S`fundmi | Hapësira Publike

Polemikat për “Gërminë” sinjalizojnë se ka ndarje në opinione për zhvillimin e Prishtinës

Nga - 24.10.2018

Mospajtime në lidhje me ndërtimin e një salle të re të koncerteve në kryeqytet.

Deri më tani, është reduktuar deri në një pozitë pothuajse të padukshme, fasada e saj e fshehur prapa drunjve. Mund ta keni të vështirë ta shihni, deri sa mundoheni të kaloni nëpër lumin e veturave lodër elektrike që ngasen nga fëmijët në sheshin Skënderbeu.

Megjithatë, ato 8,500 metra katrorët e saj kanë shkaktuar mosmarrëveshje në qytetin e Prishtinës në muajin e fundit. Ndërtesa që dikur ishte shtëpia e mallrave “Gërmia”, shtëpia e parë e mallrave në qytet dhe që tani është Administrata Tatimore e Kosovës, shtrihet në lokacionin ku planifikohet të ndërtohet një sallë e koncerteve.

Ndërtimi i sallës së koncerteve për qytetin u premtua vitin e kaluar gjatë fushatës zgjedhore të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit. Kjo ndërtesë që dikur shërbente si shtëpi e mallrave veç se ishte caktuar si lokacioni i dëshiruar për këtë projekt qysh atëherë. Megjithatë, vendimi për lokacionin nuk u prit me nivelin e mbështetjes që mund ta presë një komunë për një projekt të madh për zhvillimin e qytetit.

Ndonëse ka mbetur e qartë në diskutime publike se nevojitet një sallë e koncerteve, kritikët e projektit, përfshirë këtu qytetarët dhe profesionistët në fushat e arteve dhe arkitekturës, shumë prej të cilëve avokojnë për ruajtjen e ndërtesës duke marrë parasysh vlerën arkitekturale dhe pozitën e saj në kujtesën kolektive.

Kundërshtarët e projektit gjithashtu e vëjnë në dyshim nevojën për sakrifikimin e hapësirave ekzistuese dhe të vlefshme dhe avokojnë për t’i dhënë fund kulturës së “shkatërrimit të së vjetrës, për ta ndërtuar të renë”, një moto që origjinoi pas Luftës së Dytë Botërore, e që vazhdoi në ditët e Jugosllavisë dhe ka rezonuar edhe më fuqishëm në Kosovën e shekullit 21.

Lokacioni në qendër të Prishtinës që është zgjedhur për sallën e re të koncerteve në fillim dukej pothuajse i finalizuar, por prej atëherë është ballafaquar me reagime publike. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Debati i krijuar në mesin e komuniteteve të artistëve dhe muzikantëve, arkitektëve dhe urbanistëve, komunës dhe të tjerëve, është ndikuar edhe nga frika e humbjes së sponsorit kryesor të projektit, Komisionit Evropian. Nëpërmjet Instrumentit të BE-së për Ndihmë Para Anëtarësimit, është paraparë (por ende nuk është miratuar) një fond mbi 15 milion euro për financimin e projektit të komunës për sallën e koncerteve. Megjithatë, paratë erdhën me kritere që e kanë komplikuar procesin e vendimmarrjes.

Sipas deklaratës së dhënë nga BE në Facebook më 2 gusht, kushtet e tyre ishin që salla e koncerteve është në “tokë të përshtatshme në një lokacion të rëndësishëm” dhe e lirë nga pengesat ligjore dhe teknike. Ndërsa burimet komunale gjithashtu deklarojnë se lokacioni i gjetur duhet të jetë “i lirë nga kufizimet”, i dukshëm dhe të mos ketë probleme me pronësi. Megjithatë, rezistenca kryesore ndaj projektit është e përqendruar tek fati i ndërtesës që aktualisht gjendet në lokacionin e zgjedhur.

Shtëpia e dikurshme e mallrave “Gërmia” që u përfundua më 1972, konsiderohet shembull i arkitekturës moderniste. Në shtator u nis një peticion online në mbështetje të mbrojtjes dhe për parandalimin e shkatërrimit të saj. Foto: Creative Commons.

Në fund të shtatorit, organizata DoCoMoMo, një komitet ndërkombëtar për Dokumentimin dhe Ruajtjen e Lëvizjes Moderne, e nisi një peticion online për mbrojtjen e ndërtesës “Gërmia”. I përfaqësuar në Kosovë nga Bekim Ramku, peticioni i DoCoMoMo u krijua për shkak të shqetësimeve se përzgjedhja e lokacionit do të implikonte shkatërrimin e shtëpisë së dikurshme të mallrave, ndërtesë moderniste e inauguruar në 1972 dhe një nga mbetjet e pakta të arkitekturës moderniste të ndërtuar në zemër të qytetit gjatë kohës së Jugosllavisë.

DoCoMoMo dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës, me mbështetje të organizatave të tjera relevante në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si Ec Ma Ndryshe, dorëzuan një aplikacion formal në Ministrinë e Kulturës dhe institucionet përkatëse, për ta përfshirë shtëpinë e dikurshme të mallrave në Listën e Aseteve të Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme. Më 10 tetor, ndërtesa u përfshi në një listë të re që garantonte mbrojtjen e saj për një periudhë deri në një vit, duke shënuar një fitore për ata që dëshironin ta parandalonin shkatërrimin e asaj që e shihnin si ikonë të identifikueshme në peizazhin e qendrës së qytetit.

Ndonëse është nën mbrojtje të përkohshme, prapëseprapë ndërhyrjet në ndërtesën “Gërmia” janë të mundshme, megjithatë, mundësitë janë më të kufizuara se më parë. Përderisa ndërtesa mbetet nën këtë lloj të mbrojtjes, çfarëdo ndërhyrje duhet të rishikohet dhe miratohet nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve nën Ministrinë e Kulturës.

SIpas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, asetet me mbrojtje të përkohshme e kanë nivelin e njëjtë të mbrojtjes si ato nën mbrojtje të përhershme. Megjithatë, planet e restaurimit dhe konservimit zhvillohen dhe vendosen vetëm atëherë kur asetet në listën e përkohshme marrin mbrojtje të përhershme.

Vendimi për mbrojtje të përkohshme të ndërtesës “Gërmia” nuk e përjashton plotësisht ndërtimin e një salle së koncerteve në të ardhmen në këtë lokacion, por presioni publik e ka hapur përsëri çështjen se cili lokacion në Prishtinë është më i përshtatshëm për sallë të koncerteve.

Lokacione alternative

Përparim Rama ishte arkitekti që drejtoi ekipin e Vlerësimit Teknik që u emërua nga komuna për ta vlerësuar lokacionin e sallës së koncerteve. Në pranverë 2018, atij iu dha detyra e vlerësimit të fizibilitetit të projektit në lokacionin “Gërmia”, që veç se ishte zgjedhur nga komuna.

Ai shpjegoi për K2.0 se këmbëngulja e tij me komunën e hapi rrugën për propozimin e lokacioneve të tjera potenciale. “Kishte plot rreziqe [po ta analizonim vetëm atë lokacion], dhe unë ngula këmbë për ta hapur procesin dhe për t’i analizuar mundësitë e tjera”, ka thënë Rama.

Pjesë e ekipit të vlerësimit teknik ishin edhe Arianit Loxha, nga Asociacioni i Arkitektëve dhe Besa Luzha, si zë nga komuniteti artistik, si dhe përfaqësues të tjerë të departamenteve komunale dhe BE-së, të cilët morrën pjesë në diskutime. Lokacionet u vlerësuan në bazë të kritereve të dhëna nga palët e ndryshme që u përfshinë në proces, përfshirë këtu afërsinë ndaj qendrës së qytetit, qasjen, dukshmërinë, potencialin për të qenë katalizator për rigjenerimin e zonës dhe nevojën për ta shkatërruar një ndërtesë ekzistuese në lokacion.

K2.0 pati qasje në rezultatet finale të lokacioneve të vlerësuara dhe verifikoi se lokacioni që fitoi më së shumti pikë dhe konsensus të përgjithshëm ishte një lokacion prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, pranë ndërtesës që dikur ishte shtypshkronja Rilindja. Ky lokacion morri shumicën dërrmuese të pikëve, në total 159, dhe praktikisht të gjitha kriteret morrën pikë maksimale gjatë vlerësimit.

“E gjetëm lokacionin e duhur, që është në qendër dhe është shumë i dukshëm në hyrje të qytetit, me hapësirë për parking dhe është një lokacion që më në fund mund të ndihmojë qytetin të lidhet me gjithë lagjen Arbëria… gjithashtu, fakti që stadiumi është në afërsi në aspektin teknik nuk paraqet problem”, ka thënë Rama.

Është e qartë se arkitekti pa plot mundësi në këtë lokacion. “Mund ta ndërtojmë një lokacion krejtësisht të ri që ka potencialin për ta transformuar qytetin dhe mund ta krijojmë një ndërtesë të re dhe të rëndësishme”, argumenton ai, duke shtuar se në fakt, të gjithë akterët shprehën konsensus të përgjithshëm në lidhje me lokacionin, përveç BE-së: “Përfaqësuesit e BE-së ngulën këmbë se duhet të jetë ‘Gërmia”.

Zyra e BE-së në Prishtinë tha për K2.0 se lokacioni prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ishte i papërshtatshëm për shkak të afërsisë ndaj stadiumeve të sporteve. “Ndërtimi i sallës së koncerteve afër infrastrukturës sportive nuk është i përshtatshëm për shkak të dallimeve të qarta në kërkesa të sigurisë dhe strukturë në rast se dy ngjarje (domethënë një ndeshje futbolli dhe një koncert) do të mbaheshin njëkohësisht”, ka thënë një zëdhënës i zyrës.

Tani po diskutohet për lokacione alternative për sallën e koncerteve, përfshirë këtu një lokacion afër kampusit të Universitetit të Prishtinës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Lokacioni “Gërmia” i morri 122 pikë në vlerësim, njëlloj si një lokacion tjetër para kampusit të Universitetit të Prishtinës, që përfshinë një pjesë të ndërtesës që dikur ishte Radio Kosova. Një pjesë e ndërtesës ekzistuese mund të shfrytëzohet si hapësirë e produksionit, ndërsa një ndërtesë e re do të ndërtohej në lokacion. Sipas Drejtorit të Departamentit për Kulturë në komunën e Prishtinës, Yll Rugova, BE tani është e hapur për ta konsideruar këtë lokacion si alternativë.

Megjithatë, me sa duket Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka vendosur për lokacionin, pasi që ka qenë i zëshëm duke vënë në dyshim vlerën e ndërtesës “Gërmia”, duke u thënë vazhdimisht ekspertëve në debate televizive se nëse duan të luftojnë për ta mbrojtur këtë ndërtesë, duhet të shpjegojnë se çfarë vlere ka ajo. “Më leni ta ndërtoj sallën e koncerteve”, kishte thënë Ahmeti në një debat televiziv në Klan Kosova, si duke e dhënë një ultimatum, pasi argumentoi se vendimi duhet të merret shpejtë, para se të tërhiqen fondet e rezervuara nga BE për shkak të polemikave të krijuara dhe mungesës së vendimit për lokacionin.

Profesor Arbër Sadiki beson se ndërtesa që aktualisht gjendet në lokacionin e zgjedhur është një nga ndërtesat më të rëndësishme që janë ndërtuar në Prishtinë pas Luftës së Dytë Botërore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Megjithatë, Profesor Arbër Sadiki nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Urban në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë, mendon se kjo ndërtesë definitivisht ka vlerë arkitekturale. “Për shkak të arkitekturës së saj, por edhe nga konteksti social, është një nga ndërtesat më të rëndësishme të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore në Prishtinë”, ka thënë, duke rikujtuar se botimet prestigjioze jugosllave të arkitekturës shkruajtën për këtë ndërtesë. “Dëlirësia gjeometrike e vëllimeve që e formojnë objektin dhe tekstura shumë autentike e fasadës së saj përfaqësojnë vlera arkitektonike, jo vetëm për atë periudhë kohore, por edhe për ditët e sotme”, ka shtuar profesori.

Ahmeti ka deklaruar publikisht se komuna ka ndërhyrë për të mbrojtur ndërtesa si Banka Qendrore e Kosovës, apo Menza e Studentëve. Komuna gjithashtu ka nisur një projekt për ta restauruar pjesën e qytetit të vjetër. Megjithatë, qasja e saj ndaj ndërtesës “Gërmia” ka qenë më ndryshe.

Historianja e artit Vesa Sahatçiu mendon se komuna dhe publiku duhet të jenë më mendje hapur në definicionin e tyre të trashëgimisë kulturore. “Ekziston tendenca për t’i nënvlerësuar ndërtesat e ndërtuara në shekullin 20”, ka thënë Sahatçiu. “Është edhe ai nocioni që trashëgimia kulturore është diçka shumë e vjetër. Mendoj se njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se disa organizata shumë serioze po mundohen ta ruajnë arkitekturën dhe ndërtesat moderniste. Nuk është ide e keqe”.

Sahatçiu i citon përpjekjet e The Getty Foundation për ruajtjen e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ndërtesë që shpeshherë përshkruhet si e shëmtuar dhe deri së fundmi është shpërfillur nga institucionet kosovare si një shembull i ngjashëm. “Prishtina ka histori të rrënimit të bazuar në ndryshime të sistemeve ideologjike dhe politike, kështu që është tepër e rëndësishme të mundohemi dhe ta ndalim atë lloj të mendësisë dhe praktikës”, paralajmëron ajo. “Nëse humbet pothuajse krejtësisht Prishtina e vjetër, duke lënë vetëm një skelet të vogël, është tepër e rëndësishme ta ruajmë Prishtinën e re dhe jo të mundohemi ta ndryshojmë deri në pikën ku bëhet e padallueshme”.

Për arkitektin Rama, mundësia e ndërtimit të një sallës së koncerteve në këtë lokacion nuk varet nga shkatërrimi i ndërtesës, duke deklaruar se nëse ndërtesa duhet të mbetet në atë lokacion, një mundësi mund të jetë të ndërtohet një sallë e koncerteve mbi ndërtesën, duke cituar shembullin e Elbphilharmonie në Hamburg.

Debate dhe ndarje

Kriteret e propozuara nga BE që lokacioni duhet të jetë në “tokë të përshtatshme në një lokacion të rëndësishëm” ka shkaktuar debat të mëtejmë për natyrën e qendrës së qytetit. Për Ramkun nga DoCoMoMo, mungesa e përditësimit të planeve rregulluese për qendrën e qytetit e vështirëson debatin e hapur. “Kur nuk ke vizion, kur nuk ke plan rregullues apo direktiva për të ardhmen e Prishtinës, nuk din se si të përgjigjesh”, ka thënë ai.

Plani i fundit rregullues për atë që konsiderohet si epiqendra e Prishtinës, ku qendron ndërtesa “Gërmia”, daton në vitin 2005. Nuk parashihet ndonjë sallë e koncerteve në planet rregulluese të qytetit që janë hartuar deri më tani dhe kjo len të kuptohet se Asambleja e Prishtinës do të duhej ta miratonte si shtojcë përfshirjen e një salle të tillë të koncerteve në çfarëdo lokacioni që vendoset në fund.

Si alternativë, Ramku thekson shembullin e Bilbaos, ku një lagje në periferi të qendrës së qytetit e cila kishte përjetuar rënie ekonomike u rigjenerua nga ndërtimi i ndërtesës ikonike të Muzeut Guggenheim. Për Profesor Sadikin, problemi me zgjedhjen e një lokacioni “qendror” shkon edhe më tej. “Nuk qëndron këmbëngulja që ky objekt me çdo kusht duhet të jetë i pozicionuar në qendër dhe unë konsideroj se në thelb një këmbëngulje e tillë është një lloj ndarje kulturore, nëse jo racizëm kulturor”, ka thënë ai.

Debati është karakterizuar me ndarje brenda komunës. Drejtori i Departamentit të Kulturës, Yll Rugova, e ka kundërshtuar publikisht qëndrimin e kryetarit për konservimin e ndërtesës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Debati është karakterizuar nga mungesa e transparencës dhe ndarjet e qarta në qasjen e ekipit të komunës dhe përfaqësuesit e ndryshëm partiak brenda saj. Drejtori i Departamentit të Kulturës dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Yll Rugova, ka folur publikisht kundër pikëpamjes së kryetarit, duke argumentuar se ndërtesa “Gërmia” duhet të mbrohet dhe se projekti i sallës së koncerteve nuk duhet të zhvillohet aty nëse kjo implikon shkatërrimin e ndërtesës.

“Me të vërtetë mendoj se kjo ndërtesë nuk duhet të shkatërrohet dhe nëse do të ketë sallë të koncerteve në këtë ndërtesë, do të bëhet duke e transformuar atë dhe duke e ruajtur fasadën aktuale dhe çfarëdo që konsiderojnë institucionet e trashëgimisë kulturore se duhet të ruhet”, ka thënë Rugova për K2.0, disa ditë pasi ndërtesa fitoi statusin e mbrojtjes, duke theksuar se ndërtesa ka vlerë arkitekturale, si dhe vlerë të lartë financiare.

Kur u pyet për të ardhmen e ndërtesës, duke marrë parasysh tërheqjen e mundshme të fondeve nga BE nëse nuk konfirmohet një lokacion në të ardhmen e afërt, ai foli për pranimin e idesë ku një sallë e koncerteve do të integrohej në ndërtesën e transformuar “Gërmia”. “Të them të drejtën, pajtohem me kryetarin se humbja e kësaj ndërtese [si rrjedhojë e keqpërdorimeve në të ardhmen] do të ishte e turpshme”, ka thënë Rugova, kur u pyet se a ka nodnjë zgjidhje të afërt.

Meqë fantazma e shkatërrimit të mundshëm të ndërtesës po endet lart e poshtë, kritiku i artit Shkëlzen Maliqi e shpëtoi në mesin e debatit një propozim të vjetër që e bëri para disa viteve, për ta trasnformuar këtë ndërtesë në një muze të artit bashkëkohor, duke e shtuar një shtresë të vështirësisë në procesin e gjetjes së një zgjidhje konsensuale.

Dje (23 tetor) qeveria e Kosovës e morri vendimin për shpronësimin e ndërmarrjeve sociale që e ndanin pronësinë e ndërtesës “Gërmia” nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kryeministri Ramush Haradinaj e lajmëroi vendimin në Facebook, duke shtuar se ndërtesa ishte shpronësuar për qëllimin e ndërtimit të një salle së koncerteve, “duke konservuar stilin arkitektural si pjesë e kujtesës, pas kërkesave të komuniteteve artistike”.

Megjithatë, dje (23 tetor) u mbajt një debat publik nga Asociacioni i Arkitektëve që ishin të përfshirë në ekipin e vlerësimit teknik të lokacionit të projektit. Takimi rezultoi me atë që Koha Ditore e përshkroi si “pa zgjidhje apo konkluzione alternative”.

“Ndërtesa ‘Gërmia’ duhet të shkatërrohet dhe një ndërtesë e re që frymon kohët e tashme duhet të ndërtohet në vend të saj”, ka thënë një arkitekt në fund, ndërsa paneli i përbërë krejtësisht prej burrave u ngrit për të shkuar, duke i lënë disa njerëz në publik duke u ankuar se diskutimi duhej të vazhdonte.

Për Ramkun, vlera e Asociacionit të Arkitektëve sa i përket përfaqësimit të komunitetit të arkitekturës në Kosovë është vazhdimisht në dyshim. “I kemi dy asociacione dhe ndikimi i tyre po dobësohet”, ka thënë ai, duke reflektuar një ndarje më të madhe në mesin e atyre që janë në krye të zhvillimit të qytetit. “Ata nuk kanë ndikim mbi komunitetin e arkitekturës dhe nuk flasin në emër të komunitetit të arkitekturës”.

Një debat tjetër po pritet të bëhet. Më 4 tetor, disa ditë pas publikimit të peticionit online, Kryetari Shpend Ahmeti lajmëroi nëpërmjet rrjeteve sociale se një debat publik do të organizohej në Kino Armata. Megjithatë, disa javë pas këtij lajmërimi, ende nuk është lajmëruar një datë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.