S`fundmi | Muzikë

Joss Stone kënaqë audiencën intime në Prishtinë

Nga - 19.09.2016

Senzacioni i muzikës soul performon në Zone Club.

Këngëtarja-kompozitorja britaneze Joss Stone ka kaluar më shumë se një dekadë duke mbushur stadione e arena rreth botës. Me mbi 14 milion kopje të shtatë albumeve të saja të shitura nëpër botë, muzika e Stone i ka fituar asaj shumë tituj, përfshirë një Grammy dhe dy Brit Awards. Paraqitja e saj në Zone Club të Prishtinës të shtunën në mbrëmje ishte diçka më ndryshe dhe më e vogël për 29 vjeçaren që është mësuar ta ndajë skenën me yje botërore si Mick Jagger dhe Robbie Williams.

“Pa shikoni këtë”, tha ajo duke buzëqeshur, e hutuar kur doli në atë skenë të vogël në Fushë Kosovë dhe i pa disa qindra njerëz para saj, e jo gjithë klubin e mbushur. Në Kosovë, si duket, fama e saj botërore nuk njihet si në dy anët e Oqeanit Atlantik.

Stone ishte në Prishtinë si pjesë e Total World Tour. Ajo po përpiqet që të bëhet artistja e parë që të performojë në çdo shtet të botës. Kosova teknikisht ende e ka atë fusnotën e shumë-kritikuar pranë emrit të vet sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kështu që do i ishte falur po ta kishte lehtësuar orarin e vet duke e tejkaluar këtë shtet në të cilin si duket nuk ka edhe shumë fansa.

Megjithatë, ajo nuk mendon ashtu. “OKB i njeh vetëm 196 [shtete] por varet se çfarë mendime politike ke”, tha ajo për gazetën e Londrës,Evening Standard, më herët gjatë vitit. “Me gjasë do të përfundojë duke performuar në 204”.

Qoftë se po e vënte në dyshim atë vendim të shtunën deri sa pinte çaj të barërave, e fshehi mirë. Stone ishte shumë e sjellshme dhe sharmante, siç u ka hije britanezëve. Së pari bëri nxemje me publikun, duke i mësuar vokale dytësore, e pastaj i mahniti me zërin e saj të mrekullueshëm.

Ajo e shfaqi tërë spektrin e saj stilistik gjatë setit të saj akustik. Shumë lirshëm kalonte prej materialit të ri në këngët me të cilat u bë e famshme, si adoleshente senzacionale, shumë e re dhe e talentuar, që u influencua nga Aretha Franklin. Repertori i saj është transformuar gjatë viteve. Ajo ka bërë muzikë të ndryshme, prej R&B e deri në reggae. Albumi i saj i fundit, “ëater for Your Soul”, u emërua albumi më i mirë reggae nga revista Billboard për vitin 2015.

Stone mundohet që të bashkëpunojë me artistë vendas në çdo vend që e viziton. Albumet e saj në të ardhmen mund të ngjallen me tinguj e zhanre të ndryshme botërore; kur erdhi në kryeqytetin e Kosovës të premtën në mbrëmje, ajo u ul këmbë-kryq në mes të Sheshit Skendërbe dhe e shoqëroi Shpat Dedën e Art Lokaj gjatë një interpretimi të “N’shpirt m’ka rritë”. Edhe pse nuk tentoi diçka në shqip gjatë performancës së saj kryesore, kohë pas kohe thoshte “falemnderit”.

Pasa se të performonte në Izrael në korrik, ajo tha për një gazetë lokale që preferon që ta formojë opinionin e saj për shtete kur t’i viziton ato, e jo në bazë të gjërave që i ka dëgjuar paraprakisht. Me një orar kaq të ngjeshur, sigurisht se i ka mundësitë e kufizuara për të eksploruar si duhet, por pas performancave të saja në Nish dhe Sarajevë, Stone demonstroi se e ka kapur të paktën një gjë gjatë kohës së saj të shkurtër në këtë rajon: “Të gjithë këtu keni zëra seksi pasi që të gjithë pini duhan: shumë ua ka ënda cigaret”, bëri shaka ajo, e pastaj këndoi një prej hiteve kryesore të saj, “Super Duper Love”.

Fotografitë: Jack Butcher/K2.0