Pikëpamje | BE

BE-ja vazhdon traditën e tjetërsimit të Ballkanit

Nga - 02.11.2017

Elementet e ballkanizmit janë ende të pranishme në komunikimet me shtetet kandidate.

Në vitin 1994, në tekstin e saj të rëndësishëm të titulluar “Ballkanizmi”, historiania Maria Todrova shkruante: “Gjeografikisht i pandashëm nga Europa, por përsa i përket kulturës, i ndërtuar si ‘tjetër’, Ballkani me kohë u bë objekt i disa frustrimeve të eksternalizuara politike, ideologjike dhe kulturore, dhe ka shërbyer si deponi e karakteristikave negative kundër të cilave është ndërtuar një imazh pozitiv dhe vetëurues i ‘europianes’ dhe ‘Perendimit’”.

Ky citat mund t’i përmbledhë gjithashtu marrëdhëniet komplekse dhe të brishta ndërmjet BE-së dhe Ballkanit, marrëdhënie e cila në thelb të saj e ka përfshirjen e BE-së në procesin e ballkanizimit.

Sipas Todorovës, ‘ballkanizimi’ fillimisht kishte kuptimin e copëzimit apo të ndarjes, duke iu referuar rënies së Perandorisë Osmane dhe shpërbëries së Jugosllavisë. Këto ngjarje kishin ndikim serioz në vizionin europian për Ballkanin, meqë ballkanizimi nuk do të shërbente më si sinonim për copëzim. Ky koncept u bë tregues i karakteristikave të prapambetjes dhe të dhunës.

Thënë shkurt, ky koncept mori konotacion negativ i cili u riprodhua në Ballkan. ‘Jofunksionalë’, ‘të pacivilizuar’ dhe ‘barbarë’ u bënë karakteristikat e përgjithshme të cilat shpreheshin kur përshkruhej Ballkani. Duke u “tjetërsuar”, Ballkani u portretizua si kufiri i Europës së civilizuar.

Në tezën time të magjistraturës e kam analizuar diskursin e BE-së për të parë nëse elementet e tjetërsimit janë ende të pranishme në marrëdhëniet BE-Ballkan në shoqërinë bashkëkohore. Këtë e bëra duke analizuar kumtesa për media, fjalime dhe deklarata të Federica Mogherini-t, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Çështje të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, si dhe të paraardhëses së saj, Catherine Ashton.

Unë e analizova këtë diskurs të mbledhur nëpërmjet lentes kritike të “Orientalizmit” (1978) të Edward Said-it dhe “Ballkanizmit” (1994) të Todorovës. Të dy këto punime provojnë të analizojnë diskurse dhe ta kritikojnë mënyrën se si kuptimi zhvillohet rreth temave të caktuara. Unë punova me të njejtën logjikë dhe analizova atë se si hierarkitë dhe dikotomitë ndërtohen rreth koncepteve të superioritetit, autoritetit, pushtetit dhe njohurive në diksursin e BE-së.

Evropa e themeloi një ndjesi të identitetit të saj duke e krijuar një imazh të pafavorshëm të Ballkanit, i cili i mishëron të gjitha karakteristikat dhe veçoritë të cilat evropianët nuk i pëlqejnë ose i druajnë më së shumti.

Kjo analizë ka treguar se elementi tjetërsues është ende i pranishëm në BE, dhe se tjetërsimi ndodh nëpërmjet dy formave kryesore. Forma e parë përfshin prezantimin e rrugës europiane si rrugëdaljen e vetme nga ‘parapambetja e Ballkanit’.

Dikotomitë origjinale të Orientalizmit dhe Ballkanizmit janë të ndërtuara rreth koncepteve të së mirës kundër së keqës (lexo: Perendimi kundër Orientit/Ballkanit). Këto dikotomi u formuan nga tjetërsimi i Ballkanit, që do të thotë se Europa e krijoi një ndjesi të identitetit të saj duke krijuar imazh të pafavorshëm të Ballkanit, i cili i mishëron të gjitha karakteristikat dhe veçoritë të cilat europianët nuk i pëlqejnë ose u druhen më së shumti. Në kontrast të drejtpërdrejtë me imazhin e Europës së lartësuar u ngrit imazhi i Ballkanit fisnor, primitiv, barbar dhe të prapambetur.

Sot ky vizion mund të mos jetë edhe aq i shprehur siç ishte më parë, por definitivisht ende është i pranishëm në diskursin e BE-së. Ndonëse Ballkani zakonisht nuk portretizohet më si barbar, ende konsiderohet si civilizim i prapambetur. Ndonëse BE-ja përfaqëson civilizim, Ballkani përfaqëson mungesë zhvillimi. Autoriteti dhe epërsia janë pra dy konceptet kryesore mbi të cilat shtrihen marrëdhëniet BE-Ballkan.

Meqë BE-ja e sheh veten në pozitë eprore, ajo e përcakton Ballkanin si joeuropian, apo ende joeuropian sa duhet. Për shkak të pozitës eprore të saj, BE-ja gjithashtu ka autoritet mbi Ballkanin.

BE-ja ka autoritet për ta evropianizuar Ballkanin duke zbatuar rrugën evropiane dhe duke e portretizuar atë si mënyra e vetme për t’i ikur prapambetjes së Ballkanit.

Së pari, BE-ja ka autoritet të zbatojë reforma dhe rregulla, për shembull, përmes Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit apo Agjendës së Reformave. Së dyti, ajo ka autoritet të shpërndajë rregulla dhe mënyrat e saj të qeverisjes, duke e lidhur ndihmën financiare me përpjekjet për të realizuar riorganizime sipas direktivave të saj.

Me fjalë të tjera, BE-ja ka autoritet ta europianizojë Ballkanin duke zbatuar rrugën europiane dhe duke e portretizuar atë si mënyra e vetme për t’i ikur prapambetjes së Ballkanit. Me sa duket, Ballkani ka nevojë për BE-në për të pasur progres.

Forma e dytë përmes së cilës tjetërsimi është ende i pranishëm në marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin është ajo e diskursit të dominimit, si në frazën “Ne jemi partnerë dhe ne jemi miq”. Elementi asimetrik në marrëdhëniet e pushtetit është shumë i rëndësishëm këtu. Kjo lë të kuptohet se BE-ja është ajo e cila i cakton rregullat dhe Ballkani është i obliguar t’u bindet atyre rregullave, duke e krijuar një palë komanduese të furnizimit kundër një pale më të dobët të kërkimit.

BE-ja e thekson shumë retorikën e partnerëve të barabartë dhe shpeshherë është e hapur për negociata gjatë bisedimeve për anëtarësim. Në ciklet e mëparshme të zgjerimit kishte hapësirë për kompromis dhe devijim. Shembulli i fundit i cili e dëshmon pozitën e BE-së është qasja e tyre ‘a la carte’ sa i përket anëtarësimit të Mbretërisë së Bashkuar, së cilës iu dha e drejta për të mos marrë pjesë në disa fusha politike.

Në anën tjetër, në rastin e Ballkanit, BE-ja me sa duket po e zbaton një qasje ‘krejt apo asgjë’. Pra, pavarësisht retorikës ‘ne jemi partnerë dhe ne jemi miq’, marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit zhvillohen nga lart poshtë, duke e vënë kështu Europën mbi Ballkanin.

Për ta përmbledhur, hulumtimi im ka treguar se BE-ja vërtet ende i tjetërson shtetet e Ballkanit të cilat ende nuk janë bërë anëtarë të saj. Megjithatë, e rëndësishme është të cekim se këtë e bëjnë në një mënyrë e cila garanton që Ballkani një ditë do të bëhet europian.

Gjatë përpjekjeve për ta bërë Ballkanin europian, BE-ja duhet ta zhballkanizojë atë. prandaj për shtetet e Ballkanit të cilat aspirojnë t’i bashkohen BE-së, europianizimi është në thelb procesi i zhballkanizimit të tyre. Kjo i bie që të gjitha shtetet e Ballkanit në fund nuk do të jenë më ‘të Ballkanit’, por do të bëhen europiane.

Sidoqoftë, duke marrë parasysh qëndrimin kritik për zgjerimin e mëtejmë të Bashkimit Europian dhe mospërmendjen e kohës kur shtetet e Ballkanit do të bëhen europianë (pra, të anëtarësohen në BE), ka gjasa se po ndodh një proces i pafund i zhballkanizimit. Pra, mbetet e paqartë se a do të zhballkanizohet ndonjëherë krejtësisht Ballkani dhe të bëhet realisht europian, apo ky rajon ka ngecur në pozitën aktuale si Tjetri i Europës.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO