Blogbox | Protesta

Veç vazhdo me ecë: pranvera serbe 2.0

Nga - 08.04.2017

Shumë e më shumë njerëz po i bashkohen protestave që kërkojnë largimin e Vucic.

Realiteti politik i sotëm ka një tendencë të mos interesohet fare për planet jetësore të individëve. Dhe kështu deri sa unë po e shkruaja një raport nga një konferencë studentore në Ljubljanë me 3 prill, një mik më shkroi në Facebook duke më pyetur “A je duke shkuar në protestë?”

Kisha dëgjuar diçka për një protestë që po organizohej, por meqë nuk isha fort në rrjedha në javën para zgjedhjeve presidenciale (që u mbajtën me 2 prill), supozova që ishte protestë reaguese e kandidatëve të opozitës, të cilët u mposhtën keq, dhe pavarësisht përpjekjeve më të mira  e deri në një pikë të kombinuara të tyre, dështuan që të mobilizojnë një numër të madh të votuesve për zgjedhjet presidenciale në të cilat tradicionalisht në Serbi pjesëmarrja është relativisht e lartë.

Fotografia: Natalija Jakovljevic Ivanic.

Aleksandar Vucic, kryeministri, e siguroi fitoren në raund të parë me më shumë se 50 përqind të votave. Tani kjo po kontestohet për shkak të faktit se afati i fundit ligjor për lajmërimin e rezultateve zyrtare zgjedhore në bazë të mbledhjes totale të votave kaloi me 7 prill, si dhe për shkak të faktit se rreth 800,000 njerëz që nuk ekzistojnë në realitet figurojnë në listat e votuesve.

Lëvizje që po mbin shpejtë

Megjithatë, kandidatët e opozitës, përveç një komediani të ri që po parodizon tërë procesin politik në Serbi, dështuan që të ofrojnë ndonjë lloj politike alternative e të ndryshme nga robëria neoliberale e Vucic ndaj perëndimit (me një dozë të shëndetshme të vardisjes ndaj Rusisë dhe goditjes së daulleve të luftës në Ballkan, nëse ka nevojë që ta plotësojë mbështetjen e tij duke i ringjallur fantazmat e konflikteve të fundit nacionaliste – si fiasko me trenin për shembull).

Dhe kështu, me kujtime ende të freskëta të një proteste që u mbajt pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vitin e kaluar, që u organizua në një mënyrë që bëri bashkë gjithë rrymën qendrore politike opozitare – prej partisë që dikur udhëheqte e që tash është bërë copë – copë, Partia Demokratike (Demokratska Stranka – DS), e deri te proto-fashistët e reformuar të Dverit, një lëvizje politike e krahut të djathtë – që i kombinuan forcat e tyre, e prapë dështuan që të mobilizojnë më shumë se 2000 njerëz, dhe duke supozuar që ajo që po ndodhte në rrugët e Beogradit ishte një humbje e ngjashme e energjisë, vendosa që të rrija brenda e ta shkruaja raportin e lartpërmendur.

Fotografia: Natalija Jakovljevic Ivanic.

Më vonë në mbrëmje, ai i njejti mik më dërgoi disa mesazhe, me të cilët e lavdëroj atmosferën dhe karakterin, me sa dukej, vetë-organizativ të protestës. Kur morra komente të ngjashme nga disa burime tjera (ku nuk po i përfshijë mediat e rrymës qendrore, që deri më tani ose i kanë injoruar, ose i kanë kritikuar ashpër protestat), erdha në përfundim që po bëja gabim duke mos marrë pjesë; koncesion ndaj cinizmit personal që kërkonte shërim.

Dite e dytë (3 prilli) ishte dita kur e majta e vockël radikale serbe mbeti duke pritur plot ethe, dhe Facebooku ishte i mbushur me komente. Edhe pse një seksioni të tij, përfshirë Marks21 – organizatë pjesë e së cilës jam edhe unë – i erdhi një mundësi për t’u marrë për herë të parë me protesta masive, protesta që i kanë munguar Serbisë për 16 vite të gjata. E kjo ndodhi me nismën Ne da(vi)mo Beograd (Nuk e japim Beogradin) – por prapë se prapë kishte dallime të qarta në mes të këtyre protestave.

Nuk mendoj se është e tepërt të themi se shumica e njerëzve po protestojnë kundër mungesës sistematike të shpresës dhe problemeve strukturore me të cilat po përballen.

Dallimi i parë është mungesa dhe hutia përfundimtare rreth çështjes së  kërkesave të lëvizjes (me 4 prill u mbajtën protesta të ngjashme në 18 qytete tjera – ngjarje e pashembullt në Serbinë e shekullit 21). Disa organizata mediale raportuan për një listë të kërkesave që u dha nga studentët e universiteteve të Beogradit dhe Novi Sadit përkatësisht.

Megjithatë, kjo listë është kontestuar dhe zgjeruar nga Studentski pokret Novi Sad (Lëvizja studentore Novi sad), organizatë e studentëve të krahut të majtë që i organizuan mobilizimet shumë të suksesshme në qytetin e dytë më të madh të Serbisë. Meqë protestat e Beogradit ende kanë mungesë të lidershipit formal – por edhe lidershipit të pakontestuar joformal – mbetet mister ajo se kush e koordinoi listën e kërkesave.

Fotografia: Natalija Jakovljevic Ivanic.

Sidoqoftë, nuk të ipet ndjenja e qëllimit të qartë politik kur marshon rrugëve të Beogradit në mesin e mijëra personave të rinj e urban. Nuk mendoj se është e tepërt të themi se shumica e njerëzve po protestojnë kundër mungesës sistematike të shpresës dhe problemeve strukturore me të cilat po përballen, dhe se mashtrimi i supozuar (dhe me shumë gjasë ekzistues) zgjedhor shërbeu kryesisht si nxitje për mobilizim masiv.

Gjithashtu do të rreizkoja duke thënë se kam një ndjenjë të fuqishme që disa prej gati 50 përqind të votuesve që abstenuan në zgjedhjet e fundit e përbëjnë një numër disproporcionalisht të madh të masës që po endet rrugëve.

Frikë nga politika

Rinia nuk është e interesuar në thirrjet për dorëheqje të këtij apo atij zyrtari politik – ata po e interpretojnë realitetin e protestës si mundësi për t’i shprehur aspiratat e tyre politike (edhe pse shumë prej tyre nuk duan që të asociohen veçanërisht me këtë mbiemër) dhe sociale, si dhe për ta rrëzuar një udhëheqës frustrues dhe autoritar. Disa madje e quajnë udhëheqjen e Vucicit diktaturë, por unë besoj se koncepte të caktuara nuk duhet t’u humbet rëndësia duke i përdorur vend e pa vend.

Është ende tepër herët për të bërë parashikime për zhvillimin e mëtejmë të kësaj proteste masive.

Një aspekt i frikës së përhapur nga politika ka dëshmuar të jetë paksa problematik. Informaliteti i protestave ka krijuar hapësirë për banda të së djathtës ekstreme, që po përpiqen që t’i rrëmbejnë ato. Grupe të koordinuara e të organizuara të disa dhjetëra nacionalistëve të njohur janë munduar që ta përdorin mitin e konspiracionit “Soros”, si justifikim për “mbrojtje” të protestave, dhe për dy ditë kanë qenë të lirë që t’i japin protestave një shije djathtiste.

Kjo shkaktoi pakënaqësi në masën e pjesëmarrëve, që shprehën frustrimin e tyre me një zhvillim të tillë, dhe që u vetë-organizuan bashkë me aktivistë progresiv për ta sfiduar rrëmbimin e krahut të djathtë. Meqë protestat janë duke u mbajtur aktualisht, jam i ngazëllyer që mund të shkruaj se sapo më kanë shkruar që e djathta është detyruar që të tërhiqet nga fronti i protestës, duke u ndjekur me brohoritje “Nuk duam liderë!”.

Fotografia: Natalija Jakovljevic Ivanic.

Është ende tepër herët për të bërë parashikime për zhvillimin e mëtejmë të kësaj proteste masive. Po të duan dhjetëra mijëra njerëzit në rrugë që ta shfrytëzojnë këtë vrull deri në potencialin e tij të plotë, duhet të arrihet një nivel shumë më i lartë i organizimit. Megjithatë, duhet të mundohemi që të sigurohemi se ky organizim nuk na kushton me humbjen e gatishmërisë për të protestuar, dhe që përdoret për ta shtyer para një agjendë që e sfidon realisht udhëheqjen e ashpër neoliberale të elitave të pushtetit lokal dhe financuesve ndërkombëtar të tyre.

Dua që ta përmbylli këtë raport të hskurtër duke iu referuar shprehjes së vjetër orientaliste figurative që thotë se Ballkani është fuçi baruti: po, jemi fuçi baruti e mbushur me zemërim e frustrim, dhe do ta bëjmë më të mirën tonë që t’i drejtojmë plumbat kah udhëheqësit, e jo kah fqinjët tonë; drejtë shtypësve ndërkombëtar, e jo drejtë minoriteteve që përballen me më shumë vuajtje se ne; drejtë një sistemi të padrejtë e jonjerëzor, e jo drejtë refugjatëve që kalojnë nëpër tokat tona duke kërkuar një pikë shpresë për një të ardhme më të mirë.

Ne jemi pjesë e botës – mundimet tona janë pjesë e mundimeve të botës për një të nesërme më të mirë.

Foto kryesore: Natalija Jakovljevic Ivanic. (Të gjitha fotografitë janë bërë gjatë protestave në Suboticë ).

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO