Pikëpamje | Politika

100 ditët e para tregojnë se pushteti i Haradinajt është i prangosur

Nga - 18.12.2017

Kryeministria e karakterizuar me premtimet e pambajtura dhe shpenzimet pa parime organizative.

Sot (e hënë, 18 dhjetor), është dita e 100-të e mandatit të dytë të Ramush Haradinajt si Kryeministër i Kosovës.

Në vitin 2005, mandati i parë i ish-komandantit të UÇK-së u ndërpre pas vetëm tre muajve, për shkak se ai u thirr për t’iu përgjigjur akuzave të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Mbështetësit e partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vazhdimisht i kanë lartësuar “100 ditët” e Qeverisë Haradinaj – dhe në çdo fushatë zgjedhore kanë lënë të kuptohet se i njejti model i qeverisjes do të aplikohej edhe në mandatin e dytë.

Në vitin 2005, Qeveria e përkohshme nuk përfaqësoi një shtet të pavarur dhe u përball me sfida për shkak të mungesës së statusit final. Në vitin 2017, gati një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, natyra e sfidave me të cilat përballen qytetarët e Kosovës pak ka ndryshuar. Kosovarët janë ende të izoluar dhe nën regjimin e rreptë të vizave, niveli i papunësisë është ende i lartë dhe i shpërfillur, dhe mbi të gjitha, një spektër shumë i polarizuar politik e pengon zgjidhjen e problemeve elementare të qytetarëve.

Më 18 shtator, kur u aprovua plani qeverisës për mandatin e ardhshëm, Haradinaj i tha kabinetit të tij se prioritetet për programin 2017-21 ishin “rritja ekonomike, sundimi i ligjit dhe integrimi euroatlantik” – një sllogan i përsëritur nga të gjitha qeveritë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

100 ditët e para të tij janë karakterizuar me katër çështje kyçe: mospërmbushja e premtimeve në lidhje me udhëtimin pa viza, qasja pa parime organizative për shpenzime publike, një qeveri e dobët që u jep pushtet partnerëve të vockël koalicionit dhe një tranzicion i çuditshëm prej anëtarit të opozitës në lider të qeverisë.

Kosovarëve ende u duhen vizat

Katër muaj para se të bëhej zyrtarisht Kryeministër, Haradinaj dha një premtim të madh gjatë fushatës zgjedhore në një video që u publikua në faqen e tij në Facebook. “Edhe sot e përsëriti këtë zotim: Me Qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër dhe krejt Europën”.

Premtimi i Haradinajt sigurisht se ishte tejet ambicioz. Kryesisht për faktin se edhe po t’i përmbushte Qeveria e Kosovës të gjitha kushtet e vendosura nga Komisioni Evopian, vendimin përfundimtar për liberalizim të vizave e merr Brukseli, dhe jo autoritetet e Kosovës.

Foto: Bashkimi Evropian.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës nuk e ka përfunduar as pjesën e vet sa i përket këtij synimi – nuk i dha epilog çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që do të kishte qenë hapi i parë para se Komisioni Europian të merrte vendim. Megjithatë, Haradinaj nuk mund të thuhet se Haradinaj ka qenë krejtësisht pasiv sa i përket kësaj çështjeje.

Në ditën e parë të tij në pushtet, Kryeministri e shkarkoi Komisionin Shtetëror për Demarkacion të Kufirit me Malin e Zi dhe emëroi një komision të ri. Anëtarët e ri raportuan më 4 dhjetor se gabimet e komisionit të kaluar do të kishin shkaktuar një situatë në të cilën Kosova do të humbte tokë pas ratifikimit të marrëveshjes aktuale.

Qeveria më pas mori vendim për ta çuar raportin – bashkë me marrëveshjen origjinale e cila u arrit me Malin e Zi në gusht të vitit 2015 – për votim në Kuvend, por kjo nuk ka ndodhur ende -rrjedhimisht nuk ka ndonjë gjë të re.

Ngurrimi i tij për të premtuar data tash më që po e kryeson organin ekzekutiv e demonstron qartë që ndonëse gjatë fushatës Haradinaj mund të bënte premtime të tepruara, tani realiteti ka filuar t’i dhemb.

Meqë zgjidhja e çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi mbetet kusht për liberalizim të vizave sipas Komisionit Europian, Qeveria e Kosovës nuk mund ta tregojë datën prej kur kosovarët do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm brenda Zonës Shengen. Javën e kaluar, në një konferencë për shtyp, tani në cilësinë e Kryeministrit dhe jo në fushatë zgjedhore, Haradinaj dukej se ishte bërë shumë më realist sa i përket hapave të radhës – ai tha se nuk preferon të caktojë data.

Haradinaj e pranoi se nuk mund ta përmbushte premtimin të cilin e dha në maj, por tha se beson që brenda javëve do të merret vendimi, dhe pastaj do të nevojiten “dy apo tre” muaj më shumë që ky vendim të hyjë në fuqi. Ngurrimi i tij për të premtuar data tash kur po e kryeson organin ekzekutiv flet qartë se, ndonëse gjatë fushatës Haradinaj mund të bënte premtime të tepruara, tani realiteti ka filluar t’i trakasë ndërgjegjjes së tij.

Sa i përket çështjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare gjatë mandatit të Ramushit, Kosova u njoh nga Madagaskari, ishulli afër bregut juglindor të Afrikës. Ishte shteti i 115 që e njohu sovranitetin e shtetit tonë. Megjithatë, në tetor, Kosova gjithashtu përjetoi një moment të rrallë në marrëdhëniet ndërkombëtare, një tërheqje të njohjes nga Surinami, i cili e kishte njohur Kosovën në korrik të vitit 2016.

Dorëshlirë apo dorështrënguar?

Sa i përket shpenzimit publik, Haradinaj së fundmi zbuloi pakënaqësinë e tij në lidhje me shpenzimin e parasë publike. Në një takim të Kabinetit në fillim të dhjetorit, ai iu referua “shantazhistëve dhe plaçkitësve” të fshatit të Shipitullës, të cilët sipas Kryeministrit nuk po e respektojnë marrëveshjen e shpronësimit e cila ndihmoi në shmangien e krizës energjetike në pranverë.

Foto: Zyra e Kryeministrit.

Pavarësisht acarimit të Haradinajt në lidhje me situatën në Shipitullë, në situata të tjera ai është treguar më dorëlirë. Në nëntor, 219,000 euro u dhanë për familje të kosovarëve të cilat u dënuan për terrorizëm nga autoritetet maqedone si rrjedhojë e përleshjes me policinë maqedone në Kumanovë të vitit 2015, ku mbetën të vrarë 18 njerëz.

Një ditë pasi u dha lajmi për vendimin në Shkup, familjet e të dënuarve u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë. Haradinaj u përball vet me situatën, duke dalur nga zyra e tij për të folur me turmën e pezmatuar.

Rrethanat e këtij incidenti ende janë kundërthënëse dhe është urdhëruar një hetim ndërkombëtar për ta zbardhur rastin. Megjithatë, mënyra se si Haradinaj i shpërndau paratë pa plan te familjet e atyre të cilit ishin të përfshirë në sulmin e Kumanovës lë shumë pikëpyetje.

Haradinaj më vonë e shpjegoi këtë shpenzim spontan të parasë publike në një debat në Klan Kosova. Ai aqaroi se fillimisht e thirri Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin, për ta shqyrtuar mundësinë e ndarjes sv këtyre të hollave për këtë qëllim, por pasi Tahiri ngurroi, Haradinaj tha se e nënshkroi vet vendimin, aty për aty.

Në mandat 4 vjeçar qeveria do t’i shpenzojë 3.6 milion euro për rroga të zëvendës ministrave, duke i përjashtuar shpenzimet tjera si shoferët, këshilltarët etj.

Qasja josistematike ndaj parasë publike është dëshmuar edhe nga vendimi i Haradinajt për ta shlyer borxhin e prodhuesve të ujit ndaj shtetit të Kosovës që kap vlerën 58 milion euro. Vendimi i Haradinajt e shfuqizoi udhëzimin administrativ i cili i obligonte prodhuesit e ujit ta paguajnë borxhin e vjetër në mënyrë retroaktive ndaj shtetit.

Ndonëse këto të hyra janë anuluar, pritet të rritet niveli i shpenzimit publik për shkak të rrogave të zëvendësministrave. 64 të tillë janë në administratën aktuale, që paraqet numrin më të madh krahasuar me qeveritë e mëparshme. Sa për ilustrim, në Qeverinë e kaluar ishin 45 zëvendësministra. Numri i zëvendësministrave pritet të rritet edhe më shumë. Disa ministri aktualisht nuk kanë zëvendës, ndërsa disa të tjera i kanë nga 6.

Sipas një artikulli të publikuar në Jeta në Kosovë, në mandatin 4-vjeçar Qeveria do t’i shpenzojë 3.6 milion euro për rroga të zëvendësministrave, duke i përjashtuar shpenzimet e tjera si shoferët, këshilltarët etj.

Përveç rritjes së shpenzimeve, u raportua gjithashtu se mungesa e veturave dhe e hapësirave në disa ministri e ka bërë të vështirë akomodimin e rritjes së madhe të numrit të zëvendësministrave.

Ndonëse në disa raste Haradinaj e paraqet veten si lider i matur sa i përket shpenzimit të parasë shtetërore, nevoja për t’i plotësuar kërkesat e partnerëve qeveritarë e kthen atë në pikën zero, dhe në një situatë në të cilën shpenzimi publik bëhet pa parime organizative.

Muskuj të dobët

Përderisa Qeveria nuk mund të ankohet për numrin e zëvendësministrave, numri i deputetëve që përkrahin Qeverinë në Kuvend po paraqet probleme për Haradinajn. Qeveria e udhëhequr nga ai mbështetet nga numri minimal i deputetëve – 61. Kjo ka shkaktuar probleme në lidhje me propozimet të cilat kërkojnë shumicë të thjeshtë në Kuvendin e Kosovës, e të mos flasim për çështjet që kërkojnë mazhorancën me dy të tretat e votave – 81.

Të dielën e kaluar, buxheti për vitin 2018 u kalua me vetëm 62 vota, për shkak se partitë opozitare e bojkotuan procesin e votimit. Ky veprim dëshmoi vështirësitë me të cilat përballet Qeveria Haradinaj kur ka për synim miratimin e ligjeve më të diskutueshme, nëse spektri politik mbetet i ndarë. Dy nga çështjet më të mëdha me të cilat përballet Kosova, çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe ajo e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, kërkojnë mazhorancën prej 2/3 të votave – gjë që duket e pamundur në rrethanat aktuale.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Pozita e dobët e Haradinajt në negociata me partnerët e tij i ka dhënë fuqi shumë partive që janë pjesë e koalicionit. Kjo u dëshmua përsëri nga legjioni i zëvendësministrave. Njëzet zëvendësministra i takojnë partnerit në koalicion, Aleancës Kosova e Re (AKR), e cila i ka vetëm katër deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Fakti se emërimi i zëvendësminitrave është bërë për ta përmbushur marrëveshjen e partive të koalicionit dhe jo nevojat e ministrive dëshmohet nga rasti i Fatir Berzatit. Haradinaj e shkarkoi Berzatin nga pozita e tij pas kërkesës së Listës Serbe, partner në këtë koalicion. Besohet se partia ishte e pakënaqur me faktin se partneri goran i koalicionit, Berzati, e përdori shprehjen ‘Republika e Kosovës’.

Përveç se u akuzua për nënshtrim ndaj presionit të partnerëve të koalicionit, ka pasur dyshime edhe për emërime familjare jashtë kabinetit qeveritar. U raportua se Liridon Dervishaj, dhëndrri i Haradinajt, do ta menaxhojë Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, vendim i marrë nga Ministria e Shëndetësisë.

Kur u pyet për këtë në një seancë të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj konfirmoi se Dervishaj do ta kryesojë Fondin e Sigurimit Shëndetësor, por tha se 27-vjeçari është profesionist i kësaj fushe dhe nuk ka pasur ndërhyrje në lidhje me emërimin e tij.

Ramushi në pushtet dhe Ramushi i njëmendtë

Haradinaj ka treguar prirje ta portretizojë veten si lider energjik që punon shumë, që është i rreptë t’i respektojë afatet kohore dhe që i merr e i kryen punët vet, e nuk ua delegon të tjerëve. Por diskursi i tij shpeshherë e ka shpërfaqur atë si një burrështetas të bllokuar nga e kaluara e tij në opozitë.

Shembulli më i dalluar i kësaj ishte kur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, u arrestuan muajin e kaluar. Deputetët u arrestuan për shkak se hodhën gaz lotsjellës gjatë një seance të Kuvendit kur ishte duke u diskutuar marrëveshja për demarkacion të kufirit me Malin e Zi.

Vetëm dikush që vuan nga skleroza do ta harronte këtë kohë kur Kryeministri i ri, i cili atëherë ishte në opozitë dhe ishte shumë i zëshëm kundër marrëveshjes, madje edhe po e kërcënonte Kryeministrin e atëhershëm Mustafa me arrest nëse do të vazhdonte ta ndiqte opozitën me polici.

Haradinaj shprehu “keqardhjen” e tij për arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes, por kërkoi nga ata që t’i “binden” sistemit të drejtësisë dhe tha: “nuk kanë pse të kenë frikë”. Sigurisht, sistemi i drejtësisë dhe Qeveria janë pushtete të ndara, megjithatë ndryshimin e reagimit të tij prej kohës kur ishte në opozitë në qëndrimin e ri të tij si Kryeministër, shumëkush e pa si të mbushur me hipokrizi.

Megjithatë, gjendja shpirtërore e shkaktuar nga realiteti i ri me sa duket ka ndikuar edhe te ish-komandanti i kohës së luftës. Disa ditë pasi mori pushtetin, ai i ofendoi gazetarët në një konferencë për shtyp kur u pyet vazhdimisht për procesin e liberalizimit të vizave. Më vonë Haradinaj kërkoi falje për sjelljet e tij, të cilat u kritikuan gjithandej, veçanërisht nga komuniteti i gazetarëve.

Paradoksalisht, argumentet që sollën rrëzimin e qeverisë së kaluar ishin të përqendruara në paaftësinë e tyre për t’i zbatuar “vendimet e mëdha”, çështje e cila me sa duket po vazhdon ta mundojë qeverinë aktuale.

100 ditët e para nuk kanë qenë aspak të lehta. Ato janë karakterizuar me probleme gjatë marrjes së vendimeve të mëdha për shkak të mungesës së numrave në Kuvend dhe përbërjës së ndërlikuar të qeverisë.

Në vitin 2018, sikurse në vitet e kaluara, në Qeveri do të mbizotërojnë çështjet e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, ato të demarkacionit të kufirit, si dhe çështja  e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Qeveria e kaluar, e cila kishte numër më të madh të deputetëve që mbështetnin atë në krahasim me Qeverinë aktuale, nuk arriti t’i zgjidhte të gjitha këto çështje.

Paradoksalisht, argumentet që sollën rrëzimin e Qeverisë së kaluar ishin të përqendruara në paaftësinë e saj për t’i zbatuar “vendimet e mëdha”, çështje e cila me sa duket po vazhdon ta mundojë Qeverinë aktuale. Pavarësisht energjisë që e shfaq Haradinaj kohë pas kohe, rëndësia e votave në Kuvend do të jetë sfida më e madhe në muajt e ardhshëm kur qeveria Haradinaj do të testohet me vota.

Një gjë duket e sigurtë. Militantët e AAK-së me gjasë po ndihen më pak të ngazëllyer me 100 ditët e para të komandatit të tyre, dhe do t’i përsërisin me më nostalgji 100 ditët e Haradinajt në vitin 2005.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.