Biseda | Kulturë

Flaka Jahaj & Bonne Reijn: Moda duhet të kthehet në pikën zero

Nga - 07.09.2017

Rrobat tradicionale të thurura me dizajne të shekullit 21.

Rrobat e thurura të gjyshes dhe një kostum i thjeshtë uniseks, jo bash kombinim tipik. Por dizajnerët e modës, Flaka Jahaj dhe Bonne Reijn, i kanë bashkuar forcat për të prodhuar pikërisht këtë. Bashkëpunimi i tyre, “Iahai International invites Amsterdam Friends”, do të lansohet sot në dyqanin e përkohshëm të tyre në Passenger Gallery në Prishtinë.

Jahaj, dizajnerja kosovare-zvicrane e cila po e ngirt statusin e vet në botën e modës në Zvicër pasi ka fituar çmimin prestigjioz Swiss Design Award në vitin 2014, tashmë është dalluar për rrobat e thurura me punë dore, të cilat i punon në atelenë artizanale të saj në Prishtinë. Në vitin 2015, ajo lansoi firmën e saj për rroba të thurura të grave, ‘Iahai’ në Zvicërr.

Dizajnet e Jahajt zakonisht kanë një element të multifunksionalitetit; fundet mund të përdoren edhe si xhemperë apo fustane.”Nëse janë punë dore, duhet shumë përpjekje e shumë punë, prandaj them pse të mos e shtyj pak më tej e ta bëj ashtu që të mund të përdoret në disa mënyra”, shpjegon ajo.

Bashkëpunëtori dhe miku i saj është Bonne Reijn, i cili vjen nga Amsterdami. Në fillim të vitit 2014, Reijn e dizajnoi një seri kostumesh dypjesëshe bardhë e zi, të cilën e emëroi BONNE. Ai e ndjeu “detyrën për të krijuar diçka që nuk lidhet me ndonjë rast, seks, moshë apo pritje sociale, diçka që është element kyç i jetës dhe garderobës së një personi, e përshtatshme për raste formale e joformale, dhe me kualitet afatgjatë”. Të paktën kështu përshkruhet në uebfaqen e tij.

Përveç që po i ekspozojnë punimet et yre, Jahaj dhe Reijn janë edhe miq. Ata po e dokumentojnë udhëtimin e tyre në Kosovë me kamera që janë për një përdorim. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Reijn solli dy miq në Prishtinë, të cilët bashkë me të dhe Jahajn do ta dokumentojnë bashkëpunimin e tyre dhe të disa grave kosovare të cilat e frymëzuan këtë bashkëpunim, e krejt këtë do ta bëjnë me kamera të cilat janë vetëm për një përdorim. Rezultatet do të ekspozohen në kuadër të një ekspozite tjetër me punime të çiftit në Los Angeles. Nëpërmjet këtyre, do të paraqitet Kosova në SHBA.

Të mërkuren, para seancës fotografike, K2.0 u takua me Jahajn dhe Reijn-in për të diskutuar për rrobat e thurura të Flakës, kostumet e Bonne-it, dhe atë se si shpresojnë ata që t’i përmirësojnë disa prej të këqijave të industrisë së modës.

A është ky prezantimi i parë i punimeve tuaja në Kosovë?

Flaka Jahaj (FJ): Për mua është hera e parë që po e organizoj një prezantim në Kosovë dhe jam shumë e lumtur që nuk po e bëj vet, sepse mund ta ndaj pak presionin me dikë tjetër. Këtu kam mbështetje të mirë nga Amsterdami, dhe e pëlqej shumë këtë aspektin e shkëmbimit.

Mendoj se Kosova është shumë e mbyllur. Fakti që shqiptarët po kthehen [në Kosovë] është gjë e mirë, dhe mund të jesh i/e njohur për pesë minuta, por është shumë mirë që kemi njerëz si Bonne dhe miqtë e tij të cilët ndoshta kurrë as nuk kanë menduar të vinë në Kosovë. Ata mund të përjetojnë diçka dhe Kosova mund ta hapë një dritare për të parë se çka po ndodh jashtë saj.

A mund ta shpjegoni më shumë natyrën e bashkëpunimit tuaj?

FJ: Sot jemi duke e ekspozuar bashkëpunimin tonë, një edicion special i një prej kostumeve të Bonne-it që inkorporon dizajnet e mia të tekstilit, të cilat janë punë dore. Kostumet do të kenë stile të ndryshme, elemente të ndryshme të punimeve tradicionale të dorës të punuara nga gratë e Kosovës, si dhe elemente të pëlhurave të thurura me grep. Të gjitha këto janë të përziera në mënyra të ndryshme në prototipin e kostumeve të Bonne-it.

Këto veshje janë sintezë e punimeve të dy dizajnerëve, gjegjësisht thurjet e Jahajt dhe format e Reijn-it. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Bonne Reijn (BR): Kosumet janë vetëm dy punime të pambukut, si kostume të punëtorëve. Kjo ide më erdhi sepse desha t’i kthehesha pikës zero të modës. Të gjithë të veshur njëlloj, si me uniformë të shkollës. Mendoj se modën po e marrin shumë seriozisht. Duke e marrë parasysh ambientin dhe kulturën, po mundohem t’i kthej ngadalë njerëzit drejt veshjeve të  thjeshta, t’i bëj që ta veshin vetëm një send.

A e keni fjalën për ndikimin negativ që e ka industria e modës ndaj ambientit?

BR: Është industria më ndotëse në botë. Pra është shumë e keqe.

FJ: Gjithashu ka ardhë në pikën ku skllavëria është bërë normale. Por ajo që dikur quhej skllavëri tani quhet praktikë. Sa i përket prodhimit, të gjitha proceset dhe hapat e ndryshëm nuk mund të përcillen më; prej nga vinë, kush i ka bërë dhe në çfarë kushte, me çfarë materiale, çfarë pesticide etj.

Ka dalë krejtësisht prej dorës – firmat luksoze janë gjithnjë më të shtrenjta dhe fuqia punëtore gjithnjë më e lirë. Diku mes tyre dikush duhet të paguajë, dhe definitivisht nuk është bota e zhvilluar ajo që paguan për këto lloj gjërash, pra janë vendet e varfra. Ata duhet të na mbështesin në mënyrë që ne të mund të jetojmë me këtë stil.

Jam duke e kundërshtuar shumë këtë. Unë e bëj në mënyrën time, me punë dore, dhe kështu e ngadalësoj atë proces të shpejtë. Mësova që njerëzit nuk dinë më asgjë për kualitet, ose për traditë. Nuk dinë prej nga vinë sendet, ose si bëhen, dhe do të ishte turp dhe humbje e madhe po të vazhdonte kjo. Ndonjëherë është mirë të ndalemi dhe të shikojmë prapa ose rreth nesh, dhe të mendojmë se si mund të bëjmë ndryshime.

Gjithnjë më shumë njerëz po refuzojnë të blejnë prej firmave të modës për shkak të shfrytëzimit të fuqisë punëtore dhe ambientit. A e ndiqni ju këtë trend?

BR: Për shkak se kam firmën time dhe për shkak se punoj me modë, e kam atë luks që të mos kem nevojë të blej rroba. Pra s’po them që jam tip shumë i ndërgjegjshëm. Por është mirë të veprosh ashtu që t’ua ndryshosh pikëpamjen njerëzve, dhe këtë po mundohem ta bëj me kostumet Bonne, e njëlloj edhe Flaka [me punimet e saja].

Flaka Jahaj mundohet të jetë edhe blerëse e ndërgjegjshme edhe dizajnere e ndërgjegjshme, duke e refuzuar shfrytëzimin dhe shpenzimin e kotë që e shohim në industrinë e modës. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Mundohem të jem sa më e ndërgjegjshme. Di shumë për modën, dhe sa më shumë që din, aq më shumë nuk mund të marrësh pjesë në këtë sistem. Për mua absolutisht nuk ka shans të blej sende që kanë çmime të pamundshme, kur e di se dikujt ia kanë ngulë.

E kam arritur një moshë të caktuar dhe kam zhvilluar intelegjencën ashtu që tani di se si t’i marr parasysh disa gjëra e ta pyes vetën se a dua me të vërtetë të blej diçka e ta marr atë barrë mbi supet e mia. Mendoj se ndërgjegjja ime është më e rëndësishme në këtë aspekt se ndonjë deklaratë e modës, de mundohem të blej më pak e të përdori më shumë. Mundohem t’i veshi vetëm sendet e mia, por e kam një problem të madh me këtë sepse më duket sikur po e promovoj veten.

Blej shumë sende të dorës së dytë. Kam fat që jetoj në Zvicërr, ku ka vetëm njerëz tepër të pasur, të cilët i falin sendet e tyre për çmime shumë të lira, e në fakt i kanë në gjendje shumë të mirë – Burberry, Max Mara, sende të tilla. Më pëlqen të gjej tesha në dyqane të dorës së dytë në Cyrih. Aty gjej shumë sende.

Njoh shumë njerëz në Zvicër të cilëve u duket e çuditshme të blejnë sende të njerëzve tjerë, por mendoj se është pjesë e një procesi. Kemi stërprodhuar dhe duhet të rikonsumojmë. Është cikël i cili duhet të mbyllet përsëri. Mendoj se gjithmonë është më interesant të veshësh diçka që e ke gjetur duke kërkuar dikund.

Si erdhi deri te bashkëpunimi mes jush?

BR: Tregim qesharak. Nisa punën me kostumet Bonne në Amsterdam me vetëm njëqind kostume, pesëdhjetë të bardhë dhe pesëdhjetë të zi. I shita prej shtëpisë sime dhe fitova pak para prej tyre, kështu që e hapa një dyqan online. Në momentin që dolëm online, Flaka e bleu koleksionin e parë të saj.

Punimet e Bonne Reijn-it me Flaka Jahajn më parë e çuan çiftin në Cyrih, e tash në Prishtinë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

E pashë emrin e saj dhe e kërkova në Google dhe në Instagram, dhe i dërgova një mesazh duke i thënë “falemnderit që e bleve”. Ajo ishte me gjasë klienti i parë ndërkombëtar, ose një prej të parëve. Një vit më vonë ajo më kontaktoi për një dyqan të përkohshëm në Cyrih. Erdha me të gjithë miqtë e mi dhe organizuam një ngjarje me muzikë, dhe ishte shumë kënaqësi. Prej atëherë kemi mbetur në kontakt.

FJ: Ishte shkëmbim shumë i barabartë dhe i ndërsjellë, plot respekt e vlerësim për punimet e njëri-tjetrit. Kur i pashë për herë të parë kostumet e tij, gjeta diçka që kisha kërkuar për një kohë të gjatë. Ishte shumë e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë, pa ndërlikime. I ishte kthyer thelbit.

Normalisht që qepja bëhet me makinë, por më pëlqeu filozofia uniseks. Unë e pash si një person i cili e kishte vënë në dyshim sistemin. Tani është shumë bukur që jemi bërë bashkë këtu në Prishtinë dhe unë po u tregoj prej nga vi e si nisi gjithçka për mua.

A mendoni se aktualisht ekziston një trend botëror i kthimit te traditat dhe inkorporimit të tyre në modë?

FJ: Mendoj se ekziston një tendencë e madhe dhe një nevojë e madhe për këtë. Ka shumë dizajnerë të cilët përfshijnë punime dore artizanale në punimet e tyre, si unë. Është mendësi praktike. Të gjithë e dinë çfarë kushte tragjike ka në biznesin e modës, kështu që mundohen të rifokusohen në sende të vjetra e t’i rivlerësojnë ato, në vend se të prodhojnë sende të reja.

Siç duket, formimi kulturor kosovar dhe fustanet e grave të Kosovës dhe të grave të familjes tënde kanë ndikuar mjaft shumë në punimet tuaja.

FJ: Gjyshja ime ishte shumë tradicionale. Ajo bënte punime dore dhe kështu mësova thurjen shumë herët. Ishte dhuratë shumë e çmuar sepse nuk kam trashëguar aq shumë sende, por i kam trashëguar këto tradita dhe këtë dituri. Ishte krejtësisht kundër dëshirave që i kishte nëna ime për të ardhmen time. Ajo gjithmonë më thoshte se nuk mund të ndërtosh urë me fije, dhe se nuk mund të fitosh prej këtij profesioni. Ende jam duke luftuar për pranimin e saj (qesh). Është pjesërisht edhe faji i saj, sepse gjithmonë ka qenë estetike, si babi, pra me gjasë e kam në gjene.

Mësova të thuri para se të mësoja shkrim e lexim. Gjyshja ulej afër zjarrit dhe unë ulesha në prehër të saj, e kështu më mësonte të thurja.

"Për një kohë të gjatë mundohesha të mos dukesha si shqiptare në Zvicërr, dhe desha të integrohesha plotësisht si zvicrrane. Por ajo që e ke në gjak e zemër nuk të flenë mirë ashtu."

Flaka Jahaj

Në Zvicër ishte e vështirë fëmijëria ime si e huaj. Mund të përfytyroni se si është të kesh krizë identiteti, kur nuk e din se cka je e ku e ke vendin. Por pas disa viteve të mundimshme, e kuptova që kemi potencial të dyfishtë nëse i përdorim të dy ndikimet kulturore.

Atëherë nisa të lidhesha përsëri te rrënjët e mia sepse për një kohë të gjatë mundohesha të mos dukesha si shqiptare në Zvicër, dhe desha të integrohesha plotësisht si zvicrane. Por ajo që e ke në gjak e zemër nuk të flen mirë ashtu, dhe kur i përfundova studimet e kuptova që mund ta eksploroja plotësisht potencialin që e kam duke qenë pjesë e dy kulturave. Prandaj u ktheva dhe u lidha përsëri me traditat. Përputhet me mendësinë time.

Ngjyrat e ndezura janë mjaft të dukshme në punimet tuaja. A është ky tipar dallues i rrobave tuaja?

FJ: Kur Bonne e hapi firmën e tij ishte bardhë e zi, e njëlloj ishte edhe për mua. Kur e nisa firmën time nisa me një koleksion bardhë e zi, të frymëzuar prej tenteneve. Por duhej të nisja prej pikës zero dhe të shihja më pas. Pas koleksionit bardhë e zi mendova të çmendesha pak me ngjyra. I dua shumë ngjyrat dhe u tranova krejt!

Sa është e vështirë të jesh artist i pavarur dhe të mos jesh pjesë e industrisë qendrore të modës?

BR: Flaka është më shumë artiste se unë. Unë thjesht e kam menduar një ide shumë komerciale për të shitur shumë. Jemi duke u rritur shpejtë. Ende nuk kam përjetuar diçka të vështirë.

E mendova anën komerciale kur e nisa këtë. Desha ta hap një firmë të ndërgjegjshme por cool. Firmat e ndërgjegjshme shpeshherë e nisin punën si të ndërgjegjshme dhe mundohen të shesin, por njerëzit nuk duan të blejnë gjëra të ndërgjegjshme. Njerëzit duan sende cool. Pra fillimisht desha të ishim cool sepse përndryshe nuk ndryshon asgjë, sepse nuk blen kërkush asgjë. Megjithatë, kalova shumë kohë duke e sajuar këtë ide.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ky publikim është prodhuar me ndihmën e Bashkimit Europian, si pjesë e një projekti të zbatuar nga Kosovo 2.0 dhe të mbështetur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës. Përmbajtjet e këtij publikimi janë përgjegjësi e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Europian, Qendrës Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës.