Në thelb | #podumeditë

Mungesë infrastrukture për personat me aftësi të kufizuara

Nga - 19.04.2017

Dhjetëra mijëra pa mundësi për t’u qasur në ndërtesa, rrugë dhe shërbime.

Kryerja e punëve që shumë njerëz i marrin si të mirëqena mund të jetë e mundimshme për Mexhid Foniqin. Shëtitjet, udhëtimi deri në vendin e tij të punës, dorëzimi i një dokumenti në komunë – të gjitha kërkojnë planifikim paraprak, dhe shpeshherë e detyrojnë atë që të mbështetet tek të tjerët për ndihmë.

Foniqi është i verbër. Ai e humbi shikimin para 40 viteve. Deri në moshën 20 vjeçare e kishte, por pastaj gjatë kohës së tij si student i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës në 80-at, atij iu zhvillua një sëmundje e rrallë e sistemit imunitar, Morbus Behcet, që rezultoi në humbjen e përhershme të shikimit të tij.

Meqë më parë mund të shihte, Foniqi ende ka kujtime të fuqishme për atë se si duken gjërat që e rrethojnë. “E di se si duket natyra, si duket bota, dhe ishte shumë e vështirë për t’u adaptuar. Por nevoja ta imponon”, thotë ai. “Isha me fat që u martova në një moshë të hershme, sepse bashkëshortja ime vinte me mua në universitet, i merrte materialet, i inçizonte dhe m’i lexonte më vonë”.

Ai diplomoi në 1983 por asnjëherë nuk e praktikoi profesionin e tij. Ai shkon me taksi çdo ditë në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës në Prishtinë, organizatë në të cilën ai vepron si drejtor ekzekutiv. Për të është e pamundur të udhëtojë në këmbë; rrugët e Kosovës nuk i përputhen standardeve të një mjedisi përfshirës me trotuare taktore të inkorporuara – një sistem me terren specifik në të cilin mund të orientohen personat me shikim të dobët duke përdorur shkop, gjë që u ndihmon atyre që të kenë liri të lëvizjes.

Mexhid Foniqi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, thotë se infrastruktura e Prishtinës është mjerisht joadekuate për personat e verbër. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në vitet e fundit, Komuna e Prishtinës ka instaluar semafora akustik, të cilët lëshojnë tinguj kur është e sigurt që të kalohet rruga, në mënyrë që t’u mundësohet qasja personave të verbër. Por vetëm në rrugën “Garibaldi”, afër hotelit “Grand”, ka pika kalimi që në fakt i drejtojnë personat e verbër drejtë semaforave duke i përdorur trotuaret taktore. Foniqi dhe aktivistët tjerë besojnë se lokacioni qendror është zgjedhur me qëllim “si kamufllazhë, për t’i mashtruar njerëzit që zyrtarët në fakt po mundohen që të bëjnë diçka”.

Edhe pse personat e verbër kanë tendencë që t’i kujtojnë në mënyrë shumë të hollësishme rrugët, këndet e ndërtesat që i kanë vizituar më parë, zhvillimi i parregullt i Prishtinës pas luftës, bashkë me fenomenin shumë të përhapur të parkimit të paligjshëm, e pengojnë këtë proces.

“Një person i verbër nuk guxon që të dalë nga shtëpia, vet e me shkop – është e pamundur”, thotë Foniqi. “Në epokën e pasluftës kemi patur kaos real sa i përket trafikut, e kjo e bënë të pamundur ecjen”.

Shoqata e tyre, një hapësirë e vogël te banesat e kuqe në lagjen “Bregut i Diellit”, shërben si i vetmi vend “për të dalë” për Foniqin dhe anëtarët e tjerë; personat e verbër dhe personat me shikim të dobët i kalojnë ditët e javës aty duke u socializuar e duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, si dhe duke zhvilluar nisma të avokimit për njerëz me aftësi të kufizuara.

"Personat e verbër nuk kanë pavarësi të plotë për shkak të faktit se janë të nënshtruar ndaj shoqëruesve përkatës të tyre”

Kreu i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu.

Edhe pse shumë njerëz me shikim të dobët e vizitojnë këtë shoqatë në bazë ditore, mungesa e infrastrukturës adekuate në zonën përreth paraqet vetëm një shembull të vogël të mangësive të përgjithshme në infrastrukturën e gjithë Kosovës. Qeveria dhe komunat kanë dështuar në sigurimin e kushteve për lëvizje të pavarur, jo vetëm për persona të verbër, por për të gjithë personat me aftësi të kufizuara.

Nuk ka statistika të sakta për atë se sa njerëz me aftësi të kufizuara janë në Kosovë. Megjithatë, në bazë të vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), që kalkulojnë se prej 10 deri në 15 përqind të popullsisë botërore janë me aftësi të kufizuara, deri në 30,000 persona me aftësi të kufizuara janë vetëm në Prishtinë.

Njerëzit me aftësi të kufizuara dhe aktivistët e të drejtave të njeriut vazhdimisht theksojnë faktin se personat me aftësi të kufizuara janë të përjashtuar nga tregu i punës e nga jeta sociale, politike, kulturore dhe ekonomike, dhe se pjesëmarrja e tyre në sfera të ndryshme të jetës mbetet si çështje shumë sfiduese.

Bujar Kadriu, kreu i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, vlerëson se është e pamundur që personat e verbër në Kosovë, siç është edhe ai, të jenë të pavarur në jetët e përditshme të tyre vetëm me shkop ndihmës. “Si persona të verbër, ne nuk jemi të pavarur”, thotë ai. “Personat e verbër nuk kanë pavarësi të plotë për shkak të faktit se janë të nënshtruar ndaj shoqëruesve përkatës të tyre”.

Kreu i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu, thotë se është e pamundur që personat e verbër të jetojnë jetën plotësisht të pavarur në Kosovë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kadriu thotë se pavarësisht faktit që Kosova para disa viteve ka prezantuar një strukturë rregulluese që parasheh infrastrukturë që është barabartë e qasshme për të gjithë, në realitet shumë pak është bërë për të garantuar lëvizjen e pavarur të qytetarëve me aftësi të kufizuara. “Ka rampa, që parashihen sipas standardeve, por shumica zbatohen vetëm si kamufllazhë, për të mos thënë diçka inspektorati”, thotë ai.

Ligji për Ndërtim dhe Udhëzimi Administrativ për Kushte Teknike të Ndërtesave për Qasje të Personave me Aftësi të Kufizuara synojnë përmbushjen e nevojave të përditshme praktike të personave me aftësi të kufizuara, dhe janë në përputhje me standarde ndërkombëtare; ndërtesat e reja duhet të kenë mekanizma të qasshmërisë të inkorporuara që nga fazat fillestare të planifikimit, ndërsa ndërtesat ekzistuese duhet të adaptohen.

Megjithatë, Kadriu thotë se kjo strukturë thjeshtë nuk është zbatuar. “Disa institucione as që kanë ide që ekziston”, thotë ai.

Prishtina për të gjithë?

Një raport i ri, që u publikua në vjeshtën e kaluar nga organizata jo-qeveritare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara “Handikos”, i mbështet pretendimet e Kadriut, duke theksuar se shumë pak është arritur sa i përket sigurimit të infrastrukturës së përshtatshme dhe mundësimit të lëvizjes së barabartë për personat me aftësi të kufizuara. I titulluar “Prishtina për të gjithë?”, ky raport analizoi pengesat arkitekturale në 195 ndërtesa dhe shërbime private e publike në Prishtinë që frekuentohen rregullisht nga qytetarët e këti qyteti.

Ky raport thekson nevojën për ndërhyrje urgjente për eliminim të pengesave, duke e siguruar kështu të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për jetë të pavarur e dinjitoze. Posaçërisht tregoi se ndërtesat dhe hapësirat janë veçanërisht problematike për personat e verbër, meqë asnjëra ndërtesë nuk ka sipërfaqe taktore.

Gjithashtu, prej lokacioneve që u analizuan, vetëm 8 prej tyre kishin zona për parkim të projektuara për persona me aftësi të kufizuara, dhe vetëm 15 lokacione kishin toalete të përshtatshme të ndërtuara sipas standardeve të qasshmërisë. Rampat e qasjes, që janë thelbësore për përdorues të karrocave, nuk ekzistojnë fare në 38 përqind të lokacioneve, ndërsa vetëm 28 ndërtesa kanë ashensorë që konsiderohen të jenë të qasshëm për nga virtytet e të qenurit mjaft të mëdhenjë për të akomoduar përdorues të karrocave, dhe posedimit të sustave me Braille (alfabeti për persona të verbër që lexohet me anë të shqisës së prekjes) e sistemit të kontrollit me zë.

Drejtori i Handikos, Afrim Maliqi, përdorë karrocë tash e 30 vite, pasi përjetoi një sëmundje serioze në kurriz në fund të adoleshencës. Edhe pse ai mendon që njerëzit sot kanë nivel më të lartë të ndërgjegjes për persona me aftësi të kufizuar, ai është i zhgënjyer me trajtimin e këtyre të fundit nga ana e qeverisë.

“Para luftës familjet i mbanin familjarët me aftësi të kufizuara në shtëpi – ne menduam që me të përfunduar lufta, gjërat do të ndryshonin, dhe shteti do të merrte përgjegjësi, por fatkeqësisht kjo situatë vazhdon ende”, thotë Maliqi. “Kur infrastruktura nuk është krejtësisht e përshtatshme, kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut. Për shembull, ndërtesat kanë shkallë, por ne nuk mund të ecim poshtë e lartë shkallëve. Çfarë do të bënin njerëzit po të mos kishte shkallë? Do të ngjiteshin me litar një kat më lart?

Afrim Maliqi, drejtor i Handikos, thotë se qeveria nuk ka bërë aq sa duhet për t’i mbështetur personat me aftësi të kufizuara. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0

Sa herë që Maliqi ka takim, ai duhet të planifikojë paraprakisht: duhet ta gjejë dikë që të shkojë me të, si dhe ta kuptojë se a ka lokacioni në fjalë hapësirë të përshtatshme për parkim, se në cilën kat mbahet takimi, dhe se a ka toalet të përshtatshëm.

“Të jep një ndjenjë shumë të keqe. Thjeshtë nuk je i barabartë – gjithmonë je i varur për dikë”, thotë ai. “E të mos flasim më për toalete publike. Nëse dal për kafe, më duhet dikush që të më shoqërojë. E pastaj më duhet të mos pijë shumë sepse e di që nuk mund ta përdori banjon”.

Në vitin 2013, qeveria e Kosovës lansoi një strategji 10 vjeçare (2013-2023) me synim të krijimit të një kornize të përshtatshme të veprimit për t’i adresuar sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara. Plan veprimi fillestar i strategjisë, prej 2013 deri në 2015, kishte pesë objektiva, përfshirë krijimin e kushteve për qasje të përshtatshme fizike, informim dhe komunikim.

“Gjithmonë them se është ëndërr e imja që të dalë vet gjatë jetës”

Drejtori i Handikos, Afrim Maliqi

Për Kadriun e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, kjo është shumë e rëndësishme për përfshirje themelore të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri. “Qasja është element kyç për integrim – nuk ka integrim pa qasje”, thotë ai, duke shtuar se pa mundësi adekuate të qasjes, personat me aftësi të kufizuara dekurajohen nga pjesëmarrja në arsim apo punëmarrje.

Ndonëse një raport vetëvlerësues që u publikua nga zyra e qeverisjes së mirë në Kryeministri, aludoi se ishin arritur rezultate pozitive në dy vitet e para të zbatimit të strategjisë, Kadriu thotë se arritjet janë ekzagjeruar shumë. “Sipas dokumenteve të qeverisë, një nivel i lartë i zbatimit është arritur, por organizatat për njerëzit me aftësi të kufizuara janë shumë skeptikë”, thotë ai, duke iu referuar rezultateve të një raporti që u publikua së fundmi nga “Handikos”. “Në praktikë, jeta e personave me aftësi të kufizuara thelbësisht nuk ka ndryshuar në mënyrën që u parapa në strategji dhe plan veprim”.

Arim Maliqi pajtohet se personat me aftësi të kufizuara janë larg përjetimit të efekteve të zbatimit efektiv të strategjisë. “A e prekën personat me aftësi të kufizuara atë strategji? Institucionet thonë se kemi infrastrukturë shumë të mirë ligjore – janë vetëm fjalë”, thotë ai.

Gjatë viteve, ankesa të tilla kanë dalur nga raportet e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës, të cilët kanë theksuar zbatimin e kufizuar të strategjisë, diskriminimin kundër personave me aftësi të kufizuara dhe çështjen e qasjes në ndërtesa publike dhe transport publik.

“Gjithmonë them se është ëndërr e imja që të dalë vet gjatë jetës”, thotë Maliqi. “Të endem vet nëpër Prishtinë, e nëse e shoh ndonjë dyqan të teshave apo teknologjisë, të hyjë e t’i shoh sendet brenda. Ose thjeshtë të dalë e të pijë një kafe vet. Në Kosovë nuk ke mundësi që ta bësh këtë”.K

Duke udhëhequr rrugën

Problemet e Prishtinës me qasshmëri dhe lëvizshmëri për personat me aftësi të kufizuara së pari morrën hov në diskursin publik në vitin 2013. Studentët e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, të udhëhequr nga profesoresha e tyre, Rozafa Basha, e prodhuan një Hartë të Pengesave për Qytetarët me Aftësi të Kufizuara, duke u fokusuar në qasjen në hapësirat publike të kryeqytetit.

Studentët u ndanë në dy ekipe, në të cilat gjithashtu u përfshinë përfaqësues prej shtatë “rrethanave të ndryshme të lëvizshmërisë”: përdorues të karrocave elektrike, përdorues të karrocave manuale, persona të verbër, persona me shikim të dobët, persona të shurdhër, dhe persona me sindrom Down. Ata shkuan nëpër dy rrugë të ndryshme, nga stacioni i autobusëve e deri në qendër të qytetit, duke i skicuar pengesat përgjatë rrugës.

Kjo hartë i theksoi mangësitë e mëdha, përfshirë mungesën e sipërfaqeve taktore, si “breze paralajmëruese” në trotuare dhe pikë ndalesa të autobusëve, mungesën e Braille në ashensorë publik, por edhe praninë e rampave të projektuara gabimisht.

Puna e tyre u prezantua për publikun nga OJQ për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, Handikos, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, pas një marshi të aktivistëve të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në qendër të Prishtinës.

Ky artikull vjen si përgjigje ndaj pyetjeve të lexuesve për infrastrukturën për persona me aftësi të kufizuara, gjatë fushatës sonë #PoDuMeDitë. Fushata # PoDuMeDitë është mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë.

Feature image: Majlinda Hoxha / K2.0.