S`fundmi | Ambienti

Vërshimet në Shqipëri i kanë detyruar mijëra njerëz t’i braktisin shtëpitë e tyre

Nga - 13.12.2017

Aktiviteti njerëzor është faktor në këtë fatkeqësi natyrore.

Në fillim të dhjetorit, një pjesë e konsiderueshme e Shqipërisë u gjet nën ujë. Disa rrugë kryesore ishin krejtësisht të bllokuara, dhjetëra ura u shkatërruan dhe qindra familje u detyruan të ikin nga shtëpitë e tyre.

Reshjet e mëdha nisën më 30 nëntor, dhe vazhduan me të njëjtin intensitet deri më 3 dhjetor. U thirr policia dhe ushtria, të cilët në disa raste u përballën me vështirësi gjatë përpjekjeve për t’i larguar njerëzit nga shtëpitë e tyre. Në bregdet, valët e mëdha shkaktuan pezullimin e udhëtimeve me traget në Italinë dhe Greqinë fqinje. Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” gjithashtu i pezulloi fluturimet për një ditë për shkak të reshjeve të mëdha dhe ujit që e kishte kapluar pistën.

Lumi Vjosa në jug të Shqipërisë u pa si rrezik i madh, meqë ujërat e saj ishin ngritur si kurrë më parë. Shkollat nuk mbajtën mësim për një ditë në gjithë shtetin.

Sander Lleshi, Këshilltar për Siguri i Kryeministrit Edi Rama, tha se situata ishte shumë e keqe. “Vlerësimi fillestar i shtetit ishte se përmbytjet ishin shumë të rënda. 590 familje u shpëtuan me gjithsej 1,552 njerëz, si dhe 4,715 shtëpi u dëmtuan dhe 10,622 hektarë u përmbytën”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Mbi 60 ura u përmbytën gjatë reshjeve të mëdha në Shqipëri, që zgjatën nga 30 nëntori deri më 3 dhjetor. Foto: Ministria e Punëve të Brendshme.

Lleshi njoftoi gjithashtu për vlerësimet e dëmeve, duke thënë se janë dëmtuar 65 ura përgjatë shtetit, “diçka e pashembullt”.

“Hakmarrja e natyrës”

Dajana Dobrozi, një vajzë e re nga Fushë-Kruja, një prej qytezave më të përmbytura në Shqipëri, e kujton shumë mirë ditën e vërshimeve.

“Ishte mesnatë dhe ishim në gjumë. Uji hyri në gjithë shtëpinë. Të gjitha mobiljet që prindërit e mi kishin punuar shumë për t’i blerë, u shkatërruan”, tha Dobrozi për K2.0. “Edhe gjelat më vdiqën. Librat i kisha të gjitha nën ujë. Ishte e tmerrshme”.

Dobrozi gjithashtu tha për K2.0 se lumi Ishëm u përmbyt në zonat bujqësore të fshatit të saj, Bilaj. “U duk sikur natyra po hakmerrej kundër njerëzve të cilët e kishin trajtuar shumë keq lumin e shkretë. Të gjithë besojmë se mbledhësit e kanalizimit ishin shkaktari i vërtetë”, tha ajo për K2.0, duke shtuar se ky lum ishte i ndotur dhe plot mbeturina.

Ajo tha se gjatë parashikimit të motit u përmend mundësia për vërshim, por njerëzit nuk e morën me seriozitet të mjaftueshëm këtë lajmërim.

Kryeministri Edi Rama tha se kur të kryhet situata emergjente, Qeveria e tij do ta prioritetizonte një nismë ligjore për t’i siguruar shtëpitë dhe bizneset që ato t’u bëjnë ballë vërshimeve. Ai gjithashtu premtoi se Qeveria do t’u ofronte kompensim për dëme, duke shtuar se më shumë duhet të bëhet për të parandaluar situata të tilla në të ardhmen.

“Duhet të bëjmë disa ndërhyrje për t’i mbrojtur shtretërit e lumenjve. Duhet të fillojmë të mbjellim drunj aty ku ka patur shumë erozion”, erdhi në përfundim Rama.

Historia e vërshimeve

Shqipëria ka një histori të gjatë të vërshimeve. Më e keqja ndodhi në fund të vitit 2009 dhe fillim të vitit 2010. Atëherë, si rrjedhojë e reshjeve të mëdha, lumi Dri e ngriti nivelin e ujit.

Pjesët më të prekura ishin ato të Shqipërisë veriperendimore, veçanërisht Shkodra, e cila gjendet afër tri liqenëve në të cilat ka hidrocentrale: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës. Autoritetet u detyruan ta lirojnë ujin prej liqenëve artificialë në Shkodër dhe Lezhë, të cilat janë të pozicionuara në zona të rrafshta.

Qeveria shqiptare shpalli “fatkeqësi natyrore” më 5 janar, kur u zhvendosën mijëra njerëz për shkak të vërshimeve. Forcat policore dhe ushtarake u thirrën për të ndihmuar me zhvendosjen e banorëve. Ata përdorën anije dhe automjete ushtarake. Gjithashtu u shpall “gjendje e emergjencës civile” dhe u themelua një Komitet Ndërministror.

Paulin Mecaj është aktivist nga Shkodra i cili pësoi nga vërshimet e mëdha të viteve 2009-10. Ai përfaqëson “Shoqatën e Qytetarëve të Përmbytur”, e cila ende po lufton për kompensim.

“Në vitin 2010, 4,630 familje u prekën nga vërshimet në Shkodër. Dëmet u vlerësuan nga Qeveria e Berishës, por paratë ende nuk janë paguar”, thotë Macaj. “Me gjasë miliona duhet t’u paguhen qytetarëve të cilëve iu përmbytën shtëpitë. Edhe shtëpia ime u përmbyt. Deri më tani, disa para janë dhënë, por jo në mënyrë të drejtë. Kemi organizuar protesta shumë herë, dhe ende e ngris zërin, por nuk ka rezultate”.

Së fundmi u përmbytën mijëra shtëpi dhe njerëzit i humbën sendet e tyre. Foto: Dajan Dobrozi.

Në shkurt të vitit 2015 ndodhi një tjetër vërshim i cili i përmbyti rreth 3,000 hektarë dhe 600 shtëpi, kryesisht në pjesën perendimore të vendit. Në këtë rast, 42,000 njerëz u dëmtuan. U vlerësua se u shkaktuan dëme në vlerë miliona lek në biznese, shtëpi dhe toka bujqësore.

Pse në Shqipëri dhe pse kaq shpesh?

Sipas Raportit të Rreziqeve Botërore për vitin 2015, i përpiluar nga Universiteti për Ambient dhe Siguri të Njerëzve i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNU-EHS), Shqipëria, Holanda, Greqia dhe Turqia ishin vendet e Europës me probabilitet më të lartë për fatkeqësi natyrore.

Ky raport tregoi një përqindje të rrezikut për 173 shtete të botës në bazë të probabilitetit për përjetim të fenomeneve si tërmetet, stuhitë, vërshimet, thatësirat dhe ngritjet e nivelit të ujit. Shqipëria u vlerësua me notë 10,01, Holanda me 8.76, ndërsa Greqia dhe Turqia kishin vlerësime më të ulëta (7.36 dhe 5.52).

Shpyllëzimi në rajon u konsiderua si shkaktar kryesor i ngritjes së nivelit të ujit në ultësirat e Shkodrës dhe Lezhës në vitet 2009-10.

Në bisedë me një televizion kombëtar, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka, shpjegoi se një prej situatave më të këqija gjatë vërshimeve të fundit ishte në autostradën Tiranë-Durrës. Për këtë ajo i fajësoi ndërtimet e paligjshme të cilat e parandalojnë funksionimin e sistemeve të mbledhjes së ujit.

Lavdosh Ferruni, ekspert i njohur i mjedisit në Shqipëri, tha për K2.0 se është ndërtuar një numër i konsiderueshëm i shtëpive përgjatë lumenjve, duke i dëmtuar kështu rrjedhat natyrale. “Problemi më i madh është në fakt erozioni i shkaktuar nga shpyllëzimi. Patjeter kemi nevojë për një fushatë të gjerë për mbjellje të drunjve të ri përgjatë lumenjve në Shqipëri”, tha ai.

"Ka shumë faktorë njerëzor që i kanë shkaktuar vërshimet e fundit, si ndërtimet te mbledhësit e kanalizimit, ndryshimet në shtretër të lumenjve dhe shpërfillja e historisë së vërshimeve. Gjithashtu po ndërtohen ndërtesa pa planifikim urban përgjatë gjithë vendit."

Sokol Marku, specialist i gjeologjisë

Sokol Marku, specialist i gjeologjisë, tha për K2.0 se ka faktorë natyrorë dhe njerëzorë të cilët ndikuan te vërshimet e fundit.

“Ka shumë faktorë njerëzorë që i kanë shkaktuar vërshimet e fundit, si ndërtimet te mbledhësit e kanalizimit, ndryshimet në shtretër të lumenjve dhe shpërfillja e historisë së vërshimeve. Gjithashtu po ngriten ndërtesa pa planifikim urban përgjatë gjithë vendit”, tha ai, duke shtuar se vërshimet e fundit ishin fenomen i rrallë natyror, meqë pati reshje të pandalshme për 24 orë.

Rajoni në rrezik

Ndonëse Shqipëria është vendi më i ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore në Evropë, vërshimet nuk janë vetëm pjesë e historisë shqiptare. Prej 13 deri më 18 maj të vitit 2014, një ciklon shkaktoi vërshime të mëdha në një zonë të madhe të Europës juglindore. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina pësuan më së shumti nga dëmet. Ishin reshjet më të mëdha në 120 vitet e fundit.

62 njerëz vdiqën më 20 maj, ndërsa qindra e mijëra të tjerë u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre.

Vërshimet shkaktuan mbi 2,000 raste të rrëshqitjes së dheut nëpër Ballkan, duke shkaktuar dëme nëpër qyteza dhe fshatra, kryesisht në Serbi dhe Bosnjë. Disa e ngritën nivelin e ujit dhe i vërshuan zonat rrethuese. Rreth 1.6 milion qytetarë të Serbisë dhe Bosnjës u prekën nga kjo javë e emergjencës.

Vit pas viti, Ballkani goditet prej fatkeqësive të ndryshme natyrore. Shtrohet pyetja: pse? Në rastin e Shqipërisë, një prej pyetjeve që kërkon përgjigje është pse ky vend rrezikohet më shumë se shtetet fqinje si Maqedonia, Mali i Zi, Kosova apo Greqia?

Për fund, pyetja më e rëndësishme është: çfarë po bëjmë gabimisht me natyrën? Nëse nuk gjejmë përgjigjë për këtë pyetje, vetëm do të mbesim duke menduar se kur do të hakmerret natyra përsëri.

Foto kryesore: Wojtek Porada.