Shtyp | Religjioni

Në Zvicër, myslimanët e moderuar këmbëngulin të dëgjohen

Nga - 21.05.2012

Në një kohë të debateve të nxehta dhe të islamofobisë së kudondodhur, një grup imamësh shqiptarë bashkohen për të luftuar ekstremizmin dhe fundamentalizmin.

Duhet të ketë vende më të mira për të qenë imam sesa në Zvicër. Vendi i vogël alpin ka pushtuar titujt e mediave në mbarë botën në vitet e fundit falë rritjes të islamofobisë. Por, Rejhan Neziri nuk e ka ndërmend të largohet. Përkundrazi: ai dëshiron të kthejë besimin dhe maturinë. Dhe ai është i vendosur të luftojë për këtë.

Imami 39-vjeçar është prijës i Unionit të sapoformuar të imamëve shqiptarë, një grup prej 30 klerikëve myslimanë, që praktikojnë besimin e tyre në Zvicër. Dhe pritjet e tyre janë të mëdha: “Duhet ta bëjmë zërin tonë të dëgjohet”. Por, arritja e këtij synimi po dëshmohet më i vështirë seç mendohej.

books

Për t’u takuar me Nezirin m’u desh të udhëtoja drejt cepit verilindor të vendit. Në qytetin e Kreuzlingenit, me pamje nga liqeni i Konstancës, shihet një pjesë e Gjermanisë në anën tjetër të bregut. Këtu ka ndërtesa dhe kisha të shumta të bukura, të vjetra, por nuk duket asnjë xhami. Duhet të bësh një ecje të gjatë nga rruga kryesore deri te zona industriale për ta gjetur atë. Xhamia e komunitetit, “Hëna e Re”, ndodhet në një shtëpi modeste banimi, me xhama gjysmë të tejdukshëm dhe një kuti postare – ndërtesë tipike zvicerane. Kjo shtëpi, që brenda strehon një faltore myslimane, simbolizon në mënyrë të përkryer situatën e myslimanëve në Zvicër. Shumica e xhamive zvicerane janë të margjinalizuara në zona industriale apo tregtare, nganjëherë ndodhen edhe në banesa apo bodrume. Komunitetet myslimane përpiqen t’i përshtaten rrethit dhe të mos bien shumë në sy. Feja  konsiderohet çështje private këtu.

imam-rejhan-neziri1

“Vizitorët nganjëherë zhgënjehen, se kjo në asnjë mënyrë nuk është Xhamia e Kaltër”, thotë Neziri me buzëqeshje, duke iu referuar xhamisë së famshme në Stamboll. Ai është i lumtur me xhaminë e tij, sidoqoftë. Në qendër të shtëpisë është kafeneja, e cila rrezaton ngrohtësi dhe rehati. Një pllakat i Xhamisë së Sinan Pashës në Prizren ndodhet i ngjitur në një mur brenda, ku ka edhe rafte përplot me libra, ndërsa vendi është përplot me njerëz, që pinë kafe, tymosin duhan dhe qeshin. Është mesditë e së premtes dhe njerëzit vijnë këtu për t’u socializuar, për të folur shqip dhe për t’u falur.

Në Zvicër jetojnë rreth 400.000 myslimanë, në mesin e një popullsie të përgjithshme prej 7.8 milionë banorësh. Shumica e myslimanëve janë shqiptarë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Ata jetojnë në Zvicër që nga vitet e 1970-ta, kur kompanitë zvicerane i vlerësuan shqiptarët si punëtorë të huaj të lirë dhe seriozë. Ndërkaq, gjatë luftërave në Ballkan, në vitet e 1990-ta, Zvicra u bë një strehë e sigurt dhe e njohur për shumë shqiptarë të zhvendosur.

Por, shpejt pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, dhe praktikisht brenda natës, perceptimi i shqiptarëve në sytë e publikut zviceran ndryshoi. Ata nuk shiheshin më si pjesë e komunitetit ballkanik, por thjesht si myslimanë. “Papritmas u pamë ndryshe, ndonëse ishim aty qe 30 vjet”, thotë Neziri, i cili vjen nga Maqedonia dhe ka jetuar në Zvicër në 10 vjetët e fundit. Në rrjedhojën e frikshme të sulmeve terroriste në Amerikë, politikanët dhe mediat filluan të bëjnë trysni ndaj komuniteteve myslimane, duke iu kërkuar atyre të distancohen nga veprat terroriste të fundamentalistëve myslimanë.

Shqiptarët reaguan me zhgënjim dhe zemëratë. Reagimi i përbashkët ishte: “Pse? Ata fundamentalistë s’kanë të bëjnë kurrgjë me ne”. Ata u ndien të  ofenduar nga publiku i gjerë, nga politikanët dhe mediat që kërkonin përgjigje ndaj pyetjeve të tyre irracionale. Si pasojë, pjesëtarët e komunitetit shqiptar vendosën të heshtin dhe kthyen shpinën.

Në retrospektivë, Neziri e sheh këtë si gabim. Një gabim që s’duhet të përsëritet më. “Myslimanët në Zvicër nuk janë të organizuar ende mirë. Ne nuk flasim njëzëshëm – dhe disa politikanë e shfrytëzojnë këtë”.

moutside1

Më 2004, shtetasit zviceranë votuan, në një referendum, se a duhej t’u lehtësohej fëmijëve të imigrantëve marrja e shtetësisë.  Në kontekstin e kësaj iniciative të popullarizuar, Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë, – tani partia më e madhe në Kuvendin Kombëtar, – zhvilloi një fushatë të pistë, duke pretenduar se votimi për lehtësimin e procesit do të nxiste “islamifikimin e Zvicrës”. Pjesë e fushatës ishin statistikat e manipuluara, që sugjeronin se me rritjen e popullatës myslimane, brenda 30 vjetësh, shumica e Zvicrës do të ishte myslimane dhe rrjedhimisht atje do të fuqizohej e drejta e sheriatit. Fushata e tyre ishte e vrazhdë, por reagimi i jashtëzakonshëm: Një shumicë e madhe votoi kundër lehtësimit të procesit në referendum.

Një reagim i ngjashëm u provokua edhe më 2009, kur votuesit zviceranë votuan për ndalimin e minareve të xhamive – përkundër faktit se vetëm katër xhami në Zvicër kishin minare, dhe asnjëra nuk shfrytëzohej për të thirrur xhematin. Diskutimi ishte përsëri i zhurmshëm, ndërkaq zëri i komuniteteve shqiptare myslimane ishte thuajse i padëgjueshëm përsëri.

Ngritja e së djathtës ndez radikalët

Por, atje pati edhe një tjetër lloj reagimi. Myslimanët e rinj u ndien veçanërisht të ofenduar nga retorika e ashpër e politikanëve të krahut të djathtë dhe mbulimi i njëanshëm nga mediat kryesore – dhe nga injorimi i vetë udhëheqësve të komunitetit të tyre. Në vitet pasuese, u formua edhe një grup, i cili nisi shpejt të dominojë debatin rreth të praktikuarit të besimit islam – Këshilli Qendror Islamik i Zvicrës (IZRS). Të udhëhequr nga studenti zviceran i konvertuar në mysliman, Nicolas Blancho, ata pohojnë se mbështesin një islam më radikal në traditën konservatore të salafizmit puritan.

IZRS-ja gjithashtu po tërheq më shumë vëmendjen e myslimanëve të rinj sesa cilado organizatë tjetër. Duke përhapur mesazhin e tyre nëpërmjet mediave sociale, si “Facebook”, “Twitter” dhe “YouTube”, duke organizuar ngjarje të ndryshme, duke përfshirë kongresin e popullarizuar të përvitshëm të myslimanëve të rinj, dhe duke provokuar publikun me deklarata radikale, ata kanë arritur të rrisin numrin e anëtarëve në rreth 2.000 – dhe të tërheqin  më shumë në vëmendjen e mediave. Kjo lëvizje e pazakontë ishte njëra prej arsyeve për themelimin e Unionit të Imamëve Shqiptarë, thotë Neziri, “ndonëse ai nuk është i menduar si kundëriniciativë”.

Me një diplomaci të stilit zviceran, Neziri nuk kritikon Blanchon dhe radikalët e tij të rinj. Por, atë e brengos fakti se mesazhi i tyre po depërton te një audiencë më e gjerë: “Anëtarët e IZRS-së e flasin gjermanishten, shumica e imamëve tanë jo. Blancho flet në emër të të gjithë myslimanëve, imamët tanë jo. Blancho është figurë e popullarizuar në medie, imamët tanë s’janë”.

Një shikim brenda komunitetit mysliman

Brenda xhamisë shqiptare në Keuzlingen, njerëzit po bëhen gati të falen. Dielli i mesditës rrezon në dhomën e madhe të faljes, ornamentet e bukura zbukurojnë muret, ndërsa ndihet një aromë trullosëse nga një freskues ajri. Hyjnë rreth 200 meshkuj, të vjetër e të rinj, të rruar e me mjekra, zviceranë, shqiptarë, turq dhe pakistanezë. Një grup i madh i disa meshkujve njëzet e kusur vjeç qeshin e bëjnë shaka. Ndërkohë, hyn imam Neziri, dhe ata ia nisin të falen siç bëjnë shumica e myslimanëve, secili me ritmin e vet.

Në një tavolinë në kafene, më vonë, pjesëtarët e komunitetit qajnë hallet e tyre. Muhamet Ziberi, 29-vjeçar, dhe Jetmir Kasami, 30-vjeçar, janë dy prej tyre. Që të dy janë të respektuar në komunitetin e “Hënës së Re” dhe në qytetin e Kreuzlingenit. Kasami punon si këshilltar bankar, ndërsa Ziberi në postën lokale, por edhe si zjarrfikës vullnetar. “Jemi me fat që e kemi këtë xhami”, thotë Ziberi. “Shumë shqiptarë të rinj vijnë këtu sepse, duan të dëgjojnë imamin duke predikuar në gjermanisht”.

prayer

Ata thonë se ndihen plotësisht të pranuar dhe nuk u intereson debati rreth pozitës së islamit në Zvicër. Vetëm në vitet e fundit njerëzit kanë nisur të reagojnë ndaj tyre, duke i pyetur rreth besimeve të tyre fetare. “Disa thonë: Oh, je mysliman? Por, të njoh qe 10 vjet!”. Megjithatë, ata thonë se s’kanë pasur kurrë përvoja të këqija. Është një fenomen i zakonshëm kudo në Zvicër. Sa më i madh të jetë komuniteti mysliman në një rajon, aq më e vogël duket të jetë islamofobia atje.

E grupi i radikalëve të rinj? “Nuk na interesojnë ata”, thotë Kasami. Për mendimin e Ziberit, ata s’bëjnë kurrgjë të keqe: “Ata përhapin idenë e islamit dhe të unitetit. Kjo është gjë e mirë”.

Nuk ka kuptim t’i vësh të rinjtë nën presion për të mbajtur një anë, thotë Ziberi. “Nuk të duhet të zgjedhësh të jesh zviceran, shqiptar ose mysliman. Mund të jesh i gjithi bashkë”.

Një rol më i madh për imamët shqiptarë

Një hulumtim i 2009-ës nga Fondi Kombëtar Zviceran ka treguar se shumica e madhe e myslimanëve që jetojnë në Zvicër duan që imamët e tyre të arsimohen në Zvicër. “Ne mendojmë se kjo është e domosdoshme”, thotë Neziri. “Nuk mund të imigrosh dhe të jetosh 20 vjet në Zvicër pa u bërë pjesëmarrës dhe pa e mësuar gjuhën lokale. Kjo është kundërproduktive, veçanërisht për ne myslimanët”.

jetmir-kasami2

Neziri po shikon përtej roleve bazike fetare të imamit si predikues dhe interpretues i Kur’anit. Unioni i Imamëve Shqiptarë dëshiron që këta udhëheqës fetarë të shërbejnë si shembuj dhe ndërlidhës për shoqërinë, ata duan të përqendrohen në këtë. “Ne duhet të ndërtojmë marrëdhënie besimplota me komunat, me administratat e shkollave, me përfaqësuesit e feve tjera”.
Gjuha është kyç për ndërlidhje për imamët shqiptarë, thotë Neziri. Deri tani, vetëm një pjesë e vogël e imamëve flasin rrjedhshëm njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës: gjermanishten, frëngjishten, italishten apo romanshen. UISH-i po organizon orë mësimi për gjuhë, kulturë dhe politikë. muhamet-ziberi2Imamët kanë nisur të predikojnë në gjermanisht – Neziri e bën këtë qe disa vjet, ndaj po merr vlerësime pozitive. “Befas, po vijnë më shumë të rinj”, thotë ai.

Shumë shqiptarë të gjeneratës së dytë në Zvicër nuk e flasin shqipen rrjedhshëm, andaj ata gëzohen kur dëgjojnë predikimet e Nezirit në gjermanisht. Kjo gjithashtu e hap xhaminë për joshqiptarët. “Po vërejmë më shumë arabë, boshnjakë, kurdë apo pakistanezë, veçanërisht në ditën e xhuma”, shton Neziri.

Komuniteti shqiptar mysliman po bëhet gati nëpërmjet organizimit dhe arsimimit për një debat të ardhshëm. Politikanët e krahut të djathtë tashmë e kanë bërë publike një fushatë të re kundër gjithçkaje myslimane. Ata më nuk do të kthejnë shpinën dhe nuk do t’i lënë radikalët të flasin në emër të të gjithë myslimanëve. Tani ata do ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.

“Ka qenë një kohë në Zvicër, kur njerëzit krijonin një perceptim të keq për imigrantët italianë”, thotë Kasami, këshilltari bankar. “Tani ata janë integruar në mënyrë të përkryer dhe gëzojnë tolerancë. E njëjta do të ndodhë edhe me myslimanët. Pas 10 vjetësh, shqiptarët do të jenë shembuj të integrimit”.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO