Shkurt | BE

Çfarë do të thotë ‘evropianizimi’ për Kosovën?

Nga - 14.07.2017

Në ngjarjen e fundit të K2.0 u diskutuan marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Të enjten mbrëma (13 korrik), K2.0 e mbushi kafenenë Dit’ e Nat’ në Prishtinë për një diskutim me panel për sfidat e vazhduara që i sjell integrimi evropian për Kosovën. Anëtarë të panelit ishin Jeton Mehmeti i GAP Institute, Katarina Tadic e European Policy Centre në Beograd, Albana Merja e Grupit për Studime Ligjore dhe Politike, Rudinë Hasimja e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, dhe Remzije Istrefi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.

Miruna Troncota, panelistja e fundit dhe autorja e librit që u botua së fundmi, Post-Conflict Europeanization and the war of Meanings (Evropianizimi Pas Konflikteve dhe Lufta e Kuptimeve), e nisi diskutimin me një deklaratë të papritur: “Më duhet të ju zhgënjej – nuk e di në fakt se çfarë do të thotë evropianizim”. Për Troncotën, ‘ndërtimi i shteteve anëtare’ të BE thjeshtë ka qenë aplikim i veglave veçse ekzistuese për zgjerim në rajonin e Ballkanit, pa vëmendje të veçantë për sfidat unike që i ka ky rajon.

Miruna Troncota (në mes), specialiste e integrimit në BE, e nisi debatin duke i thënë audiencës që ishte e interesuar të shihte se kush kishte mbetur jashtë tregimit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Troncota e ofroi një koncept alternativ: Evropianizimin pas konflikteve, një proces që e pranon faktin që në situata pas konflikteve, grupet etnike lidhin kuptime të ndryshme me realitete politike dhe shtyhen për rrëfenja publike, duke e bërë rrugën e pajtimit, e kështu pra edhe integrimin evropian, edhe më të ndërlikuar. Libri i saj tregon mënyrën se si palë të ndryshme  po tregojnë histori të ndryshme para kamerave, duke bërë që qytetarët ta përceptojnë realitetin e situatës shumë më ndryshe prej asaj që ka ndodhur prapa dyerve të mbyllura, dhe kështu po sjellin pritje shumë të ndryshme.

Për Troncotën, Marrëveshja e Brukselit e vitti 2013 është shembull i rëndësishëm i një ngjarjeje që pati kuptime shumë të ndryshme për njerëz të ndryshëm: “Në rastin e marrëveshjes, problemi më i madh është se ata që janë lënë anash janë subjekt të vet marrëveshjeve”, tha ajo.

Hulumtuesja Katarina Tadic e shtoi një pikëpamje të jashtme në diskutim, duke i shpjeguar pikëpamjet serbe për integrimin evropian dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE me Kosovën. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Katarina Tadic i konfirmoi deklaratat e Troncotës për dallimin e madh në mes të pritjeve të njerëzve, duke thënë se Kosova ka pasë më shumë pritje nga marrëveshjes se Serbia prej fillimit. Ndonëse Kosova priti që ta zgjidh çështjen e statusit të saj dhe të njihet prej pesë shteteve anëtare të BE që nuk e kanë njohur ende, si dhe të njihet formalisht nga Serbia. Serbia asnjëherë nuk e ka pasë për qëllim me e njoftë Kosovën. Tadic tha se kështu si janë punët aktualisht, Kosova është vetëvrasje politike për cilindo politikan serb që njeh Kosovën, dhe se shumica e popullsisë janë të gatshëm që të heqin dorë nga anëtarësimi në BE nëse kusht është njohja e Kosovës.

Për Tadic, gjendja aktuale e dialogut, që po nddoh gati krejtësisht në nivel presidencial, është vetëm një simulim i normalizimit të marrëdhënieve. “Ne nuk kemi normalizuar asgjë ende – situata me tren në shkurt është dëshmi e mirë për këtë. Edhe pse kemi dialog në nivel politik, nuk kemi procese paralele në shoqëri që lidhen me pajtimin ose të kaluarën”.

Ajo argumentoi se vendimi i lidershipit politik në Beograd për të shkuar në Bruksel e marrë pjesë në negociata është vetëm një mënyrë e angazhimit në procesin e anëtarësimit në BE, e nuk tregon ndonjë qëllim të sinqertë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Profesoresha Remzije Istrefi beson se shteti kosovar nuk e ka mësuar gjeneratën më të re për pajtimin dhe të drejtat e njeriut. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Remzije Istrefi, profesoreshë e të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Universitetin e Prishtinës, argumentoi se edhe në nivel politik, dialogu në shumë mënyra është duke dështuar, duke parë se krimet e luftës, dhuna seksuale dhe kidnapimet që për shumë njerëz janë kujtim i freskët, ende nuk po diskutohen. Ajo theksoi se nuk mund të presim që dy shoqëri që kanë kaluar një konflikt tani ta zhvillojnë një besim për institucione shtetërore – atë që e quajmë ‘demokratizim’ – kur këto institucione dhe organizata ndërkombëtare nuk merren me traumat e përjetuara nga popullsitë gjatë luftës, e as nuk flasin për to.

“E tani përballemi më këtë kusht nga BE që thotë se shoqëria kosovare duhet të pajtohet për të qenë gati për procesin e integrimit”, deklaroi Istrefi. “Por procesi i pajtimit të shoqërive nuk varet nga procesi i integrimit. Duhet të vijë nga vet shoqëria, nga viktimat, nga familjet, dhe shoqatat e ndryshme që punojnë në këtë fushë. Dhe 18 vjet pas konfliktit, ne ende nuk po e shohim këtë”.

Rudinë Hasimja nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur tha se pjesërisht fajtor për vështirësitë që i ka Kosova me demokratizimin janë politikanët kosovar që vazhdojnë të kultivojnë ‘politika që janë post së vërtetës’. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Rudinë Hasimja gjithashtu e diskutoi ‘evropianizimin’ si demokratizim, dhe se çfarë kuptimi ka për Kosovën dhe qytetarët kosovar në jetën e përditshme. “Ne po përpiqemi të krijojmë një shtet demokratik, dhe mënyra se si demokracia funksionon është nëpërmjet përfaqësuesve politik që i përfaqësojnë kërkesat tona, por ke edhe një standard të llogaridhënies. Por nëse elita jonë politike nuk na jep llogari neve por veç Brukselit, atëherë diçka nuk po shkon mirë në procesin tonë demokratik”.

Jeton Mehmeti i GAP Institute u pajtua me Hasimjën, duke argumentuar se negociatat po mbahen larg syve të publikut aktualisht, duke e lënë kështu shoqërinë civile përgjithësisht të painformuar apo të hutuar për përmbajtjen e procesit të integrimit. “Çfarëdo bisede që mbahet larg vetëdijes publike nuk mund të jetë efektive, sepse ka mungesë transparence”, argumentoi Mehmeti.

Drejtori i Hulumtimeve në GAP Institute, Jeton Mehmeti, e theksoi mungesën e progresit të Kosovës në raportet e fundit të BE. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për Mehmetin është e vështirë të flasim për integrimin kur ende nuk jemi të sigurt për të ardhmën e vet BE-së. Procesi i Berlinit është vetëm një projekt i dizajnuar për të na i mbajtur gjallë shpresat, kur në realitet, e ardhmja e Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet e paqartë.

Albana Merja deklaroi se Kosova është në pozitë ku mund të aplikojë për status të kandidadit me BE, dhe se organizata për të cilën ajo punon, Qendra për Studime Politike dhe Ligjore, e bazuar në Kosovë, është duke i studiuar pengesat e mundshme ligjore me të cilat do të përballet Kosova para se ta arrijë këtë status. Ata gjetën se rasti i Kosovës është më shumë problem politik se sa ligjor.

“Duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, dhe t’i bindemi rregullave që na i ka dhënë BE. Duhet t’i caktojmë objektivat tonë, dhe duhet të punojmë dyfish më shumë se shtetet tjera të Ballkanit, kur e kemi parasysh problemin e mosnjohjes”, argumentoi Merja.

Pas diskutimit me panel, audienca shtroi pyetje. Nikola Tomic nga University College Dublin e theksoi përdorimin e shpeshtë të metaforës ‘detyrat e shtëpisë’ nga anëtarët e panelit në relacion me angazhimin e Kosovës me BE, dhe argumentoi se kjo përkon me pozitën inferiore që e kanë shtetet evropiane në relacion me Evropën, e kjo i ka lënë në pozitën që janë. “Përfytyrojeni një skenar në të cilin nuk ekziston BE”, tha Tomic. “Çfarë bëjnë atëherë Kosova dhe Serbia?”

Tomic tha se shuma panelistë e pranuan se integrimi nuk është prej lartë-poshtë, por prej poshtë-lartë, dhe shpjegoi se BE nuk është akter i tillë – mundet thjeshtë të ofrojë para, ndihmë teknike, dhe sundim të ligjit, e kjo mund e s’mund të përputhet në këtë rajon.

Troncota u pajtua me të dhe tha se, ndonëse BE shpeshherë kritikohet për atë se nuk është ndërmjetës i suksesshëm në situata pas konflikteve, nuk ka arsye reale për të besuar që është dashur të jetë i suksesshëm në këtë aspekt. “BE nisi si një grup i njerëzve që deshën t’i bëjnë bashkë paratë – ishte shumë e orientuar kah ekonomia – e tash po ankohemi që nuk është mjaft e orientuar politikisht. A duhet me qenë a?”

Hulumtuesja e integrimit në BE, Albana Merja, e deklaroi besimin e saj se prej shteteve të Ballkanit, Kosova ende ka ndoshta më së shumti shpresa për integrim në BE. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Merja reagoi duke thënë se në anën tjetër, BE ka qenë e vetmja mundësi për të komunikuar me Serbinë, kur kemi parasysh faktin që Serbia ende e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të saj. “Kosova i ka kërkuar BE-së që të luaj rol më të madh në këtë dialog, për të vënë kushte, e jo vetëm për të qenë ndërmjetës”, deklaroi Merja.

Një anëtar tjetër i audiencës, Ngadhnjim Avdyli, i pyeti panelistët pse duhet të ndihet më mirë nëse është qytetar i BE, se sa qytetar i Kosovës.

Merja ja ktheu: “anëtarësimi në BE nuk të bënë qytetar më të mirë. Pranimi dhe përputhja me rregulla që korrespondojnë me BE të bëjnë qytetar më të mirë. Ne mund t’i kemi këto rregulla vet, pa nevojë që ta kemi BE si instruktor, duke na thënë se çfarë duhet të bëjmë – por nuk e kemi bërë vet ende, dhe qeveria jonë ka vendosur se BE është drejtimi më i mirë për neve”.

Tadic u pajtua me Merjën, duke deklaruar se lloji i njerëzve dhe qytetarëve që bëhemi pas hyrjes në BE varet krejtësisht prej neve. Anëtarësimi, në një farë kuptimi, nuk është domosdoshmërisht gjë e mirë, por ka potencial për të qenë. Në anën tjetër, ndoshta do të na duhet ta pranojmë se procesi i anëtarësimit në BE nuk po funksionon, se na duhet diçka tjetër. Ajo e theksoi Serbinë si shembull, duke argumentuar se nuk është bërë domosdoshmërisht shtet më i mirë prej kur ka hyrë në negociata me BE, e duke konsideruar se performanca demokratike e Serbisë ka ndryshuar për së keqi.

Audienca i shtroi disa pyetje për panelin, përfshirë atë se a është integrimi evropian qasja e duhur apo jo. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Tadic erdhi në përfundim duke e riafirmuar besimin e saj se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë së bashku pa marrë parasysh BE-në. “Ka shumë më shumë gjëra që i bashkojnë Kosovën dhe Serbinë dhe shtetet tjera të Ballkanit, se sa që i ndajnë”, deklaroi ajo. “Për shembull, elitat e korruptuara politike – në thelb i bie se jetojmë në shtete të kapura. Nëse e analizojmë procesin e privatizimit, dhe ato që i sjellin investimet e huaja në vendet tona, kemi punëtorë që nuk kanë të drejta, dhe nuk kanë kurrëfarë mënyre për të luftuar për këto të drejta. Hapësirat publike në qytetet tona na i marrin neve si qytetarë dhe ua japin bizneseve të mëdha. Ne duhet t’i diskutojmë këto gjëra, dhe të zhvillojmë një mirëkuptim në mes të shteteve të Ballkanit Perendimor, por veçanërisht në mes të Serbisë dhe Kosovës, sepse kemi një të kaluar të përbashkët. E kemi një të kaluar jugosllave. Kishim standarde për të drejtat sociale dhe të punëtorëve, e më nuk kemi. Duhet ta kemi parasysh këtë në vitet e ardhshme, dhe në kontekstin e integrimit evropian. Kush e di se çfarë do të ndodh me BE pas 10 viteve? Por ne ende do të jetojmë këtu, dhe na duhet ta gjejmë një mënyrë për të bashkëpunuar, pa marrë parasysh dialogun e Brukselit”.

Troncota i dha fund diskutimit duke e cituar një prej studentëve të saj: “Nuk duhet ta shohim integrimin në BE si çmim, por si pjesë e udhëtimit. Duhet të fokusohemi në udhëtim, dhe në atë se çfarë do të thotë në fakt të jesh i demokratizuar”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO