Blogbox | Ambienti

Fëmijët po helmohen nga ndotja e ajrit

Matje të reja për ndotjen e ajrit në Prishtinë.

Në dhjetor të vitit 2016 në shumicën e qyteteve të mëdha kineze kishte rënë një smog i trashë që kishte shtyrë mijëra njerëz që të largohen përkohësisht në vendet rurale ku ajri ishte më i pastër. Duke e analizuar këtë fenomen, filozofi i njohur slloven Slavoj Zhizhek, përmes shkrimit të tij “Mësimet nga Airpocalypse”, tregon se si autoritetet kineze kishin tentuar ta ‘normalizonin’ ndotjen e jashtëzakonshme të ajrit, duke thënë: “ndoshta gjëja më e papritur për këtë airpocalypse (bashkim i fjalëve “air” dhe “apocalypse”), është normalizimi i saj i shpejtë: pasi autoritetet nuk mund ta mohonin problemin, themeluan procedura të ndryshme që do t’i lejonin disi njerëzit të vazhdojnë jetën ditore duke ndjekur rutina të reja ditore dhe thuajse smogu katastrofik ishte vetëm një fakt i ri i jetës”.

A nuk ka ndodhur e njejta gjë në Kosovë? Kur të dhënat e të gjithë matësve të ndotjes së ajrit – nga organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim deri tek Ambasada e SHBA-ve, e madje edhe vetë matjet e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës – tregonin vlera skandaloze të ndotjes së ajrit. Madje, nga matjet tona shihet se ndotja e ajrit në qendër të Prishtinës është më e lartë se në Arbëri, aty ku janë të vendosura matësit e Ambasadës së SHBA-ve, gjë që mohon argumentin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor se Arbëria është më e ndotur sesa qendra e Prishtinës, duke synuar kështu t’i zhvlerësojnë të dhënat e bëra nga ambasada e SHBA-së.

Tentativa e autoriteteve përgjegjëse për të ‘normalizuar’ gjendjen jo-normale të ndotjes së ajrit shkoi aq larg saqë Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, deklaroi diçka skandaloze gjatë intervistës së tij në emisionin “Me Erëzen”, të transmetuar në fillim të dhjetorit të 2016-ës. “Nuk kemi gjendje të jashtëzakonshme krahasuar me vitet e mëparshme”, nisi elaborimin e tij Shala, sipas të cilit “kemi një situatë që është përcjellë vite më herët dhe vazhdon të jetë pothuajse me parametra të njëjtë”. Duke mos mohuar shkallën e ndotjës, ministri për më tepër tha se ndotja aktuale “nganjëherë mund të themi [se është] edhe me parametra shumë më të ulët se në vitet paraprake”.

“Mesatarja vjetore për tejkalim ditor (të ndotjes së ajrit), vitin e kaluar ka qenë 75 ditë tejkalimi të ndotjes së ajrit, ndërsa këtë vit kemi 35 ditë tejkalimi deri në ditët e sotme Pra, kur na kanë mbetur edhe pak ditë nga fundi i vitit kalendarik. Marrë në përgjithësi, rreth 50 përqind këtë vit, në bazë të të dhënave statistikore, e kemi më mirë situatën se në vitin paraprak. Ky është një fakt i prekshëm, i kalkulueshëm, shkencëtarisht dhe juridikisht, dhe për këtë mbajë përgjegjësi”.

E para, ministri Shala, në fillim të fjalisë thotë se “situata vazhdon të jetë pothuajse me parametra të njëjtë me vitin paraprak”, ndërsa më vonë tregon se “situata këtë vit është 50 përqind më mirë sesa në vitin e kaluar”. Ministri Shala duhet ta dijë se 50 përqind përbën gjysmën e vlerës, prandaj, siç edhe ai dëshiron t’i referohet, as ‘shkencëtarisht’ situata e vitit të kaluar nuk del e njëjtë me këtë vit.

E dyta, ministri Shala kur thotë se “duke marrë nga të gjitha të dhënat statistikore, relevante dhe të besueshme të institucioneve tona…”, tenton që të aludojë se vetëm të dhënat e Ministrisë së Mjedisit janë të ‘besueshme’ dhe çdo e dhënë tjetër nuk është e besueshme (kujtojmë se të dhëna të ndotjes së ajrit në Prishtinë janë publikuar nga organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, si dhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë). Duhet t’i kujtojmë ministrit Shala se Raportet e Progresit të Komisionit Evropian, për  tri vite më radhë (2014, 2015, dhe 2016), japin kritikën e njëjtë e të rëndë ndaj punës së institucioneve, duke thënë se “jo-mirëmbajtja e veglave matëse si dhe jo-kalibrimi i rregullt i tyre mbesin problem i madh sepse direkt rrezikojnë kredibilitetin e të dhënave”.

E treta, ministri Shala, në fund të deklaratës së tij aludon se “fakti që 50 përqind e situatës është më e mirë sesa vitin e kaluar, është fakt i prekshëm, i kalkulueshëm, shkencëtarisht dhe juridikisht, dhe për këtë mbaj përgjegjësi”. Kjo tregon se logjika e të qeverisurit e minisrit është kjo: problemi është trashëguar dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi, por jemi duke punuar në këtë aspekt. Meqënëse vitin e kaluar situata paska qenë 50 përqind më keq, atëherë kush duhet të mbaj përgjegjësi? Lejimi i fëmijëve dhe qytetarëve që t’i ekspozohen kësaj ndotje të tmerrshme dhe mosinformimi i drejtë dhe i menjëhershmë i qytetarëve për rrezikun që i kanoset nga ndotja e ajrit, lehtësisht mund të interpretohet si vepër penale dhe për këtë ministri paraprak dhe ky i tashëm duhet të japin përgjegjësi. Apo ndoshta ministri nuk mund ta “kalkulojë shkencërisht dhe juridikisht”?  

Matjet alternative të organizatës PEN dhe Lëvizjes Shkenca për Ndryshim

Kur ata që janë përgjegjës heshtin, ne dalim në terren që ta hulumtojmë të vërtetën. Kur ata që janë përgjegjës mundohen që ta normalizojnë situatën, ne dalim me alternativa që tregojnë se situata është e jashtëzakonshme. Kështu që, duke e fokusuar punën tonë në hulumtim dhe monitorim lokal të ndotjes së ajrit, aktivistët e organizatës PEN dhe Lëvizjes Shkenca për Ndryshim, që nga muaji janar 2017, në mënyrë sistematike (dy herë në ditë: paradite dhe pasdite), kanë bërë matje brenda dhe jashtë shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, falë një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm me stafin e shkollës.

Pse jemi fokusuar në këtë shkollë? Për tri arsye kryesore: e para sepse zona në të cilën gjendet shkolla është një nga zonat më të ndotura si shkak i trafikut të lartë; e dyta sepse fëmijët janë një ndër grupet më të rrezikuara dhe ndikuara nga ndotja e ajrit, si dhe nuk informohen nga organet përgjegjëse; e treta sepse hulumtimi i ndotjes në nivel lokal nuk bëhet nga asnjë autoritet apo institucion tjetër.

Duke shfrytëzuar pajisjet digjitale Airbeam, Dylos DC 1700 dhe tubat difuzivë, të cilat janë kalibruar paraprakisht me pajisjet e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, aktivistët tanë kanë hulumtuar dhe monitoruar ndotjen e ajrit, më saktësisht grimcat e suspenduara PM2.5 (mikro-grimca të cilat kanë një diametër më të vogël se 2.5 mikrometër dhe që rrisin predispozitat për sëmundjet kardio-pulmonare dhe respiratore si bronkiti kronik apo edhe kancerin e mushkërive).

Air Quality 1

Vija e kuqe janë zonat ku janë bërë matjet, vlerat e të cilave kanë kaluar limitin e Indeksit të Kualitetit të Ajrit që shfrytëzohet nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të SHBA-ve. Matjet që shihen këtu janë bërë më 25 janar 2017 dhe niveli maksimal i ndotjes me PM2.5 ka arritur deri 160.44 mikrogramë për metër kub. Ndërsa vlera që konsiderohet e lejueshme duhet të jetë ndërmjet 0-25 mikrogramë për metër kub (Fotografia: PEN & Lëvizja Shkenca për ndryshim).

Nga matjet e bëra në shkollën fillore “Faik Konica” dhe rrugëve përreth, ndërmjet datave 25 janar deri më 6 shkurt 2017, ndotja e ajrit me mikro-grimcat e rrezikshme ka qenë pothuajse rregullisht në nivele të larta (nga 151 deri 200 mikrogramë për metër kub) dhe sipas Indeksit të Kualitetit të Ajrit që shfrytëzohet nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të SHBA-ve, kjo lloj ndotje kategorizohet si “jo e shëndetshme”. Përjashtim kemi vetëm me datat 3 shkurt 2017 gjatë pasdites dhe 6 shkurt 2017 gjatë gjithës ditës, ku ndotja e ajrit me mikro-grimcat PM2.5 ka rënë në nivel mesatarë.

Vija e kuqe dhe vjollcë janë zonat ku janë bërë matjet, vlerat e të cilave kanë kaluar limitin e Indeksit të Kualitetit të Ajrit që shfrytëzohet nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të SHBA-ve. Matjet këtu janë bërë me datën 30 janar 2017, gjatë orëve të mëngjesit apo kohën kur fëmijët arrrijnë në shkollë. Derisa ngjyra e kuqe tregon ndotjen që klasifikohet në kategorinë “jo e shëndetshme”, ngjyra vjollcë tregon ndotjen që klasifikohet në kategorinë “shumë jo e shëndetshme”. Niveli maksimal i ndotjes me PM2.5 ka arritur deri 179.20 mikrogramë për metër kub.

Vija e kuqe dhe vjollcë janë zonat ku janë bërë matjet, vlerat e të cilave kanë kaluar limitin e Indeksit të Kualitetit të Ajrit që shfrytëzohet nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të SHBA-ve. Matjet këtu janë bërë me datën 30 janar 2017, gjatë orëve të mëngjesit apo kohën kur fëmijët arrrijnë në shkollë. Derisa ngjyra e kuqe tregon ndotjen që klasifikohet në kategorinë “jo e shëndetshme”, ngjyra vjollcë tregon ndotjen që klasifikohet në kategorinë “shumë jo e shëndetshme”. Niveli maksimal i ndotjes me PM2.5 ka arritur deri 179.20 mikrogramë për metër kub. (Fotografia: PEN & Lëvizja Shkenca për ndryshim).

Fëmijët e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, në rrezik helmimi

Në bazë të të dhënave të publikuara më lartë, ne kemi dëshmi të plota që tregojnë se fëmijët e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë janë në rrezik të përhershëm helmimi, sidomos gjatë ditëve me smog, si pasojë e ndotjes së lartë të ajrit. Raporte dhe studime të ndryshme nga institucionet, universitetet dhe qendrat më me renome botërore tregojnë se ekspozimi i fëmijëve në ndotje kaq të lartë të ajrit shkakton pasoja të rrezikshme në shëndetin e tyre. Ne ju sjellim një listë pasojash që fëmijët e shkollës fillore “Faik Konica” rrezikojnë si shkak i ekspozimit të tyre ndaj ndotjes së ajrit:

  • “Fëmijët nga shkolla me ndotje të lartë kanë pasë një rritje shumë më të vogël të zhvillimit kognitiv krahasuar me fëmijët nga shkollat me ndotje më të ulët”, kështu thotë një studim i bërë nga 17 studijues nga gjashtë universitete evropiane.
  • “Ndotja me mikro-grimcat mund të ndikojë në shëndetin e njeriut edhe në nivele të ulëta – në të vërtetë nuk është identifikuar asnjë lloj pragu nën të cilën ndotja me mikro-grimca nuk ka ndonjë pasojë në shëndet”, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
  • “Fëmijët që jetojnë në zona me ndotje të lartë janë të prirë që të kenë katër herë më shumë zvogëlim të funksionimit të mushkërive në moshën e rritur […] Ekspozimi në ndotje të ajrit mund të ndikojë në zhvillimin fizik dhe mental të fëmijëve”. Këto janë vetëm dy të gjetura nga një raport i detajuar nga “The Royal College of Physicians, mbi ndikimin e ndotjes së ajrit te fëmijët.
Këto matje janë bërë më 3 shkurt, 2017, gjatë orëve të mëngjesit kohën kur fëmijët arrrijnë në shkollë. Ngjyra e kuqe tregon ndotjen që klasifikohet në kategorinë “jo e shëndetshme”. Këtu, niveli maksimal i ndotjes me PM2.5 ka arritur deri 115.47 mikrogramë për metër kub.

Këto matje janë bërë më 3 shkurt, 2017, gjatë orëve të mëngjesit kohën kur fëmijët arrrijnë në shkollë. Ngjyra e kuqe tregon ndotjen që klasifikohet në kategorinë “jo e shëndetshme”. Këtu, niveli maksimal i ndotjes me PM2.5 ka arritur deri 115.47 mikrogramë për metër kub. (Fotografia: PEN & Lëvizja Shkenca për ndryshim).

Po në të njëjtën ditë, me 3 shkurt 2017, gjatë orëve të pasditës, niveli i ndotjes së ajrit me PM2.5 zvogëlohet. Këtu shihet vija me ngjyrë të verdhë, që tregon se ndotja e ajrit ka rënë në nivel “mesatarë”, por “jo në nivel të ulët”, me disa zona të vogla ku ndotja vazhdon të jetë e lartë (shihni pikat e kuqe dhe ato ngjyrë portokalli).

Po në të njëjtën ditë, me 3 shkurt 2017, gjatë orëve të pasditës, niveli i ndotjes së ajrit me PM2.5 zvogëlohet. Këtu shihet vija me ngjyrë të verdhë, që tregon se ndotja e ajrit ka rënë në nivel “mesatarë”, por “jo në nivel të ulët”, me disa zona të vogla ku ndotja vazhdon të jetë e lartë (shihni pikat e kuqe dhe ato ngjyrë portokalli). (Fotografia: PEN & Lëvizja Shkenca për ndryshim).

Meqenëse ministrit Shala i pëlqejnë kalkulimet shkencore dhe juridike, ne e ftojmë që të marrë përgjegjësinë e plotë dhe menjëherë të marrë masa mbi gjendjen e ndotjes së ajrit, e sidomos informimit të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre. Po ashtu, ne ftojmë edhe shkollat tjera që të marrin masa për nxënësit e tyre. Madje, në muajt në vijim ne do të zgjerojmë bashkëpunimin tonë edhe me shkollat tjera sepse besojmë që “demokratizimi i ajrit” vjen vetëm me një angazhim të plotë dhe të vërtetë ndërmjet grupeve shoqërore në nivel lokal dhe pjesëmarrje të barabartë të qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve, ekspertëve të pavarur dhe aktivistëve tjerë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTO