Biseda | #podumeditë

Jusuf Azemi: Ekonomia kosovare e bazuar mbi kurrizin e punëtorëve të shtypur

Nga - 01.05.2017

Kryetari i Sinikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat thotë se të drejtat e punëtorëve në Kosovë nuk kanë parë përmirësim prej 1990-ës.

1 maji është dita kur punëtorët shënojnë “Ditën e Punës”. Kjo datë lidhet me zhvillimet e 1 maj 1886, kur mijëra punëtorë protestuan në Çikago për një ditë pune 8-orëshe, kushte të përshtatshme pune dhe paga më të favorshme. Këto protesta përfunduan në tragjedi, kur disa punëtorë u vranë nga policia, shumë u arrestuan dhe tetë prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm.

Në shenjë solidariteti me sakrificat e këtyre punëtorëve dhe për të vazhduar ushtrimin e presionit për avancimin e këtyre të drejtave, 1 maji shënohet në mbarë botën si një ditë në të cilën punëtorët vijnë së bashku për të festuar të drejtat e tyre dhe për të protestuar kundër padrejtësive me të cilat ata vazhdimisht ballafaqohen.

Në Kosovë, ka një histori të gjatë të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Që nga sistemi socialist i ish-Jugosllavisë, vendet e punës janë caktuar nga duart e strukturave politike, traditë e ndjekur kjo edhe në vitet 1990 nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit që kishte larguar shqiptarët e Kosovës në masë të madhe nga vendet e tyre të punës. Por edhe pas luftës së vitit 1999, pabarazia vazhdon. OJQ-të dhe raportet e medias rregullisht theksojnë lidhjen midis bizneseve dhe politikes.

Si një aktivist për 27 vjet, Jusuf Azemi sot është kreu i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës. Ai thotë se kushtet për punëtorët sot janë të mjerueshme dhe në thelb nuk kanë parë ndonjë përmirësim që nga fillimi i viteve 1900-ta.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Vonesa e pagave (të cilat janë shpesh nën pagën minimale të Kosovës), orari i zgjatur i punës dhe keqtrajtime nga më të ndryshmet janë disa nga sfidat me të cilat ballafaqohen punëtorët kosovarë çdo ditë, sipas Azemit, i cili gjithashtu pohon se 80 për qind e 300,000 punonjësve të sektorit privat në Kosovë nuk kanë kontratë të punësimit. Siguria në vendin e punës është gjithashtu një shqetësim i madh, me 28 vdekje në vendin e punës të raportuara që nga 2014, duke përfshirë katër vetëm në tremujorin e parë të vitit 2017.

Sipas Azemi, shkelja e vazhdueshme e të drejtave të punëtorëve është rezultat i pajtueshmërisë nga institucionet shtetërore, të cilat nuk janë domosdoshmërisht jokompetente, por që nuk dëshirojnë të trajtojnë rastet për shkak të lidhjeve dhe interesave të fuqishme afariste.

Për të shënuar 1 majin, K2.0 foli me Azemin rreth tensioneve midis kapitalizmit dhe problemeve të punëtorëve, sfidave me të cilat ballafaqohen punëtorët dhe sindikatat kur të drejtat abuzohen sistematikisht dhe simbolikën e vetë Ditës së Punës.

K2.0:‘8 orë punë, 8 orë dëfrim dhe 8 orë gjumë’’ – parulla e  shfaqur me 1855 e cila përdoret vazhdimisht nga punëtorët anë e mbanë botës, prej asaj kohe e deri më sot. Sot, sa i përket organizimit të sindikatave rreth të drejtave të punëtorëve, a është bërë progres, a janë avancuar kërkesat, a kanë shkuar ato (kërkesat) përtej kësaj parulle.

Jusuf Azemi: Kjo ka qenë kërkesa elementare, në mënyrë që të bëhet e qartë se një individ sa është në gjendje të punojë gjatë ditës. E natyrisht, se prej asaj kohe deri më sot, kemi avancim të kërkesave pasi kemi të bëjmë me një periudhë shumë të gjatë dhe gjatë kësaj rruge kanë dal në pah edhe shumë nevoja tjera. Punëtori sot e ka të domosdoshme të di sa e ka pagën, sa ditë pushim në javë do t’i ketë, sa do të jetë pushimi vjetor, ai mjekësorë, pastaj, sa pagesa për kontributet e përfitimet e tjera që do t’i ketë. Këto kërkesa janë sot, të përfshira në ligjin e punës.

Një ndër shqetësimet e ngritura më së shpeshti në vendin tonë, është edhe orari i zgjatur i punës. Duket se jemi ende tek ajo kohë?

Fatkeqësisht duket se ne jemi ende tek viti 1900, ose edhe më keq; kushtet e asaj  kohe mund të duket si të avancuara për gjendjen e sotme tek ne. Dhe kjo ka një arsye. Këtu, punëtorët harrojnë orarin e punës. Ata janë më të interesuar të dinë rreth asaj se a do ju vonohet paga, sepse, kemi raste kur kompanitë nuk ua paguajnë pagat punëtorëve për 5 apo 6 muaj. Në fillim të çdo muaji, prej datës 1 deri me 10, sindikata që unë e udhëheq merr me qindra ankesa nga punëtorët se kompanitë ku ata punojnë nuk i ka kryer obligimet ndaj punëtorëve, edhe pse ata marrin paga  minimale.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

1 maji ka prapavijë marksiste, edhe vet caktimi i kësaj dite, vije pas vendimit të Internacionales Socialiste në Gjenevë, ku 8 orë-shi i punës bëhet për herë të parë edhe si kërkesë ligjore. Në sistemin e sotëm kapitalist, a mund të themi se rezistimi ndaj kërkesave të punëtorëve mbetet edhe ballafaqim ideologjik?

Është ballafaqim ideologjik nëse e shikojmë në raportin punëdhënës dhe punëmarrës. Kemi të bëjmë me dy pole të kundërta. Pronari i kompanisë vazhdimisht është i interesuar që të rrit kapitalin e tij dhe kompania e tij të kaloj në një stad më të lartë dhe sa i përket fuqisë punëtore nuk e ka aspak preokupim. Ndërsa në anën tjetër kemi punëtorët të cilët janë të interesuar për të drejtat dhe interesin e tyre dhe si preokupim kanë që pozitat e tyre të jenë të rregulluara sipas ligjit dhe kontratës kolektive.

Një kapërcimi i madh për realizimin e kërkesave të punëtorëve u bënë me sakrifica të mëdha. Marshet e punëtorëve grevistë në Çikagon e fund shekullit 19-të përfunduan me të vdekur dhe burgime të përjetshme, e ku e gjithë kjo shënoi kapërcimin më të madh për realizimin e këtyre kërkesave. Prej asaj kohe ka ndryshuar shumëçka, por mbeten të vazhdueshme përplasjet mes sindikatave të punëtorëve dhe institucioneve shtetërore e sektorit privat. A janë këto përplasje të sotme në thelb, të ngjashme me ato të fillimit të organizimeve sindikale vetëm se zhvillohen në mënyra më të sofistikuara?  

Besoj që gjendja ka ndryshuar shumë prej asaj kohe, janë bërë përmirësime të mëdha sa i përket të drejtave të punëtorëve. Ne si sindikatë kemi realizuar vizita të shumta nëpër vende të ndryshme të botës dhe atje kërkesat elementare të punëtorëve janë të plotësuara. Atje, sot, bisedohet për rritje të pagave dhe përfitime të tjera për punëtorët. Për orarin e punës vonesa të pagave etj, më nuk bëhet fjalë në vendet perëndimore. Kemi rastin e Suedisë ku pronarët krijojnë fonde të veçanta që në rast se një punëtori i ndodh ndonjë fatkeqësi edhe jashtë punës, ky fond, përdoret për t’i dal në ndihmë atij.

Rendi i sotëm ekonomik – ku fjalën e parë dhe vendimtare e ka përfitimi – a krijon hapësirë për sindikatat e punëtorëve, apo ka tendenca të vazhdueshme për t’i minimizuar efektet e tyre?    

Shpeshherë në takime edhe me zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të bizneseve unë ju drejtohem atyre; “se po të isha në pozitë tuaj, ndoshta edhe unë do sillesha sikurse ju’’. Tek ne disponimi i qeverisë, mbetet që sindikatat të jenë të shpartalluara, ndoshta edhe të mos organizohen fare sepse kështu shumë ma lehtë mund të realizojnë qëllimet e tyre. Ne si sindikatë kemi raste të vazhdueshme kur injorohemi, tentohet të manipulohet me ne ose kemi edhe raste ekstreme ku na është thënë se nëse vini dhe formoni sindikatë të punëtorëve në kompaninë tonë ne do ju eliminojmë fizikisht. E atëherë kur ne kemi rezistuar dhe nuk kemi ra pre e këtyre kërcënimeve atëherë kanë provuar që të krijojnë një aleancë të rrejshme me ne, me qëllim që të mos merremi (raportojmë) me kompaninë e tyre.

Por faji nuk është i vetëm njërës palë; edhe sindikatat dhe punëtorët kanë pjesën e tyre të fajit, sepse nuk organizohen si duhet dhe nuk janë të vendosur për të arrit qëllimet e tyre. Mirëpo, duke e parë gjendjen ekonomike në vend, ku është shumë e vështirë të gjendet një vend pune, mund të themi se punëtorët edhe arsyetohen në një farë forme. Për këtë arsye ne si sindikatë kemi ngritur kërkesë që të krijohet një gjykatë e veçantë për kontestet në mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, që besojmë qe kjo do të kishte lehtësuar gjendje, për arsyen e vetme sepse sistemi gjyqësorë sot për të zgjidhur një kontest gjyqësor shkon edhe deri në 5 vjet kohë.

"Kur një punëtor paguhet vetëm 200 euro në muaj, si mund të jetë ai produktiv? Këto para nuk janë të mjaftueshme për një jetë dinjitoze".

Një prej ‘humbjeve’ më të mëdha të sindikatave të punëtorëve mund cilësohet edhe aplikimi i kontratës individuale si garantuesi primar i të drejtave të punëtorit sot. A mund të themi se kontrata e punës do t’i zëvendësoj përfundimisht organizimet e sindikatave dhe, nëse ndodh kjo cilat mund të jenë zhvillimet pas kësaj.  

Çdo kontratë individuale ka një bërthamë të saj, prej kontratës individuale, asaj sektoriale deri tek kontrata shtetërore. Absolutivisht, nuk mund ta kërcënoj ekzistencën e sindikatave kontrata individuale, sepse kontratat dikush duhet t’i mbrojë, të lobojë që ato të aplikohen. Sindikata është partner që mundëson funksionimin e kontratës së nënshkruar.

Vazhdimisht, nëpër diskutime përmendet 1% (pjesa e pasur e shoqërisë, që zotëron pjesën më të madhe të pasurisë së një vendi), a është ky thelbi i kapitalizmit? A mund të flasim për të drejtat e punëtorëve; sigurinë në punë, orarin etj, para se të diskutohet për shpërndarjen e të ardhurave?  

Me keqardhje duhet të them se në Kosovë, pronarët e kompanive edhe nëse kanë fitime milionëshe brenda vitit, për asnjë moment nuk mendojnë që të stimulojnë punëtorët në aspektin financiar. Ata nuk e kuptojnë se kur stimulojnë punëtorët, e stimulojnë edhe vet kompaninë, këtu ndodh e kundërta.

Kur një punëtor paguhet vetëm 200 euro në muaj, ai nuk mund të jetë produktiv sa duhet, sepse, ajo pagesë nuk mjafton për një jetë të dinjitetshme. Sipas raporteve, në Kosovë vetëm 7 deri në 8 kompani paguajnë rrogën e 13 për punëtorët, duke u deklaruar në njëfarë forme se suksesi i kompanisë është i lidhur ngushtë me performancën e punëtorëve. Sa i përket 1 për qindëshit, kemi raste kur pasuritë e mbledhura nga biznese të caktuara janë të dyshimta sepse për periudha të shkurta kohore arrijnë fitime marramendëse. Kjo me një llogaritje të thjeshtë del që pasuria në fjalë është e jashtëligjshme, ku përveç zhvatjes së shtetit edhe vet djersa e punëtorëve është keqpërdorur.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Tek ne ekzistojnë sindikatat e punëtorëve, të cilat vazhdimisht janë akuzuar se nuk kanë mbrojtur të drejtat e punëtorëve. A mund të themi, se tek ne, roli i tyre mbetet më shumë simbolik?

Puna e sindikatave mund të vlerësohet ndryshe, varësisht prej prizmit që shikohet. Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës nuk ka ndodh deri më tash që ndonjë ankesë të punëtorëve të sektorit privat në vend të mos ta ketë shqyrtuar dhe të mos ketë tentuar ta ndihmojë atë. Në ekonominë e vendit tonë, çdo sektorë, qoftë ai privat apo publik ka probleme të shumta. Sindikata jonë ka probleme të shumta duke filluar qysh prej stafit që e ka, duke pasur parasysh se numri i të punësuarve në sektorin privat në Kosovë është mbi 300 mijë dhe ky staf i vogël në numër merret me kaq punëtorë.

Por, prapë ne kemi arrit të krijomë një sistem raportues për punën tonë.  Për punën që bëjmë ne raportojmë çdo muaj, çdo vit dhe çdo katër vite para organeve tona drejtuese dhe deri më tash nuk kemi pasur ankesa për mënyrën se si ne funksionojmë. Megjithatë, keni drejtë kur thoni se nuk është bërë punë e mjaftueshme sepse, prapë, gjendja e punëtorëve nuk është e mirë. Por e gjithë kjo nuk ndodh vetëm me faj të sindikatave, edhe punëtorët kanë pjesën e vet të fajit dhe qeveria ka pjesën më të madhe të fajit.

"Ne kemi arritur pikën ku nuk flasim më për nivelin e pagës, por më tepër nëse punëtorët do të paguhen me kohë".

Të ju tregoj diçka, unë si kryetar i sindikatës kam presione të vazhdueshme nga ministria e punës, nga qeveria, nga inspektorati i punës si dhe nga vet pronarët e kompanive. Ky është një rrjet me të cilin ne si sindikatë ballafaqohemi vazhdimisht, shtoja këtu se ne denoncimet tona i bëjmë me emra konkretë dhe kur ne i themi këto atëherë edhe fillon presioni për eliminim të atyre kërkesave.

Rasti konkret ku punës sonë i bëhet presion është raporti ynë ku thuhet se mbi 80 për qind e punëtorëve në sektorin privatë janë pa kontrata dhe ndaj kësaj ministria e punës ka reaguar me agresivitet duke e mohuar një gjë të tillë. Ndërsa, para disa ditëve doli instituti Riinvest me një raport ku thuhej e njëjta gjë dhe nuk pati reagime as nga ministria, as nga inspektorati dhe nga asnjë institucion tjetër. Duket se institucionet shtetërore kanë krijuar një imazh për sindikatën, se kjo e fundit vazhdimisht tenton tu prish punë atyre.

Në një vend ku 50% e punëtorëve nuk kanë kontrata pune, ku janë konstatuar shumë shkelje tjera, si; orare e zgjatura, vonesat e pagave, mos siguri në vend pune etj, por që në anën tjetër ka mbi 30% të qytetarëve papunë – a mund të thuhet se në gjendjen e sotme, në Kosovë, e rëndësishme mbetet të gjesh një punë, ndërsa të flasësh për të drejtat e punëtorëve është luks?

Fillimisht, kjo e dhënë është e kontestueshme, pasi në raportet tona del që numri i të papunëve në vend është afër 46 për qind. E ky edhe është edhe thelbi i problemit. Sot është primare për qytetarin që ta ketë një vend pune dhe pas kësaj, ajo që i preokupon njerëzit është se a do ju vonohet paga. Ne kemi arrit në atë pikë sa më nuk diskutohet se sa do jetë paga, por se a do vonohet ajo. Këto janë probleme që institucionet shtetërore nuk po duan të krijojnë zgjidhje edhe pse besoj që ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë.

"Ne si sindikatë jemi të gatshëm të nënshkruajmë që ky ligj të mos ndryshojë edhe për 20 vite vetëm të aplikohet ashtu si është dhe kështu mund të zgjidhnim shumë probleme".

Largimet në masë nga puna në Kosovë gjatë viteve të ‘90-ta u përdorën edhe si metodë persekutimi nga pushteti Jugosllav për realizimin e qëllimeve të tyre politike karshi shqiptarëve. A është ‘vendi i punës’ mjet i pastër politik i përdorur nga pushtetet karshi masave?

Në ish-Jugosllavi kjo është shfrytëzuar vazhdimisht për me i arrit qëllimet e tyre politike. Më kujtohet një vendim nga autoritetet e asaj kohe, ku thuhej se çdo biznes duhet të ketë emrin e shënuar me ‘‘çirilice’’, në të kundërtën do kishte dënime. E gjithë kjo është bërë me qëllim që të ulet krenaria kombëtare. Ne, në atë kohë kemi organizuar një kuvend ku është vendos që ky vendim të mos respektohet. Pas kësaj autoritete e atëhershme kanë filluar menjëherë me dënime për gjithë bizneset.

Edhe pas luftës në Kosovë, kasta politike ka përdorur vendin e punës për qëllimet e veta politike. Kemi një numër të madh të të punësuarve në sektorin publik, sipas interesave të grupeve të caktuara politike. Kemi njerëz të afërt me pushtetarët që kanë nga dy e më shumë vende pune, për të vetmen arsye; ose kanë qenë veteran të luftës, ose invalid të luftës ose të afërt me partitë në pushtet. Gjithashtu këta individ kanë angazhime edhe në sektorin privat duke shkelur haptazi ligjin e punës, që ndalon një gjë të tillë.

Kontrata e Përgjithshme Kolektive – nënshkrimi i kontratës kolektive në vitin 2014 – nga ana e juaj është cilësuar si ‘’kontratë me qëllime politike’’ që nuk do t’i shërbej zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes të të drejtave të punëtorëve. Pas një periudhe tri vjeçare prej që është realizuar kjo, vazhdoni ta cilësoni ende ashtu?

Në kohën kur është nënshkruar kontrata kolektive, unë kam qenë i bindur se kjo po bëhet për qëllime politike. Tash jam edhe më shumë i bindur dhe në fakt është dëshmuar një gjë e tillë se kjo kontratë ka prapavijë politike. Vet fakti se kjo kontratë nuk është implementu asnjëherë tregon se krejt qëllimi ka qenë për përfitim politik. Ata kanë pretenduar kështu; “ja, ne kemi nxjerr një kontratë kolektive që do t’i mbrojë të drejtat e punëtorëve’’, dhe kështu njerëz do t’i votojnë, sepse tash po na ofrohen kushte më të mira të punës. Shkurt kjo kontratë është bërë për përfitim elektoral.

Në qoftë se do dëshironin të zgjidhnin problemet e punëtorëve, kjo mund të bëhet shumë thjeshtë, vetëm duhet të respektohet ligji i punës që është në fuqi. Ne si sindikatë jemi të gatshëm të nënshkruajmë që ky ligj të mos ndryshojë edhe për 20 vite vetëm të aplikohet ashtu si është dhe kështu mund të zgjidhnim shumë probleme. Sepse, nga ana e institucioneve ka tendenca të vazhdueshme që kur nuk arrihet ndonjë sukses të fshihen prapa ligjeve, kinse ato nuk kanë qenë të përshtatshme dhe tentohet të bëhen rigjenerime të ligjeve. Kjo nuk ka nevojë të ndodh, duhet vetëm të zbatohen ligjet në fuqi, nëse vetëm 70 për qind e ligjit të punës zbatohet si duhet, besoj që edhe ne, nuk do të duhej të merremi fare me sindikatë.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Pas ’99-ës ndër sektorët më të zhvilluar ekonomik në vend janë industria e ndërtimit, hoteleria dhe tregtia (kryesisht supermarketet), ku kemi edhe numrin më të madh të të punësuarve në sektorin privat. Sipas raportimeve këta janë edhe sektorët ku janë hasur shkeljet më të shumta të të drejtave të punëtorëve. A është e bazuar ekonomia mbi shkeljen e të drejtave të punëtorëve, tek ne?  

Absulotisht po, ekonomia në vend ka qenë e bazuar dhe sot është e bazuar në shkeljen e të drejtave të punëtorëve. Këto të drejta shkelen jo paqëllim, kemi një lloj marrëveshje dhe mbështetje të njerëzve në pushtet. Kemi pas raste kur kanë ardhur pronarë të kompanive dhe kanë thënë se kot mundoheni, kot bëni protesta sepse njerëzit që qëndrojnë prapa neve janë njerëz të ‘‘mëdhenj’’. Me Hotel Grand ka ndodhur diçka e ngjashme, ku 105 punëtorë kanë qenë pa kontrata dhe ne kemi shkuar në inspektorat dhe kemi kërkuar që ata të merren me këtë rast dhe jemi refuzuar nga zyrtarë të inspektoratit.

Kemi shkuar herë të tjera, deri sa më është thënë nga ana e tyre se; ‘‘zotëri, edhe nëse edhe vet Kryeministri Hashim Thaçi [atë kohë kryeministër i vendi]) vjen në zyre dhe më thotë se duhet të realizohen ato kontrata për ata punëtorë, unë nuk do ta bëjë një gjë të tillë’’. E këtu shihet fuqia e lidhjeve të bizneseve me institucionet. Ka po vjen gjithë ajo fuqi, ku një inspektor është në gjendje që edhe një urdhër të kryeministrit ta refuzoj. Kjo tregon se gjitha këto shkelje bëhen sepse ekziston një mbështetje diku, që lejon të ndodhin ato shkelje. Rastet tjera janë kur inspektorët shqiptojnë dënime për kompani të mëdha dhe kur ai dënim vjen tek qendra kryesore e inspektoratit dhe e merr vesh dikush brenda asaj qendre thotë se këtë dënim duhet kthyer mbrapa sepse kjo kompani nuk duhet të dënohet.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në Kosovë, 1 maji nuk është se shënohet, ose le ndonjë gjurmë si ditë e të drejtave të punëtorëve. Në anën tjetër është potencuar shumë herë se sektori privat është shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve. Ju drejtoni Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privatë dhe potenconi se kjo sindikatë ka përkrahjen e shumë punëtorëve të këtij sektori. Pse nuk arrihet të bëhet një organizim që do të mund të ketë ndikim, ose të jetë një shenjë se punët nuk mund të bëhen në këtë mënyrë.

Këtë vit do të këtë një organizim për 1 majin. Natyra e punës tonë ka një problem sepse kemi të bëjmë me mbi 60 mijë kompani, që secila prej tyre ka brenda vetës shkelje të natyrave të ndryshme. Nëse një kompani e caktuar vonon pagat, një tjetër nuk paguan kontributet, një tjetër ka problemin e orarit të zgjatur dhe të gjitha këto për neve e vështirësojnë punën për organizimin e një proteste apo marshi. Shtoja këtu se unë si kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privatë nuk kam fuqi që t’i mbledh një numër të madh të protestuesve. E duke u nisur prej kësaj ne kemi parë se mënyra më e mirë e organizmit mbetet presioni direkt mbi kompani. E kjo ka dhënë edhe rezultatet e veta, si për rritje të pagave e probleme tjera. Por, prapë e them se ka probleme të mëdha dhe ne ende kemi punë për të bërë, që besoj që nuk do të zgjidhen edhe për gjeneratat e ardhshme.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kjo intervistë është përgjigje ndaj pyetjeve që kanë dërguar lexuesit në kuadër të fushatës #PoDuMeDitë për shkeljet e të drejtave të punëtorëve. Fushata #PoDuMeDitë është mbështetur nga Ambasada Holandeze në Kosovë.