Shkurt | LGBTI

Gjuha e urrejtjes në fokus të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë Transfobisë dhe Biofobisë (IDAHOT)

Nga - 17.05.2018

Aktivistët e të drejtave të LGBTI-së theksojnë abuzimin në IDAHOT 2018.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (maj 17), aktivistët në Kosovë kanë vënë në fokus gjuhën e urrejtjes kundër personave LGBTI. Dita që ka për qëllim ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit për të drejtat e LGBTI-së dhe shkeljet e tyre nëpër botë, po shënohet në Kosovë me një ekspozitë në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë. Në të po theksohen komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes kundër individëve LGBTI.

16 fotografitë e ekspozuara sot, janë një koleksion i komente të postuara në artikuj apo në postime individuale në rrjete sociale, pas Paradës së parë të Krenarisë në Kosovë, e cila u mbajt më 10 tetor të vitit të kaluar.

Disa prej komenteve të cilat shihen në këto fotografi janë: “Veç Hitleri e Enver Hoxha e kanë ditë çka duhet me ju bo, me i bo krejt varreza masive që mos m’e çkepë virusin”, “Vrasje pederave” dhe “Këta duhet ose me i trajtu si të sëmurë e m’i mshefë deri sa të shërohen, ose me i vra, që mos m’e dëmtu shoqninë”.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Aktivisti i të drejtave të LGBTI-së, Lendi Mustafa, shpjegon se idea e ekspozitës lidhet me nevojën për ta theksuar praninë e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimin kundër personave LGBTI, pasi që, në shoqërinë tonë ekziston tendenca për t’i neglizhuar dhe nënvlerësuar.

“Idea është ta tregojmë homofobinë dhe transfobinë që është e pranishme në Kosovë”, thotë Mustafa. “Sepse shpeshherë marrim komente ‘Pse po dilni?’ dhe ‘Pse po e promovoni veten?’”

Mustafa është personi i parë i cili ka dalë publikisht si transgjinor në Kosovë. Ai e mbajti një fjalim prekës dhe emocional para publikut gjatë Paradës së parë të Krenarisë, e cila shënoi një moment historik për aktivizmin e LGBTI-së në vend.

"Një prej komenteve përmbante një video që shfaqte luftëtarët e ISIS duke e hedhur një person gej nga një kulm, dhe shkruante se kjo do të më ndodhte mua"

Lendi Mustafa, aktivist i të drejtave LGBTI

Ani pse nuk pati incidente gjatë Paradës, në ditët në vijim u bënë qindra komente në rrjetet sociale të personave LGBTI dhe mbështetësve të tyre. Për shkak të rolit të tij në paradë, Mustafa mori mbi 200 komente me gjuhë diskriminuese në mesazhe dhe në seksione të komentimit online.

“Për shembull, një prej komenteve përmbante një video që shfaqte luftëtarët e ISIS duke e hedhur një person gej nga një kulm dhe shkruante se kjo do të më ndodhte mua”, thotë Mustafa. Ai i raportoi komentet në Policinë e Kosovës, dhe thotë se ata zgjodhën t’i identifikonin dhe hetonin autorët e rreth 10 komenteve të cilët i perceptuan si thirrje për dhunë; ai thotë se policia nuk i konsideroi komentet e tjera si kërcënime, por thjeshtë si fyerje.

Në janar, Policia e Kosovës tha për K2.0 se kishte pranuar dy raste të ‘kërcënimeve’ dhe dy të ‘sulmeve’ në lidhje me komentet e gjuhës së urrejtjes në vitin 2017, dhe që i kishin proceduar ato tek Prokurori Shtetëror. K2.0 e kontaktoi policinë për të pyetur specifikisht për statusin e rasteve të raportuara nga Mustafa dhe është duke pritur përgjigje.

Duke u bërë shembull

Për Blert Morinën, aktivistin e të drejtave të LGBTI-së dhe drejtorin ekzekutiv të OJQ-së që punon për të drejtat e LGBTI-së, Qendra për Barazi dhe Liri, Policia e Kosovës nuk ka treguar gatishmëri për ta hetuar gjuhën e urrejtjes kundër aktivistëve dhe anëtarëve të komunitetit.

“E pritshme është të ketë komente të tilla. Por çfarë nuk kuptoj, është kur i raportojmë në polici si komentet dhe personat [të cilët i kanë bërë komentet] as nuk thirren për intervistë”, thotë Morina. ”Ata duhet ta bëjnë të ditur se njerëzit nuk mund të dalin dhe të bëjnë haptas komente të tilla. Në këtë mënyrë ata po i japin të drejtë personit për të vazhduar me përhapje të gjuhës së urrejtjes”.

Morina shton, se Policia e Kosovës të paktën ka mundur ta bënte një deklaratë publike për ta dënuar gjuhën e urrejtjes pas Paradës së Krenarisë.

Gjatë viteve, anëtarët e komunitetit LGBTI dhe mbështetësit e tyre kanë qenë shpeshherë viktima të kërcënimeve dhe thirrjeve për dhunë. Në vitin 2016, Petrit Zogaj, ish-drejtori ekzekutiv i OJQ-së që avokon për qeverisje të mirë, Lëvizja FOL, u kërcënua pasi mori pjesë në një diskutim për të drejtat e LGBTI-së në një prej kanaleve televizive kombëtare. Ndërsa më herët gjatë vitit, Gjykata Themelore e Prishtinës i gjobiti dy persona me nga 200 euro për rolet e tyre në këto incidente.

“Dënimi është nga 200 euro për secilin. Mirë. Unë besoj se këta dy persona kanë mësuar prej kësaj, por, duke marrë parasysh këtë lloj dhune, njerëzit e njejtë janë të gatshëm të kërcënojnë çdo ditë”, shkroi Zogaj, pas vendimit në janar.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Aktivistët e LGBTI-së e konsiderojnë rastin e Zogajt si të rrallë sa i përket të drejtave të LGBTI-së, për shkak se ky rast është proceduar në të gjitha hapat gjyqësor, deri në vendimin final të gjykatës.

Një tjetër i tillë është rasti i vitit 2016 në Ferizaj, ku Gjykata Themelore e qytetit i dënoi dy burra të përfshirë në një sulm ndaj aktivistëve LGBTI më herët gjatë atij viti. Megjithatë, aktivistët theksojnë se në këtë rast, sektori i drejtësisë nuk e procedoi incidentin si krim të urrejtjes – në atë mënyrë, dënimet do të kishin qenë më të rënda.

Aktualisht, aktivistët po bëjnë thirrje për ta rishikuar Nenin që i përcakton krimet e urrejtjes në Kodin Penal të Kosovës, pasi që Kodi tanimë është duke u rishikuar. Ata duan që Kodi t’i specifikoj krimet e kryera në bazë të ‘orientimit seksual’ dhe ‘identitetit gjinor’. Aktualisht, Neni 147 i mbulon krimet ndaj “grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupeve tjera të ngjashme”.

Aktivistët gjithashtu thonë se përfaqësimi i personave LGBTI në mediat e Kosovës po nxitë zhvillimin e ideve të gabuara për këtë komunitet, dhe kështu po kontribuon në rritjen e numrit të komenteve diskriminuese në artikuj apo video lajme.

Një raport i vitit 2017 për mbulimin medial të personave LGBTI në Kosovë, thekson se pavarësisht interesit të shtuar dhe përmirësimeve në lidhje me mbulimin medial të komunitetit, urrejtja shpeshherë ka gjetur vend në media. Raporti gjithashtu thotë se shumë lajme vazhdojnë të jenë të mbushura me stereotipe, të cilat i kontribuojnë ideve të gabuara në lidhje me çështjet e LGBTI-së në shoqëri. Kështu, duke lënë hapësirë të madhe për personat që kanë qëndrime homofobike dhe më pak hapësirë për aktivistët që flasin për të drejtat e këtij komuniteti.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky artikull u shkrua fillimisht për Kosovo 2.0 si pjesë e projektit të Equal Rights for All i cili është një projekt i financuar nga BE dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi e vetme e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO