Monografitë | LGBTQ+

Goran Miletic: Pjesa më e madhe e politikanëve të Ballkanit Perendimor nuk e shohin si të dëshirueshme shumëllojshmërinë

Aktivisti veteran i të drejtave të njeriut diskuton progresin e ngadalshëm të të drejtave LGBTI në rajon, shpërfilljen e kufijve dhe përshtatjen e aktivizmit për epokën e internetit.

Goran Miletic, aktivist i të drejtave të njeriut për më shumë se dy dekada, është bërë një prej figurave më të mirënjohura që bëjnë thirrje për barazi. Në fillim të 1990-ave, kur i nisi studimet e juridikut në Beograd, ai iu bashkua organizatës së parë LGBT në Serbi, Arkadija. Bashkë me aktivistë tjerë të rajonit, ai u përfshi në aktivizmin kundër luftës dhe kundër Milosevic-it.

“Nisa të merresha me të drejtat e njeriut në të njejtën kohë si shumë tjerë – kur isha dëshmitar i padrejtësive që po ndodhnin para meje. Në atë kohë nuk e dija saktësisht çfarë kuptimi kishin të drejtat e njeriut, por e dija se gjatë studimeve juridike, e zgjodha një linjë që përfshinte tema nga kjo fushë”, tha Miletic në një intervistë të vitit 2014 në të cilën foli për rrënjët e aktivizmit të tij.

Pas angazhimit dhe punës së tij me organizata të ndryshme dhe të dalluara për punën që e bëjnë për të drejtat e njeriut, si Humanitarian Law Center (Fondi për të Drejtën Humanitare), ai iu bashkua Civil Rights Defenders në 2004. Sot ai është drejtor i programit për Ballkanin Perendimor. Gjatë udhëtimit të tij si aktivist, ai ishte gjithnjë një zë i rëndësishëm për të drejtat LGBT dhe njëri prej organizatorëve të Paradës së Krenarisë në Serbi.

Para paradës së parë zyrtare të Krenarisë LGBTI në Kosovë, K2.0 u takua me Miletic për të diskutuar evoluimin e të drejtave LGBTI në rajon, marrëdhëniet e institucioneve me komunitetin LGBTI dhe pengesat me të cilat përballen personat LGBTI.

K2.0: Ju jeni përfshirë në aktivizmin për të drejtat e njeriut dhe LGBT në Ballkanin Perendimor tash e shumë vite. Si ka evoluar aktivizmi LGBTI në rajon?

Goran Miletic: Të qenit aktivist LGBTI në këtë rajon është tepër e vështirë. Shoqëritë janë shumë të vogla dhe përjashtimi shoqëror nga pjesa tjetër e shoqërisë është mjaft i lart kur vendos të jesh i dukshëm në media si aktivist. Megjithatë, ne kemi njerëz të guximshëm, kryesisht nga lëvizja për të drejtat e njeriut, të cilët tani po luftojnë haptas për të drejtat njerëzore të komunitetit LGBTI.

Shumë aktivistë të rinj u rritën në një kohë kur homoseksualiteti ishte i ligjshëm dhe ata nuk e kujtojnë kohën kur policia kishte të drejtë t’i arrestonte personat gej. Si pasojë, ata janë më të gatshëm për t’u angazhuar, dhe mendoj se interneti ishte fazë e rëndësishme në këtë evolucion. Mund të lidhesh me njerëz të cilët mendojnë njëlloj si ti, me aktivistë jashtë rajonit, të organizosh çfarëdo ngjarje, e shumë tjera. Për më tepër, në secilin vend dhe rajon, aktivistët LGBT+ janë të lidhur mirë mes vete. Megjithatë, ende nuk po arrijmë t’i motivojmë si duhet komunitetet lokale jashtë internetit.

Foto nga Goran Miletic.

Cilët janë komunitetet lokale jashtë internetit? Personat më të moshuar LGBTI dhe personat më të moshuar në përgjithësi të cilët jetojnë në zona më të izoluara dhe rurale? Çfarë lloj përpjekje dhe ndërhyrje duhet të bëhen nga aktivistët LGBTI në mënyrë që të përhapet aktivizmi në mesin e këtyre komuniteteve jashtë internetit?

Në fakt, mendoj se qytetarët në zona rurale tani po kalojnë shumë më shumë kohë në internet. Thjeshtë nuk kanë zgjedhje tjetër, si njerëzit në kryeqytete. Ngjashëm edhe komunitetet LGBT+ në qytete të vogla dhe zona rurale po e përdorin internetin shumë më shumë. Personat e moshuar LGBT në Perendim e kanë mirë dhe kanë shumë zgjedhje, kanë rreth shoqëror. Ndërsa në Ballkan ajo pjesë e komunitetit LGBT është gati e padukshme.

Sa i përket përhapjes së aktivizmit jashtë internetit, mendoj se kjo është pyetje një milion dollarëshe. Fillimisht, njerëzit kanë frikë nga pasojat e të qenit të dukshëm ose të pjesëmarrjes në ngjarje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBT. Ata që kanë dalur haptas dhe nuk mendojnë apo shqetësohen për pasoja kanë frikë nga ndikimi që mund ta ketë dukshmëria e tyre në hapësira publike te prindërit dhe familjet e tyre, veçanërisht nëse ende jetojnë në qytete më të vogla.

Çdo vit para Krenarisë së Beogradit na thirrin grupe të aktivistëve të cilët duan të vijnë prej qyteteve më të vogla dhe na kërkojnë që t’u garantojmë se nuk do të dalin në TV, meqë nuk duan të krijojnë probleme për prindërit, tezet, hallat etj. Mendoj se faktori i kohës është i rëndësishëm, dhe se do ta arrijmë ndryshimin të cilin e dëshirojmë në të ardhmën.

Në krahasim me vitet e kaluara, gjithnjë e më shumë njerëz po thonë se ka patur progres sa i përket të drejtave LGBTI në rajon. A pajtoheni me këtë?

Ka progres por këto gjëra që janë bërë brenda 10 viteve mund të ishin bërë për gjashtë muaj. Kemi ligje kundër diskriminimit në çdo shtet të rajonit, orientimi seksual përmendet në shumë ligje tjera, ndërsa ngjarjet publike si Krenaria dhe ngjarje tjera të ngjashme po bëhen realitet. Të drejtat njerëzore të LGBT+ janë në agjendë.

Shumë aktivistë janë të lidhur mirë me kolegët e tyre në rajon dhe Evropë... 20 aktivistë të të drejtave të njeriut nga Kosova morrën pjesë në Krenarinë e Beogradit në vitin 2017.

Kjo nuk mjafton, dhe jemi larg pozitës së kënaqshme. Por nëse e krahasojmë me periudhën para 10 apo 20 viteve, mund të shohim progres. Megjithatë, jemi larg shumicës së shteteve të BE-së, pavarësisht faktit se kemi partneritete të regjistruara me shtete fqinje: Slloveninë, Kroacinë, Greqinë. Sa i përket dukshmërisë, kemi progres, ndërsa pranueshmëria është ende e kufizuar.

A mendoni se në ditët e sotme aktivitetet për të drejtat e njeriut janë më të lidhura nëpër botë?

Interneti, mes tjerash, e luan një rol shumë të rëndësishëm për këtë lidhje botërore. Nëse ke internet dhe rrjete sociale, e lehtë është të ndash njohuri, përvoja, ide, dhe të organizosh çkado. Për më tepër, transporti nuk kushton aq shumë si para disa dekadave, dhe po organizohen mjaft shpesh ngjarje botërore për të drejtat e njeriut. Unë u bëra aktivist në një kohë kur nuk kishim internet apo telefona mobil, dhe shkruanim letra me makinë të shtypit për të fituar mbështetje dhe solidaritet jashtë vendit.

Pas tre marsheve publike po organizohet parada e parë e Krenarisë në Kosovë. Si e vlerësoni këtë, meqë jeni i familiarizuar me aktivizmin e përgjithshëm në vendin tonë?

Çfarëdo ngjarje publike e komunitetit LGBT+ është tepër e rëndësishme në këtë rajon. Mund të pajtohemi apo mos pajtohemi për disa elemente, por është shumë e rëndësishme që gjithçka të jetë plotësisht e dukshme për publikun, sepse kështu reduktohet niveli i homofobisë dhe transfobisë në shoqëri. Aktivistët e Kosovës janë shumë të guximshëm dhe unë e di sa e ndërlikuar është të bësh organizime publike në një ambient të tillë.

Shpresoj se paradat do të kenë më shumë pjesëmarrës në të ardhmën, meqë shumë aktivistë janë të lidhur mirë me kolegët e tyre në rajon dhe Evropë. Për shembull, 20 aktivistë të të drejtave të njeriut nga Kosova morrën pjesë në Krenarinë e Beogradit në vitin 2017. Jam i sigurt se paradat e tilla në Kosovë mund të kontribuojnë në përmirësimin e të drejtave të njeriut për komunitetin LGBT+ në Kosovë në afat të gjatë.

Foto nga Goran Miletic.

Kryeministrja e parë në Serbi e cila është deklaruar haptas si lezbike morri pjesë në Paradën e Krenarisë në Beograd. Kështu u bë kreu i parë i qeverisë serbe që morri pjesë në këtë ngjarje. U raportua të ketë thënë: “Serbia i respekton dallimet. Kjo është porosia ime sot, që qeveria serbe është këtu për të gjithë qytetarët dhe se do t’i respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve”. A mendoni se qeveria e Serbisë i respekton realisht të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë këtu të drejtat LGBTI?

Pavarësisht standardeve ndërkombëtare, anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Kushtetutës dhe Ligjit kundër Diskriminimit, Serbia ende ka problem të madh me diskriminimin. Sipas hulumtimeve, tri grupet me distancën më të madhe nga qytetarët e Serbisë janë romët, LGBT+ dhe shqiptarët, dhe këto grupe janë grupet më të diskriminuara.

Unë besoj se ekziston vendosmëria politike deri në një pikë, por zbatimi i standardeve është i ulët, ndërsa qasja në drejtësi për grupet më të diskriminuara është përjashtim, e jo rregull. Kur je anëtar i një grupi minoritar nuk trajtohesh barazisht në shumicën e rasteve. Kryeministrja Brnabic ka qëllime të mira, por reformat janë ende shumë të ngadalshme.

Fakti që Serbia ka një kryeministre e cila është deklaruar haptas si lezbike të jep përshtypjen që shoqëria serbe është e hapur ndaj komunitetit LGBTI. Në fakt, Aleksandar Vucic, politikani më i popullarizuar në vend, ishte ai i cili e emëroi Brnabic si kryeministre. Çfarë reagimi pati publiku kur ajo u caktua në pozitën më të lartë në qeveri? A besoni se ky vendim do të ndikojë drejtpërdrejtë që shoqëria serbe të jetë më e hapur ndaj komunitetit LGBTI?

Veprimi më i befasishëm ishte kur Vucic e propozoi atë për Ministre të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale [në vitin 2016]. Ai e theksoi faktin se ajo është lezbike dhe meqë mediat kontrollohen plotësisht nga qeveria, askush nuk reagoi në mënyrë negative. Mendoj se publiku u trondit paksa por pas disa ditëve të gjithë e harruan.

Pas kësaj, ajo u përmend si kandidate kyçe për pozitën e Kryeministres për dy muaj, dhe në fund nuk pati befasi kur Vucic e propozoi për pozitën e kryeministres. Të gjitha mediat e theksuan faktin se ajo është “Kryeministrja e parë femër e Serbisë”, jo që është lezbike.

Politikanët shpeshherë pajtohen të miratojnë ndonjë legjislacion duke menduar se do t’i shmangen zbatimit të tij.

Nuk mendoj se zgjedhja e saj do t’i përmirësojë të drejtat njerëzore të komunitetit LGBTI+ në mënyrë të drejtpërdrejtë, meqë ajo nuk është anëtare e ndonjërës prej partive udhëheqëse. Megjithatë, fakti që një person i dalur haptas si LGBT+ është në një pozitë kyçe do të ketë ndikim në opinionin publik në afat të gjatë. Ky ndryshim nuk do të ndodh brenda natës, dhe do të varet nga shumë faktorë tjerë.

Shumëkush mendon se politikanët në Ballkanin Perendimor kanë përdorur standarde të dyfishta. Në njërën anë pretendimet e tyre se i mbështesin të drejtat LGBTI shihen thjeshtë si performancë para komunitetit ndërkombëtar, ndërsa në anën tjetër, institucionet vazhdimisht akuzohen nga aktivistët e të drejtave LGBTI për shpërfillje të të drejtave dhe nevojave të personave LGBTI. Si e shihni ju këtë?

Pjesa më e madhe e politikanëve në Ballkanin Perendimor nuk e shohin shumëllojshmërinë si veçori të dëshirueshme të shoqërisë së tyre. Justifikimi më i zakonshëm është se “nuk është në përputhje me traditat” ose “qytetarët nuk e duan këtë”. Edhe kur japin deklarata mbështetëse për një grup të prekshëm, gjithmonë e dyshojmë sinqeritetin e tyre.

Komuniteti ndërkombëtar është mjaft i durueshëm dhe reagon tepër pak, kur kemi parasysh se synim kyç e kanë stabilitetin në këtë rajon. Por performancat pa rezultate dhe ndryshime nuk do të jenë më të mundshme pas një kohe. Herët a vonë, politikanët do të detyrohen të paraqesin rezultate konkrete. Nga pikëpamja ime, u kushton shumë më shumë atyre dhe qytetarëve nëse vazhdojnë t’i shtyejnë reformat dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare.

Pjesa më e madhe e shteteve të Ballkanit Perendimor kanë legjislacion progresiv për të drejtat LGBTI. A mendoni se zbatimi i rreptë i këtyre ligjeve mund të ketë ndikim në ndryshimin e mendësisë së përgjithshme në afat të gjatë, sa i përket pranimit dhe respektimit të personave LGBTI?

Patjetër. Por jemi tepër larg zbatimit të pranueshëm. Politikanët shpeshherë pajtohen të miratojnë ndonjë legjislacion duke menduar se do t’i shmangen zbatimit të tij, ose se do t’ia lënë fajin mungesës së kapacitetit brenda administratës, ose mendësisë së qytetarëve për probleme të zbatimit. Pandëshkueshmëria është e përhapur dhe zyrtarët shpeshherë mendojnë se nuk janë përgjegjës për këtë. Si rrjedhojë, kur autorët e krimeve ose qytetarët e shohin se ligjet nuk vlejnë për një grup të diskriminuar, ata mendojnë se një grup i tillë nuk është i rëndësishëm, i barabartë ose i dëshirueshëm në shoqëri.

Çka tjetër duhet të bëhet në shoqëritë e rajonit për të kontribuar në ndryshimin e mendësive?

Ekspertët gjithmonë e përmendin arsimimin, nëpërmjet mediave dhe nëpërmjet sistemit arsimor. Unë pajtohem plotësisht, por është tepër e rrezikshme të themi se nuk mund të bëjmë asgjë pa arsimim. Duhet të miratojmë legjislacion relevant dhe ta zbatojmë atë plotësisht si hap të parë. Arsimimi është proces i gjatë dhe shkollat duhet të jenë të hapura ndaj shumëllojshmërisë. Sot kur e përmend seksualitetin apo orientimin seksual në kontekstin e arsimit, shënohesh si pedofil. Frika nga edukata seksuale është shumë e lartë në Ballkan.

Secila shoqëri në Ballkan i ka tabutë e veta. Megjithatë, dy tabu ekzistojnë çdokund: krimet e luftës dhe komuniteti LGBT+.

Seksi ka qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës në të gjitha komunitetet e Ballkanit dhe diskutimet për të me miq në kafene nuk janë të pazakonta. Megjithatë, bisedat serioze dhe publike për seksualitetin, për shembull në media ose në shkolla, janë ende shumë tabu. Ekziston një besim i përgjithshëm se të flasësh për seksualitetin është veprim amoral që kontribuon në “sjellje të panatyrshme”, dhe se diskutimet për seksualitetin nuk janë në përputhje me tradita. Si rrjedhojë, mësimdhënia për seksualitetin është diçka së cilës i shmangen autoritetet, pavarësisht gjykimeve të Gjykatës Evropiane.

Foto nga Goran Miletic.

Në një intervistë ju deklaruat se gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut përballen me shumë presion kur duan të raportojnë për krime të luftës dhe komunitetin LGBTI. A mund ta shtjelloni më imtësisht këtë?

Secila shoqëri në Ballkan i ka tabutë e veta. Megjithatë, dy tabu ekzistojnë çdokund.

Tabuja e parë lidhet me krimet e luftës që janë kryer nga “forcat tona” dhe kur “ata” janë viktima. Sipas hulumtimeve, secili komb në Ballkan dëshiron të jetë viktima “më e madhe”. Tabu e madhe është kur avokon të vërtetën për shkelje të të drejtave të njeriut në vitet e 90-a — kush, kur, si. Sigurisht, shpërfillja e përgjegjësive për të drejtat e njeriut është veçanërisht e fuqishme në Serbi, dhe përballja me të kaluarën është në nivel tepër të ulët.

Tabuja e dytë lidhet me komunitetin LGBT+. Edhe kur disa njerëz bëhen “tolerant”, ata prap se prap besojnë se homoseksualiteti është sëmundje. Kur e mbështet haptas komunitetin LGBT+, njerëzit kanë tendencë të mendojnë se je gej ose lezbike.

Përveç këtyre, ka shumë “tabu të vogla” në çdo shoqëri. Për shembull, në Serbi nuk duhet të bësh pyetje apo debatosh për çirilicë, lidhjet me Rusinë, Novak Djokovic, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia apo Kishën Ortodokse Serbe. Megjithatë, LGBT+ dhe krimet e luftës të kryera nga focat serbe janë tabutë kryesore.

Duke marrë parasysh historinë e ndërlikuar të këti rajoni dhe muret e dukshme që i ndajnë etnitë dhe komunitetet e ndryshme, a mendoni se aktivizmi LGBTI është diçka që i kapërcen kufijtë dhe vijat etnike? Me sa duket vetëm gjatë marshimeve dhe paradave LGBTI shohim aktivistë të shteteve të ndryshme duke marshuar e protestuar së bashku, e kauzat tjera vështirë që mbledhin njerëz të grupeve të ndryshme etnike.

E vërtetë është që bashkëpunojnë mirë aktivistët LGBT+ në këtë rajon. Megjithatë, të gjitha ativitetet tjera për të drejtat e njeriut janë duke u zhvilluar mirë. Të gjitha ngjarjet rajonale kanë pjesëmarrje të mirë, projektet ndërkufitare janë mjaft të zakonshme dhe aktivistët kanë lidhje të forta personale. Mendoj se një bashkëpunim i tillë ekziston në të gjitha çështjet dhe temat: LGBT+, media, monitorimin e burgjeve, luftën kundër diskriminimit, përballjen me të kaluarën etj.

Civil Rights Defenders po i mbështet shumë këto nisma, dhe problemet [me të cilat përballen gjatë organizimit të tyre] kryesisht lidhen me çështje tjera, për shembull me regjimin e vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnjes e Hercegovinës. Jam plotësisht i sigurt se aktivistët LGBT+ mund të bashkëpunojnë jo vetëm gjatë paradave, por edhe për aktivitetet e monitorimit dhe avokimit.K

Foto kryesore nga Goran Miletic.

Kthehu prapa tek Monografia