Në thelb | Maqedonia

Shpresa për lirinë e mediave në Maqedoni

Nga - 10.11.2017

A është e pavarur gazetaria tash pas rënies së Gruevskit?

Kur Dimitar Tanurov, gazetar për agjencinë e lajmeve online meta.mk, po shkonte me nxitim në parlamentin maqedon në prill të këtij viti për të raportuar për incidentin që ishte në vazhdim e sipër, ai nuk mendoi se fotografitë e fytyrës së tij, që së do të pasonte lëndim, do të qarkullonin nëpër lajme. Gazetari ishte duke fotografuar skenat dramatike brenda parlamentit pasi rreth 200 demonstrues, shumë prej të cilëve ishin me maska, ia mësynë Parlamentit dhe i sulmuan deputetët.

Pak pas ardhjes së tij, Dimitar Tanurov u sulmua. Atë e rrahu një grup i protestuesve. Ata e quajtën tradhëtar, pasi kartela që e mbante të varur në qafë tregonte se është pjesë e mediave.

Policia maqedone e ka identifikuar vetëm njërin nga pesë sulmuesit, thotë Dimitar Tanurov. Foto nga Dimitar Tanurov.

Tanurov u lëndua në kokë dhe në fytyrë, por kur i analizon ngjarjet e asaj nate, ai e sheh vetën si fatlum që arriti të shpëtojë pa trauma më serioze; jo si deputeti Zijadin Sela, të cilin e tërhoqën zvarrë nëpër Kuvend me fytyrë të përgjakur. Si rrjedhojë e kësaj, ai u dërgua në spital, në njësinë e kujdesit intensiv.

Duke pritur drejtësinë

Tanurov shpjegon se i dyshuari për sulmin e tij është ndaluar nga policia, por për dyshime të tjera – për dhunën që shpërtheu në Parlament, ku u lënduan disa deputetë të tjerë, duke përfshirë këtu liderin e Socialdemokratëve dhe Kryeministrin aktual, Zoran Zaev. Ai thekson se dështimet gjatë hetimeve kanë shkaktuar vonesa në zhvillimin e këtij rasti.

“Ndonëse unë e përshkrova krimin si sulm ndaj meje në një kohë kur isha duke kryer detyrën time profesionale si gazetar në Parlament, policia e kategorizoi shkeljen si vjedhje, për shkak se sulmuesit më vodhën telefonin”, shpjegon Tanurov, i cili ende është duke pritur fillimin e gjykimit.

“Disa javë pas sulmit u dorëzova fotografitë e sulmuesit, të cilat ishin publikuar në media, por për ta identifikuar sulmuesin më thirrën jo më herët se muajin e kaluar”, shton ai. “I njoha dy sulmues të tjerë nga incizimet në TV. Megjithatë, nuk e di se a janë arrestuar ata”.

Tanurov është njëri prej disa gazetarëve të cilët kanë përjetuar sulme verbale apo fizike gjatë muajve të fundit të krizës politike, e cila arriti kulmin në ngjarjet e 27 prillit.

Në katër vitet e fundit, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) numëron rreth 50 raste në të cilat gazetarët vendorë kanë pësuar si rezultat i shkeljeve të të drejtave të tyre, me sulme fizike dhe verbale, apo nëpërmjet mohimit të së drejtës për të raportuar. Kryetari i kësaj shoqate, Naser Selmani, thekson se vetëm 10 raste kanë rezultuar me procedura në gjykatë. “Zgjidhja e rasteve të cilat përfshijnë sulme ndaj gazetarëve do të ishte mënyrë për ta matur gatishmërinë e qeverisë për të shtyrë para reforma për media”, thekson ai.

Naser Selmani, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, beson se mediat janë më të relaksuara se që ishin gjatë kohës së qeverisë së Gruevskit. Foto nga Naser Selmani.

Por sulmet dhe shqetësimet që i përjetojnë gazetarët janë vetëm një pjesë e mozaikut të madh që ilustron sfidat që e pengojnë lirinë e mediave në Maqedoni.

Rezultati i këtij shteti për liri të shtypit, siç është paraqitur në raportin e përvjetshëm Liria e Shtypit që publikohet nga Freedom House, ka vazhduar të ketë rënie që nga viti 2010; sivjet, për vitin e dytë me radhë, Maqedonia u përshkrua si vend “jo i lirë”, vlerësim që e pasqyron situatën e mediave, të cilat janë thellësisht të polarizuara në bazë të vijave politike. Tani shumëkush po shpreson se do të bëhet më mirë pas zgjedhjes së qeverisë së re.

Meqë periudhës së trazirave politike i erdhi fundi, të gjithë i kanë kthyer sytë nga qeveria e Kryeministrit Zaev, për të parë se si do të reagojë ndaj sfidës për përmirësimin e klimës për liri të mediave. Pritjet janë të mëdha meqë gazetarët kanë punuar në një klimë të ashpër për një kohë të gjatë. Skandali me përgjime gjithashtu zbuloi se qeveria e Nikola Gruevskit i përgjoi në mënyrë të paligjshme rreth 100 gazetarë, dhe se shumë figura të botës së mediave ishin duke u monitoruar.

“Ambienti për media është më i relaksuar, e kjo sigurisht nuk do të thotë se liritë mediale janë përmirësuar”, thotë Biljana Petkovska, drejtoreshë e Institutit Maqedon për Media. “Liria e shtypit matet më së miri jashtë procesit zgjedhor, kështu që pres ta shoh më qartë këtë situatë në të ardhmen”.

Biljana Petkovska, drejtoresha e Institutit Maqedon për Media, thotë se atmosfera aktuale e relaksuar nuk do të thotë se janë përmirësuar liritë e mediave. Foto nga Biljana Petkovska.

Deri më tani, administrata e re e ka ndalur programin e qeverisë së kaluar për reklamim. Buxheti shumëmilionësh i saj e shtrembëroi tregun dhe e bëri pjesën më të madhe të mediave të varura financiarisht nga fondet publike.

Ndryshimi i ambientit të mediave

Qeveria e kaluar, nën udhëheqjen e Nikola Gruevskit, e kishte përkeqësuar situatën me liritë e mediave duke i shpenzuar 23 milionë euro prej vitit 2008 deri në 2015 në reklama të qeverisë në media elektronike. Por a do të mjaftojë prerja e kërthizës fiskale që të ndalen praktikat klienteliste ndërmjet mediave dhe politikanëve?

“Mediat janë më të relaksuara se në kohën kur ishin nën presionin e qeverisë së Gruevskit”, thotë Selmani.

Megjithatë, ai beson se ndryshimi i personelit në qeveri nuk përbën domosdoshmërisht ndryshim domethënës. “Nëse nuk rrëzohen shtyllat e sistemit të vjetër dhe të korruptuar, qeveria e re do të tregojë se e mbështet atë”, shpjegon ai. “Një prej përbërësve kyç është të kemi media të lira nga ndërhyrjet e qeverisë”.

“Mediat ende përballen me shumë prej sfidave të njejta të cilat ndikuan te situata e mediave tash e disa vite, dhe ende ekziston perceptimi se mediat e caktuara kanë lidhje politike ose janë instrumente të personave me ndikim.”

Raporti i Komisionit Evropian

Komisioni Europian është treguar i vëmendshëm. Në një raport të publikuar në shtator nga grupi i ekspertëve të pavarur dhe të lartë të sundimit të ligjit të BE-së – të udhëhequr nga Einhard Priebe, drejtor i dikurshëm i Komisionit Europian e tashmë i dalë në pension – u theksua se “ndonëse qëllimet e qeverisë vlerësohen, është tepër herët të thuhet se a do t’i përkthejnë këto qëllime në veprime”.

“Mediat ende përballen me shumë prej sfidave të njëjta të cilat ndikuan te situata e mediave tash e disa vite, dhe ende ekziston perceptimi se mediat e caktuara kanë lidhje politike ose janë instrumente të personave me ndikim”, u tha në raport.

Reforma më e rëndësishme e ligjeve që prekin mediat e cila është paraparë nga qeveria përfshin rishikimin e Ligjit për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale, dhe reformimin e sistemit të financimit të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Maqedonisë (RTM).

Sipas Marina Tuneva, drejtoresha ekzekutive e Këshillit për Etikë të Mediave (KEMM), ndërmarrja e veprimeve kyçe në disa fusha strategjike është e domosdoshme për ta eliminuar ndikimin politik në industrinë e mediave dhe në organet rregulluese.

“Mediat më në fund e kuptuan se çmimi i paguar për papërgjegjësinë e tyre ka qenë i lartë, dhe dëmi më i madh ka qenë humbja e audiencës”, thotë Tuneva.

“Për një periudhë të gjatë ne po përballeshim me kaos në skenën e mediave, përkrah kaosit të shkaktuar nga kriza politike. Ngadalë ambienti i mediave po ndryshon, derisa praktikat e kohës kur joprofesionalizmi medial ishte normë, në vend se përjashtim, tani po lihen mbrapa”, vjen në përfundim ajo.

Një shkëndijë e shpresës vjen nga fakti se Agjencia për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale (AShMAA), organi rregullues i mediave maqedone, tha se mediat kanë raportuar në mënyrë më profesionale dhe më të balancuar gjatë zgjedhjeve komunale të 15 tetorit, në krahasim me periudhat e mëparshme zgjedhore. Dhe për herë të parë, sipas drejtorit të AShMAA-së, Zoran Trajchevskit, gjykata në Shkup verproi brenda afatit kohor ligjor pas apelimeve të AShMAA-së për keqbërje, duke marrë vendim brenda 48 orëve.

AShMAA nisi pesë procedura për keqbërje kundër katër transmetuesve për shkelje të dispozitave të Komisionit Evropian për kufizime të reklamave të paguara politike dhe raportim të pabalancuar. Sa për krahasim, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar u zhvilluan 63 procedura për kudërvajtje gjegjësisht për raportim të pabalancuar në media – nga Gjykata e Lartë.

Gjithashtu, presidenti i ShGM-së, Selmani, shpjegon se gjatë zgjedhjeve komunale të cilat u mbajtën para pak kohe nuk pati sulme fizike, jo si në zgjedhjet parlamentare në dhjetor, kur u regjistruan dy sulme ndaj gazetarëve.

Lufta me lajme të rreme

Selmani dhe Tuneva pajtohen se epoka e lajmeve të fabrikuara në Maqedoni nisi shumë më përpara se koncepti “lajme të rreme” të bëhej fenomen gjithnjë më i pranishëm botëror.

Të dhënat nga KEMM-i tregojnë se 87 për qind e ankesave të dorëzuara për shkelje të standardeve të gazetarisë në 30 muajt e fundit ishin të lidhura me mospublikimin e informatave të sakta dhe të verifikuara, mungesën e sigurimit të “burimeve të dyta” të informacioneve, dhe mungesën e sigurimit të së paku dy burimeve të pavarura. Në më shumë se 70 për qind të rasteve të shkeljeve, KEMM-i vendosi se gazetari/ja nuk kishte bërë dallime ndërmjet fakteve dhe opinionit.

“Kemi pranuar një numër të shtuar të ankesave prej qytetarëve për raportim joetik, që tregon se publiku mund t’i dallonte lajmet që janë propagandë. Ne mund të kuptojmë se qytetarët ndihen më të lirë për të prodhuar raportime selektive dhe gazetari të anshme”, thekson Tuneva.

“Vetërregullimi i mediave mund të kontribuojë në përmirësimin e punës profesionale të mediave në Maqedoni dhe ndalimin e praktikës së kontrollit shtetëror dhe politik mbi mediat.”

Marina Tuneva, Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë

Pjesa më e madhe e ankesave të pranuara nga KEMM-i ishin për raportime në media online. Siç shpjegon Tuneva, Këshilli pranon ankesa për gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim. Kur e pyesim nëse vetërregullimi mund të jetë model efektiv për ta kundërshtuar gjuhen e urrejtjes në media, Tuneva thotë se kjo mund të kontribuojë në përmirësimin e punës profesionale në media dhe “ndalimin e praktikës së kontrollit shtetëror dhe politik në media”.

Grupi i ekspertëve të pavarur dhe të lartë për sundim të ligjit të BE-së thekson në raportin e tij se vetërregullimi nuk nënkupton mungesë të rregullave.

“Qëllimi i deklaruar i qeverisë është të krijohet një ambient që krijon mundësi, duke e lënë sektorin e mediave ta menaxhojë veten pa ndërhyrje. Kjo qasje e vetërregullimit mbështetet edhe nga palët e interesit në sektorin e mediave. Megjithatë, me vetërregullim nuk do të thotë të ketë mungesë të rregullave”, thuhet në raport.

Më në fund, gazetarët në Maqedoni kanë filluar ta nuhasin erën e lirisë së mediave. Por kjo nuk është e mjaftueshme për ta ajrosur erën e fortë që ka mbetur ende ga abuzimet e kahmotshme të mediave për qëllime politike dhe nga aleanca ndërmjet pronarëve të mediave dhe elitave politike. Qasja prit e shih e komunitetit të mediave duket racionale: gatishmëria e Zaevit për ta krijuar një klimë të lirisë mediale mund të konfirmohet vetëm kur ai të tregojë përkushtim për reforma mediale. Përfaqësuesit e shoqatave të mediave mendojnë se veprimet kanë më shumë domethënie se fjalët.

Ia vlen të kujtojmë se Gruevski e nisi mandatin e parë të tij në vitin 2006 duke u profilizuar si ekonomist i ri e mendjehapur, dhe e la zyrën e Kryeministrit i mbajtur mend si armik i lirive mediale dhe lider autoritar. Reformat mediale mund të garantojnë deri në një pikë që liritë mediale nuk do të shtypen përsëri nga një armik tjetër i mediave.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO