S`fundmi | Politika

Gjykata franceze refuzon ta ekstradojë Ramush Haradinajn në Serbi

Nga - 27.04.2017

Ish komandati i UÇK-së është i lirë të kthehet në Kosovë.

Gati katër muaj pasi u arrestua në Francë në bazë të urdhërarestit të Interpolit për krime lufte të lëshuar nga Beogradi, një gjkatë në verilindje të Francës vendosi sot në mëngjes që ta mos ekstradojë atë në Serbi.

Ish komandantit të UÇK-së dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i ishte ndaluar ta lëshojë Francën qëkur u ndalua kur hyri në aerportin e Bazelit më 4 janar të këtij viti. Sipas mediave të cilat kanë raportuar drejtpërdrejt nga seancat dëgjimore në Francë, Haradinaj po akuzohej për vrasje të romëve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Përkundër kërkesës së Serbisë për ta dorëzuar Haradinajn për t’u gjykuar në Beograd, gjykata franceze vendosi ta lirojë atë. Ish Kryeministri u tha reporterëve në Francë se ai po shpresonte të kthehej në Kosovë sot pasdite.

Pas shpalljes së këtij vendimi në kryeqytetin e Kosovës jehuan fishekzjarret.

Presidenti Hashim Thaçi shkroi në faqen e tij në Facebook se vendimi për lirimin e Haradinajt ishte lajm i mirë për familjen e Haradinajt, për bashkëpunëtorët e tij si dhe për krejt Kosovën. “Edhe njëherë u dëshmua se shpifjet nga ana e shërbimeve sekrete serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk respektohen nga bota demokratike”.

Ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, reagoi menjëherë me një deklaratë në Facebook, duke e përshëndetur vendimin për lirimin e Haradinajt. “Lajme të mrekullueshme sot në mëngjes”, shkroi ai. “Më në fund, gjykata në Colmar ka vërtetuar atë që ne në Kosovë e kemi pasur të qartë që nga fillimi se Ramush Haradinaj është i pafajshëm dhe duhet të lirohet për t’iu bashkuar familijes dhe krejt qytetarëve të Kosovës. I shprehim mirënjohje shtetit të Francës dhe diplomatëve kosovarë për angazhimin e tyre. Urime!”

Kjo gjykatë dy herë e ka shtyrë vendimin për ekstradimin e Haradinajt, duke thënë se i duhet më shumë kohë për t’i shqyrtuar të gjitha provat.

Tetë ditë pas arrestimit në janar, një prej avokatëve të Haradinajt, Arianit Koci, i shpjegoi Telegrafit se Serbia ka dorëzuar prova shtesë për kërkesën për ekstradimit të cilat duhet të shqyrtohet. Por vetë Haradinaj ë fundi i hodhi poshtë pretendimet se Serbia kishte prova të reja kundër tij. Gjatë një interviste televizive të zhvilluar të marten (25 prill), dy ditë para vendimit të gjykatës, Haradinaj tha se Serbia nuk kishte dorëzuar asgjë të re, përveç provave që tashmë janë shqyrtuar dhe janë konsideruar si jorelevante nga një gjykatë ndërkombëtare.

Haradinaj u gjykua dy herë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi në Hagë, pasi që Serbia bëri 108 ankesa penale kundër tij dhe kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së nën komandën e tij, kryesisht në lidhje me akuzat për terrorizëm, krime lufte dhe vrasje të civilëve në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Ai u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat në vitin 2012.

Në bazë të raporteve të mediave në lidhje me arrestimin e tij të fundit, Haradinaj po udhëtonte në Francë me një pasaportë diplomatike. Kjo është hera e dytë që Haradinaj arrestohet në bazë të urdhërarrestit të Interpolit të vitit 2004, pasi u ndalua në Slloveni në vitin 2015; në atë rast, ai u mbajt për dy ditë para se të lirohej.

Arrestimi i tij në Francë në janar të këtij viti u përcoll me reagime dhe apele të ndryshme si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, me kritika se ky urdhërarrest ishte kryekëput i motivuar politikisht.  Haradinaj kishte udhëtuar në Francë në vitin 2016 gjatë Kampionatit Europian të Futbollit, dhe nuk u ndalua.

Kritikët gjithashtu vënë në pah deklaratën e zëdhënëses së Shefes së BE-së, Maja Kociançiq, e cila kërkonte që rasti i Haradinajt të zgjidhej përmes komunikimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke bërë me dije se kjo çështje është e motivuar politikisht dhe nuk është veç çështje gjyqësore.

Rasti i Haradinajt shkaktoi një sërë reagimesh. Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë të jashtëzakonshme në muajin mars, dhe miratoi një rezolutë me të cilën ndërpritej dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në shenjë proteste ndaj urdhërarresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia ndaj Haradinajt, si dhe për shkak të kërkesës së Serbisë për ta gjykuar atë për krime lufte në Beograd.

Në Kosovë u mbajtën disa protesta gjithashtu, duke përfshirë edhe protesta përpara ambasadave franceze nga pjesëtarët e diasporës në disa vende europiane si dhe në SHBA.

Përkundër përfshirjes së dy palëve në dialoguën e ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011 me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vetëm sa janë shtuar pas zhvillimeve në lidhje me Haradinajn. Ka një muaj që kur dialogu u ndërpre dhe duke marrë parasysh atmosferën e paszgjedhjeve në Serbi si dhe treguesit e qartë se edhe Kosova po përgatitet për zgjedhjet e hershme, gjasat janë të vogla që ai të vazhdojë në një të ardhme të afërt.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0