Shënim i redaksisë: Ky artikull fillimisht është publikuar në edicionin e shtypur të revistës Kosovo 2.0, me temë Ambienti, të publikuar në vitin 2015.
I veshur me rroba pune, Vesel Mexhuani rregullon kopshtin e tij në Dardhishtë të Obiliqit. Tymi që del nga termocentralet, vetëm dy kilometra më larg, nuk i bën shumë përshtypje burrit rreth të gjashtëdhjetave.
Dardhishtja, fshati me rreth 1,500 banorë, ka qenë zonë e eksploatimit të qymyrit nëntokësor që nga viti 1922. Këtu punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, njësitë e para të së cilës kanë filluar të punojnë nga viti 1962, kanë nxjerrë xehen nga thellësitë e tokës, me qëllim që të njejtën ta përdorin për prodhimin e energjisë elektrike. Mexhuani vet punon si prijës i makinerisë në KEK tash e 30 vite. Por, për familjen e tij dhe banorët e komunës së Obiliqit kjo nënkupton jetesën në njërin nga rajonet me ajrin më të kontaminuar në vend, kjo mbase KEK, e vetmja ndërmarrje energjetike në Kosovë është njëkohësisht ndotësi më i madh në vend.
Nga kontaminimi i tokës dhe ujit e deri tek ndotja e ajrit, të gjitha këto kanë shkaktuar probleme të shumta shëndetësore për banorët e këtij rajoni. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), e klasifikoi ndotjen e ajrit si kancerogjene në tetor 2013, duke e dëshmuar kështu se është problem mjedisor botëror dhe shqetësim për shëndetin publik.
Komuna e Obiliqit është një nga komunat me numrin më të madh të diagnozave të kancerit në Kosovë. Brenda një dekade, Mexhuani tregon se i kanë vdekur pesë anëtarë të familjes nga sëmundja e kancerit. Ndërkohë, disa familjarë të tij kanë zgjedhur të shpërngulën nga Dardhishtja në qytete të tjera.
Gazmend Zhuri, pulmolog, dhe Iliriana Bajraktari, specialiste e mjekësisë interne, bënë hulumtime mbi lidhjen në mes të ndotjes dhe kancerit dhe kuptuan se Obiliqi ka nivelin më të lartë të pacientëve me kancer në krahasim me rajonet e Prizrenit dhe Prishtinës, ku Zhuri punon si zyrtar për turbekuloz në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Paralelja në mes të Prishtinës dhe Prizrenit u krahasua sepse, pa praninë e industrive të rënda si ajo e minierave, rajoni i Prizrenit konsiderohet se ka ajrin më të pastër në Kosovë, përkundër rajonit të Prishtinës, që ndotet nga termocentralet.
Zhuri ka thënë se kanë analizuar fletëlirimet dhe raportet e bronkoskopive në Klinikën Pulmologjike të QKUK-së dhe Repartin e Pulmologjisë të Spitalit Regjional në Prizren në periudhën 2006-2010. Obiliqi me incidencën më të lartë qëndron me 27.84 raste të kancerit në 100.000 banorë, kurse incidencën më të ulët e ka Kaçaniku me 2.99 raste në 100.000 banorë. Komuna e Prizrenit, sipas studimeve, rezulton me incidencë 4.49 raste në 100,000 banorë. Kurse Prishtina rezulton me incidencë 19.94 raste në 100.000 banorë.
Pak është tentuar nga KEK që të adresohet ndotja dhe të reduktohet emetimi i pluhurit. Në vitin 2013, janë vendosur elektrofiltrat e rinj për njësitë A3, A4 dhe A5, nëpërmjet të cilave synohej të reduktohet emetimi i pluhurit nga rreth 600 mg/Nm³ (miligramë për 1 metër kub normal), në 50 mg/Nm³. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, 50 mg/Nm³, është edhe normativi i lejuar evropian i emetimit të pluhurit.
Sipas të dhënave në KEK, emitimi i pluhurit në vitin 2012 ka qenë prej 469 mg/Nm³ deri në 728 mg/Nm³. Kurse matjet e vitit 2014 kanë treguar ulje drastike: emitimi i pluhurit ka qenë prej 53 mg/Nm³ deri në 59.2 mg/Nm³.
Megjithatë, vendi ku bëhet deponimi i mbetjeve të qymyrit, e ashtuquajtura, Kodra e Hirit, pranë mihjes në Dardhishtë, vazhdon të shkaktojë probleme. KEK, në kuadër të objektivës së adaptimit të një qasje më mbrojtëse ndaj ambientit, ka filluar të rikultivojë Kodrën e Hirit me qëllim të shëndrrimit të saj në një zonë të gjelbër. Ky aksion po ashtu përfshin planin e mbjelljes së 150 mijë fidanëve në të.
Megjithatë, banorët thonë se ka ende probleme. “Kur fryen veriu, pluhuri na vie këtu në oborr”, thotë Mexhuani.
Ndikimet Negative në Shëndet
Shtatë kilometra nga Dardhishta, në fshatin Mazgiti i Ulët i Obiliqit, rreth gjashtë kilometra në veri-perëndim të Prishtinës, familja Podvorica po përjeton ditë të rënda. F. Podvorica është duke u trajtuar me kemioterapi, si pasojë e sëmundjes së kancerit në mushkëri, që i është diagnostifikuar muaj më parë në Institutin Onkologjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Në vitin 2011 nga kanceri në mushkëri, ka vdekur edhe babai i tij Ferat Podvorica.
Gjatë vitit të kaluar, janë regjistruar 18 raste të reja të kancerit. Kurse 31 raste të reja me probleme të sistemit respirator, janë evidentuar vetëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq. Kjo qendër përfshinë ofrimin e kujdesit parësor shëndetësor përmes Mjekësisë Familjare për rreth 2500 banorë të komunës.
“Këto sëmundje janë më të shprehura se në komunat e tjera. Shtatë raste të reja me kancer i kemi regjistruar vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2015”, thotë Atifete Shulemaja, drejtoreshë e kësaj qendre nga viti 2010.
Sipas drejtorit të Institutit Onkologjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKK), Ekrem Hyseni, në tremujorin e parë të vitit 2015, në Klinikën e Onkologjisë ka pasur 190 raste të reja në nivel të Kosovës me kancer që janë lajmëruar në këtë institucion shëndetësor. “Prej tyre 52 tumore të gjirit, 35 tumore të sistemit respirator, 32 tumore të traktit gastroendestinal, 39 tumor të traktit urogjenital dhe tumore gjinekologjike, 32 tumore të sistemeve te tjera”, thotë Hyseni.
Ndërkohë, Klinika e Mushkërive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nuk ka një statistikë krahasuese për sëmundjet e traktit respirator sipas komunave. Ilirjana Raça – Bunjaku, drejtoreshë e klinikës, ka thënë se në Klinikën e Mushkërive, më së shumëti ka raste të sëmundjeve që manifestohen me mbyllje të traktit të poshtëm respirator. Këto sëmundje, sipas saj, karakterizohen me qarkullim të kufizuar të ajrit nëpër rrugët e frymëmarrjes.
“Kufizimi i qarkullimit të ajrit është progresiv dhe i shoqëruar me reaksione inflamatore të mushkërive nga grimcat e dëmshme dhe gazrat”, ka thënë ajo. “Faktorët e rrezikut janë ndotja e ajrit, mjedisit ku jetojmë dhe ku punojmë dhe infeksionet e shpeshta respiratore”, thotë Raça-Bunjaku. Me këso probleme, në Klinikën e Mushkërive në QKUK, sipas saj, gjatë vitit 2013 janë trajtuar gjithsej 196 pacientë, ndërsa në vitin 2014 janë trajtuar 188 pacientë.