S`fundmi | Shqipëria

Tarifa e re shkakton dëme

Nga - 27.04.2018

Taksa e re rrugore e autostradës në Shqipëri nxit rezistencë në të dy anët e kufirit.

Çmimi i shtuar në vlerë 10 euro për udhëtim kthyes deri në kryeqytetin e Shqipërisë në një autostradë gjysmë të përfunduar ishte i papranueshëm për banorët e qytetit verior të Kukësit. SI pasojë e kësaj, ata i dogjën kabinat e pagesës. Kjo është një përmbledhje e shkurtë e ngjarjeve që ndodhën më 31 mars, gjatë një proteste në të cilën u mblodhën qindra njerëz, dhe e cila u mbështet nga mijëra të tjerë.

Më pak se një javë më parë, qeveria kishte njoftuar se bartësi i koncesionit të autostradës Milot-Morinë do të fillonte të grumbullonte taksa – kjo do të ishte rruga e parë e taksuar në Shqipëri. Vlerat e taksave, të cilat aktualisht janë të pezulluara, ishin 2.5 euro për motocikleta, 5 euro për automjete personale, dhe deri në 22.5 euro për kamionë të rëndë.

Këto shuma u kundërshtuan gjithandej nga pjesë të ndryshme të publikut, por ato nxitën polemika të theksuara në mesin e dy grupeve: banorët e zonës verilindore të Shqipërisë, ku kalon autostrada, dhe qytetarët nga Kosova, të cilët shpesh e vizitojnë Shqipërinë, veçanërisht gjatë sezonës së verës. Mungesa e rrugës alternative pa taksë për të udhëtuar deri në Tiranë vetëm sa e rriti nivelin e frustrimit.

Autostradë pa fund

Rruga e Kombit u hap në Shqipëri në qershor të vitit 2009, disa ditë para ditës së votimit në zgjedhjet e përgjithshme. Deri më sot, vlerësohet se ajo ka kushtuar 1.3 miliardë euro, ndonëse vlerësimi villestar ishte 600 milionë euro. Ani pse kostoja origjinale në fund u dyfishua, ky projekt nuk është përfunduar krejtësisht sepse disa segmente dhe punime ende nuk janë kryer. Ministri i Infrastrukturës i Shqipërisë thotë se nevojiten edhe 300 milionë euro për ta përfunduar atë.

Në korrik të vitit 2016, një konsorcium i kryesuar nga një kompani turke e fitoi tenderin për koncesionin e operimit dhe të mirëmbajtjes së autostradës, si dhe punimet e pakryera të ndërtimtarisë. Kjo u pa si fundi i sagës në të cilën dy qeveritë, ajo e udhëhequr nga Edi Rama dhe ajo e udhëhequr nga paraardhësi i tij Sali Berisha, u munduan ta shpallin tenderin fitues. Vetëm disa javë më vonë, konsorciumi u dha në favor të një konsorciumi tjetër i cili ishte i përbërë nga disa kompani ndërkombëtare dhe shqiptare.

Në protestat e para kundër tarifave (28 mars) u përfshinë një grup i vogël i tregtarëve nga dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë.

Një vit më vonë, në shtator 2017, nisi ndërtimi i kabinave të pagesës, ndërsa taksimi u planifikua të niste në dhjetor. Megjithatë, vonesat bënë që kjo të mos ndodhte deri më 25 mars, 2018. Atë ditë nisi testimi i sistemit të taksimit, gjegjësisht duke u vënë taksa shoferëve të cilët e përdorën atë segment të autostradës atë ditë. Data zyrtare e fillimit të zbatimit të taksës u vendos të jetë 15 prilli, por për shkak të ngjarjeve të cilat do të ndodhnin më pas, as në atë datë nuk nisi zbatimi.

Në protestat e para kundër tarifave (28 mars) u përfshi një grup i vogël i tregtarëve nga dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë. Kjo pikë e taksimit, në Kalimash, gjendet në mes të Kukësit dhe Tiranës, qendrës kryesore të Shqipërisë për aktivitete ekonomike dhe të rekreacionit.

Tregtarët i parkuan kamionët e tyre tek pikëkalimi kufitar në Morinë, duke e bllokuar atë në mënyrë efektive për një periudhë të shkurtë kohore. “Në vend se t’i heqim kufijtë, ne po i krijojmë ato”, shkruante në një shenjë të vendosur para njërës prej veturave.

Protestat kundër taksave të reja rrugore të autostradës në Shqipëri, të cilat përfunduan me përleshje të dhunshme ndërmjet policisë dhe protestuesve, në fund bënë që qeveria shqiptare t’i bëjë disa koncesione. Foto: Artur Ibraj.

Më pas u tubuan banorët e Kukësit, të cilët u orgnizuan nëpërmjet rrjeteve sociale për të kërkuar që ata të lirohen nga kjo taksë e re. Në mesazhin e nënshkruar nga “aktivistët atdhetarë dhe qytetarët e Kukësit” dhe të postuar, mes tjerash, në faqen e komunitetit të Kukësit në Facebook, shkruante: “Të shtunën me datë 31/03/2018, ora 11:30, te tuneli i Kalimashit do të organizohet një protestë qytetare pa ndikime partiake, për t’i thënë ndal taksimit të padrejtë të rrugës së kombit. Kjo taksë dëmton të gjithë shqiptarët, në veçanti qytetarët kuksianë dhe të Dardanisë [referencë historike për Kosovën].”

Ky mesazh menjëherë fitoi mbështetje, dhe kështu vendosën të bëhen bashkë qytetarët e këtij qarku, të cilët janë më të varfërit në vend sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) për kokë banori. “Nuk është që kemi dëshirë të jemi të privilegjuar”, thotë Lorenci, 28-vjeçar dhe banor lokal i cili mori pjesë në protestë. “Është çështje e mbijetesës, sepse nëse zbatohet ajo tarifë, shumëkush do ta përjetojë fundin. Secili biznes i vogël do të dështojë dhe ne do të zhytemi edhe më thellë në varfëri”.

Artur Ibraj erdhi nga Gruemira në Shkodër për ta mbështetur protestën në Tunelin e Kalimashit. Ndonëse nuk është i ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga tarifat e imponuara, Ibraj thotë se ka të drejtë si qytetar për të demonstruar kundër tyre. “Jam me të gjithë ata të cilët i mbrojnë të drejtat e tyre”, thotë ai. “Unë jam qytetar i cili paguan taksa dhe kam të drejtë për të protestuar sepse kam zgjedhur të qëndroj në këtë vend e të mos kërkoj azil jashtë tij”.

Qëllimi i protestës ishte heqja e taksave të planifikuara. Ajo eskaloi në përleshje me policinë, me kontakt fizik dhe gurë të hedhur në të dyja anët. Të paktën 14 persona u lënduan nga radhët e protestuesve dhe të policisë.

Në fund, protestuesit i sulmuan kabinat me çekanë të farkëtarëve dhe i dogjën ato. Pasi i dogjën, disa protestues madje edhe u përqafuan me njëri-tjetrin duke festuar.

“Kam ardhur për një protestë paqësore. Por policia na provokoi”, thotë Ibraj. “Madje disa prej neve na thanë: ‘Shkoni në shtëpi, se po ju mbesin dhitë të vetmuara në male’. Kjo është fyerje, dhe protestuesit u zemëruan”.

Një protestues tjetër, i cili foli me kusht të anonimitetit, gjithashtu pretendoi se policia ishte fajtore për dhunën. “Policia nuk është dashur të na provokonte në atë mënyrë”, tha ai. “Ata na gjuajtën me gurë dhe përdorën shkopinj gome për t’i rrahur njerëzit e paarmatosur. Kjo nuk është mënyrë e drejtë e sjelljes së shtetit”.

Arrestime dhe protesta të mëtejme

Pas protestave, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u detyrua ta mbante një fjalim të jashtëzakonshëm për publikun, në të cilin e dënoi dhunën dhe vandalizmin.

Megjithatë, Rama gjithashtu lajmëroi një ndryshim të politikave, ngjashëm si në vitin 2013 kur zemërimi i publikut për vendimin për t’i çmontuar armët kimike siriane në Shqipëri e detyroi atë ta ndryshonte qëndrimin.

Pjesë e kundërmasave ishte pezullimi i sistemit të taksimit për 60 ditë, periudhë gjatë së cilës qeveria tha se do të negocionte me kompaninë koncesionare për t’i zvogëluar tarifat për përdorues të shpeshtë të autostradës. Ndonëse nuk është konfirmuar ende, qeveria me sa duket është duke kërkuar që të vendoset çmimi 1.5 euro për veturat personale të përdoruesve të shpeshtë të autostradës, vendim ky i cili do të ishte në të mirë të banorëve të Kukësit. Megjithatë, shumëkush e sheh si të papranueshme edhe këtë situatë potenciale.

Kontrata e partneritetit publiko-privat për operim dhe mirëmbajtje të autostradës gjithashtu përfshin një fond vjetor në vlerë 120,000 euro për lehtësim të kostos shtesë me të cilën përballen familjet më të varfëra në Kukës.

Ndërkohë u lëshuan 23 urdhër arreste për protestuesit. Herët në mëngjesin e së nesërmës pas incidenteve, Forcat Speciale dhe Njësitet për Ndërhyrje të Shpejtë i arrestuan të dyshuarit.

Incidentet me armët e Sirisë dhe sistemin e taksimit kanë edhe një faktor të përbashkët: mungesën e komunikimit të qartë nga zyra e qeverisë. Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë (5 prill) Rama pranoi se kishte mungesë të qartësisë gjatë informimit të publikut, duke marrë përgjegjësi për faktin se nuk kanë bërë sa duhet për ta adresuar këtë çështje më parë.

Ndërkohë, u lëshuan 23 urdhërarreste për protestuesit. Herët në mëngjesin e së nesërmës pas incidenteve, Forcat Speciale dhe Njësitet për Ndërhyrje të Shpejtë i arrestuan të pandehurit. Prokurorët kërkuan që 16 prej tyre të mbahen në paraburgim apo arrest shtëpiak.

Arrestimet bënë që publiku të reagonte përsëri. Kështu lindi lëvizja me thurjen #unëjamkuksian. Grupe të vogla të njerëzve, duke përfshirë disa deputetë të opozitës, u mblodhën para gjykatave për t’i mbështetur protestuesit. Gjykata në Tiranë vendosi që 11 prej tyre të mbahen nën arrest, por ky vendim më vonë u përmbys pjesërisht nga Gjykata e Apelit në Shkodër, e cila i liroi shtatë prej të akuzuarve.

Protestuesi Artur Ibraj (djathtë) thotë se po të ishte e domosdoshme, ai do të ishte i gatshëm të mbajë grevë urie në mbështetje të protestuesve të cilët janë në burg. Foto: Pano Soko.

“Kam qëndruar dhe do të qëndroj me ta, për të drejtën e protestës”, thotë Ibraj, i cili iu bashkua protestuesve para gjykatës në Shkodër. “Do të vazhdoj të marr pjesë në këto tubime derisa të lirohen. Do të mbaj edhe grevë urie po të jetë e domosdoshme”.

Rrugë e ndarë, ekonomi të ndara

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë ka ngritur shqetësimin për ndikimin ekonomik që mund të kenë tarifat. Ata thanë se taksimi i njërës prej arterieve kryesore të transportit shtetëror mund të ketë ndikim tek eksportuesit dhe importuesit e vegjël të cilët kanë vlerë të ngarkesës nën 10,000 euro.

“Sekrotët të cilët do të preken më së shumti janë prodhuesit dhe eksportuesit e pemëve dhe perimeve, tullave, çimentos dhe ujit në shishe”, paralajmëron Bashkimi. “Kjo do ta imponojë reduktimin e çmimeve të këtyre produkteve për 7-12%. Kjo përkthehet në një humbje të menjëhershme të pjesës sonë të tregut në Kosovë dhe rajon”.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka vlerësuar se kosto për kilometër e tarifës së re për kamionë do të jetë më e lartë se në të gjitha vendet tjera të rajonit.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë të Shqipërisë shprehu një mendim më ndryshe, duke deklaruar se tarifat janë të drejta, të bazuara në investime dhe në koston e mirëmbajtjes së autostradës nga koncesionarët.

Në anën tjetër të kufirit, bizneset me sa duket janë më të bashkuara rreth idesë se kjo tarifë vetëm sa i rrit pengesat ekzistuese tregtare ndërmejt Kosovës dhe Shqipërisë. Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka vlerësuar se kostoja për kilometër e tarifës së re për kamionë do të jetë më e lartë se në të gjitha vendet e tjera të rajonit: 20.3 centë/km në Shqipëri, në krahasim me 14.2 centë/km në Serbi dhe 16.5 centë/km në Maqedoni. Ky klub gjithashtu thekson se në këtë autostradë mungojnë masat e sigurisë rrugore, gjegjësisht mungon sinjalizimi dhe disa pjesë të rrugës janë të papërfunduara.

Grupet e interesit në Kosovë duan që qeveria e tyre të negociojë me Tiranën për t’i ulur tarifat. Megjithatë kanë munguar kanalet e komunikimit ndërmjet dy shteteve në lidhje me këtë çështje. Ministria e Infrastrukturës e Kosovës deklaroi më 25 mars se Kosova nuk u konsultua në lidhje me vendimin për zbatimin e tarifave.

Prishtina gjithashtu ka thënë se planifikon të zbatojë tarifa në pjesën e saj të rrugës, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Ekspertët ekonomikë thonë se nëse ndodh kjo, mund të shkurajohen edhe më tej marrëdhëniet biznesore dhe shkëmbimi i mallrave ndërmjet dy vendeve – e sipas statistikave zyrtare, kjo ka ndodhur vitin e kaluar.

Raundi i dytë?

Deri më tani, dy akterët kryesorë janë shprehur në lidhje me këtë situatë: popullsia e Kukësit dhe bizneset në dy anët e kufirit. Tani e kanë radhën qytetarët e Kosovës. Qindra e mijëra e vizitojnë tradicionalisht çdo vit bregdetin shqiptar për pushime verore, por numri i vizitorëve ka rënë – vitin e kaluar 400,000 individë më pak e kaluan këtë kufi në drejtim të Shqipërisë, që paraqet një rënie drastike prej 19.1 për qind.

“Është për të të ardhur keq që na kanë vënë këtë taksë”, thotë njëri prej protestuesve nga Kosova, Blerimi (44), i cili thotë gjithashtu se do të udhëtojë më pak në Shqipëri tash e pas. “Të gjithë e dinë se kryesisht do të ketë ndikim tek ne të cilët shkojmë në Shqipëri. Turp është kjo që po bëjnë”.

Raundi i dytë nis kur të hapet zyrtarisht sezona turistike në Shqipëri, më 1 qershor – sapo të zbatohen përsëri tarifat e vonuara.K

Foto kryesore: Angelo Haruni.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO