Në thelb | Të drejtat e privatësisë

Internet — harromë!

Nga - 21.02.2017

Si t’i ndalosh mjetet e kërkimit në internet që të shfaqin rezultate të turpshme për ty.

Thuhet se interneti nuk harron kurrë. E kjo ndodh për shkak se kujtesa e tij ruhet në hard drives të miliona ueb serverëve rreth botës; dhoma të mbushura me kompjuterë të zakonshëm që qëllim të vetëm e kanë ruajtjen e të dhënave.

Para dhjetë vjetëve, të kishe në pronësi  kompjuterë ishte diçka e rrallë në Kosovë . Tani çdo shtëpi e ka një ose më shumë; rreth 80 përqind e popullsisë ka qasje në internet. Në qershor të 2016-ës ishin regjistruar diku 860,000 përdorues vetëm të rrjetit social Facebook. Shumë njerëz, për shkak të shpejtësisë, me të cilën interneti është shëndrruar në një të mirë e përgjithshme, megjithatë nuk janë të vetëdijshëm për efektet afatgjate që mund t’i kenë postimet e tyre në internet.

Sa herë që kërkohet emri i tij, del ajo fotografi e buzëqeshur e tij, me penis të bërë synet.

Për shembull, para pak kohe një fotografi që shfaqte një djalë të ri e shumë të buzëqeshur, lakuriq në shtratin e tij menjëherë pasi ishte bërë synet, u postua në Facebook. Miq e familjarë po komentonin e po i dërgonin urime. Dihet se synetia e djemve për myslimanët në Kosovë është festë e rëndësishme familjare.

Kjo fotografi u kopjua, u shpërnda dhe u përdor për tallje e kritika nga “komuniteti i madh i Facebook-ut”. Tani, nëse flasim në mënyrë hipotetike, paramendoni një ditë kur ky djalosh të rritet, në ditëlindjen e tij të 18-të dhe vendosë që t’i thotë mjaft gjërave të tilla. Ai dëshiron të ketë një të dashur dhe jetë pa tallje me të. Në ndërkohë që saherë që kërkohet emri i tij në internet shfaqet ajo fotografi me buzëqeshjen e tij dhe me një penis të bërë synet.

E vetmja mënyrë për t’iu shmangur kësaj është, ose ta ndërrojë emrin, ose të ndërmerrë si  detyrë të pamundur misionin e fshirjes së asaj fotografie, e që deri më tani veç se është ruajtur në qindra ueb serverë në gjithë globin. Idea e një jete normale [pa tallje me të], në të ardhmen nuk duket të jetë shumë premtuese për të. Por, fatmirësisht njerëzit tjerë kanë marrë masa edhe për raste të tilla.

Gonzales vs Google

Në vitin 1998, biznesmeni  spanjoll Mario Costeja Gonzalez po përjetonte vështirësi financiare. Duke u përpjekur që t’i zgjidh ato, ai e vuri në ankand një prej pronave të tij. Hollësitë u publikuan nga një gazetë, që gjithashtu i publikoi këto të dhëna edhe në internet. Gjithçka shkoi mirë, përveç një hollësie të vogël. Me vite të tëra më pas sa herë që u kërkua emri i tij në internet, ankandi ishte rezultati që shfaqej për të, duke i mbuluar me një hije të keqe aftësitë biznesore të Gonzalez.

Në vitin 2010, Gonzalez kërkoi që këto të dhëna të fshihen nga rezultatet e kërkimit në Google dhe e paditi degën e kësaj kompanie në Spanjë duke e dërguar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, në Luksemburg. Në maj të 2014-ës, gjykata morri vendim në favor të tij duke u bazuar në Udhëzimin për Mbrojtje të të Dhënave 1995, që mbështetej në konceptin e mbrojtjes së të dhënave personale i quajtur ‘e drejta për t’u harruar’.

Koncepti doli si rezultat i dëshirës së individit për të ‘përcaktuar zhvillimin e jetës së tij/saj në mënyrë autonome, pa u stigmatizuar përjetësisht ose periodikisht si pasojë e një veprimi specifik që është kryer në të kaluarën’. Me fjalë të tjera, e drejta për të mos vuajtur për shkak të një veprimi të turpshëm ose të dëmshëm të së kaluarës.

Gjykata vendosi që Google dhe mjetet tjera të kërkimit që operojnë brenda Bashkimit Evropian (BE), janë të obliguara që të heqin informatat për individë, që konsiderohen si të pasakta, jo adekuate, jo relevante, ose të tepërta.

Mënyrat për t’u fshehur nga rezultatet e juaja të kërkimit

Në vitin 2014, për ta bërë këtë ende të duhej një avokat. Megjithatë, pasi u vendos presedenti nga rasti Gonzalez, kompania Google e krijoi një formulë të automatizuar për kërkesa, në bazë të ligjeve për mbrojtje të të dhënave në Evropë.

Meqë Kosova nuk është pjesë e BE-së, qytetarët e saj nuk mund të thirren në vendimin e të “së drejtës për t’u harruar”, por prapë se prapë mund të kërkojnë heqjen e informatave rreth tyre nga mjeti i kërkimit të Google, mbi parimin e  përgjithshëm. Mjeti i kërkimit i Microsoft apo Bing, gjithashtu ofron mundësinë e heqjes së përmbajtjeve të dëmshme këtu.

Por para se të nisni procesin e heqjes së informatave personale prej rezultateve të kërkimit, duhet t’i dini së pari disa gjëra:

E drejta për të fshirë nuk është leje për heqje të përmbajtjeve që kanë të bëjnë me juve, e që juve nuk ju pëlqejnë.

1. Ju mund t’i largoni vetëm rezultatet e kërkimit që i shfaq kërkimi në Google, e jo informatat fizike që mund të jenë të ruajtura në një uebfaqe, ose në ueb serverë të tjerë. Njerëzit prapë se prapë mund ta gjejnë atë informatë duke përdorur mjete tjera të kërkimit. Por meqë Google dhe Bing janë dy mjetet më të mëdha të kërkimit, kështu e minimizoni dëmin.

2. Nëse doni që t’i largoni fizikisht ato informata specifike, së pari shihni nëse janë në një prej faqeve që i keni në pronë, si për shembull një uebfaqe, rrjet social, ose uebfaqe e kompanisë ku punoni. Nëse jo, pastaj veprimi i duhur i radhës është kontakti me pronarët e uebfaqës ku janë të ruajtura të dhënat që ju doni t’i largoni – pyetni me mirësjellje dhe shpresoni për më të mirën.

3. Nuk mund të largohen të gjitha gjërat. E drejta për të fshirë nuk është leje për heqje të përmbajtjeve që kanë të bëjnë me juve, e që juve nuk ju pëlqejnë. Liria e fjalës dhe mediave dhe e drejta për informim mbështetet në mënyrë të rreptë dhe ekzistojnë kufizime të qarta për atë se çfarë mund të hiqet e çfarë jo.

4. Google i merr parasysh kërkesat për heqje të përmbajtjeve nëse janë të bazuara në ligje të zbatueshme.

5. Pamje të abuzimit seksual të fëmijëve, numra të llogarive bankare ose kredit kartelave, imazhe lakuriq ose seksualisht eksplicite, që postohen ose shpërndahen pa miratimin e juaj, si dhe imazhe të nënshkrimeve, hiqen pa shqyrtim të shumtë. Megjithatë, të dhënat tjera që ju mund të kërkoni që të hiqen vlerësohen në bazë të disa aspekteve, si roli i juaj në shoqëri, a jeni figurë publike apo jo, ndjeshmëria e të dhënave në lidhje me jetën e juaj personale dhe interesi publik në lidhje me ato informata.

Hakmarrja online

Postimet e turpshme në Facebook nuk janë e vetmja gjë që mund t’i paraqesin kërkimet në Google. Në Kosovë së fundmi në portale të ndryshme mediale janë shfaqur shembuj të qartë të shpifjeve, informatave gjysmë të vërteta, të pasakta ose jo adekuate. E frikshme është të mendojmë që kushdo me qasje në media online, që e quan vetën gazetar/e ose shkrimtar/e, mund ta sulmojë dikë pa informata të verifikuara.

Kosova ka kod të shtypit dhe organi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KSHMK), e ka një bord që mund të vlerësojë artikuj të diskutueshëm dhe të kërkojë heqje, qartësim, ose publikim të materialeve të mëtejme në lidhje me tema të caktuara. Megjithatë, meqë ky këshill nuk ka fuqi ekzekutive, e as nuk ka fuqi të gjobitjes, prania e tyre nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbajtur publikimin e disa artikujve fyes e mizor nga ana e portaleve mediale.

Në faqen e parë të rezultateve të kërkimit në Google për gjykatësen kosovare Makifete Saliuka del një artikull i vitit 2015 i gazetës “Kosova Sot”, që vë në dyshim emërimin e saj në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Saliuka dhe “Kosova Sot”, e kanë njëfarë historie. Në vitin 2010, KSHMK mbështeti një ankesë nga Saliuka për raportimin rreth një gjykimi që e kryesoi ajo. Një kërkim në uebfaqen e gazetës “Kosova Sot”, i shfaq 31 artikuj ku përmendet gjykatësja, e shumica prej tyre nuk janë aty për ta lëvduar atë. Si duket “Kosova Sot” nuk mundi të harrojë Saliukën, e kështu as interneti.

A duhet gjithmonë të falim e harrojmë?

Vendimi i vitit 2014 nga Gjykata e Drejtësisë nuk ka mbetur pa u kritikuar nga avokuesit e lirisë së fjalës që kanë shprehur shqetësimet e tyre të shumta. Në rastin e biznesmenit spanjoll, kishte kundërargumente që thonin se publiku përfiton nga dijenia se një person i caktuar ka patur probleme me borgje, veçanërisht nëse janë duke menduar që të bëjnë biznes me të.

Aktivistët e mirënjohur për liri të shprehjes, Index on Censorship (Indeksi për Censurë), e kanë etiketuar këtë vendim si të nxituar. Pika më e diskutueshme sipas tyre ishte transferimi i përgjegjësisë (që Index on Censorship menduan se duhet t’i delegohet një organit të përgjegjshëm publik) të një organizate korporatë që nuk ka kurrëfarë obligimi për mbrojtje të të drejtave të njeriut, e as për të vepruar në favor të interesit publik. Ata argumentojnë se ky vendim i mundëson korporatat që të jenë arbitër të informatave publike, e që të vendosin se çka është “jo relevante dhe e pavend”.

E drejta për t’u harruar gjithashtu ka shkaktuar disa incidente problematike. Ishte rasti i një ish-politikani që po përpiqej të zgjedhej përsëri dhe kërkonte që të hiqen linqet e një artikulli që parashtronte hollësi për sjelljet e tij gjatë kohës sa ishte në detyrë. Ishte gjithashtu rasti i një pedofili të fajësuar, që po kërkonte fshirjen e linqeve në faqet kur paraqitej emri i tij.

Pastaj ishte edhe pianisti, Dejan Lazic, të cilit nuk i pëlqeu një pasqyrë që u shkrua për të në Washington Post. Ai iu thirr në “të drejtën për t’u harruar”, mbi bazën se ajo kritikë ishte “shpifëse, keqdashëse, dogmatike, fyese dhe thjeshtë jo relevante për arte”.

Pavarësisht kritikave dhe shqetësimeve për kufizimin e lirisë sonë të shprehjes dhe mediave, prapë se prapë “e drejta për t’u harruar” i ka dhënë shumë njerëzve mundësi për fillim të ri. Po parandalon pornografi hakmarrëse dhe forma tjera të turpërimit të individëve. Hipotetikisht, herën e ardhshme që protagonisti jonë ndërkaq buzëqesh hareshëm, lakuriq e me penis jashtë, ai do të jetë në ambient më intim dhe me shpresë para një audience publike të përbërë prej vetëm një individi.E drejta për të fshirë nuk është leje për heqje të përmbajtjeve që kanë të bëjnë me juve, e që juve nuk ju pëlqejnë.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.