Në thelb | Sporti

Kërkimi për mundësi të suksesit në sport

Nga - 16.02.2018

Njohjet e vonuara e kanë lënë mbrapa sportin në Kosovë.

Të premten e kaluar (9 shkurt), flamuri i Kosovës u valëvit për herë të parë në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës Dimërore. Këtë nder e pati skiatori Albin Tahiri. President Hashim Thaçi, i cili ishte i pranishëm në Pyeongchang, shkroi në Twitter për “emocionet e jashtëzakonshme” që i ndjeu kur “Republika jonë e Kosovës u paraqit në stadiumin Olimpik”.

Ndonëse për shumëkë do të shënohet si ditë shumë e rëndësishme në zhvillimin e historisë së sportit në Kosovë, për Qendrim Gurin kjo ishte një ditë e zakonshme pune. kur nisi ceremonia në ora 11:30 (me kohë të Kosovës), ish-çiklisti – i cili u paraqit vet në një stadium Olimpik para më pak se 18 muajve – tashmë kishte nisur punën pesë orë më herët, në kompaninë e minimit në Gadime ku punon që disa muaj.

Guri ishte anëtar i ekipit deputues të Kosovës në lojërat Olimpike në Rio 2016. Ai garoi në garën rrugore të meshkujve. Ai nuk u kualifikua automatikisht për këtë garë, por u përzgjodh në një prej vendeve shtesë që iu ofruan Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), meqë ai ishte njëri prej çiklistëve më të respektuar të Kosovës, fitues i disa garave kombëtare dhe i emëruar ‘çiklisti i vitit’ në tri raste nga Federata e Çiklizmit e Kosovës.

Por që kur u kthye nga Brazili në gusht të vitit 2016, Guri nuk e ka përdorur më biçikletën e tij profesionale.

Pasi përfaqësoi Kosovën në Olimpiadën në Rio 2016, Qendrim Guri hoqi dorë nga çiklizmi, i zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes që do t’i mundësonte atij të garonte në nivelin elitar. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Guri u lëndua gjatë përfaqësimit të Kosovësn në Rio dhe në Lojërat Europiane 2015 në Azerbeixhan. Mungesa e ndihmës shtetërore gjatë shërimit e la të zhgënjyer. “Isha plotësisht i zhgënjyer nga ky sport, sepse askujt nuk i interesonte për mua si sportist”, thotë ai.

Megjithatë, në fund vendimi i tij për të hequr dorë nga sporti ishte i natyrës financiare. Në vitin 2015, Guri u kualifikuar për ndihmë nga Komiteti Olimpik i Kosovës, me një kontratë që i garantonte 500 dollarë amerikanë (rreth 400 euro) në muaj deri në qershor 2016.

Por pagesat mujore rrallëherë kryheshin ashtu siç i ishte premtuar. Ai u detyrua të priste çdo tre muaj për t’i marrë paratë. Guri e mori totalin që ia kishte borxh Komiteti në qershor 2017, 10 muaj pasi ishte kryer Olimpiada. Madje edhe në këto rrethana, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u përpoq ta bllokonte transferin e parave, por në fund lëshoi pe pas presionit nga mediat.

“Nuk mund të punosh për gjashtë muaj – për shembull – dhe ta marrësh rrogën në muajin e gjashtë”, thotë Guri. “Ka shumë çiklistë të talentuar në Ferizaj, por nuk ka mbështetje. Duhet të kesh para për ta financuar veten. Po ta kisha një rrogë mesatare, do të vazhdoja çiklizmin menjëherë. Për mua edhe 300 euro në muaj do të kishin qenë të mjaftueshme për të vazhduar”.

Këto përvoja kanë bërë që Guri ta ketë një pikëpamje shumë cinike për marrëdhëniet e shtetit me sportin. “E di si është kur ke politikanë rreth teje”, thotë ai. “Dy apo tri javë para se të shkosh në Olimpiadë, të thirrin për intervista, vinë e fotografohen me ty, por kur kthehesh, as nuk të lajmërohen në telefon. Nuk duan as të dëgjojnë për ty”.

Guri nuk është i vetmi sportist që e ka përfaqësuar Kosovën ndërkombëtarisht dhe më pas ka vendosur të heqë dorë nga sporti. Armend Xhoxhaj e përfaqësoi Kosovën në Lojërat Europiane në Baku, duke u paraqitur në çerekfinale në garën e meshkujve në boks në kategorinë e peshave të lehta.

Në janar 2017, Xhoxhaj lajmëroi se nuk do të provojë të paraqitet në Olimpiadën 2020, pasi dha dorëheqje nga boksi amator për të ndjekur karrierën e boksit profesional në Gjermani. Ankesat e tij ishin të ngjashme me ato të Gurit – mungesë e organizimit dhe ndihmës financiare.

Një vit më vonë, në janar 2018, KFF Hajvalia, përfaqësuesja e parë e Kosovës në garën e femrave UEFA Liga e Kampionëve 2016, u tërhoq pas një kohe të shkurtë nga Liga e Femrave të Kosovës në mes të sezonës për shkak të problemeve financiare dhe stadiumit. Në fund, Rrahim Pacolli i ofroi burimet e nevojshme për ta rikthyer ekipin, dhe kështu Hajvalia do të përpiqet ta mbrojë titullin e kampionit kur të vazhdojë sezona në pranverë.

Karrierat e palavdishme të shumë sportistëve ikonë të Kosovës tregojnë për një situatë dëshpruese 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Kjo vlen veçanërisht për sportistë të cilët janë lindur dhe janë formësuar profesionalisht brenda vendit.

Ani pse Albin Tahiri u bë përfaqësuesi i parë i Kosovës në Olimpiadën Dimërore, ai u lind, u rrit dhe u stërvit në Slloveni. Ndihma që ai e mori nga shteti i Kosovës ka qene pothuajse ekskluzivisht financiare. “Kanë male por infrastruktura është shumë e keqe”, tha Tahiri për Reuters në Korenë e Jugut. “Teleferikët janë shumë të vjetër dhe shtigjet nuk janë të përgatitura gjatë gjithë kohës”.

Rasti i Tahirit nuk është i rrallë. Strukturat e sportit në Kosovë rrallëherë prodhojnë talent që paraqitet në skenën botërore, pavarësisht suksesit të arritur nëpërmjet njohjes nga organizatat ndërkombëtare të sportit.

Kur debutoi ekipi futbollistik i Kosovës në ndeshjet kualifikuese kundër Finlandës për Kupën e Botës të FIFA-s, vetëm tre lojtarë që startuan në atë ndeshje – Amir Rrahmani, Milot Rashica dhe Bernard Berisha – kishin luajtur ndonjëherë për klube kosovare. Të tretë u larguan për të luajtur jashtë vendit para se t’i mbushin 21 vjet.

Sigurisht, kemi një përjashtim të shkëlqyeshëm. Të shtunën (10 shkurt), një ditë pas paraqitjes së Tahirit në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës Dimërore, dy xhudistë nga Klubi i Xhudos Ippon në Pejë fituan dy medalje të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos në Grand Slam-in e Parisit. Distria Krasniqi e shtoi një medalje të bronztë në koleksionin e saj mbresëlënës dhe gjithnjë në rritje, ndërsa Akil Gjakova fitoi medaljen e parë të artë në karrierën e tij, duke e shtuar medaljen e 136 për klubin e tij, duke përfshirë këtu medaljen e artë dhe të paharrueshme Olimpike të fituar nga Majlinda Kelmendi.

Klubi i Xhudos Ippon në Pejë ka prodhuar plot fitues të medaljeve ndërkombëtare. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në një intervistë me K2.0 vitin e kaluar, Krasniqi zbuloi se si u bë kjo u mundur, duke shpjeguar orarin e rreptë të stërvitjeve në të cilin përfshiheshin të paktën dy seanca në ditë për gjashtë ditë në javë, si dhe politika të rrepta për rrjete sociale dhe kohë të lirë.

Këtë orar e krijoi themeluesi i klubit, Driton Kuka. Ai vet është xhudist i shkëlqyer, por atij iu mohuan mundësitë për të garuar ndërkombëtarisht për shkak të situatës së trazuar politike në Ballkan gjatë viteve të ‘90-a. Përkundër faktit se përfaqësuesit e shtetit janë munduar të marrin merita për suksesin e këtij ekipi, Kuka ka qenë i zëshëm për pagesat e vonuara dhe keqpërdorimin e sportistëve të tij nga ana e zyrtarëve shtetërorë.

Vlen të përmendet gjithashtu fakti se suksesi më i madh që është zhvilluar brenda vendit është në një sport që kërkon infrastrukturë minimale.

Të injoruar për gati një dekadë

Por nëse në përgjithësi strukturat e Kosovës nuk po krijojnë apo nuk po mbështesin sportistë 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë, është e rëndësishme ta analizojmë mënyrën si është zhvilluar sporti në këtë periudhë.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ende është kujtim i këndshëm për ata të cilët i udhëheqin federatat më të mëdha të sportit në vend. Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), dhe Elvira Dushku, homologia e tij në Federatën e Basketbollit (FBK), e përshkruajnë atë si moment shumë të madh. “Ishte simbol i barazisë dhe i përfshirjes”, thotë Salihu.

Megjithatë, kjo doli të jetë një situatë premtuese prej së cilës nuk del gjë. “Të gjithë menduan se gjatë vitit 2008, gjithçka do të fillonte të ndryshonte. Që së pari Komiteti Olimpik do të njihej nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik dhe që federatat do të fillonin të garonin në nivel ndërkombëtar”, kujton Dushku. “Por nuk ndodhi gjë. U detyruam të prisnim edhe shtatë vjet”.

Komiteti Olimpik i Kosovës në fund u njoh nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik në dhjetor 2014. Kjo nxiti shumë njohje të tjera të federatave sportive të Kosovës. Federata e basketbollit iu bashkua FIBA-s në prill 2016, ndërsa federata e futbollit iu bashkua FIFA-s në maj 2016.

Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, thotë se po përpiqen t’i profesionalizojnë infrastrukturat e klubeve, që të mos u mbetet gjithçka trajnerëve. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në vitet paraprake, të dy federatat vepronin me numër minimal të stafit, me nga pesë apo gjashtë punëtorë të cilët punonin në dy dhoma të Shtëpisë së Sportit që mbeti nga epoka komuniste në Prishtinë.

Këto veprimtari të vogla u pasqyruan edhe në nivel të klubeve. “Ke klube në të cilat dy-tre persona, apo edhe një person i kryen të gjitha punët”, thotë Dushku, e cila më pas shpjegon se pas njohjes, profesionalizimi i klubeve të Kosovës ka qenë një prej prioriteteve kyçe të federatës. “Nëpërmjet arsimimit dhe punëtorive, ne po mundohemi t’i mësojmë njerëzit si menaxhohet një klub, që të mos i kryejë trajneri të gjitha punët. Klubet duhet të menaxhohen sipas standardeve profesionale”.

Ky nuk është i vetmi efekt anësor i shpërfilljes që e përjetoi sporti kosovar për gati një dekadë. “Më parë thoja se futbolli ka mbijetuar në Kosovë, sepse nuk mund të flasim për zhvillim”, thotë Salihu.

“Ne jemi shtet i vafër, dhe kur qeveria nuk shesh përktaësi apo anëtarësim, ajo nuk ndërhyn”

Eroll Salihu

Ai e përshkruan procesin e gjatë të aplikimit në FIFA dhe UEFA si zhgënjim të madh, dhe thekson fushat në të cilat ka stagnuar futbolli, jo vetëm për shkak të mungesës së ndihmës financiare. Trajnerët, referët dhe administratorët mbetën pa marrë pjesë në konferenca dhe konventa ndërkombëtare sportive. “Gjithmonë na zhgënjenin”, thotë ai. “Për të gjitha çështjet që lidhen me futboll, nuk mund të konkurronim”.

Dhe nuk ishte vetëm për faj të shumave të ofruara nga organizatat ndërkombëtare që federatat vendore mbetën me buxhete të reduktuara. Salihu shpjegon se Qeveria ngurroi ta investonte buxhetin e vogël të saj në federata para përfshirjes së tyre në botën e sportit ndërkombëtar.

“Ne jemi shtet i varfër, dhe kur Qeveria nuk shesh përkatësi apo anëtarësim, ajo nuk ndërhyn”, thotë ai. Hulumtimet e zhvilluara nga K2.0 vitin e kaluar për mënyrën e financimit të sportit përputhen me pretendimin e Salihut. Sporti rregullisht ishte financuar me shuma të pakëta, deri në vitet e fundit, kur filloi derdhja e parave në këtë sektor.

Përveç çështjeve të infrastrukturës, FFK-ja është përballur edhe me vështirësi sa i përket motivimit të lojtarëve kosovarë. “Kishim shumë lojtarë të talentuar”, thotë ai. “Ishte turp për Europën, por e pashë që atyre nuk u intereson. Ne ishim i vetmi territor i cili ishte krejtësisht i izoluar në Europën juglindore… në shekullin XXI!”

Kompensimi i kohës së humbur

10-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka sjellë shumë kritika për mungesën e progresit të shtetit kosovar në dekadën e tij të parë. Ka shumë dëshmi që po këto kritika vlejnë edhe për sport, por në shumë aspekte bota e sportit të Kosovës nuk është 10-vjeçare, por prapëseprapë është fëmijë i vogël që sapo është mësuar të ecë, e që i është lejuar të rritet tek pas njohjeve.

Salihu dhe Dushku thonë se me vite të tëra federatat e futbollit dhe basketbollit kishin pothuajse vetëm një synim, anëtarësimin në FIFA dhe FIBA, e njëkohësisht u munduan ta mbanin sportin të gjallë brenda vendit. Tani të dy federatat janë zhvendosur në lokacione shumë më të mëdha, e kanë rritur shumë numrin e stafit dhe kanë shumë më shumë synime.

“Gjërat zhvillohen shpejt. Tani jam duke punuar me një projekt për ndërtimin e 12 fushave artificiale. Është hap i madh për ne”, thotë Salihu, para se ta theksojë ngazëllimin e tij në lidhje me projekte të tjera infrastrukturore.

Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbolli të Kosovës, po përpiqet ta jetësojë pjesëmarrjen e të rinjve dhe vajzave në futboll, pasi që me vite të tëra thjesht është munduar ta mbajë të gjallë këtë sport. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Por Dushku është më pak e entuziazmuar për shpejtësinë e zhvillimit. Problemi nuk është vetëm i natyrës financiare, por ajo thotë se “paratë gjithmonë janë problem kur merresh me Ministrinë e Sportit”.

Ajo beson se përkundër faktit që Departamenti i Sportit në këtë Ministri është i fokusuar në rritjen e kapacitetit të sallave të basketbollit në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në 3,000 ulëse, në përputhje me kërkesat e FIBA-s, ky departament po i shpërfill çështjet e tjera teknike, si qasjen në internet dhe toaletet.

Kjo bëri që inspektorët e FIBA-s të jenë të “pakënaqur” me standardin e sallave të Kosovës në mbrëmjen e debutimit të saj në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2019 në shtator të vitit të kaluar. Kjo federatë për pak i shpëtoi dënimit.

Por pa marrë parasysh infrastrukturën, fokusi i të dy sekretarëve të përgjithshëm është te përfshirja, rritja e fushave të shpërfillura, veçanërisht te pjesëmarrja e të rinjve, grave dhe vajzave. Prej arritjes së njohjes nga FIBA, numri i ekipeve basketbollistike të të rinjve në Kosovë është shtuar nga 30 në 88, por federata kërkon më shumë.

Salihu thotë se futbolli i grave është prioritet për federatën e tij dhe thekson faktin se i kanë dy gra të licensuara nga UEFA në pozita të larta të ekipit kombëtar të grave – menaxheren Afërdita Fazlija dhe asistenten e saj Sanije Krasniqi – si dhe balancin gjinor brenda vet federatës, ku ai thotë se 40 për qind e administratës përbëhet prej grave.

FFK-ja gjithashtu ka lansuar projekte të kërkimit të talenteve dhe të përfshirjes së vajzave dhe grave të reja, si dhe ka krijuar një ligë të vajzave U16 – diçka jo shumë e zakonshme për Ballkanin Perendimor.

Ndërkohë, Dushku shpreson ta restaurojë basketbollin e grave që t’i kthehet ditëve kur ajo luante në gara europiane në salla të mbushura nëpër Kosovë, larg gjendjes së sotme të basketbollit të grave. FBK-ja pritet ta lansojë një projekt, për të cilin po ndihmohet nga FIBA, që synon rritjen e pjesëmarrjes së vajzave në sport, me fokus në zona rurale. Shpresojnë që ky kërkim do të zbulojë më shumë vajza të gjata për ekipet kombëtare.

Ndonëse Salihu dhe Dushku po ndihmojnë në ndërtimin e sportit kosovar për të ardhmen, të dy janë anëtarë të gjeneratave të kaluara të sportistëve kosovarë karrierat e të cilëve u penguan nga politika.

Salihu ishte anëtar i KF Prishtina në kohën kur ky ekip u largua nga Liga e Parë Jugosllave në vitin 1991 për të luajtur në liga paralele të krijuara në Kosovë gjatë viteve të ‘90-a. Dushku luajti në epokën e pasluftës dhe para pavarësisë. Asaj iu mohua mundësia për ta përfaqësuar vendin, dhe pati vetëm disa mundësi për të garuar në gara ndërkombëtare të klubeve.

Në 10 vitet që kanë kaluar prej Shpalljes së Pavarësisë, edhe më shumë gjeneratave iu mohua mundësia për ta përmbushur potencialin e tyre. Dëmi i shkaktuar nga vonesat e njohjeve dhe mungesa e mbështetjes shtetërore e ka lënë Gurin dhe shumë e shumë sportistë të tjerë në pozitë të keqe. Këto probleme janë përcjellur edhe në periudhën pas njohjes së federatave të Kosovës nga organizatat ndërkombëtare.

Dhjetë vjet më pas, e ardhmja tashmë po fillon. Nuk mund të humbim gjenerata të tjera.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia Kosovo X