Biseda | Art

Fitore Berisha: T’i nxjerrësh brinat nëpërmjet protestës artistike

Nga - 06.02.2017

Artistja flet për përdorimin e artit si terapi, revoltë dhe mjet fuqizimi.

Një grua me brina i vështron duhanxhitë derisa i shijojnë makiatot e tyre në tarracën e re të “Kafes së Vogël” në Prishtinë. Në mes dy portreteve tjera të grave, murali  në kafenenë e njohur përfaqëson simbolet kyçe të të shprehut artistik të Fitore Berishës: gruan dhe brinat.

Kur pronari i “Kafes së Vogël” vendosi ta rinovonte verandën e lokalit, ai e thirri Berishën, shoqen e tij të fëmijërisë, dhe i kërkoi që t’i vendoste karakteret e saja në mur. “Gruaja me brina” ngjason me një prej pikturave të ekspozitës së saj të fundit “Të dalshin brinat”, që u hap në dhjetor në një kafene tjetër të Prishtinës, “Hani i 2 Robertëve”.

Majlinda Hoxha,Fitore Berisha, Kafja e vogel mural, Te dalshin brinat 01

“Gruaja Me Brina” zbukuron murin e tarracës së lokalit të njohur “Kafja e Vogël”.

“Revolucioni ma i ambël vjen prej artit, ai ‘duqi’ që na  mbledhet brenda”, deklaroi Berisha para ekspozitës së saj të fundit. “E kur mendon që s’ka mënyrë me dalë, shpërthen përmes letrës, lapsit e ngjyrave, e n’këtë rast edhe brinave”. Nëpërmjet pikturave të saja, Berisha u bëri thirrje grave që t’i lënë brinat që t’u dalin, për të shkuar përtej jobarazisë.

Duke u rritur e rrethuar prej pikturave e artistëve, Berisha e dinte prej moshës së re se çfarë rruge do të ndiqte më vonë gjatë jetës. Ajo studioi pikturën gjatë kohës si sistemit paralel arsimor të viteve ’90 në Kosovë, dhe ishte në klasën e Muslim Mulliqit, një prej piktorëve më të mirënjohur kosovar.

Berisha thotë se bisedat me piktorin e ndjerë në studio-shtëpinë e tij gjatë epokës së shtypjes nga shteti serb e nxitën atë që ta ndiqte stilin e saj. “Je në rrugë të drejtë për ta krijuar stilin tënd”, i kujtohet t’i ketë thënë profesori i saj. “Stili yt do të përcaktojë atë se kush je. Duhet t’i qëndrosh besnike vetës, ndjenjave tua, gjërave që të duken të mira, dhe pastaj kritikat e të tjerëve që i ke përreth – të personave profesionistë – do të vinë”.

Në vitin 2003, Berisha themeloi Mural Art Group, organizatë joqeveritare që finalizoi disa projekte me synim të zbukurimit të ambientit në qytet nëpërmjet artit, me theks të veçantë në ofrimin e ndjenjës  së shpresës për të ardhme më të mirë në mesin e të rinjve në pasluftën e Kosovës.

Berisha i ka dy shtëpi: Kosovën dhe Islandën. Në 2006 ajo vizitoi Reykjavikun si turiste dhe menjëherë Komuna e Reykjavikut i ofroi punë, si menaxhere e teatrit të artit të rrugës.

Më vonë ajo po ashtu punoi si koreografe për një teatër të pavarur në Reykjavik. “Nuk shkova si emigrante, por u bëra emigrante”, thotë Berisha.

Kur kriza e refugjatëve i arriti brigjet e Islandës vitin e kaluar, Berisha foli me mediat lokale për përvojën e saj të ngecjes në Kosovë gjatë luftës. Ajo tha se si bota dhe shoqëritë duhet të jenë të hapura ndaj refugjatëve që ikin prej vendeve të shkatërruara nga lufta.

Pas 10 viteve, në 2016 Berisha u kthye për të ekspozuar punimet e saja në Prishtinë, me projektin e saj “Revolta kundër dhunës”, në festivalin feminist “FemmeArt”. Fotografi të trupave të zhveshur, të mbishkruara me mesazhe përçuan porosinë e protestës kundër të gjitha formave të dhunës, dhe të respektit për të drejtat themelore të njeriut. Ekspozita e saj u shoqërua me një performancë vallëzimi, që nëpërmjet lëvizjeve të Agnes Nokshiqit dhe Tristan Halilaj transferuan konfliktin nga ai përgjithshëm te një në mes të një çifti, si thirrje për fuqizim të grave.

Majlinda Hoxha, FitoreBerisha performance

Ekspozita e parë e Beirshës në Kosovë pas 10 viteve ishte “Revolta kundër dhunës”, në festivalin FemmeArt 2016.

K2.0 u takua me Fitore Berishën për të diskutuar ekspozitën e saj të fundit, të drejtat e grave dhe përdorimin e artit për t’u përballur me të kaluarën e saj.

K2.0: “Revolta kundër dhunës”, është ekspozuar në Prishtinë, por edhe në Reykjavik. Si ka qenë përvoja në të dy vendet?

Fitore Berisha: Unë jam ndi e lumtur të kthehem dhe të prezentojë projekt në FemmeArt. Gjithëmonë ka qënë ideja që unë duhem me prezentu në Kosovë këtë lloj projekti, një dance performance, ku bashkë më fotografitë bardhë e zi, me krejt ato shkronja të ndyta ka qenë një revoltë e imja, me vjet e ndërtume kundër konfliktit. Por në atë konflikt, në konfliktet po që përsëriten në botë ka qenë edhe një konflikt personal. Sepse momentin që informohesh në media se çka është tu ndodhë me një shtet tjetër, ti e përjeton prapë [atë zemërim], atë konflikt [që e ke përjetu gjatë jetës]. Është sikur ajo varra që është mshelë pak, por kur e heq fllasterin varrën e ke prapë aty.

Unë si artiste dhe person paqësor njëherë kisha pasë qef që bota t’i jep fund konfliktit. Konfliktin më së keqi e përjetojnë civilët, dhe prandaj [kam përdorë] fytyra të njerëzve dhe kam shkru krejt ato mesazhe. Krejt e dimë që gjatë konflikt ka dhunë – masakra dhe abuzime – edhe psigjikisht humbim diçka prej vetes. Çdo konflikt merr një pjesë [nga ne].

Majlinda Hoxha, FitoreBerisha performance 04

“Revolta kundër dhunës” e Berishës ka përfshirë imazhe të trupave me protesta kundër dhunës, e shoqëruar nga një performancë e koreografuar vallëzimi.

Kur flas për një konflikt, e kthej edhe në konflikt personal. Dhe ajo tregohet përmes performancës, ku [tema] ka qenë dashuria. Dashuria e cila bien edhe emotional blackmail, dashuria e cila është një kacafytje. [Performanca] në Prishtinë ka marrë një formë tjëtër – formë ma agresive. Secila lëvizje ka qenë më e thellë, më e gjallë.

Është përcjellë me këngën “Surrender”. Kjo këngë mund të kuptohet në mënyra të ndryshme, por për mua ka qenë që burrat duhet me përqafu faktin që gruaja është e fortë, që gruas duhet t’i jepet liri me vendosë, gruajës duhen t’i jepen krahë me fluturu.

Në [në Kosovë] edhe dashninë e shfaqim me krejt atë çka e kemi. Po filloj me personalizu: nëse du, du me krejt qenien. Nëse i jap fund diçkaje, i jap fund sepse jam e ofendume, e lëndume, e shkatërrume. Derisa në shoqëninë atje [të Islandës] krejt shkon më ngadalë. Ata derisa e pranojnë tjetrin, shoqen, partnerin, shkon një kohë e gjatë. Me pervojën time unë është dashtë me meritu shokët e shoqet e mija në Islandë, dhe gjithëmonë e them kur e meriton shoqninë e meriton përjetë. Derisa këtu e kemi një pasion të madh, dhe eskalon në një emocion më të madh. Dhe nëse atë nuk e merr ndonjëherë mrapa prekesh sepse e merr në mënyrë shumë personale. Edhe mundesh shpejt mu lëndu, dhe shpejt i jep fund [gjërave].

“Surrender” (Dorëzuhu) — a është mesazh drejtuar burrave?

Fillimisht kisha thanë po, por e kisha lidhë edhe me gra. Edhe gruaja duhet mi lëshu disa gjana. Duhet mi hjekë disa patriarkalizma që janë përfundi. Unë mundem lirshëm me thanë që në shoqërinë tonë është kyçe që nënat, të cilat japin edukatën e parë [në jetën e fëmijës], duhet t’i hjekin patriarkalizmat. Ajo kulturë [e mësur në vitet e hershme të fëmijës] vjen nga gruaja.

Një dozë e patriarkalizmit po shkon prej gjeneratës në gjeneratë. Edhe sado që po shkollohemi, udhëtojmë, shohim kultura tjera, jemi të ngarkum me gjërat si “Nuk mundemi [ta bëjmë atë ose këtë], sepse “nana e gjyshja jeme kanë mu lëndu”.

Po ashtu është e qartë që fuqizimi i grave në shoqëritë patriarkale është qenësore në punën tënde…

Unë nuk jam pajtu më gjendjen e gjyshes teme, e cila ka qënë një artiste [në zemër], një artiste e pashkollume, por e cila e ka pasë natyrale artin e saj. Ka ditë mi vizatu krejt materialet, edhe mi qëndisë, edhe mi pre, edhe me ba këmisha të bukura të katundit. 

Po ashtu edhe halla. Unë nuk jam pajtu me atë që e kam pa një gru aq të dashtun, e kurrë s’ka pasë dashni në jetën e saj. Kurrë se harroj atë duke thënë “Të lutem mos lejo me të shku jeta si mu”.

Majlinda Hoxha, Fitore Berisha exhibition 02

Pjesa më e madhe e punës së Berishës është e frymëzuar nga protestimi ndaj shoqërisë patriarkale, në të cilën gratë nuk janë në gjendje t’i përmbushin potencialet e tyre të vërteta.

Kur kam shku në Islandë kam pasë nevojë për vet-reflektim dhe jam konsultu me një psiakiatër. Ai thoshte “e cakton ti se çka don me tregu”. Unë i kam thënë “unë e kam bërë një plan me tregu [jetën] në pjesë-pjesë, sepse është për të miren dhe mirëqenien time mi çelë ato fioka, dhe është shumë e rëndësishme se prej kah unë kam ardhë. Sepse unë jam formu kështu si jam, për shkak të atij vendi [Kosovës]. Mirëpo patriarkialzmi i fortë i atij vendi ende më hidhëron. Unë kam hidhërim të madh për gratë që i kam shoqe, kolege dhe kushërina, që ende përkulen dhe nuk kanë nevojë mu përkulë.

Duke e ditur që gjyshja nuk ka pasur mundësi ta përmbushë potencialin e saj në art të ka motivuar edhe më shumë që ta ndjekësh rrugën e artit?

Po, shumë. Krejt kjo ka të bëjë që unë kam shku prej një shoqërie të vogël në një shoqëri të vogël. Kosova është si ishull sepse nuk kemi liri të lëvizjes. Kam shku [në Islandë], në një shoqëri që i kanë të gjithat të drejtat, dhe për mu ka qenë një cultural shock. Unë si nanë, si nanë vetmbajtëse kam shku me një vend ku krejt janë nana vetëmbajtëse që shijojnë jetën dhe dalin në qytet për mi mbrojtë të drejtat e veta.

Dhe terapisti m’ka thënë mu marrë me art therapy dhe mi qit krejt sendet [jashtë] që ty të duken që janë më të rënda.

Kjo ideja e terapisë së artit — a mund të flasësh edhe më shumë për të.

Shumë njerëz përmes artit tregojnë më shumë se me fjalë. Ka njerëz që nuk dinë mu shprehë, por përmes artit ti mundesh me pa ku je, çfarë traumash ke, çfarë stresi post-traumatik ke, sa i lumtur je. Terapia e artit është proces shërues.

[Si arsimtare e artit në Islandë] kam punu me fëmijë me autizëm. Përmes terapisë së artit jam mundu me i’u japë lirinë me shprehë veten, sepse ata janë sensitiv ndaj zhurmës, ngacmimeve, fjalëve,dhe presionit që me qënë sikur tjerët.

Gjatë procesit duke punu me fëmijët me autizëm, e kam pa që jam tu i ndihmu edhe vetes. Me teknikën e njëjtë, kam punu gjatë periudhës së gjatë të errësirës në Islandë. Çdo ditë pas punës jam ulë dhe kam vizatu diçka. As që e kam lëshu televizorin, ,telefonin, veç muzikën dhe kam fillu me punu. Nuk kam ditë se çka ka me dalë. Tash kur i shoh punimet i quaj unconscious art. Prej unconscious art munden me dalë shumë sende. Në të njëjtën kohë është meditim shumë i bukur, dhe sa herë ndihem e shqetësume ose e irritume unë ulem dhe humbi në botën time.

Dhe ka ardhë një kohë që intuivisht, kam nxjerrë fëmijërinë time në pah. Kam fillu mi vizatu njerëzit si krijesa që nuk duken bash si njerëz, por si krijesa të ndrysme me brina.

A ke ardhur kështu te koncepti i “Të dalshin brinat”?

Kur kam qenë e re gjithëmonë kam dasht me qenë njëfar rebeli, [jam ndjerë] se askush s’po më dëgjon. [Do të mendoja] “dëgjoni se edhe unë jam këtu”. Nëna ime do të thoshte – jo, që e thojke me të keq – “ Ah Fitorja, veç sa si kanë dalë brinat”.

Dhe ka ardhë një kohë që intuivisht, kam nxjerrë fëmijërinë time në pah. Kam fillu mi vizatu njerëzit si krijesa që nuk duken bash si njerëz, por si krijesa të ndrysme me brina. Ka qenë ajo revolta që mu m’kanë dalë brinat. Që unë kam mbrritë aty që mundem me ba çka të du; që unë mundem me kallxu kush jam – unë mundem mu revoltu dhe me ju thanë në fytyrë këtë revoltën time.

Por sot e shoh një grua më të fortë. Po e shoh një vajzë të re të fshatit, e cila ka ardhë në qendër të Prishtinës dhe e ka çelë një sallon të bukurisë, të vogël dy metra. Dhe për mua kjo është një lloj revolucioni. Unë krenohem me atë vajzë, edhe pse nuk e njoh.

Para disa vitesh po ashtu ke udhëhequr punëtori me djem të rinj të shkollave të mesme profesionale në Prishtinë?

Ka qenë Shkolla Teknike, ku ka qënë një strukturë e fëmijeve të cilët nuk kanë qenë aq të suksesshëm në shkollë. Qëllimi jem ka qenë mi fuqizu dhe vetëdijësu që edhe ata janë të mirë. Që edhe ata kanë diçka me japë në këtë shoqëni, pavarësisht kushteve që i kanë. Me i’u tregu që nuk ka rrugë të lehtë për krijimin e një personi. Në fund ata kanë dhënë mesazhet përmes poezisë, se si duan me luftu [për diçka] dhe ndihmu njani tjetrin.

Sot është kyçe për artistat me përdorë artin e tyre si revoltë.

Shumë herë ke thënë “Revolucioni më i ëmbël vjen prej artit”. Çka nënkupton me këtë?

Unë nuk kam jetë tjetër. Si Fitore mundem me thanë që jam aktviste e të drejtave të njeriut, por mjeti i vetëm që kam është arti. Dhe gjithëmonë kam me përdorë, që ai mesazh me shku drejt te ti, ose me shku drejt më nje vend rural. Ai është mjeti i vetëm që kam, që është pain dhe sweet në të njëjtën kohë.

Duket thuajse puna jote domosdo lidhet me ndonjë formë proteste. Sa e rëndësishme është për artistët sot të shprehin aktivizmin e tyre përmes punës së tyre?

Unë nuk impresionohem nëse shoh art vizual që nuk përçon diçka të fuqishme. Diçka që është vetëm estetikë. Ai art nuk flet me mu.

Edhe kur don me ba një video-instalacion, kur dëshiron me thanë diçka, të lutem ma jep një mesazh përmes tij. Dëshiroj me ndi në lëkurë se çka dëshiron me thanë. Sot është kyçe për artistat me përdorë artin e tyre si revoltë. K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.