Në thelb | Aktivizmi

Brenda Sabota-s

Nga - 13.03.2018

Eksplorojmë qendrën e re sociale të Prishtinës.

Në mbrëmjen e 9 shkurtit, një grup i madh i policëve u mblodh në zemër të lagjes Ulpiana në Prishtinë, duke u përgatitur për ta kryer një bastisje në një ngjarje të organizuar në Qendrën Sociale Sabota. Ata ishin të armatosur deri në dhëmbë.

Këtë ngjarje nuk po e ndalnin për shkak të dyshimeve në lidhje me përdorimin e drogës, apo ankesat për prishje të rendit në këtë lagje të qetë. Problemi për ekipin që e kishte organizuar ngjarjen ishte origjina e muzikës që po tingëllonte nga qendra sociale. Tingujt kurdë që i kishte zgjedhur Sabota për të festuar u pritën me një reagim të cilin ata e konsideruan si ndërhyrje me motive politike.

Policia dha një deklaratë zyrtare: “Morrëm informata për dyshime që disa persona të caktuar mund të mundohen ta pengojnë në mënyra të ndryshme zhvillimin e një aktiviteti që mund të rrjedhojë në një incident që mund të ketë pasoja”.

Në mënyrë më koherente, ata gjithashtu deklaruan se dy persona u shoqëruan në stacion të policisë; njëri për posedim të një thike të mprehtë, dhe një tjetër i cili nuk kishte dokumente të identifikimit. Deri sot mbetet e paqartë nëse është dëshmuar që dy personat kishin për qëllim t’i pengonin apo sulmonin pjesëmarrësit e natës me muzikë kurde, apo nëse u rrezikua jeta e dikujt.

Si reagim ndaj deklaratës zyrtare të Policisë së Kosovës, kolektivi që drejton qendrën Sabota publikoi këtë shkrim në faqen e tyre në Facebook: “Ne, si kolektivi i Qendrës Sociale, e shohim këtë ndërhyrje të policisë së ndërhyrje me motive politike nga institucionet e zgjedhura në Kosovë, nga elementet e shtetit turk brenda këtyre institucioneve dhe nga Ambasada Turke. I bëjmë thirrje policisë t’i lirojë dy personat e ri të cilët gjoja u kapën duke planifikuar një sulm ndaj Qendrës Sociale”.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Mbrëmja muzikore ishte pjesë e aktiviteteve që u organizuan gjatë gjithë javës në Sabota për ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit dhe zhvillimin e diskutimeve për çështjen kurde. Në janar ndodhi një prej sulmeve më vdekjeprurëse në Afrin, krahinën veriore të Sirisë, ku si rrjedhojë e shkëmbimeve ndërmjet forcave turke dhe luftëtarëve kurdë, qindra kurdë u vranë dhe mijëra tjerë u dëbuan me forcë. Kolektivi i Sabota mendon se kjo arsye ishte e mjaftueshme për ta organizuar një ngjarje me muzikë kurde, si shenjë e ndjeshmërisë për kurdët.

Por një gjë u bë e qartë, askush nuk e mbështeti këtë iniciativë të Sabota për kurdët. Përveç bastisjes policore, kur u postua ngjarja në Facebook, u prit me shumë komente të cilat përmbanin gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime. Megjithatë, ngjarjet e shkurtit nuk e kanë dëmtuar frymëzimin që e gjen kolektivi Sabota në kauzën kurde.

Kundërshtim i hapur ndaj hierarkisë

Gjatë bastisjes në Sabota, policia u përball me vështirësi kur bëri përpjekje të flas me personin në krye. “Kush është shefi këtu?”, pyeti një polic. Përgjigjen që e morri nuk e priti.

“Ne nuk kemi shef”.

Si shumë qendra sociale nëpër botë që operojnë në bazë të vendimmarrjes konsensuale dhe jo hierarkike, përgjigja flet shumë për filozofinë e Sabota-s.

Rinori, Dritoni, Glauku, Dreni dhe Arditi janë një grup miqësh dhe një kolektiv pesë anëtarësh. Ata i kanë lidhur përpjekjet e tyre për t’i ofruar Prishtinës një hapësirë më ndryshe. Disa prej tyre e përshkruajnë vetën si anarkistë që besojnë shumë se pushteti institucional është rrënjësisht i padrejtë. Kundërshtimi i hapur ndaj hierarkisë është thelbësor për Sabota.

Prandaj policët janë disa prej personave që nuk priten edhe aq mirë në këtë qendër sociale. Por në këtë listë hynë edhe milionerët, fashistët, grupet e krahut të djathtë, ushtria dhe kushdo tjetër që pasurohet me punën e tjerëve apo i mbron ata që pasurohen me punën e tjerëve.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Këta të rinj duan të identifikohen vetëm me emra e jo me mbiemra, pjesërisht për shkak të konceptit që e kanë për Sabota, dhe pjesërisht për shkak të qëndrimeve ideologjike të tyre.

“Ne nuk duam që kolektivi të identifikohet nga individët, por duam të shihet si kolektiv, si grup i njerëzve me interesa dhe synime të përbashkëta”, thotë Rinori. “Arsyeja tjetër është që mendoj se ekziston ende mendësia që nuk e kupton konceptin e të majtës. Nëse je komunist të lidhin me Serbinë, nëse je anarkist të lidhin me dhunë dhe terrorizëm. E kam fjalën se nuk është aq problem i madh në jetën e përditshme, por ke kllosharë në pozita të larta që thonë ‘këta janë kllosharë, komunista apo anarkista – hajde t’i bastisim”.

Rinori, bashkë me Drenin dhe Dritonin, janë pjesë e një grupit të bazuar në Prishtinë ideologjia e së cilit i ka rrënjët në Anarko-Sindikalizëm (degë e anarkizmit e cila fokusohet në lëvizjen e punës e cila u krijua si reagim ndaj politizimit të sindikatave) dhe synon t’i theksojë shkeljet e të drejtave të punëtorëve. Ata i kanë adresuar disa çështje të ndryshme të punës, prej kushteve më të mira për ata që punojnë në ambiente të rrezikshme, deri te shfrytëzimi i vazhdueshëm i punëtorëve në supermarkete.

As dy minuta nuk kalojnë pasi takohemi me Rinorin dhe Dritonin dhe menjëherë ata fillojnë ta shprehin frustrimin e tyre në lidhje me pabarazitë strukturore. “Fillimisht, krijimi i kushteve më të mira nuk është në interesin e shtetit apo kryeqytetit, sepse atyre u bjen të humbin”, fillon Rinori. “Kur ka pabarazi në shoqëri dhe ndarje të klasave, marrëdhëniet e konfliktit krijohen menjëherë”.

Dritoni e ndërprenë dhe fillon ta shpreh nëpërkëmbjën e tij: “Ramush Haradinaj don me e rritë rrogën e tij në 3,000 euro në muaj, dhe kur punëtorët kërkojnë të rritet rroga minimale, ai nuk e bënë!”

Për një kohë të gjatë, grupi Anarko-Sindikalist kishte mungesë të një hapësire për t’i zhvilluar aktivitetet. Më parë ata i organizuan ndërhyrjet dhe veprimet në kafene dhe bare, e materialet i mbanin në vetura.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Glauku dhe Arditi kishin probleme të ngjashme. Ata janë anëtarë të degës kosovare të shoqatës Platypus. Kjo shoqatë botërore organizon grupe të leximit, forume publike, hulumtime dhe gazetari me ideologji të krahut të majtë. Glauku, si koordinator, u përpoq ta bënte këtë në Prishtinë, zakonisht në salla universitare apo nëpër kafene. Duke i njohur nevojat e njëri tjetrit, kërkimi për një hapësirë të përbashkët u bë çështje e kohës.

“Gjithmonë kam dashur diçka të ngjashme për të zhvilluar aktivitete shoqërore. U thash ‘po’ djemve, hala pa e pa vendin”, thotë Glauku.

“Hapësirë e lirë për hapësirë për njerëz të lirë”

Nëse e kërkon fjalën Sabota në Google, e ke të vështirë të gjesh definicion të saktë. Por Rinori dhe Dritoni i kanë dy shpjegime për të. Njëri është Sabota si ‘çelësi’ i përdorur prej punëtorëve për t’i ndalur maqinat gjatë lëvizjeve të punës në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20. Këto lëvizje u zhvilluan si reagim ndaj degradimit të punëtorëve gjatë ngritjes së kapitalizmit industrial.

“Rrjedhon nga koha kur punëtorët kërkuan orar më të shkurtër të punës, atë të cilin e kemi sot, dhe përdorën një lloj çelësi për t’i sabotuar makinat”, thotë Rinori, i cili bën me gisht drejt një fotografie që shfaq një sabota në mur. “E kemi këtu si llogo – dora që e mbanë çelësin”.

Dritoni ka një anekdotë tjetër. Si aktivist i të drejtave të kafshëve, ai preferon historinë e macës Sabota. “Ishte një grevë e punëtorëve, dhe ishte një macë e uritur, të cilën punëtorët, si shenjë solidariteti, filluan ta ushqenin, dhe vazhduan kështu edhe pas grevës”, thotë ai. “Pasi u bënë shumë të afërt me të, ja dhanë emrin Sabota”.

Dashuria e Dritonit për kafshët vërehet sa po të hapet dera e madhe e hekurit në qendrën shoqërore. Secili mysafir pritet plot gëzim nga Jara dhe Bella, dy qenët besnik të Sabotas. Dritoni e adoptoi këtë çift pas operacionit për largimin e qenëve të rrugës që u zhvillua në Prishtinë vitin e kaluar. Për një kohë të gjatë është përballur me vështirësi për të gjetur vend për t’i strehuar ata.

Sabota është shembull tipik i një vendi që me pamjen e tij shpreh filozofinë politike të banorëve. Pesë burrat e ri i kanë reflektuar qëndrimet ideologjike të tyre në interierin e lokacionit.

Dekori, i cili përfshinë portrete të njerëzve si Karl Marx, Rosa Luxemburg dhe Rosa Parks, nuk të kujton vetëm intelektualët dhe filozofët të cilët i kanë dhënë formë filozofisë radikale të së majtës, por përfshinë edhe referenca të punëtorëve dhe lëvizjeve për të drejtat civile, si dhe njerëzve të cilët kundërshtuan autoritete shtypëse.

Madje edhe duke shkuar në tualet ta kujtojnjë një episodë të brutalitetit policor. Prapa derës është posteri i Berkin Elvan, djaloshit 15 vjeçar turk i cili deri sa ishte duke blerë bukë u godit në kokë nga një bombolë e gazit lotsjellës e cila u hodh nga një polic në Stamboll gjatë protestave kundër qeverisë në qershor 2013. Një tjetër poster e shfaq Alexis Grigoropoulos, një tjetër 15 vjeçar i cili u vra nga policia greke në Athinë.

Si qendër kolektive e punës, diskutimeve dhe aktiviteteve, moto e Sabota është “hapësirë e lirë për njerëz të lirë”. Prej hapjes së saj, përveç natës kurde, kolektivi ka ofruar gjithashtu hapësirën për një anëtar të komunitetit LGBTI që e oganizoi një aheng, për shkak se pjesëtarët e këti komuniteti gjithnjë përballen me vështirësi për të siguruar lokacione për ngjarjet e tyre. “Nuk ka hapësirë për seksizëm, racizëm, homofobi apo ksenofobë”, thotë Rinori.

Qendra sociale ka një manifest eksplicit për synimet e saj: një vend i cili lufton kundër kujtdo që imponon diskriminim, dritare aty ku ka mur, zhvillon kritikë aty ku ka ndalim, ushqen solidaritet aty ku ka indiferencë, përmbajtje aty ku ka marketing, organizim aty ku ka vetmi e rezistencë ku ka shtypje.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Aktivitetet e Sabota zhvillohen në frymë të bashkëpunimit dhe solidaritetit. Pesë burra ndihmojnë me punë në qendër, varësisht cili është i lirë. Ky kolektiv gjithashtu e ka bërë të qartë se, për ta ruajtur pavarësinë e tyre, ata pranojnë donacione dhe lejojnë përdorimin e hapësirës vetëm prej personave të pavarur.

“Një person që përfaqëson një organizatë apo institucion është i lirë ta vizitojë Sabota, por jo të ofrojë ndihmë financiare apo ta përdorë hapësirënë për organizim të aktiviteteve”, shpjegon Glauku. “Por cilido qytetar i pavarur mund ta përdorë hapësirën dhe të ofrojë ndihmë vullnetare”.

Poashtu, ky kolektiv ka një qëndrim të vendosur për aktivizmin që buron nga OJQ-të dhe bashkëpunimin e qendrës me organizata të tilla. “Si OJQ, donatorët i fusin hundët në mënyrën e organizimit”, thotë Dritoni. “Ka OJQ me kauza të mira për çështje të ambientit por kur e analizon më afërsisht, pjesa më e madhe e donatorëve janë kapitalistë, institucione që kontribuojnë në dëmtimin e ambientit”.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Njerëzit që presin trajtimin klasik që e marrin kur hynë në ndonjë bar të Prishtinës mund të befasohen kur e vizitojnë Sabota. Mysafirët shkojnë vet në barin modest të ndërtuar me paleta, marrin me pi, dhe ulen kudo që ka karrige të lirë. Të gjithë janë të lirë të huazojnë libra nga biblioteka e vogël e Sabota, e cila është e përbërë kryesisht prej letërsisë filozofike dhe politike.

Dritoni mendon se idea e shoqërimit, jo si hapësirat tjera të socializimit, mundëson që njerëzit t’i diskutojnë idetë e përbashkëta. “Sabota do ta ndërtojë bazën për një lloj tjetër të aktivizmit – një aktivizëm më horizontal”, thotë Dritoni.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Në lidhje me njerëzit që vizitojnë qendrën, Rinori ngul këmbë se ka perspektiva të ndryshme. “Vërehet që ekziston tendenca të anojmë ka e majta”, pranon ai. “Por, për shembull, ka njerëz që e mbështesin Vetëvendosjen, ka njerëz që janë kundër saj, ka njerëz që mendojnë se anarkizmi është palidhje, ka njerëz që favorizojnë forma të ndryshme të komunizmit – dhe ka shumë që nuk duan të lidhen me ndonjë ideologji apo parti. Por kjo është kënaqësi, sepse tani ka hapësirë për të diskutuar ide”.

Kinema Sabota

Sigurisht një fushë e cila po sjell diskutime në tryezat e Sabota është bota e filmit, për shkak se çdo të hënë dhe të enjte në mbrëmje Sabota merr përsipër funksionin e kinemasë. Të hënën kolektivi përzgjedh filma të natyrës politike, filma artistik dhe dokumentarë, ndërsa shfaqjet e së enjtes zakonisht janë punime kinematografike të përzgjedhura dhe koordinuar nga shoqëria Uliksi.

Uliksi është shoqatë e filmit pjesë e së cilës është edhe Glauku. Ajo u krijua në vitin 2013 me synim të formimit të një grupi të dashamirëve pasionantë të filmit, të cilët mbledhen për të diskutuar artin e shtatë. “Ne e konsiderojmë filmin si një lloj vegle për emancipim, dhe si arsimim estetik”, thotë Rinë Zhitia, anëtare e Uliksi dhe kuratore e filmave të së enjtes. “Kur nisi Uliksi, në fillim filmat u shfaqën në Universitet dhe hapësira gjithmonë ishte problematike”.

Përkundër ftohtësisë së interierit të ndërtesës së Universitetit, “ku duhet të thuash diçka të mençur”, diskutimet pas shfaqjeve në Sabota janë më spontane. Zakonisht njëri prej pjesëmarrësve komenton një skenë, një karakter apo një dialog, dhe pastaj tërë natën flitet për të. “Më shumë se të japësh mendim, është e rëndësishme që një film të jep ndjenja, dhe hapësira në Sabota të jep atë lloj ngrohtësie”, thotë Rina.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Pas përzgjedhjes së kryeveprave nga Vala e Re Çeke (New Czech Wave) dhe Shkolla Polake e Filmit, lëvizja e ardhshme e cila është në fokus është Neorealizmi Italian. Rina thotë se zakonisht i përzgjedhin filmat nga një lëvizje e caktuar artistike.

“Filmat nga Vala e Re Çeke janë disa prej filmave të preferuar të filmbërësve të cilët i shikojmë ne, dhe menduam të fillonim nga kjo pikë”, thotë Rina. “Synim e kemi ta krijojmë një grup që bënë recensione të rregullta kritike për filma. Në këtë mënyrë krijon njerëz të cilët me të vërtetë e njohin filmin”.

Filmat e vjetër dhe të ri, politik dhe artistik, të shfaqur në Sabota janë pa dyshim një shtesë e rëndësishme për kulturën e kinemasë në qytet, e cila ka tendencë të përfshijë kryesisht filma të njohur të Hollywood-it. Por ekzistenca e Sabota gjithashtu po e zhvillon konceptin e një qendre sociale, ku socializimi krijon një aktivizëm më natyral dhe më të bazuar në komunitet. Edhe pak, pesë të rinjtë e Sabota-s do ta bëjnë kolektivin të hapur për pjesëtarë të ri.

Kjo qendër sociale gjithashtu ofron një qendër alternative për Ulpianën. Kjo lagje ka mbetur e heshtur dhe pothuajse e paprekur gjatë zgjerimit të madh të kryeqytetit në drejtime tjera, por tani Sabota po e rifreskon këtë lagje me një frymë kundërkulturore dhe anarkike.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0

Redaktuar nga Jack Robinson

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO