Pikëpamje | Media

Gazetari turk: Ditët e mija në burg pas puçit

Nga - 04.10.2016

Si mbrojtës i shquar i lirive të shtypit, autoritetet u munduan që të më paraqesin si "terrorist" gjatë përpjekjes së tyre për t'i shtypur mediat.

“Bir kurve! Bastard, tradhtar!” “I pandershëm! Tradhtar pra ti a? Duhet me t’rrehë…” “Mbylle gojën!” “Bir kurve! Do të paguash për këtë!”

Të shara kaq dashamirëse, por jo edhe shumë origjinale, mund të përkasin në një zënkë të adoleshentëve apo huliganëve të dehur gjatë një ndeshjeje sportive. Por në fakt këto mesazhe të urrejtjes janë postime në Facebook kundër një gazetari (gjegjësisht, kundër meje – çkemi!) pas arrestimit të tij. Po ju kursej nga postimet ku shprehnin dëshirë për të kryer marrëdhënie me nënën time, si dhe fantazi tjera për mua.

Si gazetar, jam bërë i njohur për qasjen time kritike gjatë karierës sime 19 vjeçare. Këto mesazhe erdhën pas arrestimit tim për akuza të mbështetjes së përpjekjes për puç me 15 korrik, një prej netve më të tmerrshme që i ka përjetuar Turqia. Dhjetë ditë pas puçit, valët e arrestimeve i kapluan edhe gazetarët. Të gjithë ata që punuan në gazeta që kishin lidhje me Fethullah Gulen, liderin e vëllazërisë Hitzmet – që doli se ishin organizatorët e asaj nate të përgjakshme – u arrestuan gradualisht. Dhe gazetat, kanalet televizive, e uebfaqet që e mbështetën Gulenin – që banon në Shtetet e Bashkuara – janë mbyllur.

Mbështetësit e Gulen, që deri para disa viteve i kishin punët mirë me Partinë e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP, në krye të Turqisë për 14 vite) dhe ishin të mirëpritur në rradhët e forcave të sigurisë dhe në sistem të drejtësisë, pas përpjekjes për puç, u shpallën terrorista – sigurisht, bashkë me gazetarët që punuan në ato qarqe…

Faqja e parë e një gazete pro-qeveritare e shfaqi një fotografi të timën me fjalët I KëRKUAR të printuara mbi të...

 

Pas përpjekjes për puç, tensioni që kishte nisur para tri viteve pas shpërbëries së koalicionit joformal në mes të Erdogan dhe Gulen u shndërrua në persekutim. Burgjet janë mbushur me njerëz që gjinden në lista të zeza në të cilat shtohen emra të ri çdo ditë. Sigurisht, si në çdo rast të persekutimit me nam, listat e zeza përfshijnë njerëz që nuk kishin lidhje as me puçin e as me Gulenin – kritikë të mazhorancës udhëheqëse!

Nën pretekstin e puçit, qeveria filloi që t’i arrestojë ata që i kishte patur në shënjestër edhe më parë, por që nuk kishte patur mundësi që t’i dënonte. Falë imunitetit që garantohet nga Ligji i Gjendjes së Jashtëzakonshme, që u shpall pas përpjekjes për puç, edhe kritikët e qeverisë e edhe ata të Gulen u shtuan në listë të zezë. Madje e arrestuan edhe një historian marksist me akuza të mbështetjes së vëllazërisë islamike të mbështetësve të Gulen. Në mbrëmjen e 26 korrikut, ishte rradha ime. Si e kuptova? Faqja e parë e një gazete pro-qeveritare e shfaqi një fotografi të timën me fjalët I KëRKUAR të printuara mbi të…

E pastaj erdhën e trokitën në derën time, në derën e një gazetari që kishte protestuar kundër presioneve që koalicioni AKP-Gulen, atëherë i fuqishëm, kishte ushtruar ndaj shtypit – një kundërshtues i shquar që kishte dalur në rrugë për kolegët e arrestuar.

Unë u arrestova në 22:30 me akuzat “mbështetje dhe ndihmë për organizatën terroriste të Gulen dhe puçin”. Ky ishte momenti më sureal i jetës sime. Një gazetar që punon në Turqi nuk mund të mos mësohet me stacione të policisë dhe burgje, por ka akuza tipike – për shembull, kritikët e pyetjes kurde mund të akuzohen për “separatizëm”; kritikët e liderëve politik mund të arrestohen për “fyerje ndaj përfaqësuesve të shtetit”.

Akuzat e tilla janë ndodhi e zakonshme për gazetarët në Turqi. Në anën tjetër, si gazetar që e ka bazuar pjesën më të madhe të jetës së tij profesionale duke kundërshtuar puçe dhe vëllazërinë, thjeshtë nuk mund ta besoja që po futesha në të njejtin grup me gazetarët që ishin në favor të puçit. Nuk isha i vetmi – kolegë vendas dhe të huaj, të cilët njihnin punën time, orientimin tim politik, dhe kundërshtimin tim ndaj vëllazërisë dhe qeverisë, janë në gjendje të krejtësisht të hutuar.

Tri net të frikshme kaluan në qeli të imët 5 metra katrorë… kur më çuan në gjykatë në ditën e katërt, nuk dija se çfarë të prisja. Para gjykimit, u morra në pyetje nga prokurori. Mendimi dominant gjatë tri netve që i kalova në qeli, para se ta shihja prokurorin, ishte: “Si mund të asociohem unë me Gulen? Unë, mbështetës i puçit? Çfarë lidhje mund të gjejnë? Çfarë dëshmi?”

Kur hyra në dhomën e avokatit, pyetjet e mija u përgjigjën me një befasi të madhe. Faqja e parë e dosjes para prokurorit ishte profili im në LinkedIn – për një moment m’u duk si intervistë për punë me një menaxher të burimeve njerëzore. Sikur ai të mos kishte qenë njeriu që më kishte arrestuar e burgosur për tri net! Ai i shfletoi disa faqe të librezës me “dëshmi”. Nuk kishte asgjë pos nja dy artikujve që i kisha shkruar para disa viteve, dhe disa tweets që nuk kishin të bënin asgjë me puçin ose me Gulen. Ishte e qartë që ata po mundoheshin që të më bënin “terrorist” me rezultatet e një kërkimi në Google.

U mbyllën dhjetëra radio stacione, kanale televizive, gazeta dhe uebfaqe. Njëqind gazetarë u burgosën.

Pra kjo ishte përvoja ime e rëndë pas puçit – tri net në burg, një ditë në zyrën e prokurorisë, dhe pastaj i lirë përsëri. Ishte e qartë që donin të më frikësonin, sepse e kisha bezdisur qeverinë në të kaluarën. Jo të gjithë ata që u arrestuan e që ishin në të njejtën listë me mua kanë qenë kaq fatlum. Gati të gjithë ata që punuan në gazetat e mbështetësve të Gulen u arrestuan – ata që Erdogan i etiketoi si terroristë, pas shpërbëries së koalicionit, duke thënë se është “mashtruar”. Ajo që më ndodhi mua nuk është asgjë në krahasim me ato që u ndodhën tjerëve, në tërë historinë e shtypit në Turqi, dhe në rrjedhojën e përpjekjes për puç.

Në Turqi, liria e shtypit gjithmonë ka qenë e rrezikuar. Gazetarët janë shënjestruar edhe nga liderët e puçit e edhe nga qeveritë. Rrjedhoja e përpjekjes së përgjakshme për puç me 15 korrik nuk ishte më ndryshe. Megjithatë, është vështirë që të mendojmë me kujdes për këtë situatë e të formojmë opinion për të, pasi është situatë që ndryshon çdo ditë. U mbyllën dhjetëra radio stacione, kanale televizive, gazeta dhe uebfaqe. Njëqind gazetarë u burgosën.

AKP u themelua në 2001 nga një grup që e përshkruante vetën si më liberal se partia islamiste nga e u nda. Një vit më vonë, falë rezultateve të arritura në zgjedhje, ky grup erdhi në pushtet. Lidershipi i AKP, megjithatë, duke ditur se ekipi i qeverisë po lëvizte në tokë shumë delikate për shkak të puçeve dhe krizave të mëparshm, e pa si të nevojshme që të merr masa paraprake për të konsoliduar pushtetin e tyre, dhe formuan aleancë me një prej vëllazërive më të rëndësishme në vend, që pas puçit të 12 shtatorit, 1980, jo vetëm që u tolerua, por ndonjëherë edhe u mbështet, kundër rritjes së të majtës.

AKP, që e definon vetën si Parti Muslimane-Demokratike, nën lidershipin e Erdogan bëri marrëveshje me Fetullah Gulen. Qarqet e Gulen depërtuan lehtë në rradhët e shtetit, duke formuar atë që tani quhet “shtet paralel” që mundohet që të parandalojë sulme kundër tij. Nga policia e deri te financat, nga mediat e deri te futbolli, ndjekësit e Gulen filluan që ta përfaqësojnë ekipin e AKP brenda burokracisë. Koalicioni i fshehtë kishte dhënë goditje të rënda kundër lirisë së mediave, si për shembull duke dënuar gazeta të ndryshme me gjoba në vlera disa miliarda euro, ose duke i futur në burg gjeneralët kemalist për ta dobësuar fuqinë e ushtrisë.

Por si në të gjitha partneritetet, herët a vonë kriza ishte e pashmangshme. Koalicioni është rritur, duke u bërë gjithmonë me më shumë ndikim, dhe në një pikë, dy partnerët menduan se cili ishte më i fuqishëm. Nga ku erdhi shkëndija; nuk e di askush saktësisht. Megjithatë, ata që dje e quanin njëri tjetrin vëlla, tani po e akuzojnë njëri tjetrin me terrorizëm.

Turqia po përjeton një prej çarjeve më të mëdha në historinë e saj moderne – çarjet ndonjëherë mund të bëhen bazë e shpresës. A jemi të aftë që ta ndjekim një rrugë që na çon drejt një demokracie më të mirë, dhe për neve gazetarëve, një situatë me më shumë liri për shtypin? Fatkeqësisht, nuk kemi shumë arsye për të qenë optimistë. Në histori, luftërat në mes të liderëve islamist asnjëherë nuk kanë lindur demokraci më të mira.

logo_ce-en-quadri

Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me OBC Transeuropa për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Kosovo2.0 dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO