Në thelb | Arsimi

Evolucioni nën hetime

Nga - 31.05.2017

Serbia hap debat mbi fillet e njerëzimit.

Sikur të mos kishte asnjë problem më të madh në shoqëri, tash e gati dy javë publiku serb është duke u marrë me një peticion që u nënshkrua me qëllim të inicimit të procedurave parlamentare për rishikimin e teorisë së evolucionit, të shkencëtarit me origjinë angleze Charles Darwin, si dhe fillet e njerëzimit.

Përveç që tërhoqi interesin e mediave serbe, kjo temë e dominoi agjendën e Parlamentit serb. Mes atyre që kanë folur publikisht për këtë çështje janë profesorë të Fakultetit të Teologjisë dhe Akademisë Serbe të Shkencës dhe Arteve (SANU), si dhe doktorë e anëtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.  Peticioni është kritikuar prej disa përfaqësues të institucioneve publike, të cilët pretendojnë se synimi real është që të futet religjioni në kurrikula. Sidoqoftë, ky debat tashmë ka nisur dhe nuk duket se po i afrohet fundit.

Bota sipas nënshkruesve të peticionit

Gjithçka nisi kur në media u publikua një peticion për rishqyrtimin e studimit të teorisë së evolucionit. Ky peticion përfshiu një listë të gjatë të të nënshkruarve, përfshirë 52 akademikë, këshilltarë shkencor, dhe profesorë të universitetit, 61 doktorë, 5 të magjistruar në shkence, 50 doktorë të specializuar, 19 arsimtarë, 14 filozofë, filologë dhe sociologë, 25 avokatë e ekonomistë, pesë farmacistë e kimistë, tetë artistë, pesë gazetarë dhe pesë priftërinj. Ky peticion iu dërgua Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (SANU), Kuvendit të Serbisë, dhe disa universiteteve.

Nismëtari i peticionit pretendon se nuk ka dëshmi që jeta në Tokë u krijua në mënyrë spontane, dhe se shkenca moderne nuk ka teori konkrete për origjinën e jetës në planetin tonë.

Nëshkrusit e peticionit besojnë  se teoria e evolucionit ka marrë “qëndrime edhe më të fuqishme, dogmatike dhe neo-Darwiniste” në klasa të lëndës së biologjisë. Sipas mbështetësve të peticionit ka shumë shkencëtar të njohur që aktualisht në botë, “në mesin e të cilëve një numër i madh i ateistëve”, të cilët e mohojnë teorinë e evolucionit.

Nismëtari i këtij peticioni është një kirurg plastik i pensionuar, Radmilo Roncevic, i cili e interpreton interesin publik serb për këtë temë si dëshmi e interesit të madh për të zbuluar të vërtetën reale për atë se “çka është teoria e evolucionit”, por kjo, sipas tij “nuk është lejuar nga pranuesit e peticionit”.

Roncevic pretendon se nuk ka dëshmi që jeta në Tokë është krijuar në mënyrë spontane, dhe se shkenca moderne nuk ka teori konkrete për origjinën e jetës në planetin tonë.

Në një bisedë me K2.0, Roncevic i përsëriti disa premtime që janë listuar edhe në peticion, duke deklaruar se ‘evolucionistët’ i përdorin fosilet si dëshmi kryesore për evolucionin “pavarësisht shumë supozimeve, spekulimeve, ideve të gabuara, e ndonjëherë edhe gënjeshtrave”.

Kundërshtimet e Roncevic kanë të bëjnë me mungesën e lidhjeve ndërmjetësuese mes specieve. “Deri më tani kanë ekzistuar disa miliona specie, duke i përfshirë edhe ato që janë zhdukur”, tha Roncevic për K2.0.

“Për t’u zhvilluar e mbijetuar secila specie do të nevojitej një numër i madh i ndërmjetësuesve, e ato nuk janë gjetur në fosile”, duke shtuar se fosilet “e paraardhësit të përbashkët të majmunit dhe njeriut, ndërmjetësi para njeriut, nuk janë gjetur”.

