Depotë e braktisura e që kanë mbetur jashtë përdorimit, mbrapa stacionit kryesor të trenit në qendër të Beogradit, janë shëndrruar në strehë për më shumë se 1,000 persona që kanë ngecur në kryeqytetin e Serbisë gjatë rrugëtimit të tyre nga Lindja e Mesme për në Evropën Perendimore. Në pritje për ta kaluar kufirin me Hungarinë, refugjatë dhe emigrantë tjerë që kryesisht kanë ardhur nga Afganistani e Pakistani po e kalojnë dimrin e ftohtë e me temperatura nën zero në depo që dikur përdoreshin për doganë e që sot janë në gjendje të mjerueshme – pa dyer, dritare, energji elektrike apo ujë.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, diku 6,500 emigrantë aktualisht janë duke qëndruar në Serbi. Megjithatë, OJQ-të lokale thonë se ka shumë më shumë – të paktën 10,000. Pjesa dërrmuese po përpiqen që ta kalojnë kufirin hungarez përmes Ballkanit për të arritur Evropën Perendimore. Megjithatë, vetëm disa dhjetëra arrijnë sukses çdo ditë.

Në 19 qendrat shtetërore të Serbisë për emigrantë ka hapësirë për 6,000 persona. Megjithatë, shumë emigrantë po zgjedhin që të qëndrojnë në depo të rrënuara, në kushte të tmerrshme jetese, të dekurajuar për të kërkuar akomodim në strehimoret e shtetit për shkak të një kushti që thotë se për të qëndruar aty emigrantët duhet të kërkojnë azil në Serbi. Shumica nuk duan që ta bëjnë këtë, meqë kanë frikë që do t’u refuzohen kërkesat e tyre për azil në vendet tjera ku kanë dëshirë të shkojnë.

Depotë  e ftohta te stacioni i trenit po zgjedhen prej disave edhe për një arsye tjetër – frika nga deportimi i paligjshëm. Edhe pse zyrtarët e Serbisë shpeshherë e mohojnë mundësinë për këtë, gjithnjë e më shumë ka thasheteme në mesin e refugjatëve dhe emigrantëve për deportime në Bullgari e Maqedoni. Këto dyshime kryesisht janë rritur nga një rast i pazgjidhur nga muaji dhjetor, kur një familje shtatë-anëtarëshe nga Afganistani u nxorr nga një autobus që po i dërgonte në një strehimore, duke i lënë  në  një  pyll afër kufirit me Bullgarinë. Familja u shpëtua, ndërsa Avokati i Popullit është duke hetuar se çfarë ndodhi me rastin.

Thashethemet për deportime të paligjshme u konfirmuan një muaj më parë edhe zyra e Agjencisë për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara e njohur si UNHCR, në Beograd. Të dhënat e kësaj zyre kanë treguar se vetëm gjatë nëntorit të fundit diku 1,100 emigrantë u deportuan në mënyrë të paligjshme nga Serbia.

Refugjatët dhe emigrantët tjerë që prapë se prapë vendosin të trokasin në dyert e disa prej kampeve shtetërore mund të përballen me refuzim për shkak të mungesës së kapacitetit për strehim. Disa që e kanë gjetur vetën në depo ndërkaq, thonë se kanë qëndruar aty deri në tre muaj pasi u është mohuar qasja në strehimoret në periferi të Beogradit, saktësisht në Krnjaca, e pastaj u drejtuan për në Preshevë.

Ata që po qëndrojnë në depotë, që dikur përdoreshin nga dogana, janë lënë aty pak a shumë për t’u kujdesur për vetën. Organizatave humanitare vendase u është ndaluar që t’i ndihmojnë refugjatëve dhe emigrantëve që janë jashtë qendrave shtetërore, pasi u publikua një letër e hapur nga Ministria e Çështjeve Sociale, të Punës, Punësimit dhe Veteranëve e Qeverisë së Serbisë. Organizata humanitare britaneze, Hot Food Indomeni, që ua dërgon nga një shujtë në ditë, dhe Doctors without Borders, janë burimet e vetme zyrtare mbështetëtese.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, diku 6,500 emigrantë aktualisht janë duke qëndruar në Serbi. Megjithatë, OJQ-të lokale thonë se ka shumë më shumë - të paktën 10,000.
Ata që po qëndrojnë në depotë, që dikur përdoreshin nga dogana, janë lënë aty pak a shumë për t’u kujdesur për vetën.

Fotografitë: Ibro Hasanovic.
Teksti: Milena Popovic.