Biseda | BE

Francis Fukuyama: Bashkimi Evropian e ka prekur fundin

Nga - 11.07.2017

Teoricieni i ekonomisë dhe politologu flet me K2.0 për rivalitetin e forcave të jashtme në Ballkan, për hyrjen në BE dhe për fuqinë e kapitalizmit.

Teoricieni amerikan i ekonomisë dhe politologu Francis Fukuyama që në vitin 1989 e kishte shpallur “fundin e historisë” në librin e tij me po këtë titull. Fukuyama atëbotë kishte shkruar me plot guxim se betejat ideologjike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit kishin marrë fund, dhe se demokracia liberale perëndimore kishte fituar.

Me shembjen e Murit të Berlinit dhe me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, dukej se Fukuyama kishte të drejtë, dhe shumë shpejt ai u shndërrua në një yll të shkencave politike.

Fotografia: Imrana Kapetanovic.

Studenti i dikurshëm i Alan Bloom-it, bashkëpunëtor i ngushtë i Lee Strauss-it, Fukuyama ishte pjesë e dy pushteteve republikane: të Ronald Reagan-it dhe George Bush-it plak. Pasi kishte punuar për think tank-un konservativ Rand Corporation, Fukuyama nisi t’i ligjëronte mësimet e tij ekonomike në Universitetin Stanford, ku edhe sot është profesor i rregullt. Fukuyama u distancua nga mendimi neokonservativ pas luftës në Irak, duke e konsideruar atë si gabim absolut të politikës së jashtme amerikane.

Puna e Fukuyamës mori edhe kritika edhe lëvdata. John Gray në kohën e tij e kishte quajtur Fukuyamën “filozof pallati të kapitalizmit global”. Në krahun e majtë, edhe Alan Badiou edhe Seumas Milne, për ironi, i kishin titulluar librat e tyre (“Rilindja e Historisë” dhe “Hakmarrja e Historisë”) sipas veprës më të shquar të Fukuyamës, por edhe më të kritikuar.

Fotografia: Imrana Kapetanovic.

Me Francis Fukuyama-n kemi biseduar gjatë vizitës së tij të shkurtë në Sarajevë për atë se a jetojmë në një epokë post-historike, a ekziston ndonjë sistem pos kapitalizmit, si të tejkalohen telashet tranzicionale të cilat me dekada po i përjetojmë në regjion, dhe çka të presim nga hyrja në Bashkimin Evropian.

Aktualisht jeni në Bosnje e Hercegovinë, në shtetin i cili po kalon nëpër procesin e tranzicionit; BeH ka qenë pjesë e shtetit socialist gjatë viteve të nëntëdhjeta, në kohën kur ka dalur edhe libri juaj. Ai shtet, Jugosllavia, dalëngadalë u shpërbë, dhe BeH është një prej shteteve që ka dalur nga ajo shpërbërje. Jemi dëshmitarë të një epoke shumë problematike të historisë sonë, e cila po zhvillohet tash e 25 vjet, dhe duket se ky tranzicion nuk ka fund.

Po, mendoj se ky është një regjion në të cilin nacionalizmi dhe politikat e identitetit janë posaçërisht ngjitëse. Për fat të keq, llojet e institucioneve politike të cilat janë krijuar për t’i dhënë fund konfliktit të viteve të nëntëdhjeta janë betonuar me politikat e tilla.  Mendoj se pikërisht për këtë arsye ky regjion thuajse nuk ka lëvizur vendit. Problemi i dytë është që “forcat e jashtme” i kanë interesat e tyre këtu – BE-ja, SHBA-ja, Rusia – dhe rivalitetet e tyre ndihen në këtë regjion. Mendoj se kjo nuk i ndihmon stabilitetit të regjionit.

Si të vihen gjërat përsëri në lëvizje?

Paj… Kjo nuk është pyetje e lehtë. Mendoj se përfundimisht nuk i zgjidhni çështjet e korrupsionit sistematik, kapjes së shtetit, identitetit nacional pa pjesëmarrjen e elitave në ato shoqëri, të cilat duhet ta marrin kontrollin mbi situatën dhe t’u japin formë gjërave.  Një prej problemeve, sidomos në BeH, është se njerëzit nuk ndihen se e kontrollojnë fatin e tyre. Për shkak të rëndësisë së akterëve të jashtëm, ata ndihen thuajse fati qëndiset për ta, se nuk kanë fuqi të bëjnë asgjë. Mendoj se, përderisa një qëndrim i tillë nuk ndryshohet, do të jetë njëmend zor të krijohet një shtet modern i cili nuk bazohet në etnicitet apo nacionalizëm.

Keni akterë të jashtëm, dhe pastaj janë edhe ata që, siç i quani ju, “revolveristët në BMW-të e tyre”, por që “revolveristët” e tillë nuk e kanë kapitalit, pra, nuk janë personat që veprojnë në treg, por janë politikanë. A është ky një skenar i pazakontë për shoqëritë tranzicionale?

Kjo nuk është situatë e pazakontë historike. Mendoj se shumë regjime përgjatë historisë në thelb ishin elita të cilat kishin arritur marrëveshje të ndërjellë për rrëmbimin e pushtetit brenda shtetit, dhe pastaj e shfrytëzojnë atë për të nxjerrë resurse për vete. Stabiliteti është prezent sepse ata kanë marrëveshje brenda së cilës i ndajnë resurset, derisa pjesa tjetër e shoqërisë është e përjashtuar. Historikisht, një regjim i tillë mund të sigurojë stabilitet përfundimtar, por nuk është legjitim në fund, sepse fuqia është e përthekuar brenda një qarku shumë të vogël të elitave.

Mendoj se janë pikërisht presionet e modernizimit ato që i kanë nxitur shtetet tjera të zhvillojnë institucione të njëmendta demokratike dhe përfshirëse.

Andaj, mendoj se janë pikërisht presionet e modernizimit ato që i kanë nxitur shtetet tjera të zhvillojnë institucione të njëmendta demokratike dhe përfshirëse. Mendoj se gjithmonë ka ekzistuar shpresa se një proces i tillë do të ndodhë edhe këtu.

Aktualisht këtu kemi – të paktën shumica e ka këtë përshtypje –  turbokapitalizëm, i cili i ka kapluar të gjitha sferat ekonomike në vend. Si të kalohet rruga e të vihet deri te stabiliteti, të themi, deri te sistemi kapitalist, apo – a është kapitalizmi vërtet zgjidhje për shtete-lojtarë të vëgjël ekonomikë?

Pikësëpari, aty nuk ka zgjedhje. Nuk ka sistem tjetër ekonomik pos kapitalizmit. Pyetja është se a është ai i hapur apo i mbyllur.

Mendoj se llojet e sistemeve që i keni në Ballkan, me të cilat dominojnë shtetet, ku shteti është punëdhënësi kryesor, nuk janë njëmend konkurruese, nuk përpiqen të integrohen në tregun më të madh kapitalist. Konsideroj se premtimi për anëtarësim në BE bëhet pikërisht që këto ekonomi të hapen dhe të ballafaqohen me konkurrencën e njëmendtë. Në këtë mënyrë vërtet do t’u duhej të modernizoheshin, e atëherë nuk mund të vareni nga shteti për mbështetje të vazhdueshme, njerëzit nuk mund të varen nga shteti për t’u punësuar. Nëse kjo ndodh, atëherë mendoj se kapitalizmi në fakt i ndihmon demokracisë, rregullimit më të hapur e më liberal.

Fotografia: Imrana Kapetanovic.

Por kapitalizmi nuk është e njëjta gjë si meritokracia?

Por, kapitalizmi… Dua të them, nëse keni sistem vërtet konkurrent, ai imponon një lloj të meritokracisë. T’u japësh punë vetëm miqve funksionon nëse jetoni në një treg të mbyllur pa ndërmarrje efikase të cilat garojnë me ju. Por, në momentin që vërtet ju duhet të garoni në baza të barabarta, dëshmohet se duhet të punësoni drejtues kompetentë, se nuk mund ta shfrytëzoni vetëm nepotizmin si… resurs.

A mendoni se ekziston një shtet i tillë i cili përfaqëson një kapitalizëm të tillë sot, në vitin 2017?

Këtë lloj kapitalizmi e përfaqëson Bashkimi Evropian. Krejt ideja është se ato janë shtete të cilat ekzistojnë në terren të barabartë me rregulla të përbashkëta të tregtimit ekonomik. Në thelb, bërthama e BE-së është konkurrueshmëria. Ka gjëra që ato i bëjnë, të cilat e kufizojnë atë konkurrueshmëri, mirëpo parimi është tregu i hapur.

BeH është shtet i cili përpiqet të hyjë në BE, siç e dini. Ngadalë por sigurtë po shkojmë drejt kësaj, do të thosha, si shtetet tjera të rajonit të cilat aktualisht nuk janë anëtare. Por ajo që më intereson është se, sipas këndvështrimit tuaj, në çfarë BE-je dëshirojmë të hymë ne? A është ky Bashkimi Evropian i njëjtë siç ka qenë para 20, 25 vitesh? Si do të ndikojë mbi ne ajo hyrje potenciale në BE në vitet në vijim?

Po, duket qartë se BE-ja po kalon nëpër një krizë e cila ka filluar me krizën e borxhit të Greqisë, dhe pastaj me krizën e refugjatëve, pastaj me Brexit.  Mendoj se ajo periudhë sigurisht ka përfunduar dhe se BE-ja ka prekur njëfarë fundi, dhe se ka nisur të rimëkëmbet me zgjedhjet ne Holandë dhe në Francë ku, sipas meje, humbësit kanë lëshuar pe, dhe ai kërcënim nuk ekziston më.

 

Fotografia: Imrana Kapetanovic.

Edhe në Britaninë e Madhe, madje, duket se votuesit britanikë kanë pasur dyshime se a dëshirojnë vërtet të largohen nga BE-ja. Nuk është e qartë nëse ekziston konsensus për dalje nga Bashkimi Evropian. Prandaj, mendoj se me një dozë të caktuar lidershipi të Francës dhe Gjermanisë, Bashkimi Evropian mund t’i kthehet idesë së projektit afatgjatë, me kusht që t’i zgjidhin problemet e mëdha. Duhet të vendosin se a do të shkojnë përpara, apo të bëjnë një hap mbrapa, sepse tani janë në njëfarë pozite të mesme. Mirëpo, mendoj se do të mbeten simbol i pushtetit modern, se pushteti ekziston jo për t’i pasuruar ata që janë në pushtet, por që vërtet t’i shërbejë interesit të gjerë publik.

E përmendët krizën greke. Disa prej shteteve anëtare, e të cilat kanë qenë pjesë e Bllokut Lindor, gjithashtu kanë pasur probleme për t’iu përshtatur kërkesave të tregut evropian. A kanë shtetet e vogla vërtet shans të ballafaqohen me ekonomi kaq të mëdha, si ajo e Gjermanisë apo Francës?

Në aspektin ekonomik, gjithmonë do të ekzistojë mundësia konkurruese edhe për shtetin më të vogël të mundshëm. Problemi, ma merr mendja, qëndron te institucionet. Mendoj se procesi i anëtarësimit, ku BE-ja thotë, mirë, mund të hyni vetëm nëse i plotësoni kriteret në vijim, është pikërisht ai i cili paraqet shtytje për reformën institucionale.

Politikat e brendshme të BE-së shpesh nënkuptojnë që shtet udhëheqëse nuk u kushtojnë vëmendje, apo vërtet nuk kanë energji politike t'i disiplinojnë anëtarët të cilët nuk luajnë sipas rregullave.

Problemi në BE është se, në momentin që hyni, më nuk ka mekanizma disiplinimi. Kësisoji, mund të filloni të rrëshqitni mbrapa drejt korrupsionit, apo drejt sundimit të plogësht të ligjit. BE-ja nuk mund të bëjë shumë në lidhje me këtë çështje. Më saktësisht, politikat e brendshme të BE-së shpesh nënkuptojnë që shtetet udhëheqëse nuk u kushtojnë vëmendje, apo vërtet nuk kanë energji politike t’i disiplinojnë anëtarët të cilët nuk luajnë sipas rregullave. Greqia njëmend ka qenë shembulli i parë i kësaj. Por mendoj se edhe disa anëtare tjera të reja kanë probleme shumë të ngjashme.

Shumë thonë se Kroacia në thelb ka qenë më e mira, pra, ka kaluar nëpër një epokë të artë në procesin e hyrjes në Bashkimin Evropian.

E vërtetë. Kjo është për shkak të qëllimit pozitiv dhe nxitjes për avansimin e politikës së tyre. Por, në momentin që hyni, mund të rehatoheni dhe t’u ktheheni zakoneve të vjetra të këqija.

Kanë kaluar gati 20 vjet qëkur e keni shpallur “fundin e historisë” të themi ashtu. A i ka ardhur vërtet fundi historisë? A jetojmë në një epokë post-historike, apo historia është kthyer të na përndjekë?

E po, pikësëpari, koncepti i “fundit të historisë” ka qenë ide marksiste sipas së cilës historia është progresive, ku ekziston një varg llojesh të ndryshme të shoqërive, nga ato agrare deri te ato feudale dhe industriale, dhe Marksi ka thënë se në fund të atij procesi është komunizmi. Argumenti im në vitin 1989 ka qenë se nuk do të arrijmë atje. Se fundi i historisë më shumë i ngjan asaj që marksistët e quajnë demokraci borgjeze. Dhe mendoj se kjo ende qëndron.

Ende mendoj se ajo është formë më e lartë e organizimit shoqëror që ekziston. Por, mendoj se mirëmbajtja e modelit të demokracisë liberale në fakt është punë mjaft e vështirë. Ka pasur regres në dhjetë vitet e fundit me shtetet autoritare, sidomos tani me regjime populliste dhe nacionaliste të cilat e kanë vetëm një pjesë të formulës: janë demokratike, apo e dëshirojnë legjitimitetin demokratik përmes zgjedhjeve, por nuk janë liberale, nuk e mirëmbajnë sundimin e ligjit. Nuk e mirëmbajnë sistemin e kontrollit dhe të barazpeshës. Mendoj se kjo paraqet kërcënim në të cilin gjendemi tani.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është mbajtë në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Imrana Kapetanovic.