Komisioni për Arsim dhe Shkencë i Kuvendit Serb i diskutoi kërkesat e nënshkruesve të peticionit. Siç është raportuar në mediat vendore, diskutimi i ndau deputetët, të cilët në fund vendosën që evolucioni nuk është çështje për të cilën ata kanë autoritet që të përgjigjen. Megjithatë, kryetari i komisionit parlamentar për arsim, Muamer Zukorlic (ish-myfti), deklaroi se qëndrimet personale të tij janë më shumë në favor të kreacionizmit se sa evolucionit.

“Pamflet religjioz dhe ideologjik”

Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendosi që të mos merret me këtë peticion sepse, siç shpjeguan ata, nuk mund të prezantohen ad hoc të vërteta shkencore ose teori të reja, sidomos ato që kanë rëndësi botërore, pa njohje ndërkombëtare.

Fakultetit të Teologjisë dhe Akademisë Serbe të Shkencës dhe Arteve (SANU) gjithashtu i refuzoi publikisht idetë e tilla, edhe pse është e dukshme që disa anëtarë të Akademisë e nënshkruan peticionin. Bordi Ekzekutiv i SANU deklaroi se është e drejtë personale e tyre që ta nënshkruajnë. Njëri prej të nënshkruarve, akademiku Antonije Djordjevic, më vonë e tërhoqi nënshkrimin e tij duke thënë se e nënshkroi pasi kishte “keqkuptuar natyrën dhe qëllimin e tij”.

Është përpjekje për ta futur religjionin në kurrikulë, dhe nuk është hera e parë.

Biljana Stojkovic

Komiteti Etik i Shoqërisë Mjekësore Serbe, deklaroi se ky peticion ishte “një pamflet religjioz dhe ideologjik.

Profesoresha e biologjisë evolucionare, Biljana Stojkovic, tha për Kosovo 2.0 se nuk ka dyshim që të nënshkruarit e peticionit janë kreacionistë, njerëz që besojnë se Zoti e krijoi botën. “Është përpjekje për ta futur religjionin në kurrikulë, dhe nuk është hera e parë”, tha ajo. “Kreacionistët sigurisht se nuk thonë që ka të bëjë me Zotin. Vet kushtetuta i parandalon që t’i referohen Zotit, por pas kësaj ekziston kjo rrëfenjë, dhe asgjë tjetër. Lista e të nënshkruarve të peticionit është, sipas meje, listë e besimtarëve”.

Dekani i Fakultetit të Biologjisë së Universitetit të Beogradit, Profesor Zeljko Tomanovic , pajtohet me Stojkovic. Ai deklaroi në media se këto ide janë krejtësisht të gabuara kronologjikisht, si dhe joshkencore. Ai shtoi se asnjë copëz e vetme e diturisë shkencore nuk është në favor të këtyre pretendimeve apo në kundërshtim me evolucionin.

Ky qëndrim madje edhe u mbështet prej përfaqësuesve të Fakultetit të Teologjisë Ortodokse të Universitetit të Beogradit. Një grup i mësuesve thanë se për kurrikulën e biologjisë në të gjitha nivelet arsimore, asgjë nuk mund ta zëvendësojë evolucionin, duke shtuar se kjo teori është e vetmja që është pranuar shkencërisht.

Në Serbi, teoria e evolucionit mësohet në klasën e shtatë të shkollës fillore, si dhe në vitin e tretë të departamentit të shkencave sociale të shkollës së ciklit të lartë, dhe vitin e katërt të departamentit të shkencave natyrore. Në shkolla profesionale dytësore varet prej departamentit, ndërsa kjo teori nuk mësohet fare në disa profile arsimore.

Përveç faktit që ky peticion tërhoqi shumë vëmendje publike, duket e qartë që nuk do të ketë shumë ndikim në kurrikula. Arritja më e madhe e këtij aktiviteti të nxitur prej mediave ishte largimi i vëmendjes prej problemeve më urgjente që ekzistojnë në shoqërinë serbe.K

 

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO