktuara.

Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.

Religjioni mund të jetë katalizator i shkëlqyeshëm për ndryshime në shoqëri. Përvoja ime më tregon se pjesa më e madhe e burrave dhe grave nuk i kushtojnë shumë vëmendje normave dhe konventave ndërkombëtare, dhe nuk janë të interesuar në terme të paqarta ligjore. Ata thjeshtë nuk kanë lidhje me tekstin e Deklaratës Universale [për të Drejtat e Njeriut] apo ndonjë konventë tjetër. Këto elemente të prekshme janë rrëfenja që vijnë nga tradita, kultura, zakonet dhe religjioni. Pra pse nuk i përdorim këto kanale për t’i promovuar të drejtat e njeriut?

Një shembull i tillë i zgjidhjes së konfliktit nga tradita islamike lidhetm me negociatat e muslimanëve nga Medina me përfaqësuesit e Mekës gjatë [pelegrinazhit të] Haxhit. Ishin pajtuar që muslimanët të mund ta performojnë pelegrinazhin e tyre, por përfaqësuesit e Mekës papritmas ndryshuan mendje dhe nuk i lejuan të hynë në qytet. Muslimanët ishin të shqetësuar sepse marrëveshja nuk ishte respektuar; ishin para dyerve të Mekës dhe nuk mund të hynin brenda.

Profeti Muhamed u këshillua me shokët e tij dhe të gjithë burrat sugjeruan luftë, por bashkëshortja e tij Ummu Salama këshilloi që të bëhet një sakrificë [Kurban] dhe të luten – sepse lutjet janë pjesë e zakoneve të pelegrinazhit – sepse kjo do t’i qetësonte pasionet e nxehta. Profeti e dëgjoi atë dhe kështu iu shmang konfliktit gjatë pelegrinazhit, një kohë gjatë së cilës ndalohet ta shkelësh edhe insektin më të vogël.

Ky shembull është në përputhje të drejtpërdrejtë me mesazhin e Kuranit që muslimanët e kanë detyrë t’i qetësojnë dy palët që janë në konflikt. Kur e përmendim këtë si shembull për zgjidhje të konfliktit, atëherë njerëzit të kuptojnë më lehtë dhe të pranojnë. Është e rëndësishme t’u ofrosh njerëzve një rrëfenjë që e kanë afër zemrës.

Kur i kemi parasysh ndarjet etnike dhe copëtimin e vendit, a mund të themi se në Bosnje dhe Hercegovinë ka grupe të grave që janë më të diskriminuara se të tjerat? A i rrezikon diskriminimi gratë e të tri etnive në mënyrë të barabartë?

Mendoj se, nëse marrim parasysh kompleksitetin dhe ndarjen administrative të vendit, mund të themi se gratë kroate, gratë boshnjake, gratë serbe, dhe gratë e minoriteteve ballafaqohen barazisht me rrezikun, varësisht se kush është minoritet në cilën pjesë të shtetit. Ndarja etnike shkakton shkeljen e të drejtave të grave – por edhe të burrave – varësisht në cilën pjesë të vendit jetojnë. E le më minoritetet, sepse kur e përcakton veten në kategorinë kushtetuese ‘Tjetër’, sigurisht se nuk i ke të drejtat e njejta si grupet etnike kushtetuese.

Mbase duhet t’i theksoj – pavarësisht problemeve me përfaqësimin e grave në pozita të vendimmarrjes, krizën e përgjithshme dhe papunësinë – gratë që janë viktima të luftës dhe gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale dhe forma tjera të torturës. Ende nuk kemi ligj shtetëror që rregullon statusin e tyre. Vetëm në kantone individuale ato kanë marrë statusin e viktimave civile të luftës dhe mbështetje financiare, që nuk është realisht dëmshpërbilm, por një lloj ndihme sociale, që i redukton ato në një kategori shoqërore.

Mendoj se, kur kemi parasysh traumën e madhe që e kanë përjetuar këto gra, shteti po bën shumë pak në këtë aspekt. Organizatat individuale joqeveritare bëjnë përpjekje për të ndihmuar dhe për t’i siguruar mbështetje psikosociale grave që janë të angazhuara në procedura gjyqësore.

Edhe këto gra janë votuese – a ekziston diskutimi për dëmshpërblime të paktën në nivelin e fushatave zgjedhore? A po e trajton dikush këtë çështje të paktën në nivelin e premtimeve?

Jo, kjo thjeshtë nuk është pjesë e agjendave të partive politike. Askush nuk po merret me këto tema në fushata zgjedhore për shkak se ka shumë stigmatizim, kështu që nuk dëshiron askush të flet për to. Në ditët e sotit, mënyra se si e kuptojmë dhe përdorim trupin e femrës po kontribuon shumë në mënyrën se si elitat politike i trajtojnë gratë që kanë qenë viktima të dhunës seksuale.

Trupin e femrës gjatë luftës – dhe kjo nuk vlen vetëm për luftën tonë – e përjetojmë si fushëbetejë në të cilën ndërveprojnë interesa të shumëllojshëm politikë dhe ekonomikë. Nëse e analizojmë shekullin 20 në tërësi, shohim se trupi i femrës u inkuadrua në procese të modernizimit dhe ritradicionalizimit.

Gruaja vazhdimisht vendoset në pozitën e objektit dhe shumë rrallë e ka mundësinë të bëhet subjekt që flet dhe e përcakton veten, por edhe ngjarjet rreth saj. Përderisa nuk ndryshon asgjë, përderisa dikush e merr të drejtën për ta kontrolluar dhe poseduar trupin e femrës, lëvizjet e saj, kohën dhe burimet e saj, trupi i femrës do të jetë element i ideologjive kontradiktore, qofshin ato religjioze apo laike.

Mënyra se si shihet trupi i femrës e shpjegon një pjesë të madhe të stigmatizimit që ekziston edhe në ditët e sotme, dhe e kushtëzon zgjidhjen e këtij problemi. Sepse fatkeqësisht, gratë turpërohen, e jo autorët e krimeve, dhe kjo i parandalon një numër të madh të grave të mos flasin për këto krime. Në fund, prioritet i gruas është familja e saj, dhe pjesa më e madhe e grave nuk flasin fare për ato që u kanë ndodhur për të mos i rrezikuar familjet e tyre.

Ju keni shkruar një libër për gratë paqeruajtëse. Pse ishte e rëndësishme që të tregosh historitë e tyre? Pse janë specifike?

Ishte me rëndësi t’i tregoja historitë e paqeruajtësve nga Bosnja në mënyrë që të tregoj se në kohët më të vështira, kohët e shkatërrimit, vrasjeve dhe frikës që dominonin jetët e njerëzve, ka njerëz tek të cilët nuk zbehet drita e humanizmit. Historitë e grave nga Bosnja dhe Hercegovina që i kam treguar nëpërmjet këtij libri tregojnë guxim, drejtësi, dhembshuri, dhe mbi të gjitha, besim në të mirën, në paqe dhe humanitet – vlera dhe virtyte të cilat të gjithë ne i adhurojmë, por nuk e kemi guximin t’i shprehim në kohët e frikës, kur mungon shpresa.

Fatkeqësisht, e keqja ekziston çdokund; e ka audiencën e vet. Ndërsa e mira nuk sjell sensacionalizëm; nuk ka gjak të nxehtë që e rritë adrenalinën dhe i zbavitë njerëzit që janë të varur nga zbavitja.

Pjesa më e madhe e asaj që shërbehet sot nëpërmjet kulturës popullore, mediave dhe rrjeteve sociale janë tregime të ngjarjeve që u ipet një nuancë e nivelit të madh të dhunës dhe të së keqes. Konsumizmi dhe individualizmi radikal – që e promovojnë vetëplotësimin dhe pavarësinë e njerëzve prej gjithçka – i izolojnë njerëzit, dhe i bëjnë të ndihen të vetmuar dhe të pakënaqur. Megjithatë, pjesa më e madhe e njerëzve kanë nevojë për tregime që flasin për mirësinë dhe kujdesin për të tjerët, sepse ne ende jemi të lidhur me të tjerët, dhe e shohim veten tek të tjerët dhe nëpërmjet njerëzve tjerë.

"Feminizmi në ditët e sotme formësohet kryesisht nga ajo çfarë ka ndodhur gjatë luftës në këto territore".

Tregimet e këtij libri janë shembull i humanizmit të vërtetë, drita e së cilit nuk mund ta lë askënd indiferent. Drita e humanizmit të tyre nuk është e kalkuluar, nuk e matë sigurinë personale; si altruiste të vërteta, ja zgjasin dorën atyre që kanë nevojë.

Nuk dua të them se këto janë imazhe të idealizuara të paqeruajtjes, as që gratë me të cilat kam folur janë të përkryera, ose që nesër pasnesër nuk do të bëjnë diçka për të cilën ne mund t’i kritikojmë. Desha të tregoj se ato ishin të përgatitura në momentet më të vështira të luftës dhe pasluftës, për ta zgjatur dorën e miqësisë dhe mbështetjes, dhe për ta ngritur zërin për ata që kishin nevojë për ndihmën e tyre.

Në një pikë, këto gra e mbledhën fuqinë e tyre për të bërë diçka për tjerët – siç thotë George Eliot, për ta bërë jetën e dikujt më të lehtë – të paktën për një moment. Në këto momente, ato e ndjenin harenë në trupat e tyre, siç e shpjegoi sufi dhe filozofi i madh Rumi kur foli për nxitjet primitive të shpirtit për të bërë mirë, në mënyrë që të jemi të denjë për veten dhe ekzistencën tonë. Secili hap drejt një njeriut tjetër është një hap drejt vetes, sepse pa tjetrin, vështirë se mund ta shohim vetëm tërësisht, e edhe më vështirë ta arrijmë Përsosmërinë apo Origjinat e Jetës.

Pasi që po flasim për gratë paqeruajtëse dhe vitet e luftës, sa formësohet në ditët e sotme feminizmi dhe idetë për feminizmin në Bosnje & Hercegovinë nga koha e luftës, nismat e paqes gjatë viteve të luftës dhe nga periudha e pasluftës?

Feminizmi në ditët e sotme formësohet kryesisht nga ato që ndodhën gjatë luftës në këto territore. E rëndësishme është ta theksojmë se lëvizja feministe ishte zhvilluar në Jugosllavi, por kryesisht në qarqe elitare të grave të arsimuara në universitete – prandaj nuk kishte ndikim të madh në shoqëri.

Në fillim të luftës, gratë në Bosnje dhe Hercegovinë i përdorën organizatat ndërkombëtare për të mësuar për konceptet e feminizmit dhe barazinë gjinore në kuptim më liberal. Deri atëherë, gjatë socializmit, gratë kryesisht kishin gëzuar një nivel të lartë të të drejtave ekonomike dhe shoqërore, por sistemi patriarkal ende sundonte vendosmërisht mbi sferat private dhe publike të jetës. Siç e përcaktoi përfundimisht [sociologia, historianja dhe teoristja e feminizmit nga Kroacia] Lydia Sklevicky – emancipimi ishte sipërfaqësor dhe nuk depërtoi seriozisht në strukturat e sistemit patriarkal.

Lufta ishte një pikë e rëndësishme e kthimit për gratë, sepse ato e gjetën veten në situata të vështira të jetës në të cilat duheshin të kujdeseshin për familjet e tyre pa burra, pa ata që e fitojnë bukën e gojës. Ato iu ekspozuan përvojave traumatike direkte dhe indirekte, por e gjetën fuqinë për të luftuar për veten dhe familjen.

Njëkohësisht, këto situata i dhanë mundësi grave për t’i hulumtuar fuqitë, kapacitetet dhe interesat e tyre, dhe për të treguar se ato mund të jenë të jashtëzakonshme në plot sfera të jetës, si dhe lidere të mëdha. Organizatat joqeveritare të grave luajtën rol të rëndësishëm në profilizimin e lëvizjes feministe, sepse ato u ofruan grave mbështetje dhe hapësira të sigurta për trajtimin e traumave të tyre, si dhe e mundësuan arsimimin e tyre, duke i aftësuar për tregun e punës.

Ajo që po bëhej dhe ende bëhet tani është rritja e vetëbesimit dhe vetëndërgjegjësimit të grave për vlerat e tyre, në mënyrë që ato të jenë partnerë të barabartë dhe të marrin pjesë në jetën publike dhe politike. E rëndësishme është ta theksojmë se gratë në organizatat joqeveritare dhe grupe joformale fillimisht e përjetuan atë feminizëm, dhe pastaj, me kohë, mësuan si ta emërojnë aktivizmin e tyre.

Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.

E përmendët trashëgiminë e socializmit – a ndodhi një largim total nga ajo trashëgimi gjatë 90-ve, apo sot lëvizja feministe në Bosnje & Hercegovinë bashkohet me lëvizjet e punëtorëve, kur kemi parasysh fushën më të gjërë të veprimit në luftën për të drejtat e njeriut, jo vetëm ‘luftën për të drejtat e grave’?

Në përgjithësi, nuk kemi parë një largim total nga trashëgimia socialiste, por nëse flasim për lëvizjen feministe, atëherë feminizmi i fillimit të 90-ve ishte radhitur përgjatë linjave kombëtare, dhe ishte shumë vështirë të ruhej ajo fije e përbashkët në shtetet e reja etnike dhe kombëtare në të cilat feministet ishin pajtuar për t’i mbrojtur edhe politikat kombëtare.

Për shembull, krimet dhe përdhunimet e kryera u politizuan dhe u përdorën për ta homogjenizuar kombin, dhe kushdo që foli për krimet e palëve të veta i ekspozohej presionit të madh. Prapëseprapë, krimet e kryera nga pala tjetër prioritizohen, dhe nuk e kemi kthyer pasqyrën e kritikës kah vetja, e nuk kemi filluar të shikojmë kah vetja për t’i kuptuar më mirë të tjerët.

Sot lëvizja feministe rrallëherë asociohet me lëvizjen e punëtorëve dhe sindikatat. Por ato duhet të punojnë së bashku kundër të gjitha formave të padrejtësisë dhe diskriminimit. Në fund të fundit, lëvizja feministe e shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20 ishte pjesë përbërëse e lëvizjes së punëtorëve, sepse nëse nuk ka jetë dinjitoze për klasën punëtore, atëherë çfarë përfaqëson feminizmi dhe për çfarë lufton?

Nuk ka të drejta të grave pa të drejtat e punëtorëve, të drejtat e minoriteteve, dhe të drejtat e atyre që margjinalizohen në çfarëdo mënyre. Kam frikë se lëvizja feministe nuk është e qartë sa duhet në sferën publike – për shkak të arsyeve të stigmatizimit, keqkuptimit dhe mospranimit, por edhe për shkak të ndarjes përgjatë linjave të entiteteve dhe kantoneve.

Kjo është intervista e katërt në kuadër të serisë sonë ‘Bisedë për Feminizmin në Ballkan’, që trajton gjendjen e feminizmit në rajon. Na vizitoni javën e ardhshme për një intervistë tjetër me një feministe të shquar nga Ballkani Perëndimor.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën boshnjake.

Foto kryesore: Imrana Kapetanović / K2.0.