visa 1
Shkurt | Viza

KE rekomandon udhëtim pa viza për viza Kosovarët

Nga - 09.06.2016

Një hap shumë i madh drejt liberalizimit të vizave, pas një vendimi pozitiv.

Pak pas orës 13:00 sot (e mërkurë, 4 maj) Kosova pranoi rekomandimin e shumëpritur pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian. Ka shpresë se kosovarët me pasaporta biometrike së shpejti do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza deri në 90 ditë në Zonën Shengen të Evropës, për biznes, turizëm dhe qëllime familjare.

Kur dha lajmin e vendimin, Komisioneri për Migrim, Çështje të Brendshme dhe nënshtetësi, Dimitris Avramopoulos tha: “E di sa i rëndësishëm është udhëtimi pa viza për popullin e Kosovës, dhe jam shumë i kënaqur me progresin e arritur”.

Duke reaguar për rekomandimin e Komisionit Evropian, raportuesja për Kosovë e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek tha: “Drita e gjelbërt për liberalizim të vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian, që u prit gjatë, i sjell lumturi qytetarëve të Kosovës, dhe gjithë neve që kemi mbështetur udhëtimin pa viza për shtetin më të ri evropian për gjithë këto vite. I jep vrull edhe procesit për integrim në BE. Ky hap i vonuar do t’i jep fund izolimit të papranueshëm për qytetarët e Kosovës, pasi që liria për të udhëtuar është gëzuar nga qytetarët e të gjitha vendeve tjera në rajon prej fundit të vitit 2010”.

Pavarësisht tejkalimit të kësaj pengeseje të rëndësishme, udhëtimi pa viza për kosovarë nuk garantohet ende. Rekomandimi nga Komisioni Evropian tani duhet të miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, para se të zbatohet propozimi, diçka për të cilën Avramopoulos tha se shpreson që do të ndodh “shumë shpejtë”.

Ka edhe kushte të bashkangjitura me këtë rekomandim. Në një kumtesë për media nga Komisioni Evropian u tha se kërkesat për liberalizim të vizave ishin përmbushur “përderisa deri në ditën e miratimit të këti propozimi nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, Kosova do ta ketë ratifikuar marrëveshjen për kufi/kufizim me Malin e Zi, dhe ta ketë fuqizuar performancën e vet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Rrugë e Gjatë që veç është Provuar

Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008, premtimi për udhëtime pa viza në Zonën Shengen pa kufi të Evropës ka qenë një prej premtimeve më të përsëritura për qytetarët nga politikanët e vendit. Megjithatë, deri në janar 2012 nuk pati dialog zyrtar në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kur nisi dialogu, u përcoll në qershor 2012 nga publikimi i 95 kërkesave që nevojitej të përmbusheshin nga qeveria dhe institucionet e Kosovës në mënyrë që kosovarët të mund të lëvizin lirshëm brenda pjesës më të madhe të Bashkimit Evropian. Në këtë listë pati kërkesa si riintegrimi dhe pranimi i kosovarëve që kishin kërkuar azil në vende tjera, si dhe kërkesa në lidhje me siguri të dokumenteve, menaxhim të kufirit dhe migrimit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe garantimin e të drejtave themelore në lidhje me lirinë e lëvizjes.

Prej atëherë, Komisioni i ka miratuar tri raporte vlerësuese për Kosovën dhe kërkesat; i pari u lansua në shkurt 2013, i dyti në korrik 2014 dhe i fundit në dhjetor 2015. Raporti i dhjetorit të kaluar theksoi se Kosova kishte mbushur shumicën e kritereve, megjithatë gjeti se tetë kritere ende nuk ishin përmbushur. Atëherë Ukraina dhe Gjeorgjia morrën rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian, por Kosovës iu tha se duhej më shumë punë; u lajmërua se pritej që Kosova do t’i përmbushte kriteret e mbetura së shpejti, dhe se KomisionerI e BE-së do të vizitonte vendin në fillim të vitit të ri për ta bërë vlerësimin e arritjeve.

Vendimi u prit me reagim të ashpër në media sociale nga ana e qytetarëve, ndërsa politikanët përgjatë spektrit shprehën “habinë” dhe pakënaqësinë e tyre të thellë; shumë prej tyre aluduan se ishte “vendim politik” nga BE, e jo çështje e plotësimit të standardeve teknike. Kryeministri Isa Mustafa pretendoi se të gjitha kriteret teknike në fakt ishin përmbushur, ani pse kjo u kundërshtua prej disa analistëve në Kosovë.

Agron Demi, drejtor i Institutit për Studime të Avancuara GAP, i tha K2.0 se kërkesat teknike për Kosovën ishin më të tepërta në krahasim me ato që u pritën prej vendeve tjera në proces. “Kosova i ka plotësu kriteret aq sa i kanë plotësuar vendet e rajonit. Andaj në këtë aspekt, kosovarët duhet të kenë të drejtën e lëvizjes lirshëm. Në të gjitha vendet, kriteret për liberalizim kanë pasur të bëjnë me sigurinë e dokumenteve, kontrollin e kufijve, sigurinë e brendshme dhe qëndruehsmëria institucionale.” tha ai. “Kurse në rastin e Kosovës këto kritere janë shtrirë edhe në kritere shumë teknike, si për shembull nëse Ombudspersoni ka objekt adekuar të punës apo jo.”

Për Agron Bajramin, kryeredaktorin e Koha Ditore, fakti se një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave të kosovarëve erdhi tani ka të bëjë më shumë me arsye gjeopolitike, se sa me përmbushjen e kërkesave të shtruara. ‘Liberalizimi nuk po ndodh sepse Bashkimi Evropian ka vendos të na shpërblejë neve për dicka.”, tha Bajrami për K2.0. “Po ndodh për shkak se është detyru që me Turqinë të bëjë një marrëveshje për shkak të refugjatëve nga Siria dhe në shkëmbim për mbajtjen e refugjatëve nga ana e Turqisë, ata janë zotu se do të ia heqin vizat Turqisë që nga qershori. Dhe natyrisht se kur një shteti me mbi 70 milionë banorë iu ipet liberalizimi pa iu plotësuar kushtet, do të ishte absurd që Kosova të mbetej me dyer të mbyllura.’

Rruga Para Nesh

Pasi që Komisioni Evropian tani po rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën, ndikimet e mundshme të udhëtimit pa viza së shpejti do të dalin në fokus. Demi beson se, sa i përket ekonomisë, do të ketë pak ndikim, dhe kjo do t’i zhgënjejë qytetarët. “Sfidë pas liberalizimit të vizave do të jetë menaxhimi i pritjeve të njerëzve, kur marrim parasysh se tani, dhe gjatë tetë viteve të fundit, mesazhet e fushatave zgjedhore kanë premtuar liberalizim të vizave, dhe e kanë lidhur atë me zgjidhjen e problemeve ekonomike”.

Bajrami beson se rezultati pozitiv nga liberalizimi i vizave, përveç përfitimit të mundësisë për të udhëtuar në zonën Shengen pa viza, mund të nxitë edhe progres në heqjen e kufizimeve të lëvizjeve më afër vendit. “Problemet tona nuk lidhen me lëvizjen e lirë brenda BE-së”, tha ai. “Por lidhen edhe me lëvizjen e lirë të njerzve dhe mallrave edhe në rajon, prej nga kemi më shumë interes ma të madh ekonomik për bashkëpunim, p.sh. me Bosnja dhe Hercegovinën.”

Ndikimet që mund t’i ketë liberalizimi i vizave në jetën e përditshme të njerëzve janë diskutuar gjatë brenda Kosovës. Bajrami mendon se liberalizimi i vizave mund të ketë ndikim të rëndësishëm psikologjik. “Pas gjithë rrëmujës së këtyre viteve, duke qenë të izoluar, liberalizimi i vizave do t’i lejojë njerëzit që të marrin frymë më lirshëm, e të ndihen më të barabartë”, tha ai.

Demi pajtohet me idenë se kosovarët do të ndjejnë barazi si rezultat i liberalizimit të vizave, por ai thekson gjithashtu mundimet me të cilat do të përballen kosovarët prap se prap, sa i përket udhëtimit. “Kur kihet parasysh që mundësitë ekonomike 72% të kosovarëve nuk u lejojnë atyre madje që të marrin një pushim një javorë jashtë shtëpisë e brenda Kosovës, kjo do të jetë pengesë e madhe në shfrytëzimin e të drejtës për të lëvizur lirshëm në vendet e Shengenit.”, tha ai.

Pavarësisht gjithë hezitimeve në lidhje me këtë proces të ndërlikuar, duket se kokëdhimbjës së shtrenjtë të aplikimit për viza së shpejti mund t’i vijë fundi, kur të arrihet edhe kjo fazë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO