Në thelb | E drejta autoriale

Për autorin, apo për të gjithë?

Nga - 22.05.2017

Pretendimet për të drejtën mbi pronën intelektuale ndanë aktivistë dhe shtetin.

Ligji për të drejtat e autorit në Kosovë ndalon përdorimin e veprave pa lejen e autorit të tyre – duke e cilësuar shkeljen e kësaj të drejte madje vepër penale. Me qëllim që të luftojë keqpërdorimet e materialeve që mbrohen me anën e kësaj të drejte, Kosova ka themeluar edhe Task-forcën kundër piratërisë në janar të 2013-ës (e përbërë nga Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Inspektorati i Tregut , Agjencia mbi Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuara). Në diskutimet publike, rreth të drejtës së autorit, është potencuar vazhdimisht se ligji që mbron këtë të drejtë nuk zbatohet  në Kosovë dhe për pasojë po krijohen probleme në fushën e krijimtarisë.  

Megjithatë, tash e disa vite është evidente tendenca e re globale për të diskutuar dhe sfiduar edhe më tej të drejtat e autorit, në emër të shpërndarjes sa më e gjerë të materialeve me përmbajtje intelektuale, dhe e gjithë kjo duke u thirrur në të drejtën për qasje në dije, apo ‘demokratizimit’ të dijes.     

Rasti i Peter Sunde (me të cilin K2.0 ka realizuar para disa viteve një intervistë), Gotfrid Swartholm dhe Frederik Neij nga Suedia, të cilët krijuan një uebfaqe për shkarkimin e filmave të industrive të ndryshme botërore filmike, ku mundësohej qasja në filma pa pasur nevojë për pagesë, hapi një debat në vendet europiane rreth të drejtave të autorit dhe pronësisë intelektuale. E gjithë kjo krijoi një precedentë të ri, ku veprat artistike që mbroheshin me ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtave të përafërta të rrezikoheshin si kurrë më parë. Mënyra se si funksiononte faqja elektronike – ku filmat ngarkoheshin nga gjithë ata që i zotëronin – bëri të vështirë shuarjen e kësaj veprimtarie.                        

Në fund, në një proces gjyqësor në Suedi gjatë viteve 2008-2009,dhe nën protesta nëpër disa qytete europiane për mbrojtjen e uebfaqes, tre suedezët ‘piratë’ u dënuan nga gjykata në bazë të një padie të ngritur nga disa studio të fuqishme filmike hollivudiane, që pretendonin se i’u është shkaktuar dëm prej miliona dollarësh.

Por, dënimi nuk e ndali punën e uebfaqes, e cila vazhdoi të jetë aktive dhe të shpërndaj filma nëpër gjithë botën. Arsyetimi i këtij grupi që njihej edhe si “The Pirat Bay Away From Keybord’’, thirrej në të ‘‘drejtën demokratike’’ për qasje në veprat artistike, shkencore etj, dhe interneti shihej si fusha që kishte mundësuar një triumf të kësaj të drejte që mungonte tash e sa vite; dhe si e tillë, duhej të shfrytëzohej deri në maksimum.  

‘Demokratizimi’ i dijes në Kosovë

Uebfaqja Shfletuesi.com, e themeluar në maj 2015 ishte një iniciativë brenda së cilës gjendeshin qindra libra në gjuhën shqipe, të cilat ishin skanuar dhe të cilat lexuesit kishin mundësi të i shkarkojnë falas. Tek Shfletuesi.com gjendeshin libra nga fusha e letërsisë, filozofisë, sociologjisë, psikologjisë, historisë, ekonomisë, publicistikës etj. Gjithashtu, kjo faqe elektronike kishte llogari edhe në Facebook, që mundësonte një shpërndarje më të lehtë rreth informatave të librave të ri që ofroheshin, duke numëruar mbi 5 mijë anëtarë. Gjithsecili kishte mundësinë që të ofronte libra (në formë elektronike) dhe kështu mundësohej të krijohej një rrjet më i gjerë i shpërndarjes dhe qasjes në libra.

Gjendja ekonomike në vend, dhe pamundësia e shumë dashamirëve të librave (sidomos studentët dhe të rinjtë), si pasojë e kushteve ekonomike, për të blerë libra ishte arsyeja pse u krijua Shfletuesi.com.

Por, faqja në fjalë ishte mbyllur në Janar 2016 pas një kohe të shkurtër të veprimit dhe nuk ishte e qartë pse kishte ndodhur kjo.

K2.0 kontaktoi përmes Facebook-ut me administratorët e Shfletuesit duke pyetur rreth funksionimit të faqes dhe mbylljes së saj. Përmes një përgjgije të shkruar, Shfletuesi ka shpjeguar se gjithë nisma e tyre kishte të bëjë me gjendjen ekonomike në vend, dhe pamundësinë e shumë dashamirëve të librave (sidomos studentët dhe të rinjtë) si pasojë e kushteve ekonomike, për të blerë libra. Më tej, Shfletuesi ka treguar se inspirimi i tyre ka ardhur nga faqet ndërkombëtare të formatit të njëjtë që nuk e kishin marrë madje fare parasysh matricën ekonomike, për të zhvilluar veprimtarinë e tyre.                                                                       

Mbrapa kësaj faqeje qëndronin katër studentë; tre administrator dhe një dizajnues i uebit. Shumica e librave që janë plasuar tek faqja kanë qenë librat e tyre, të cilat i kanë shndërruar në versionin PDF dhe pastaj i kanë shpërndarë. Duke qenë të vetëdijshëm se aktiviteti i tyre bie ndesh me ligjin dhe se qysh prej funksionimit të faqes kanë marrë kërcënime për padi nga shtëpitë botuese dhe persona tjerë juridik, ata ishin të vetëdijshëm se organet e rendit do reagojnë kundrejt tyre shumë shpejt.    

Përveç kësaj edhe mirëmbajtja e faqes për nga aspekti financiar ishte jo i përballueshëm për katër studentët, shtoja këtu edhe kohën që shpenzohej duke u marrë me uebin. Duke u gjendur para kërcënimeve të ligjit, kostos së kushtueshme dhe kohës së limituar, ata vendosën që ta mbyllin uebin, por në prononcimin për K2.0, thonë se kjo mbyllje do jetë vetëm përkohësisht, sepse së shpejti do kthehen me aktivitetin e tyre.              

As kinematografia nuk mbeti e paprekur nga shpërndarja e paautorizuar e materialeve të saj. Ekzistojnë një numër i madh i faqeve që tash e disa vite ofrojnë filma me përkthim  në gjuhën shqipe, e ku madje premierat e filmave botorë janë të gatshëm në një periudhë të shkurtë kohore dhe atë me kualitet HD, për shkarkim. Numri i filmave në këto faqe është me mijëra; vetëm Filma24.tv ka mbi 2,500 filma të përkthyer në gjuhën shqipe. Në llogarinë e tyre të parë në Facebook  (para se  ajo të mbyllej nga vet Facebook ) numëronin mbi 150,000 anëtarë. Tash kanë hapur përsëri një llogari në rrjetin social ku numërojnë mbi 22,000 anëtarë.        

Mirëmbajtësit e kësaj faqe i thanë K2.0 se aktiviteti i tyre nuk siguron të ardhura. ‘‘Me faqe [të tilla] me konsumator të tregut shqiptar, nuk mund të përfitosh para’’, u përgjigjën ata. Ekzistencën e aktivitetit të tyre e lidhin me pasionin e tyre për kinematografinë dhe mënyra se si mbijeton faqja është falë kontributit të njerëzve, të cilët përkthejnë falas filmat ndërsa ata vetëm i shpërndajnë.

Materialet filmike i sigurojnë nga faqet ndërkombëtare që merren me këtë veprimtari dhe ata vetëm i përkthejnë dhe i grumbullojnë në uebfaqen e tyre.

Lufta kundër piratërisë dhe pro ‘‘demokratizimit’’ të dijes

Në Kosovë ka mendime të ndara sa i përket të drejtës së autorit dhe ‘demokratizimit’ të dijës. Përderisa përfaqësuesit e institucioneve kanë marrë për obligim që të mbrojnë të drejtën e autorit, sipas ligjit, aktivistë të shoqërisë civile luftojnë pro demokratizimit të dijës, duke e kundërshtuar madje edhe vetë ligjin për të dejtën e autorit, pikërisht për shkak të gjendjes socio-ekonomike që sipas tyre po përjashton nga qasja në dije një numër të madh të njerëzve.

"Ata që bartin të drejtat e autorit në një farë forme ose tjetrën ia mohojnë lexuesve qasjen në libër, pa pagesë, kundrejt çmimit që ata vet caktojnë duke mos llogaritur fare nëse ai çmim është i përballueshëm për tregun vendor".

Fitim Salihu

Fitim Salihu, aktivisti i Klubit Politik të Studentëve që vepron brenda Universitetit të Prishtinës, është i mendimit se e drejta e autorit bie ndesh me ‘demokratizimin’ e dijes sepse ndalon shumëfishimin dhe shpërndarjen e dijes tek një numër sa më i madh i njerëzve. Ai merr shembullin e librave dhe thotë se ata që bartin të drejtat e autorit në një farë forme ose tjetrën ia mohojnë qasjen në libër, pa pagesë, kundrejt çmimit që ata vet caktojnë duke mos llogaritur fare nëse ai çmim është i përballueshëm për tregun vendor.

Duke folur më tej për termin ‘demokratizim’ i dijes, Salihu shpjegon se vet fjala “demokraci” do të thotë që e gjithë popullsia me pas qasje në vendimmarrje. “Tek demokratizimi i dijes, kjo nënkupton që e gjithë popullsia të ketë qasje në dije’’, tha ai.

Fitim Salihu, aktivist i Klubit Politik të Studentëve thotë se demokratizimi i dijës në Kosovë është i nevojshëm për shkak të rrethanave socio-ekonomike në vend. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Por, Valon Kashtanjeva, që e udhëheq zyrën për të Drejtat e Autorit dhe Drejtave të Përafërta në Minstrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë (MKRS) qëndron prapa zotimit institucional se piratëria pengon zhvillimin kulturor në vend, si dhe ligji që merret me rregullimin e kësaj dukurie është i bazuar në ligjet ndërkombëtare që kanë shoshitur mirë problematikat që vijnë pas aplikimit të një ligji të tillë.

Kashtanjeva tha për K2.0 se vendosmëria e institucioneve vendore për ta luftuar piratërinë është e dëshmuar tashmë, edhe me krijimin e Task-Forcës kundër Piratërisë, e cila ka pasur rezultate të konsiderueshme.

Deri në vitin 2015, kjo Task-Forcë ka konfiskuar mbi 40,000 materiale pirate, kryesisht CD me përmbajtje muzikore dhe filmike, por, edhe kopje të librave. Por që në dy vitet e fundit, materialet e konfiskuara tregojnë një rënien drastike (në vitin 2016 janë konfiskuar afër 3,000 materiale të tilla) duke dhënë, sipas Kashtanjevës, indicie se situata në teren është duke u përmirësuar. 

Valon Kashtanjeva, udhëheqës zyrën për të drejtat e autorit në MKRS, thotë se krijuesit duhet të kompensohen për punën e tyre, ndryshe do ndalin krijimtarinë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

E gjithë kjo sipas Kashtanjevës ka të bëj me rregullimin e tregut në vend dhe përshtatjes së ligjeve të Kosovës me ato të Bashkimit Europian (BE). E prej kësaj, sipsas tij, përfiton edhe krijimtaria intelektuale e artistike në vend.                                   

‘‘E drejta e autorit mbrohet me qëllim që të nxitet krijimtaria letrare e artistike dhe të ofrohet kompensim për autorët’’, thotë ai.                           

Anën tjetër Kashtanjeva ka shpjeguar se ligji i Kosovës për mbrojtjen e të drejtës së autorit ka qenë edhe një prej kushteve ligjore që është dashur të plotësohej me direktiva të BE-së dhe si i tillë juridikisht qëndron në përputhje me ligjet e BE-së.

Pikërisht kjo sipas Salihut nga Klubi Politik shkakton një situatë të përsëritur, ku gabimi bëhet qysh në fillim, kur ligjet merren si shabllon prej vendeve të BE-së, pa i kontekstualizuar me rrethanat specifike socio-ekonomike që i ka Kosova. Sidomos, tek ligji për të drejtën autoriale, që sipas tij, nuk e merr aspak parasysh gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend dhe kjo e bënë ligj diskriminues. Diskutimi ndërkaq, për të drejtën e autorit mbi atë të demokratiizmit të dijës, sipas Salihut duhet të bëhet në një kahje tjetër më përmbajtësore, sepse të diskutohet në rafshin ligjor kjo qon në ngushtim të debatit.

“Do duhej diskutohej duke adresuar problemin në aspektin përmbajtjesor; se a është parimisht e drejtë që një person qoftë fizik apo juridik të mbajë peng dijen ndaj masave të gjera”, tha ai.

Salihu beson se aplikimi i një ligji të tillë na qon drejt një rreziku të madh, siç është rreziku që në shekullin 21 të lë një pjesë të madhe të njerëzve jashtë dijes. Sipas tij me anë të këtyre të drejtave të autorit krijohet një monopolizim i dijes dhe rezervim i saj për persona të caktuar, që në këtë rast janë ata persona që kanë para.   

Edhe Kashtanjeva mendon se qasja në dije është e rëndësishme porse sipas tij duhet të kuptohet që qasja në dije është e kufizuar prej të drejtës së autorit dhe kjo për të vetmen arsye që personat që i krijojnë ato vepra duhet të kompensohen. “Nëse këta krijues nuk kompensohen financiarisht askush nuk mund të sigurojë se ata edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të merrem me krijimtari të tillë’’, tha ai.

Por për t’u arritur kjo, Salihu mendon se shteti duhet të krijojë kushtet për studentët dhe të rinjtë, që të kenë më shumë mundësi për qasje në dije, duke investuar në biblioteka dhe duke subvencionuar shtëpi botuese.  

Nevoja për të cilat është e vetëdijshme edhe MKRS. Porse, jo gjithçka sipas Kashtanjevës varet nga qeveria në këtë situatë.

“Nuk mund të kërkojmë nga një autor që librin e tij ta jep falas”, tha ai. “Kjo do t’i binte sikurse një personi që ka një banesë të lirë, t’i themi ta lëshoj atë për banim sepse ka shumë njerëz që nuk e kanë të siguruar banimin dhe kjo të bëhet pa kurrfarë kompensimi. E drejta e banimit është shumë e rëndësishme, sikurse e drejta për qasje në dije, por ne, duhet ta kemi parasysh se edhe e drejta e pronës është e drejtë kushtetuese”.     

Në atë që mund të cilësohet edhe si luftë për vendosje të prioriteteve në politikat publike, tek Salihu, shpërndarja e materialeve me përmbajtje intelektuale duhet të kuptohet edhe si luftë kundër analfabetizmit.

“Nëse para disa dekadave iu ishte shpallur luftë analfabetizmit, sot duhet ta kemi të qartë se koncepti i analfabetizmit ka ndryshuar’’, thotë ai. ‘‘Sot përdoret koncepti i ri analfabetizmit; mund të dish shkrim e lexim, por nëse mbet vetëm me këto tipare, ti llogaritësh analfabet’’.

Të gjithë këtë ai e lidh me evoluimin e rrethanave jetësore, sa që dinamika e jetës, e profesionit kërkohet qasje më e madhe dhe e vazhdueshme në dije të reja.

Gjithashtu, brenda ligjit për të drejtën e autorit ai sheh edhe kontradikta, duke e sjellë në vëmendje një hulumtim të studiueses dhe ekonomiste Mariana Mazzukato, dhe e cila vë në pah se 85 prej zbulimeve të mëdha të shekullit 20 ishin bërë brenda institucioneve publike, por që më pas këto ishin patentuar dhe prej tyre kishin përfituar individ ose korporata të caktuara.K

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO