Biseda | LGBTQ+

Janset Kalan: Dëshiroj që njerëzit t’i dëgjojnë transgjinorët, të përpiqen t’i kuptojnë dhe t’i pranojnë

Nga - 01.11.2016

Transgruaja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut diskuton për liritë themelore dhe diskriminimin transgjinor në Turqi.

Muajin e kaluar Kosova ishte nikoqire e konferencës së parë rajonale për të drejtat e komunitetit Lezbike, Gej, Biseksual, Transgjinor dhe Interseks (LGBTI). Kjo konferencë u organizua nga qeveria e Kosovës dhe Asociacioni për të Drejta të Barabarta LGBTI për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (ERA), dhe për synim pati zmadhimin e debatit për mungesën e përfshirjes sociale dhe barazisë së personave LGBTI në Kosovë dhe rajon.

Kjo konferencë dy-ditore theksoi sfidat e ndryshme me të cilat personat LGBTI përballen shpesh; përfshirë dhunën, diskriminimin, ngacmimin, sulmin, gjuhën e urrejtjes në media dhe në rrjete sociale, qasjen e dobët ose joadekuate në shërbime shëndetësore, dhe mungesën e legjislacionit që njeh të drejtat e personave transgjonor the interseks.

Njëra prej pjesëmarrësve në konferencë ishte Janset Kalan, transgrua dhe aktiviste e të drejtave të njeriut nga Turqia. 29 vjeçarja ka studiuar Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Marmaras në Stamboll dhe tani është koordinatore e çështjeve ndërkombëtare në Pembe Hayat (Jeta Rozë), një prej organizatave më të mëdha transgjinore në Turqi, gjegjësisht në Ankara.

Pembe Hayat fokusohet në çështje të të drejtave transgjinore, duke bashkëpunuar me OJQ dhe organizata LGBTI për t’i ndihmuar organizatat tjera që t’i kuptojnë më mirë problemet dhe nevojat e personave transgjinor, si dhe për të rritur nivelin e ndërgjegjësimit në lidhje me përpjekjet e tyre kundër krimeve të urrejtjes e diskriminimit, dhe qasjen në të drejtat fundamentale.

K2.0 bisedoi me Kalan gjatë konferencës dhe e pyeti atë për aktivizmin transgjinor në Turqi, vizibilitetin e transgjinorëve dhe ndikimin e politikave të President Tayyip Erdogan në lidhje me çështjet e LGBTI.

K2.0: Parada e parë LGBTI në Turqi u organizua në vitin 2003. Çfarë rëndësie kishte sa i përket rritjes së dukshmërisë së lëvizjes LGBTI, dhe kur u bënë tamam të dukshme çështjet transgjinore në Turqi?

Janset Kalan: Në vitin 1993 lëvizja e të drejtave LGBTI u përpoq që ta mbante “pride parade” (paradën e krenarisë); e quajtën ‘çlirimi homoseksual’ dhe ftuan shumë njerëz prej jashtë vendit – nga Gjermania, Holanda etj. – dhe mbajtën disa seminare. Në ditën e fundit deshën ta mbajnë paradën, por policia i sulmoi dhe i internoi përfaqësuesit e tyre, përfshirë disa anëtarë të Parlamentit Evropian – i internuan të gjithë nga vendi, dhe arrestuan aktivistët LGBTI. Pas vitit 1993, ishte e pamundur që të mbajmë paradë të krenarisë, deri në vitin 2003.

"Nuk kishte ndërgjegje për identitetin transgjinor dhe për probleme specifike me të cilat përballen personat trans. Njerëzit as që kishin njohuri për transburrat atëherë."

Në vitin 2003 vendosën që ta mbajnë paradën me 50-100 njerëz ndoshta. Dhe vitin e ardhshëm ishin 500 njerëz, dhe një vit më pas ishin 1,000, dhe në paradën e fundit të krenarisë i kishim 80,000 persona, dhe policia nuk na sulmoi.

Sa i përket vizibilitetit të transgjonorëve, transgratë ishin aktivistet e para të lëvizjes LGBTI në Turqi. Protesta e parë politike LGBTI u mbajt nga transgratë në 1987 në Gezi Park [në Stamboll], dhe më vonë në 1993 në Stamboll ato filluan që t’i mbajnë takimet e para. Transgratë ishin të pranishme aty dhe ishin zëdhënëse në fakt, sepse veç se ishin të dukshme, kështu që sa herë që mediat bënin intervista, ato ishin në vijën e frontit.

Por nuk kishte ndërgjegje për identitetin transgjinor dhe për probleme specifike me të cilat përballen personat trans. Njerëzit as që kishin njohuri për transburrat atëherë. Kështu që [ndërgjegjësimi] është dashur që të zhvillohet, dhe gjatë viteve, transgjinorët e kuptuan që organizatat LGBTI nuk merren me çështje seksuale [në lidhje me persona transgjinor], nuk merren me të pastrehët [në mesin e personave transgjinor], nuk merren me personat transgjinor që përballen me dhunë në rrugë. Kështu që ata filluan që t’i formojnë organizatat e tyre, në mënyrë që të jenë më specifik, dhe të kapin një audiencë më të gjërë.

Në Kosovë shpeshherë konsiderohet që transburrat pranohen pak më shumë në shoqëri se transgratë, pjesërisht për shkak të traditës së vjetër shqiptare të Burrneshave. A përballen transgratë dhe transburrat me nivele të ndryshme të paragjykimit në Turqi?

Jo. Të qenit grua të imponon disa detyra – duhet të bësh fëmijë, të martohesh. Pra nëse në lindje të është dhënë gjinia femrore, dhe në jetë vendosë që nuk je grua – je transburrë, ose e identifikon vetën si burrë – pastaj bëhet problem në familje dhe në shoqëri sepse mendojnë që je duke hequr dorë nga të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë. Përballesh me të gjitha këto paragjykime, njejtë siç përballen edhe transgratë [paragjykime të njerëzve që mendojnë që je duke hequr dorë nga përgjegjësitë e tua si burrë].

"Ne duhet të bashkëpunojmë me njëri tjetrin, duhet të zhvillojmë një valë të re të aktivizmit."

Në disa zona rurale, nuk është shumë e zakonshme, por shoqëria përpiqet që ta ‘korrigjojë’ këtë me përdhunim korrigjues – i përdhunojnë transburrat dhe gratë lezbike, pasi që mendojnë që kjo do t’i ‘korrigjojë’ ata. Është situatë e tmerrshme.

Me transgratë më e vështirë është çështja e punësimit, sepse është shumë më e dukshme në trupin dhe fytyrën e tyre, fakti që kanë kaluar nëpër tranzicion. Te transburrat nuk është aq e dukshme. Në thelb është për shkak që shoqëria nuk ka shumë njohuri për transburrat, dhe ata ndonjëherë duken si djem të rinj.

Është sistem binar, dhe shumë normativ. Në dokumente të printuara në Turqi kemi letërnjoftime të kaltërta dhe rozë. E kështu nëse të duhet që të dorëzosh dokumente në ndonjë zyrë apo vend, si p.sh. në aeroport, kështu zbulohesh. Sepse në dokument e ke të shkruar gjininë. Nuk ta ndryshojnë deri në momentin kur të përfundosh ricaktimin e gjinisë – operacionin.

Shumë organizata të të drejtave të njeriut thonë se shkeljet e të drejtave të njeriut janë rritur prej kur ka ardhur në fuqi Erdogani. Çfarë ndikimi po ka kjo në aktivizmin LGBTI?

Në Turqi, veçanërisht prej vitit 2015, është bërë shumë më e vështirë që të merremi me aktivizëm, sepse qeveria po burgos çdo grup opozitar. Në rregull, nuk kanë prekur aktivistë LGBTI, por këta njerëz që janë tani në burg janë aleatët tonë më të mëdhenj. Janë mbështetësit tonë më të mëdhenj dhe janë njerëz me të cilët mund të kontaktonim shumë lehtë, njerëz në mesin e të cilëve mund të shpërndanim dituri dhe të rrisnim nivelin e ndërgjegjësimit publik më lehtë. Janë njerëz të sindikatave, janë punëtore, janë mësues, janë avokatë, dhe në fakt na duhen avokatë në këtë fushë, në mënyrë që të kërkojmë drejtësi për persona LGBTI. Pra në fund kur shikon përreth, kemi mbetur krejtësisht të vetmuar.

Të vetmit që nuk janë në burg janë organizatat LGBTI, dhe ne [organizatat transgjinore]; duhet të bashkëpunojmë me njëri tjetrin, duhet të zhvillojmë një valë të re të aktivizmit. Me përpjekjen e sivjetme për puç, e kanë zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme edhe për tre muaj, dhe është shumë vështirë që të bëjmë avokim.

E në shoqëri në përgjithësi? A janë pasqyruar veprimet e Erdoganit në shoqëri, dhe a e kanë bërë atë më pak tolerante?

Shoqëria ka ndryshuar. Agresioni dhe dhuna në shoqëri janë shtuar, por jo vetëm personave transgjinor dhe LGBTI në përgjithësi. Janë kundër çdo lloj minoriteti, sepse njerëzit po shkarkohen nga puna e po shtypen, dhe kështu po bëhen shumë agresiv në rrugë.

"Tetë djem erdhën dhe më rrahën shumë - miqtë e mi fatmirësisht arritën të ikin."

Por në anën tjetër, sa i përket ndërgjegjësimit publik, ka ndryshime pozitive. Ndonëse aleatët tonë të dikurshëm janë në burg, kemi zhvilluar alenaca të reja, madje edhe me disa prej partive konzervative. [Mbështetja] është diversifikuar, dhe ne mendojmë që njerëzit kuptojnë më shumë për këto çështje, dhe më shumë për ato që ne i kërkojmë, dhe llojin e barazisë që e kërkojmë. Por ndryshimet sociale nuk sjellin ndryshime ligjore sepse ndryshimet ligjore bëhen prej politikanëve dhe këta politikanë janë në partinë e Erdoganit – janë dele që i përcjellin urdhërat e Erdoganit.

Pjesa më e madhe e njerëzve në Turqi janë të besimit Musliman. Çfarë marrëdhënie ka në mes të religjionit dhe personave transgjinor? A ka paragjykime të shtuara kundër atyre që janë transgjinor dhe religjioz?

Shumica e transgrave janë muslimane dhe disa janë shumë religjioze – falen, besojnë në Zot dhe në Kuran. Por unë e përcaktoj vetën si agnostike.

Ndonjëherë familja dhe shoqëria mendojnë që [të qenit religjioz] është pozitive. Mendojnë që nëse falesh e kësi sende, je person i mirë.

Si është skena e klubeve gej në Ankara?

Në Ankara nuk kemi vende specifike e klube gej, por janë disa vende që na presin mirë dhe kanë stikera të flamurit të ylbertë në dyer. Aty lirisht mund të shkojmë e të relaksohemi, dhe nuk na diskriminon askush. Janë disa vende të tilla.

A keni përjetuar ndonjë situatë të vështirë, sulm ose ngacmim për shkak të identitetit tuaj gjinor?

Më duket se për herë të parë më ndodhi para dy viteve, kur u sulmova nga tetë të rinj. Shkova vet në polici sepse nuk e kisha askënd [që të vinte me mua]. Ndodhi në një park qendror të qytetit tim, dhe ishte gjatë Ramazanit; të gjitha familjet ishin në park duke bërë piknik dhe unë isha me miq, gjithashtu duke bërë piknik. Tetë djem erdhën dhe më rrahën shumë – miqtë e mi fatmirësisht arritën të ikin.

Shkova në stacion të policisë, e regjistruan [rastin], e raportuan me deklaratën time e krejtë. Shkuam te lokacioni ku ndodhi incidenti, por nuk i gjetëm [autorët e krimit]. Nuk kishte kamera, dhe kështu dosja u mbyll.

Çfarë rëndësie ka mbajtja e konferencave të tilla LGBTI?

Mendoj se është shumë e rëndësishme sepse është mundësi e mirë për aktivistët e rajoneve të këti lloji, ku mundësitë janë shumë të kufizuara që të bëhen bashkë, t’i ndajnë përvojat e tyre dhe të zhvillojnë politika rajonale që mund të kenë ndikim në politikat lokale, si dhe në politika ndërkombëtare, sepse procesi i integrimit në BE është duke ndodhur në shumicën e vendeve të këti rajoni.

Kur shkon në BE dhe një nga një flet për probleme, në fakt nuk ka kuptim sepse ata dëgjojnë probleme të tilla vazhdimisht. Por kur i sjell si probleme rajonale që i ngjajnë njëra tjetrës – mënyra se si autorët e krimit sulmojnë, mënyra se si diskriminohen viktimat, fakti që nuk kemi qasje në të drejta themelore – atëherë e kuptojnë që këto probleme janë rajonale, dhe duhet të reagojnë ndaj tyre.

Cilat janë idetë e gabuara dhe paragjykimet më të mëdha që njerëzit i kanë në lidhje me personat transgjinor?

Paragjykimi më i madh është që jemi maniakë seksual. Ky është paragjykimi më i madh. Mendojnë që jemi transgjinor sepse duam të bëjmë seks.

Një pjesë shumë e madhe e njerëzve besojnë që transgratë sulmojnë e rrahin njerëz, por në anën tjetër ata janë të dhunshëm, jo ne.

Cila është gjëja më e madhe që do të donit njerëzit tjerë t’i kuptojnë për transgjinorët?

Kam dëshirë që njerëzit të kenë më shumë kontakt me persona trans në lagjet e tyre, qytetet e tyre, sepse ka persona trans çdokund. Kontaktoni me ta, dëgjoni ata dhe mundohuni që t’i kuptoni e pranoni. Nuk keni nevojë t’i duani, por duhet t’i respektoni.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

Fotografia: Fikret Ahmeti / K2.0.

  • 03 Nov 2016 - 15:41 | Janset Kalan: Dëshiroj që njerëzit t’i dëgjojnë transgjinorët, të përpiqen t’i kuptojnë dhe t’i pranojnë | Historia Ime:

    […] /kosovotwopointzero.com […]

KOMENTO