Blogbox | BiH

Dita e gjykimit për Mladiqin

Nga - 22.11.2017

Çfarë ndjenje të jep zbatimi i drejtësisë?

“Çka të bëjmë tani? Më në fund e arritëm atë që deshëm, por kjo disi nuk po ta jep ndjenjën e drejtësisë. Kush ma kthen babin tim? Kush ia kthen asaj vëllaun? Kush i fshin këto 30 vjet? Nuk e di. Nuk po ndihem mirë. Ndoshta jemi të çmendur. Ndoshta jemi çorientuar. Nuk e di çka është kjo”.

Vetëm dy minuta pasi Ratko Mladiqi, ish-komandanti i Ushtrisë së Republika Srpska, u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatësit e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Përpara gjykatës unë u takova me Samira Haliloviqin nga Potoçari. Ajo dhe një mike e saj po rrinin duke i shikuar grupet e mëdha të mediave dhe duke komentuar me njëra-tjetrën, e duke u përpjekur t’u shmangen gazetarëve të cilët veç sa nuk u gjuheshin njerëzve të cilët i identifikonin si viktima.

Samira nuk deshi të fliste me ta. Ajo e la Potoçarin në korrik të vitit 1995 dhe pak kohë më pas arriti si refugjate në Holandë, ku jeton edhe sot e kësaj dite. Çdo verë, Samira kthehet në vendin të cilin dikur e kishte shtëpi, por nuk e gjen askënd aty.

“A e dini çfarë ndjej kur kaloj pranë deposë në Kravica? Apo kur kaloj qindra herë gjatë një vere? Çfarë ndjenje kur e di se babai im u vra aty brenda pasi Mladiqi e dha urdhrin për vrasjen e tij? A e dini çfarë ndjej unë që jam në këtë pozitë? Dua të hyj brenda, por kam shumë frikë. Thjesht nuk mundem, edhe pas gjithë kësaj kohe. A e dini çfarë ndjenje është të jetosh kaq afër përmendores në Potoçari?, pyet ajo, ndërsa lotët i rrjedhin në fytyrë.

Foto: Nidzara Ahmetasevic / K2.0.

Nuk kam çfarë t’i them. Por qajmë së bashku, duke i mbajtur duart për një moment e duke u fshehur prej mediave të cilat në mënyrë histerike po ua fusin njerëzve në fytyrë mikrofonat e kamerat, pa u dhënë një moment për të reflektuar pas verdiktit.

Gjykatësit e shpallën Mladiqin fajtor për vdekjen e babait të Samirës. Ai u vra bashkë me 1,200 të tjerë më 13 korrik 1995 në një depo në Kravicë, afër Potoçarit. Deri më sot nuk është ngritur ndonjë përmendore në këtë vend. Ka vetëm vrima të krijuara nga plumbat dhe bombat, dëshmi e heshtur e krimeve të kryera nga ushtarët që e kishin komandant Ratko Mladiqin.

Ai u shpall fajtor edhe për krimet e kryera kundër civilëve në Sarajevë, përfshirë këtu edhe bombardimin masiv me artileri që e urdhëroi më 28 maj 1992, ditën kur u plagosa edhe unë. E kuptova çfarë thoshte Samira. Po shpresoja për më shumë se 25 vjet që ai të burgosej për jetë, dhe u burgos, por prapë nuk po ndihem mirë. Diçka mungon. Të gjithë kemi humbur shumë. Dhe ato nuk na kthehen në asnjë mënyrë.

As unë as Samira nuk pritëm që verdikti do të ndryshonte diçka. Por erdhi aq vonë saqë nuk na lejon të ndjejmë qetësi, as në këtë moment.

Foto: Nidzara Ahmetasevic / K2.0.

Ratko Mladiqi u padit nga ky Tribunal në korrik të vitit 1995, por u arrestua tek në maj të vitit 2011. Gjykimi i tij nisi një vit më vonë dhe zgjati deri më dhjetor të vitit 2016, kur të dy palët – prokuroria dhe pala e mbrojtjes – i prezantuan argumentet përmbyllëse.

Ai u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë, persekutim, asgjësim, vrasje, internim, veprime çnjerëzore të zhvendosjes me dhunë, terror, sulme të kundërligjshme ndaj civilëve, shkelje të zakoneve të luftës dhe pengmarrje.

Gjykatësit erdhën në përfundim se ai kreu krime si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale që përfshiu Radovan Karaxhiqin, liderin e Republika Srpska gjatë kohës së luftës, i cili u dënua me 40 vjet burg nga Dhoma e Parë e Tribunalit.

Ndonëse verdikti u lexua në gjykatë, Mladiqi e kaloi pjesën më të madhe të kohës duke mos dëgjuar me vëmendje atë që po thuhej. Ai po shikonte galerinë ku ishin të ulur i biri, bashkëshortja dhe miqtë e tij. Ai dukej i shëndoshë dhe në formë. Ia tregoi familjes së tij librin të cilin po e lexonte, libër për historinë e Republika Srpska. Në ballinën e tij ishte Gavrilo Princip.

Pas pak, u duk sikur iu bë bajat – kërkoi pushim. Gjatë viteve sa ishte në arrati dhe prej kur është arrestuar, Mladiqi ka pësuar disa herë sulm në zemër. Avokatët dhe të afërmit e tij pretendojnë se ai është shumë i sëmurë, dhe një pjesë të fajit për gjendjen e tij ia lënë Tribunalit.

Bashkë me të afërmit dhe miqtë në galeri ishte edhe doktori i tij, një burrë i moshuar nga Beogradi – doktori i vetëm të cilit ata i besojnë. Ai u duk më i plogësht se Mladiqi në këtë ditë gjykimi.

Sidoqoftë, Mladiqi kërkoi pushim. Kur u kthye pas më shumë se 40 minutave, avokatët e tij kërkuan që procesi të ndalej, ose që gjykatësi ta lexonte vetëm verdiktin, e jo shpjegimin. Gjykatësit refuzuan. Mladiqi u ngrit në këmbë dhe e tregoi fytyrën e vërtetë të një vrasësi dhe të një personi të pamëshirshëm.

Foto: Nidzara Ahmetasevic / K2.0.

E pyeta ‘si ndihesh’ të birin e tij, Darkon, i cili ishte i ulur afër meje gjatë kohës kur po lexohej gjykimi. “Ndihem si lojtar në fushë”, u përgjigj ai. “Dua të shoh se si do ta luajë mbrojtja këtë ndeshje”.

Ndeshjes i erdhi fundi. Ai do të jetë në burg deri në fund të jetës së tij, e ne të cilët mbijetuam duhet ta gjejmë një mënyrë për të jetuar me pasojat e gjenocidit dhe të krimeve masive të cilat u kryen prej vitit 1992 deri në vitin 1995. Parimisht duhet ta gjejmë një mënyrë për të mësuar nga e kaluara dhe për t’i kujtuar të gjithë njerëzit të cilët i humbëm gjatë luftës.

Foto kryesore: Nidzara Ahmetasevic / K2.0.