S`fundmi | Art

“Handle With Care”

Nga - 14.11.2018

K2.0 prezanton një ekspozitë dhe instalacion arti që trajton trafikimin njerëzor.

K2.0 prezanton ekspozitën dhe instalacionin e artit “Handle With Care”, që adreson ekzistencën e skllavërisë të kohës moderne dhe realitetin e ashpër me të cilin ballafqohen gratë që janë bërë viktima të trafikimit njerëzor dhe të industrisë së seksit.

Bashkohuni në hapjen e ekspozitës të martën 20 nëntor, në ora 18:00 në Hapësirën e Re të K2.0, ku do të kemi një performancë live “The Prostitution Monologues” me performues lokal dhe një diskutim me artisten Jimini Hignett.

Ky instalacion i bënë bashkë tri punimet e krijuara nga dy artistet, Jimini Hignett dhe Patricia Kaersenhout, si dhe nga gratë që janë të mbijetuara të prostitucionit. Punimet i ftojnë vizitorët të reflektojnë mbi shtypjen e grave dhe në veçanti mbi trafikimin e grave në tregun e seksit.

Videot e Jimini Hignett që paraqesin dëshmi të grave të ritreguara prej aktoreve, e dëshmojnë mënyrën se si tregtia me gratë dhe shfrytëzimi i tyre lidhet me procese më të mëdha ekonomike dhe politike, si pabarazia ekonomike, privatizimi dhe korrupsioni.

Qilimi i Patricia Kaersenhout simbolizon shtypjen e grave dhe mënyrën se si të drejtat e grave vazhdimisht shkelen, ndërsa disa maska të letrës të lyera me ngjyrë kafe, paraqesin autoportrete të bëra nga gratë që i kanë ikur prostitucionit.

Ekspozita do të jetë e hapur nga data 20 nëntor deri më 4 dhjetor, nga ora 10:00 deri në 18:00 në Hapësirën e Re të K2.0, Ferat Dragaj 60-1 (prapa Furra Qerimi 1).K

Kjo ekspozitë është e mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë dhe zbatohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Alter Habitus.