Në thelb

EULEX-LIGHT — MISIONIT IU HOQËN DISA KOMPETENCA

Nga - 24.06.2016

Reduktohen fuqitë e misionit për sundim të ligjit.

Bashkimi Europian ka arritur një marrëveshje me autoritetet e Kosovës për ta mbajtur Misionin për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) aktiv së paku deri në qershor të vitit 2018. Detajet e mandatit të ri si dhe roli i këtij misioni në të ardhmen janë plot paqartësi, por duke u nisur nga informatat që kanë dalur, EULEX-i do të ketë më pak kompetenca në sistemin gjyqësor të Kosovës.

EULEX-i ka vepruar në Kosovë që nga koha kur vendi e shpalli pavarësinë, më 17 shkurt të vitit 2008. Ky mision kishte për detyrë ta luftonte korrupsionin e niveleve më të larta, të ballafaqohej me krimin e organizuar dhe të zhvillonte gjykime duke hetuar pretendime për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Përgjatë tetë viteve, EULEX-i ka ndihmuar, ka monitoruar dhe ofruar këshilla në fushën e sundimit të ligjit, duke gëzuar në të njëjtën kohë kompetenca të caktuara ekzekutive në sistemin gjyqësor të Kosovës, ku hyn mundësia për të nisur hetimet, për të ngritur aktakuza ndaj qytetarëve si dhe për të mbajtuar seanca gjyqësore sa i përket rasteve të krimeve të luftës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Me një vendim të fundit të Këshillit Europian është rënë dakord t’i zgjatet mandati EULEX-it deri në qershor të vitit 2018. EULEX-it në të kaluarën i është zgjatur mandati tri herë: më 2010,2012 dhe 2014. Megjithatë, ndryshe nga herat tjera, zgjatja e katërt e mandatit duket se ngërthen ‘ndryshime thelbësore’ të rolit dhe kompetencave të këtij misioni.

Mandati i ri

Teksti i plotë i marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe shtetit të Kosovës sa i përket mandatit të ri ende nuk është publik, dhe kështu do të jetë deri në momentin kur ai të botohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës,e kjo pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt.

Por, EULEX-i ka lëshuar një komunikatë për media e cila pa pikë dyshimi konfirmon zvogëlimin e kompetencave të misionit. Deklarata siguron se “në parim, të gjitha hetimet dhe gjykimet e reja në Kosovë do të zhvillohen nga autoritetet e Kosovës, me panel gjyqësor të përbërë nga gjykatësit e Kosovës.” Më tej në komunikatë bëhet e qartë se tash e tutje rastet nga EULEX-i mund të hapen vetëm pas miratimit të gjyqësorit kosovar, megjithëse në “rrethana të jashtëzakonshme, një rast mund t’i caktohet EULEX-it apo një paneli të përbërë nga shumica e gjyqtarëve të EULEX-it.”

Në pyetjen se çka mund të përbënte ‘rrethana të jashtëzakonshme’, zëdhënësja e Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Maja Kocijançiq i tha K2.0: “këto rrethana do të duhej të vlerësohesishin sipas rasteve specifike veç e veç, ndjeshmëria dhe ndërlikueshmëria e të cilave do të mund të kërkonte ndihmën e EULEX-it.”

Ajo që është bërë publike në buxhetin e misionit. Nga qershori i vitit 2016 deri në shkurt të vitit 2017, 34.5 million euro do t’i dedikohen EULEX-it, ndërsa 29.1 million euro do të shkojnë për dhomat e posaçme dhe zyrën e prokurorit special, sipas buxhetit të miratuar të Këshillit Europian, i cili u bë publik së bashku me vendimin për zgjatjen e mandatit të këtij misioni.

Edhe një përfundim mund të nxjerret nga roli i EULEX-it në të ardhmen pa e parë marrëveshjen në formën e shkruar — EULEX-i nuk do të përfshihet më në zhvillimin e gjykimeve lidhur me hetimet për pretendimet për krimet e luftës. Për zhvillimin e gjykimeve të këtilla është themeluar në Holandë një dhomë e posaçme e cila shumë shpejt pritet të bëhet funksionale.

Dhoma e posaçme në fillim do të merret me pretendimet e raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty, i cili pretendonte se udhëheqësia e UÇK-së kishte kryer krime të luftës, duke përfshirë edhe “tregtinë me organe” gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Njëra prej arsyeve kryesore për formimin e dhomës speciale ishte “dështimi” i EULEX-it në sigurimin e një programi të denjë për mbrojtjen e viktimave. Kjo ka çuar në themelimin e gjykatës në Holandë, 2000 kilometra larg Kosovës.

Rruga me gunga dhe gjykatat pa punë

eulex_001

Një shkëmbim letrash ndërmjet Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Përfaqësueses së Lartë për Punë të Jashtme të BE-së, Federika Mogerini, i hapi rrugën dy projektligjeve të cilat e definojnë zgjatjen e mandatit të EULEX-it. Këto ligje iu dërguan Kuvendit të Kosovës për ratifikim. Me 84 për dhe 5 kundër, projektligjet kaluan më 17 qershor, ku dy të tretat e numrit të përgjithshëm prej 120 deputetësh i miratuan ligjet.

Këtu,  megjithatë, doli një çështje lidhur me afatet. Mandati i kaluar i EULEX-it përfundoi me 14 qershor, dhe Mogerini nuk iu përgjigj letrës deri më 15 qershor, duke shtuar spekulimet se BE-ja dhe autoritetet kosovare mund të mos ishin pajtuar lidhur me rolin e ri të EULEX-it. Kocijançiq i hodhi poshtë këto pretendime, duke i thënë K2.0 se nuk kishte mospajtime ndërmjet palëve ndërsa po negociohej mandati i ri i EULEX-it.

“EULEX-i e ka një mandat kompleks i cili mbulon gjyqësorin, prokurorinë, policinë dhe shërbimet korrektuese,” deklaroi ajo. “Misioni merret me rastet e ndjeshme. Në dritë të kësaj, nuk është vështirë të kuptohet se bisedimet marrin kohë dhe, siç u tha më parë, ne jemi të kënaqur me rezultatet.”

Por letra që ka ardhur me vonesë ka shkaktuar edhe telashe lidhur me funksionimin e gjykatave. Procedura ligjore, siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës, kërkon që ligjet të cilat miratohen nga Kuvendi të dekretohen dhe të nënshkruhen nga Presidenti i Republikës së Kosovës brenda tetë ditësh nga dita e pranimit. Pasi Presidenti t’i ketë nënshkruar ligjet, ato duhet të kthehen në Kuvend për miratim, para se të publikohen në gazetan zyrtare të qeverisë. Vetëm pasi të kenë qenë publike për 15 ditë, ato ligje hyjnë në fuqi.

Deri më sot (24 qershor), projektligjet ende nuk janë dekretuar nga Presidenti Thaçi. Arsyeja për këtë vonesë është e paqartë, dhe vetëm po e zgjat kohën gjatë së cilës EULEX-i nuk ka kurrfarë mandati në Kosovë. Sipas Kushtetutës, afati i fundit për nënshkrim është nesër (25 qershor).

Më 15 qershor, për shkak të mungesës së mandatit ligjor, EULEX-i u detyrua t’i ricaktojë sencat gjyqësore deri në zgjatjen zyrtare të mandatit të tij. Tash për tash, edhe pse projekligjet janë miratuar nga Kuvendi, ato nuk kanë bazë ligjore deri në momentin e përmbylljes së procesit formal.

“Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it do t’i ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë,” i tha K.2.0. zyra për media e EULEX-it. Në pyetjen nëse kjo do të thotë se të gjitha seancat gjyqësore do të suspendohen derisa Presidenti t’i dekretojë projektligjet, zyra për media e EULEX-it nuk pranuan të përgjigjen. Mirëpo, Arianit Koci, avokat nga Prishtina, sot (24 qershor) ka konfirmuar se të gjitha rastet e planifikuara për javën tjetër janë shtyrë dhe duket se të gjitha seancat gjyqësore janë suspenduar deri në dekretimin e Presidentit.

‘Raporti i Zhan Pol Zhakut’ dhe mandati i ri

eulex_002

EULEX-i shpesh u akuzua për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies. Në veçanti, ky mision u diskreditua në masë të madhe pas akuzave të brendshme për korrupsion që i kishte bërë prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh në nëntor të vitit 2014. Për t’iu përgjigjur pretendimeve, Mogerini i kërkoi profesorit të shquar Zhan Pol Zhak (Jean Paul Jacque) të hedhë dritë mbi situatën duke zhvilluar një hetim të pavarur në lidhje me pretendimet e prokurores Bamieh.

Pas disa muajsh hetimi, Zhak hartoi një raport, i cili ndër të tjera, dha rekomandime të qarta sa i përket rolit të ardhshëm të EULEX-it në Kosovë. “Ashtu siç tani qëndrojnë gjërat,” thoshte raporti, “Sistemi gjyqësori Kosovës ende nuk duket i aftë të ballafaqohet me sfidat e korrupsionit dhe krimit të organizuar që lidhet me të.” Raporti shtoi se në qoftë se hiqet dega ekzekutive e EULEX-it, “një numër rastesh ose do të humbin ose do të harrohen.” Në këtë aspekt, duket se mandati i ri nuk i pasqyron rekomandimet e profesor Zhakut dhe brengës së tij se rastet “do të humbin apo do të harrohen.”

Raporti gjithashtu kërkoi ndryshime në mision për ta «ruajtur fytyrën» e Bashkimit Europian meqë nivelet e larta të korrupsionit në Kosovë ende nuk kanë shënuar ndonjë përmirësim të dukshëm. Për më tepër, gjendja është përkeqësuar pas përfshirjes së Bashkimit Europian. Në raport in e progresit të vitit 2010, BE-ja tha se: “Sistemi gjyqësor i Kosovës është i dobët,” dhe se korrupsioni mbetej një prej pengesave kryesore për të ardhmen e Kosovës.

Pesë vjet më vonë, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Raporti i progresit i vitit 2015 theksoi disa herë se gjyqësori i Kosovës po dëmtohej nga “korrupsioni i përmasave të mëdha.” Me zhvillimin e fundit, me zvogëlimin e kompetencave të EULEX-it, lind pyetja se si EULEX-i do ta luftojë korrupsionin me efikasitet.

Megjithatë, disa komentues vendorë pajtohen me dobësimin e jurisdiksionit të EULEX-it. “Gjyqësori vendor nuk mund të përmirësohet asnjëherë përderisa krimet serioze u delegohen ndërkombëtarëve,” i tha K2.0 Besa Shahini, analiste e pavarur.

Sipas Shahinit, BE-ja qëllimisht nuk i ka arritur rezultatet në luftimin e krimeve serioze që kanë lidhje me politikanë profilesh të lartë meqë “është në interes të BE-së të zhvillojë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,” dhe se gatishmëria për t’u përfshirë në këtë dialog i mbron politikanët nga vetë EULEX-i.

Reagimet

eulex_003

Si nga brenda ashtu edhe nga jashtë ka pasur zëra të cilat kanë kërkuar ndryshim të rolit të EULEX-it në Kosovë. Vetëvendosje, partia e tretë më e madhe në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar madje që EULEX-i ta përfunojë misionin, duke e cilësuar si “mision të dështuar” për shkak të “performancës së dobët” në përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Kjo lëvizje refuzoi të jetë pjesë e seancës kur u votua zgjatja e mandatit të këtij misioni.

Shahini gjithashtu konsideron se mandati i misionit nuk duhej të ishte zgjeruar. “Mendoj se duke u nisur si nga parimet ashtu edhe nga praktika, EULEX-i duhet të shkojë,” i tha ajo K2.0. “Shumë herë u dëshmua se organizatat ndërkombëtare nuk ndjejnë përgjegjësi ndaj strukturave të zgjedhura vendore, dhe nuk mund të sjellin drejtësinë në vendet si Kosova.”

Megjithatë, letra e pajtimit që Thaçi i dërgoi Mogerinit, bashkë me mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, lë të kuptohet se zgjatja e mandatit duket se gëzon mbështetjen e institucioneve Kosovare deri në qershor të vitit 2018, së paku zyrtarisht.

Roli i ardhshëm i EULEX-it ende nuk është i qartë në detaje, por nuk ka dyshim se jurisdiksioni dhe kompetencat e misionit janë tkurrur. “Askush nuk e hedh poshtë se gjyqësori i Kosovës do të vazhdojë të kërkojë ndihmë në vitet që vijnë,” i tha Kocijançiq K2.0. “Por mesazhi i qartë nga shkëmbimit të letrave del të jetë se autoritetet gjyqësore të Kosovës e kanë fjalën kryesore.”K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO