Pikëpamje | Aktivizmi

Vuaj prandaj Jam – duhet ta ndalim keqtrajtimin e kafshëve në Kosovë

Nga - 14.10.2016

Si personat e margjinaliuar, edhe kafshët janë të pafuqishme dhe pa zë.

Në punën time si ligjëruese dhe hulumtuese, jam e interesuar në padrejtësi sociael. Fokusohem veçanërisht në çështje që kanë të bëjnë me margjinalizimin e njerëzve, por edhe të kafshëve, posaçërisht qenve. Puna ime përzien disa pikëpamje akademike për të konturuar atë se si identiteti, fuqia, dominimi, tjetërsimi dhe diskriminimi, përdoren për të justifikuar vuajtjen e njerëzve dhe kafshëve. Synimi im është që të shtrojë pyetje rreth fuqisë, dhe për atë se ‘zëri’ ose përvoja e kujt prioritizohet. Problem për mua nuk është ajo se a mund të flasin kafshët apo jo; ka të bëjë me dhimbje dhe fuqi, dhe me atë se kush e ka fuqinë për ta vendosur fatin dhe mirëqenien e njerëzve dhe kafshëve të margjinalizuara dhe të diskriminuara.

Në vitin 1997, Jacques Derrida, filozofi postmodern post-strukturalist francez, e adresoi konferencën Crisy me një ligjëratë 10-orëshe, që më vonë u botua në vitin 2006 si libër me titull “Kafsha që Prandaj Unë Jam”. Në adresimin e tij, Derrida shtron në pyetje propozimin e njohur kartezian ‘mendoj, prandaj jam’, që me shekuj a përcaktuar subjektin ose ‘njeriun’ në filozofinë perendimore. Argumenti i Derridas i ka si pikë qendrore ndërtimet e njeriut dhe kafshës (ose jonjeriut) dhe e shtron në pyetje atë se si i ndërtojmë ne këto dyja. Megjithatë, nëpërmjet shtruarjes së pyetjeve në lidhje me këto marrëdhënie, ne nuk fillojmë të kuptojmë kapacitetin për mendim, por kapacitetin për vuajtje dhe për dhimbje. Pra pyetja nuk duhet të jetë, ‘A mund të mendojnë kafshët dhe qentë?’ por, ‘A mund të ndjejnë dhimbje e të vuajnë kafshët?’

"Kam parë pafund kafshë duke vuajtur, veçanërisht qenë në rrugët e Kosovës, dhe asnjë person nuk është gjobitur ose dënuar për keqtrajtim."

Për mendimin dhe përvojën time, kafshët, veçanërisht qentë, jo vetëm që janë të ndjeshme, por edhe tepër të pajisur me aftësi gjuhësore dhe komunikuese, që ndonjëherë i tejkalojnë edhe shumicën e aftësive njerëzore. Tri qentë e mi janë të aftë që të komunikojnë dhe t’i dallojnë edhe ndryshimet më të vogla të sjelljeve njerëzore, ndonjëherë më shpejtë se cilido person që e kam takuar. Në fakt, në shtëpinë time, ne duhet t’i shqiptojmë fjalët germë për germë, sepse qentë tonë Jack, Ollie dhe Daisy, janë shumë të shpejtë në komunikimin e dëshirave të tyre në lidhje me fjalët si ‘shetitë’ ose ‘ushqim’ e shumë tjera. Për më tepër, ata mund të kuptojnë fjali si, ‘A don me shku n’park me shetitë?’ dhe ‘Tash kom me t’bo me hongër’, e madje edhe e kuptojnë edhe dallimin në mes të ‘ushqim’ dhe pyetjes, ‘A je untë?’, së cilës zakonisht i përgjigjen duke u ngritur e duke shkuar në kuzhinë për ta pritur ushqimin e tyre, ose duke më nxitur mua që të nxitojë duke më prekur me putra.

Fatmirësisht, Jack, Ollie dhe Daisy jetojnë në MB me partnerin tim dhe me mua, dhe ne e kemi blerë një shtëpi me oborr vetëm për ta. Asgjë nuk krahasohet me konceptin e mbajtjes së një qeni. Është qenie që kërkon kujdes, të shtyen që të bësh e të arrish gjëra që normalisht as nuk i mendojmë që janë të mundshme. Shpesh u tregojë histori të qenve në Kosovë, që vuajnë, pavarësisht ligjeve shumë të mira që janë në fuqi në Kosovë, që janë të projektuara për t’i mbrojtur të gjitha kafshët, përfshirë qentë.

Ligji në Kosovë është i qartë. I vendosë përgjegjësitë që i kemi drejt kafshëve, përfshirë ushqimin dhe strehimin e tyre, por edhe mjekimin, dhe mosabuzimin e mosngacmimin e tyre. Ligji gjithashtu thotë se kushdo që abuzon kafshët nëpërmjet shpërfilljes së nevojave të tyre themelore për ujë e ushqim, ose duke i ngacmuar, torturuar e vrarë kafshët, mund të dënohet me gjoba në vlerë prej 100 deri në 5000 euro.

Por kam parë pafund kafshë duke vuajtur, veçanërisht qenë nëpër rrugët e Kosovës, dhe asnjë person nuk është gjobitur e dënuar për keqtrajtim. Nuk jam e sigurt, por mendoj se ndoshta disa njerëz nuk janë të vetëdijshëm për këto ligje, sepse do t’i kishin mbushur arkat e komunave të tyre përkatëse.

Qentë në Kosovë vuajnë prej mosushqimit, sëmundjeve dhe lëndimeve. Ata abuzohen dhe i nënshtrohen metodave jonjerëzore të vrasjeve, si pushkatimit (shihni peticionin që e kam nisur dhe që i ka mbledhur mbi 1400 nënshkrime, por ende nuk ka reagim nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti), helmimit ose mbytjes nën ujë. Përdoren edhe metoda mizore të kapjes, e më pas qentë vendosën në objekte pa pajisje dhe të keqmenaxhuara, ‘strehimore’ të ashtuquajtura. Kushdo që ka guxim mund të shkojë ta vizitojë vet ‘strehimoren’ e ashtuquajtur në Graçanicë, e ta sheh dhimbjen e vuajtjen që e përjetojnë qentë atje.

Por asnjë inspektor nuk është dërguar atje, dhe askush nuk jep llogari, e nuk gjobitet, për shkaktimin e dhimbjes e vuajtjes ndaj kafshëve. Ngjashëm, nëpër rrugët e Kosovës, shohim qenë dhe maca të rrugës duke vuajtur; të uritur, të abuzuar, prej fëmijëve e të mëdhenjve, të cilët i gjuajnë me gurë, ose më keq. Pavarësisht faktit se njerëzit i kanë zbutur qentë dhe e kanë krijuar vet këtë ‘problem’, vet qentë dënohen dhe vuajnë nga veprimet tona të tmerrshme.

"Kur e normalizojmë keqtrajtimin dhe këto sjellje mizore... në mënyrë implicite marrim pjesë në këtë abuzim të personave dhe kafshëve më të prekshme në shoqërinë tonë."

Kur flasim kundër këtyre mizorive, disa qytetarë në Kosovë thonë se qentë janë agresiv. Nuk mund ta kundërshtoj idenë që disa prej tyre mund të jenë agresiv, por mund të garantoj që çfarëdo sjellje agresive të qenve janë për shkak të sjelljeve njerëzore.

E dimë që qentë që kanë përjetuar abuzim bëhen shumë të nënshtruar, të frikësuar ose me gjasë vdesin, nëse mbesin në rrugë, ose, bëhen agresiv. E kur është dëshmuar kjo me shkencë, pse vazhdojmë t’ua lëmë fajin atyre? Vazhdojmë t’i fajësojmë ata sepse nuk kanë ndonjë zë të dalluar, njejtë si personat e margjinalizuar dhe të pafuqishëm.

Për shembull, para dy viteve dëgjuam në media se si disa qenë e sulmuan një fëmijë. Megjithatë, të gjitha raportet nuk e përmendën faktin se fëmiu ishte duke rrëmuar nëpër kanta të bërllogut për ushqim, në të njejtin vend ku edhe qentë kërkojnë ushqim, pra qentë, duke vuajtur ga uria, e sulmuan fëmiun, sepse po e mbronin burimin e ushqimit të tyre. Mediat në Kosovë nuk e raportuan këtë, e as nuk raportuan faktin se fëmiu po kërkonte ushqim në kanta. Të dy ishin të angazhuar në sjellje instinktive të shtyera nga uria dhe vuajtja, dhe të dy nuk kishin zë.

Kjo më sjell te fjalia që e dëgjoj më së shpeshti prej kosovarëve. ‘Ne kemi persona që janë duke vdekur nga uria, si mund t’i ndihmojmë qentë kur njerëzit janë të uritur?’ Unë do të argumentoja që kur i normalizojmë sjelljet mizore dhe keqtrajtimin, ose duke shkaktuar direkt dhimbje, ose duke mosvepruar, sjellje që normalizojnë vuajtjen dhe krijojnë një atmosferë të indiferencës sa herë dikush apelon për t’i ndihmuar ata që janë duke vuajtur, si rezultat i frekuencës dhe numrit të lartë të apelimeve të tilla, atëherë ne marrim pjesë në mënyrë implicite në abuzimin e qenieve më të prekshme në shoqërinë tonë, edhe njerëzore e edhe kafshore. Për më tepë, situata do të vazhdojë t’i ketë problemet e njejta, vetëm se do të keqësohen, dhe asnjëherë nuk do të mund t’i ushqejmë ose ndihmojmë asnjërin grup.

Njerëzit, deri në një masë, mund të veprojnë për vete, por jo kur janë të pafuqishëm. Situata është edhe më e keqe për kafshët, si qentë e rrugës në Kosovë. Ata do të vazhdojnë të ndjejnë dhimbje dhe të vuajnë në heshtje, dhe shoqëria do të vazhdojë t’i ketë problemet e njejta, për shkak të kësaj pabarazie drejt atyre që janë më pak të fuqishëm, që e kanë zërin e heshtur.

Fotografia më poshtë shfaq një qen që e ka humbur vëllaun e tij, dhe nuk pranon që të largohet prej tij. Nëse kjo nuk shtë aftësi për të folur, menduar dhe ndjerë, nuk e di çka është. Pra ju kërkoj që ta dëgjoni këtë vuajtje, jo vetëm për hir të kafshëve dhe qenve në Kosovë, por për hir të shoqërisë dhe humanizmit tonë.

Photo Courtesy: Dafina Paca

Fotografia nga Dafina Paca.

Shënim i autores: Pagesa për këtë artikull, bashkë me një pagesë personale në vlerë të njejtë, janë dhënë si donacion në organizatat Kosovo Pet Rescue, Rescue Angels Kosova dhe për vullnetarët e Të Bashkuar për Kafshët, për t’i ushqyer qentë në strehimoren e Graçanicës.

Fotografia kryesore: Fikret Ahmeti / K2.0.

KOMENTO