Në thelb | Aktivizmi

Ngacmime në universitet

Nga - 05.04.2018

Në fokus sulmet dhe ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës.

Sot (5 prill), në hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës u mbajt edhe një protestë si pasojë e dështimit për t’u përballur me çështjen e ngacmimeve seksuale brenda universitetit.

Ishte kjo demonstrata e dytë brenda tetë ditëve. Aktivistë të organizatave studentore dhe të organizatave të tjera kërkuan përfshirjen e ngacmimit seksual në Kodin Etik për Stafin Akademik, si dhe themelimin e një komisioni hetues i cili do t’i hetonte akuzat për ngacmime seksuale. Aktivistët gjithashtu po bëjnë thirrje për një kërkimfalje publike nga universiteti për të gjitha rastet e ngacmimit seksual për të cilat nuk ka pasur ndonjë lloj reagimi institucional.

Në disa prej pankartave të cilat i mbanin protestuesit shkruante: “Institucion arsimor me intelektualë seksistë”, “Si ishte i veshur sulmuesi im?”, “Zgjidhja është kodi i sjelljes, jo kodi i veshjes”.

Ndonëse diskutimet publike për ngacmimet seksuale morën vrull në Kosovë në vitin 2014 me fushatën Nata Është e Jona, tek në ditët e fundit ky debat publik është fokusuar në Universitetin e Prishtinës. Diskutimet për dështimin e universitetit për ta adresuar problemin e ngacmimeve seksuale dhe për mungesën e llogaridhënies institucionale u nxitën pjesërisht nga komentet e prorektores Teuta Pustina-Krasniqi gjatë një dokumentari i cili u prodhua për kanalin televiziv T7 si dhe u transmetua në këtë medium.

“Kam një porosi për seksin femror – studentet dhe stafin akademik e administrativ”, u incizua duke thënë Pustina-Krasniqi në këtë dokumentar. “U bëj apel të mos bëhen provokative, të mos veshen në mënyrë provokative, sepse ka efekt psikologjik dhe mund të ndikojë në mënyrë negative në ambientin ku studentët mbajnë ligjërata. Pa marrë parasysh pamjen fizike, ngacmimet seksuale asnjëherë nuk justifikohen, por u bëj thirrje grave të reja të mos harrojnë se janë pjesë e një institucioni serioz dhe duhet ta respektojnë kodin e veshjes”.

Komentet e Pustina-Krasniqit shkaktuan nëpërkëmbje në mesin e aktivistëve, të cilët e perceptuan si vazhdimësi të kulturës së tejpranishme të seksizmit në universitet, si pjesë e së cilës ata thonë se fajësohet viktima në rastet e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Në vitin 2014, një libër i fakultetit juridik me titull “Kriminalistika” u ndalua për përdorim në kurset universitare pasi u zhvillua fushatë kundër tij, duke qenë libri përmbante një paragraf në të cilin shpërfillej rëndësia e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale, si dhe fajësohej viktima.

Pas protestës së javës së kaluar, në të cilën u bë thirrje për shkarkimin e Pustina-Krasniqit, Këshilli Drejtues i Universitetit e shkarkoi ish-prorektoren nga pozita e saj menaxheriale dhe u distancua nga deklarata e saj. Pustina-Krasniqi më vonë e publikoi një kumtesë për media, në të cilën pretendoi se komentet e saj u morën jashtë kontekstit, dhe se sa i përket kodit të veshjes, ajo po u referohej studentëve të të dy sekseve.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Meqë Kodi Etik për Stafin Akademik nuk e përmend asnjëherë ngacmimin seksual, aktivistët tani kanë theksuar rëndësinë e përfshirjes së tij dhe krijimin e mekanizmave për adresimin e ngacmimit seksual.

Aktualisht nuk ka komision, organ apo zyrë e cila merret me raste të ngacmimit seksual. Të hënën (2 prill), K2.0 kontaktoi për intervistë Ardiana Bunjakun, kreun e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, organi i cili i mbikëqyr çështjet universitare. Por Bunjaku tha se nuk kishte kohë për të komentuar para ditës së premte. K2.0 e kontaktoi edhe zëvendësen e Bunjakut, Laura Kryeziun, e cila shpjegoi se Këshilli “është në proces të ndërmarrjes së disa hapave konkretë për rishikimin dhe krijimin e mekanizmave për adresimin dhe parandalimin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës”.

"Nëse Universiteti i Prishtinës e krijon një mekanizëm, ne besojmë se do të shtohet numri i raporteve."

Venera Çoçaj, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim

Dje (4 prill), Këshilli Drejtues publikoi një deklaratë nëpërmjet së cilës tregoi se po planifikojnë ta organizojnë një grup punues me synim të krijimit të mekanizmave që merren me ngacmime seksuale në universitet.

Venera Çoçaj nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), një prej organizatave të cilat i kanë organizuar këto demonstrata, mendon se krijimi i mekanizmave është shumë i rëndësishëm për ta mundësuar raportimin e ngacmimeve seksuale dhe për t’i sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve.

“Ne mendojmë se duhet të ketë mekanizma të veçantë të cilët e adresojnë çështjen e ngacmimeve seksuale, duke marrë parasysh faktin se rastet shpeshherë nuk raportohen për shkak se ka mungesë të besimit në institucione”, thotë Çoçaj. “Kështu do të ofrohej mundësia për të raportuar. Pra duhet të jetë një hapësirë e sigurtë e cila mundëson ruajtjen e anonimitetit dhe konfidencialitetit. Nëse Universiteti i Prishtinës e krijon një mekanizëm, ne besojmë se do të shtohet numri i raporteve”.

Çoçaj mendon se shkarkimi i Krasniqi-Pustinës ishte shumë i rëndësishëm për shkak se demonstron se universiteti është i gatshëm të veprojë jo vetëm për t’i trajtuar rastet e ngacmimit seksual, por edhe për politika që diskriminojnë në bazë të gjinisë. “Ne jetojmë në një shoqëri e cila ka tendencë ta fajësojë viktimën, dhe kjo u konfirmua nga qëndrimi i prorektores, dhe i personave të tjerë të cilët i mbështetën deklaratat e tilla”, thotë Çoçaj. “Këtu mund të bëjmë ndryshime”.

Raportimi i krimit

Diskutimi për shpërfilljen sistematike të Universitetit të Prishtinës për rastet e ngacmimit seksual që ndodhin brenda mureve të tij u theksua veçanërisht kur aktivistja Jeta Berisha foli publikisht për përvojën e saj të ngacmimit seksual gjatë kohës kur ishte studente në Fakultetin e Arteve.

Në demonstratat e javës së kaluar, ajo mori mikrofonin dhe i zbuloi hollësitë e rastit të saj para njerëzve që ishin mbledhur atë ditë. Berisha deklaroi se një profesor i arteve i kishte kërkuar asaj ta çonte një DVD në zyrën e tij, ku më pas e kishte mbyllur derën dhe kishte filluar ta prekte nga mbrapa. Ajo më pas tha se e kishte shtyrë, i kishte bërtitur dhe kishte vrapuar nga zyra, e tmerruar.

Berisha gjithashtu i shpjegoi hollësisht përpjekjet e saj për ta raportuar incidentin, duke zbuluar se menjëherë i kishte njoftuar profesorët e tjerë dhe dekanin e Fakultetit të Arteve. Ajo tha se dekani e kishte këshilluar të mos fliste për atë që i kishte ndodhur. Berisha gjithashtu tha se ajo kishte dërguar një ankesë në Zyrën e dekanit dhe të rektorit, por nuk kishte marrë pargjigje. Ajo e kishte raportuar rastin edhe në polici, por pa rezultate.

I kontaktuar nga Kohavision, Agim Selimi, dekani i Fakultetit të Arteve, tha “nuk kam pranuar letër nga studentja e përmendur”, ndërsa zyrtarët policorë thanë se janë në proces të verifikimit të të dhënave dhe se nuk mund të japin përgjigje zyrtare para përfundimit të këtij procesi. Ndërkohë, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, shkroi në një kumtesë për media se është “i shqetësuar për akuzat e ngacmimit seksual” dhe se “do të veprojë sipas nevojave”.

K2.0 i dërgoi një email zyrtar Demajt të hënën, në të cilin kërkoi qëndrimin e menaxhmentit në lidhje me akuzat për ngacmime seksuale, si dhe pyeti për atë se a ka plane për krijimin e mekanizmave të raportimit, dhe për numrin e rasteve të ngacmimit seksual që janë raportuar te rektori. Nuk morëm përgjigje.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

“Ishte përvojë e hidhur dhe shumë zhgënjyese për mua, sepse asnjëherë nuk kam menduar se diçka e tillë mund të ndodhë në një institucion serioz”, thotë Berisha, e cila pretendon se kjo përvojë bëri që ajo të hiqte dorë nga universiteti. “E kishim atë rehati që na lejonte të jemi të hapur me profesorët, sepse komunikimi nuk është aq zyrtar në Fakultetin e Arteve, por të gjithë duhet të kenë kufij. Ishte shumë e dhimbshme kur e raportova rastin dhe nuk gjeta fare mbështetje”.

“Shpresoj që më shumë gra dhe vajza të cilat duan të raportojnë raste të ngacmimit seksual të më kontaktojnë mua, sepse për gratë, personalja është gjithmonë politike.”

Jeta Berisha, aktiviste

Berisha thotë se ajo iu bashkua protestave dhe e zbuloi rastin e saj për t’i inkurajuar studentët e tjerë të flasin publikisht për përvojat e sulmeve dhe të ngacmimeve seksuale, që ata të mos i pranojnë padrejtësitë. Ajo ka zbuluar se gra të tjera i kanë shkruar asaj për përvojat e tyre, duke përfshirë këtu akuza ndaj të njëjtit profesor të cilin edhe ajo e akuzoi për sulm.

“Shpresoj që më shumë gra dhe vajza të cilat duan të raportojnë raste të ngacmimit seksual të më kontaktojnë mua, sepse për gratë, personalja është gjithmonë politike”, thotë Berisha. “Historikisht, gratë kanë qenë të shtypura, dhe ne duhet t’i largohemi këtij diskursi e t’i tregojmë botës se gratë kanë zë dhe këtë zë duhet ta dëgjojmë”.

Berisha është një prej njerëzve të paktë që kanë folur publikisht jo vetëm për përjetimin e ngacmimit seksual, por edhe për raportimin e kësaj përvoje.

Çoçaj pohon se tregimi i Berishës është shembull tipik i një udhëtimi në të cilin përballesh me mungesë të reagimit institucional në secilën fazë. “Dështime institucionale kemi parë në Universitet, në Fakultet, në polici, e kështu me radhë”, thotë ajo.

K2.0 kontaktoi zyrën për komunikimt të Policisë së Kosovës për të marrë më shumë informata dhe të dhëna për rastet e ngacmimit seksual të cilat janë raportuar në polici. Policia e informoi K2.0 se e kanë pranuar vetëm një raport për ngacmim seksual, nga viti 2016, në të cilin është përfshirë Universiteti i Prishtinës. Ky rast i është dërguar prokurorisë.

“Nëse marrim parasysh faktin se nuk ka raporte të regjistruara, mendoj se kjo zbulon mënyrën se si po i trajton këto raste Universiteti i Prishtinës”, vazhdon Çoçaj. Ndonëse menaxhmenti i Universitetit me sa duket nuk ka raste të regjistruara të ngacmimit seksual, një raport i publikuar vitin e kaluar nga OJQ-ja Artpolis erdhi në përfundim se ngacmimet seksuale ndodhin shpesh në këtë institucion. Në raport thuhet se studentët nuk i raportojnë këto raste për shkak se nuk kanë besim tek institucioni.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Drejtoresha ekzekutive e Artpolisit, Zana Hoxha Krasniqi, thotë se në bazë të intervistave me studentë del se janë disa profesorë të cilët e mbyllin derën gjatë seancave individuale. Edhe Krasniqi si Çoçaj mendon se një mekanizëm i përkushtuar mund të ndihmojë me adresimin e çështjes së ngacmimeve seksuale.

“Erdhëm në përfundim se mungesa e një mekanizmi për adresimin e ngacmimit seksual është pikërisht ajo që i nxit ngacmimet seksuale për shkak të marrëdhënieve të fuqisë ndërmjet profesorëve dhe studentëve, pra fuqisë dominuese të profesorëve ndaj studentëve, që mundëson masivizimin e një fenomeni të tillë”, thotë ajo.

Krasniqi thotë se ngacmimi seksual ka rrënjë të thella në universitetet e Kosovës, dhe mungesa e llogaridhënies e bën atë edhe më të përhapur. Ajo shton se një prej arsyeve të pjesëmarrjes së Artpolisit në këto protesta është rezultat i tendencës për t’u treguar personave mbi 18 vjeç se si duhet të veshen.

“Ne kërkuam që kjo çështje të mos moralizohet sepse nuk mund të shkelësh ligje dhe kode të cilat nuk ekzistojnë”, thotë Krasniqi, duke shtuar se Artpolisi i ftoi profesorët në Universitetin e Prishtinës për të marrë pjesë në 10 punëtori që trajtuan temën e ngacmimit seksual para publikimit të raportit nga kjo organizatë vitin e kaluar, por vetëm një profesor mori pjesë në një prej dhjetë seancave.

Profesorë të gjykuar

Berisha thotë se është duke diskutuar me avokatin e saj në lidhje me publikimin e emrit të sulmuesit të saj të pretenduar. “Arsyeja pse nuk e kemi publikuar emrin lidhet me çështje ligjore. Mund të dëmtohet hetimi, por është vetëm çështje kohe”, shpjegon ajo.

Ndonëse Kodi Penal i Kosovës jep një përcaktim të përgjithshëm për ngacmimin, duke cituar se autori i krimit do të dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet, në të nuk specifikohet në mënyrë konkrete çfarë përbën ngacmimin seksual.

Sipas raportit të Artpolisit, studentët gjithashtu pretenduan se janë përballur me vështirësi gjatë raportimit të rasteve të ngacmimit seksual tek Policia e Kosovës për shkak të mungesës së përcaktimit të ngacmimit seksual brenda Kodit Penal të Kosovës. Raporti rekomandon që të miratohet një përcaktim specifik dhe i hollësishëm i rasteve të ngacmimit seksual në Kodin Penal, si dhe të përcaktohet hollësisht cilat janë veprimet dhe dënimet e parapara.

Hoxha Krasniqi thekson se çfarëdo rastesh të shkarkimit nga Universiteti i Prishtinës, apo edhe dënimet penale, do të shërbenin si shembuj të llogaridhënies, por ende nuk ka ardhur deri te një shkarkim në bazë të akuzave për ngacmime seksuale në universitetet e Kosovës.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Përderisa anëtarët e stafit të universiteteve nuk e kanë humbur punën si pasojë e akuzave për ngacmim seksual, në vitet e fundit, dy raste të njohura kanë rezultuar me pezullimin e dy autorëve të supozuar të krimeve të këtij lloji. Të dy këta profesorë po përballen me padi në gjykata.

Në vitin 2016, Rexhep Osmani, ministri i atërhershëm i arsimit dhe profesor në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, u raportua në polici nga njëra prej studenteve të tij, e cila pretendonte se Osmani “kërkoi favore seksuale në këmbim të notës”. Osmani i mohoi akuzat por pranoi se e kishte përqafuar studenten, veprim që sipas tij ishte keqkuptuar.

Sipas dokumentarit të T7 për ngacmime seksuale, Osmani u padit vitin e kaluar me dyshimin se kishte kryer veprimin penal të ‘shkeljes së pozitës apo kontrollit të tij’. Ai ende nuk është paraqitur në gjykatë.

Akuzat e njëjta u bënë kundër Bashkim Zahitit, profesor në Universitetin Ukshin Hoti në Prizren. Ai u pezullua për shkak të akuzave për ngacmim seksual. U raportua se prokuroria ka dëshmi, gjegjësisht inçizime në të cilat ai dëgjohet duke kërkuar favore seksuale në këmbim për nota. Zahiti nuk është paraqitur ende në gjykatë, për shkak se seanca fillestare është shtyrë për një kohë të pacaktuar si pasojë e problemeve të raportuara shëndetësore.

Kur K2.0 kontaktoi rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Demën, ne e pyetëm gjithashtu nëse ka pasur pezullime apo shkarkime si pasojë e rasteve të ngacmimit seksual në universitet prej kur ai ka nisur punën si rektor, por nuk morëm përgjigje.K

*Informatë e re: ky artikull është ndryshuar më 6 prill, 2018, për ta përfshirë reagimin e policisë së Kosovës.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Redaktuar nga Jack Robinson.