Në thelb | TWIK

Këtë Vit në Kosovë

Nga - 28.12.2015

Pikëpamja e K2.0 për vitin 2015.

Çfarë po ndodhte në janar në Kosovë? A iu kujtohet? Sigurisht ishit duke u bërë gati pas rezolutave të Vitit të Ri: regjistrimi në fitnes, lënia e alkoholit ose cigareve (ose drogave tjera), ndoshta ishit të shqetësuar me atë që po ndodhte në vend dhe e përpiluat listën e dëshirave të “qytetarit/es të/së mirë” për të kontribuar me ndryshime. Eh po Kosova nuk ka qenë bash e heshtur në 2015 (a ka qenë ndonjëherë?). Changes… si ajo kënga e David Bowie!

Mirë, mirë, të mos bëhemi pesimist. Ishte kënaqësi! Shumë njerëz udhëtuan nga Kosova sivjet. Uh prit, jo, ishin vetëm duke i ikur varfërisë, dhë shumë pak njerëzve iu hëngri botha për ta. Ehh. Mirë, leje atë, t’i shikojmë gjërat ndryshe.

Këtë vit për herë të parë Kosovo 2.0 i ka zgjedhur disa kategori për t’i vizituar përsëri të mirat e të këqijat e 2015. A mund t’ia qëlloni se kush është zgjedhur për çmimin prestigjioz Dështaku më i Madh i vitit 2015? Kush i ka mbështetur gjithmonë interesat e popullit të Kosovës dhe e ka marrë nominimin si ‘Shokë Të Ngushtë Përgjithmonë’? Dhe çka është mbuluar tepër pak por do të kujtohet tani që po na vjen viti i ri? Për herë të parë gjithashtu, Kosovo 2.0 ka zgjedhur Personin (ose Personat) e Vitit.

Retrospektivë 2015!

1. Fjala e Vitit

Gaz lotsjellës: emër – gaz që shkakton dhimbje dhe lotim të syve, dhe kështu shkakton edhe verbërim të përkohshëm, i përdorur në lufta moderne, për të ndalur trazira etj.

Deri më tani, gazi lotsjellës ka qenë diçka që pak a shumë është përdorur vetëm nga policia për kontroll të turmave rreth botës. Por në 2015, mësuam se gazi lotsjellës mund t’u shërbejë politikanëve poaq mirë sa i ka shërbyer policisë gjithë këto vite. Sivjet në Kosovë e pamë gazin lotsjellës duke lëvizur prej rrugëve në sallat e qeverisë, dhe siç e kemi parë në muajt e fundit, shkaktoi mjaft shumë probleme.

Është dukur kohë pas kohe se lajmet kryesore të vitit nuk kanë qenë të kompletuara kur nuk është përmendur gazi lotsjellës. Në janar, protestat masive që çuan deri te pezullimi i Zëvendës Kryeministrit Aleksandar Jablanovic shfaqën përdorimin liberal të kësaj substance në rrugët e Prishtinës. Por prej debutimit befasues në Kuvend në tetor, kur deputetët e opozitës e përdorën së pari për të penguar një seancë parlamentare, gati as një javë nuk ka kaluar pa dalur gazi lotsjellës në lajme.

Gaz lotsjellës në Kuvend, gaz lotsjellës në rrugë, deputetë të opozitës të arrestuar për hedhje të gazit lotsjellës, epi i Albin Kurtit për gaz lotsjellës…prishtinalitë janë mësuar aq shumë me këso gjëra, sa që tani mezi iu dridhet syri kur e shohin duke iu afruar ndonjë re e bardhë e këti gazi dëmtues.

2. Citati i Vitit

Pezullimi i opozitës është pezullimi i demokracisë“. Deputeti i Vetëvendosjes Ilir Deda shkurtimisht përmbledhi atë që dukej si rrëshqitje drejt autoritarizmit të plotë pasi anëtarë të opozitës u pezulluan nga Kuvendi i Kosovës, vetëm disa ditë pasi policë të armatosur bastisën selinë e partisë. Pezullimi shkaktoi reagime të panumërta të cilat vunë në dyshim nivelin e demokracisë në këtë Republikë foshnje.

Deda shprehi shqetësimet e tij pavarësisht faktit se ai nuk u pezullua personalisht, pasi kishte distancuar vetën prej taktikave të hedhjes së gazit lotsjellës të kolegëve të tij të opozitës gjatë ngërçit politik që ka zgjatur tash 3 muaj, dhe ende vazhdon. Sidoqoftë, ai refuzoi të jetë pjesë e seancës deri sa pjesa tjetër e opozitës ishte e mbyllur jashtë. Qeveria tani ka mbajtur disa “seanca ku merr pjesë vetëm qeveria”, përfshirë miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, pa prani të opozitës.

Trembëdhjetë deputetë të opozitës – më shumë se një e treta e opozitës – janë arrestuar për shkak të rolit të supozuar të tyre në “hedhje të gazit lotsjellës” në Kuvend, pjesë e protestave të vazhdueshme kundër një marrëveshjes me Beogradin që do të themelonte një Asociacion/Komunitet të Komunave me Shumicë Serbe dhe një marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacion te kufirit.

Situata duket se i ka të gjitha veçoritë e një diktature në shkarkim e sipër, përveç se Kryeministri Isa Mustafa nuk është shumë karizmatik, e as ëë… i zoti.

3. Skandali i Vitit

Për Kryeministrin Isa Mustafa, dhënia e një kontrate për të riparuar veturën e tij kryeministrore për “Mackcar”, kompaninë e të birit të tij, nuk ishte “punë e madhe”. Megjithatë, edhe pse kontrata mund të mos ketë qenë në vlerë milionash, logjika e reagimit të kryeministrit përfaqëson gjithçka që është gabim me elitën politike në Kosovë.

Kontrata 2,946 euro sigurisht se do të ishte harruar shpejtë në opinionin publik kosovar, po ta kishte pranuar Mustafa gabimin dhe po të ishte penduar me nxitim. Por në vend të kësaj, ai u mundua ta justifikojë vendimin. Mustafa tha: “Nuk kam qenë në dijeni për tenderin, por nuk shoh asgjë gabim me të, pasi që shërbimi i veturës është i autorizuar”.

Pavarësisht faktit se “korrupsioni endemik” u theksua në raportin e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2015 (dhe vazhdimisht prej institucioneve tjera relevante gjatë vitit), Mustafës nuk i duket asgjë gabim në këtë kontratë – ndoshta diçka që njihet si “konflikt mjaft i hapur i interesit”, Isë?

Përballur me presionin e publikut, Mackcar vendosi të tërhiqet nga kontrata. Por më e madhe se shuma e kontratës ishte logjika skandaloze e kryeministrit – është mirë që po e shohim se KM po përpiqet ta luftojë korrupsionin duke e udhëhequr frontin!

4. Mrekullia e Vitit

Shumë njerëz sigurisht do të kishin problem të vazhdojnë të kryejnë punë në mënyrë efektive nga burgu, por Kryetari i Komunës së Skenderajit, Sami Lushtaku, si duket ka arritur ta bëjë pikërisht këtë! Pavarësisht faktit se ka kaluar gjysmën e këti viti prapa grilave pasi u dënua në maj me 12 vjet burg për kryerje të krimeve të luftës si pjesë e grupit të ashtuquajtur të Drenicës, Lushtaku mbetet në detyrë të punës kryesore të Skenderajit.

Nuk duhet të jemi ende aq të befasuar nga kryetari “i mrekullueshëm” – kryerja e punës ditore nga burgu duhet të jetë shumë e lehtë, pasi me sukses kishte udhëhequr fushatën zgjedhore nga burgu në 2013. Lushtaku gjithashtu dëshmoi se është mrekulli mjekësore në shtator. Pasi iu nënshtrua analizave për zemër në Klinikën Qendrore Universitare të Kosovës, ai u rikuperua mrekullisht dhe u zhduk në mënyrë spektakolare, pa lënë asnjë gjurmë. Fatkeqësisht për burrin që dukej se mund të bëjë gjithçka, policia e EULEX me shpejtësi e zuri prap dhe e kthyen në burg. Ai mund ta kënaq vetën me diturinë se mandati i tij si kryetar vazhdon… të paktën deri sa të përfundojë procesi i apelit, kur Ministria e Administratës Lokale tha se mund të ndërhyjë.

5. Shhh, Nuk e Dëgjove Këtë…

A iu kujtohet viti 2014 dhe skandali i madh i korrupsionit në Misionin Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)? E dini bre, ai ku u tha se disa punëtorë të EULEX kishin arritur të jenë poaq skandaloz sa elita e politikanëve lokal, të cilën kishin ardhur këtu për ta edukuar. Por pa merak, neve na u tha se do të kryhen hetime për këto akuza… por… çfarë ndodhi me këtë? Një raportu lansua për trajtimin e gjithë aferës nga ana e EULEX në mars, por ishte mjaft e qartë që nuk ishte i mandatuar për të analizuar përmbajtjen e akuzave. Që do të thotë tani kanë kaluar nëntë muaj… dhe në këtë front mbretëron një heshtje e dyshimtë.

Një çështjes tjetër të rëndësishme që i është minimizuar rëndësia edhe pse ka qenë para syve tonë rregullisht: Transmetuesi Publik, Radio Televizioni i Kosovës (RTK). Polemika për censurimin e RTK dhe ndërhyrje politike nga qeveria kanë përcjellur punën e tij me vite. Vetëm mendoni për ato koncerte të mrekullueshme muzikore që transmetohen sa herë ka trazira në vend.

Në pranverë RTK u përball me kundërshtime masive nga brenda, kur 12 redaktorë të lajmeve bënë thirrje për protestë kundër emërimit të kryeredaktorëve të ri, në bazë të presionit të supozuar dhe censurimit nga dy emrat e zgjedhur. Sindikata e Pavarur e RTK mbështeti protestën dhe u duk sikur nxiti debat të nevojshëm kur publikisht kërkuan për transparencë, hetime mbi shpenzimin e parasë publike nga menaxhmenti i lartë i RTK dhe bënë thirrje që deputetët t’i shkarkojnë menaxherët përgjegjës. RTK në fund vendosi se do ta shkarkojë presidentin dhe zëvendës-presidentin e Sindikatës, duke shkaktuar nëpërkëmbje dhe protesta, që u mbështetën prej redaktorëve të lajmeve dhe gazetarëve. Rezultati: Ata kryeredaktorë të diskutuehsëm ende janë në pozitat e tyre, liderët e sindikatës janë rikthyer në pozitat e mëparshme dhe çështja është mbyllur. Censurimi i RTK vazhdon të diskutohet haptas si dhe pas dyerve të mbyllura, por debati konstruktiv për lirinë e shprehjes ende trajtohet me mospërfillje në korridorët e fuqisë, dhe bie në vesh të shurdhër.

Hajde, vazhdo, s’ki çka me pa k’tu…

6. Ups, e Bëra Përsëri…

Super-dyshja e Kosovës, Betmeni e Robinin, Hasa e Hysa, Gjara e Gjura, e bënë përsëri: Nuk i mbajtën premtimet. Ta analizojmë pakëz: 200,000 + 120,000 = 320,000… vende pune. Numri i parë korrespondon me premtimin e Hashim Thaçit për të krijuar 200,000 vende pune, që e dha gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2014. Numri i dytë korrespondon me premtimin e Isa Mustafës, dhe u dha gjatë periudhës së njejtë dhe për qëllimin e njejtë. Dhënë mundësinë për t’i mbledhur përpjekjet, politikat dhe strategjitë e tyre, dhe dhënë kontrollin e buxhetit shtetëror për të investuar sado që është e nevojshme për një kauzë të tillë, çfarë mund të shkojë keq?

Eh, ende po presim shifrat e papunësisë për 2015, por duket se shifrat kanë shkuar në drejtimin e gabuar: Në 2013 niveli i papunësisë ishte 30 përqind, ndërsa sipas sondazhit të fundit të fuqisë punëtore në 2014 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, niveli i papunësisë në Kosovë është 35.3 përqind (shiheni një grafik këtu). Deri në korrik të këti viti, Mustafa në kuptimin e plotë të fjalës tha: “Nuk kemi arritur t’i punësojmë 100 ose 200 mijë njerëz dhe askush nuk ka thënë se do të mund të krijojmë kaq shumë vende pune në mandatin e parë”. Ëmmm, përveç se po, të dy keni thënë ashtu.

Pra ta pyesim vetën: Ku është problemi? a) Premtimi për vende pune ishte thjeshtë i parealizueshëm; b) Asnjëri nuk ka dituri ose aftësi për një arritje të tillë; c) Po gënjenin me këto premtime dhe e dinin se nuk do të realizoheshin; ose, d) Është shumë mirë të jesh i papunë, ke shumë kohë të lirë, por njerëzit duhet të paguajnë qira. Përgjigja e saktë? Po, mirë e ke: e) Të gjitha këto!

Shkurtimisht, mos i merrni popullatën për budallë – mos bëni premtime që nuk mund t’i përmbushni!

7. Korrupsioni Gjallë e Mirë

Elita politike kosovare duket se i ka vendosur vetës standarde të rrepta kur flitet për vlerësimin e tyre ndërkombëtar për transparencë: nuk do të pranojnë asgjë më të ulët se numër tre-fishor në kategorinë e korrupsonit. Në kontrast me shtete më të ndershme me vlerësime të lodhëta e të ulëta, renditja e Kosovës mbi numrin 100 tregon se liderët me kuptimin e plotë të fjalës udhëheqin në korrupsion. Dhe kjo arritje e madhe është aq ngjitëse sa edhe liderët politik të së ardhmës po mësojnë nga më të mirët se si të bëjnë hile për të arritur sukses. Së pari fillon si zbavitje në rrjete sociale, si shembulli i nxënësve të shkollave të mesme që publikuan testet e tyre në Facebook gjatë verës. Administratorët e provimit e quajtën ditë shumë të suksesshme, duke treguar kuptim bindës se sa më të mirë të jenë studentët për të bërë hile, aq më të ndritshme do ta kenë të ardhmën.

Me këtë kulturë me rrënjë të thella, të udhëhequr nga politikanët, dhe me korrupsionin akademik, të udhëhequr prej profesorëve universitar – ish-Rektori Ibrahim Gashi dha dorëheqje pas skandalit të plagjiaturës – lajmi se 42 studentë nga Universiteti i Prishtinës dhe 13 studentë të universiteteve private ishin hequr nga lista e bursave për shkak të plagjiaturës nuk ishte i befasishëm. USAID, donatori i bursave, i identifikoi studentët dhe ua tërheqi mundësinë e tyre për të studiuar jashtë vendit. Të paktën këto aftësi do të vlerësohen më shumë këtu në atdheun e juaj, djem e vajza.

8. Mami e Babi Thanë…

…Mos e prek policin. Komuniteti ndërkombëtar do stabilitet në Kosovë aq shumë sa që nuk i vërejtën dhjetëra raportet e brutalitetit policor me 28 nëntor. Ndoshta nuk i ndjekin mediat kosovare, por videot që u shpërndanë në internet qartë treguan forcën e tepruar të përdorur nga policia gjatë bastisjes së armatosur në selinë e Vetëvendosje, partia më e madhe opozitare, në një operacion të shquar për të arrestuar ish-liderin e VV, Albin Kurti.

Zakonisht ambasadorët në vende tjera nuk ndërhyjnë në çështje të brendshme, por komuniteti ndërkombëtar në Kosovë është aq i etur për të parë prosperitet në vend, sa që rregullisht i tejkalon detyrat e veta duke vlerësuar rrjedhën e protestave, kur i përshtatet. Policinë shpeshherë e mbrojnë me veçanti, pasi që deri para pak kohe, ata janë parë si një prej “historive të pakta e të paqarta të suksesit”, dhe si shembull i themelimit të institucioneve të besueshme dhe të respektuara në Kosovë.

Pas ngjarjeve të 28 nëntorit, ambasadat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan: “demonstratat kaluan paqësisht dhe duam t’i lëvdojmë të gjithë, veçanërisht Policinë e Kosovës”. Ata janë të njejtit policë që organizatat kombëtare e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i dënuan për përdorim të tepërt të forcës dhe bënë thirrje për hetime urgjente për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut. Kur u kërkua prej tyre që të komentojnë më tej për policinë pas kritikave të organizatave të profilit të lartë si Amnesty International, Mamit e Babit papritmas iu kujtua se nuk duhet të përfshihen në çështje të brendshme. A ia keni inati edhe ju kur prindërit i ndryshojnë rregullat kur iu përshtatet atyre?

9. Fitore për Popullin

Papunësi, varfëri, sisteme të dobëta të shëndetësisë dhe arsimit, të drejta të diskutueshme të njeriut, lista e të këqijave veç vazhdon e vazhdon. Ka qindra arsye për të dalur në rrugë e për të protestuar, por mungesa e shpresës dhe pesimizmi për mundësinë e ndryshimit, si dhe politizimi i çdo kauze nga partitë politike, i kanë bërë njerëzit që të ngurrojnë për të dalur e për të ngritur zërin e tyre demokratik. Përveç rrëzikut nga goditja me vezë, elita politike shkojnë në punë në zyret e tyre me mjaft shumë rehati çdo ditë.

Dhe sigurisht nuk e shohin tendën e bardhë me një grup të njerëzve të pranishëm çdo ditë para hundëve të tyre, bash para ndërtesës së qeverisë. Po të ndaleshin, ndoshta do të dëgjonin më shumë për shqetësimet e ish-punëtorëve të fabrikës së tubave në Ferizaj, privatizimi i së cilës i la 900 njerëz të papunë. Ish-punëtorët e fabrikës së Ferizajit janë një prej disa grupeve që aktivisht po mundohen të luftojnë për të drejtat e tyre; në rastin e tyre, kompenzim nga 1989-1999 kur ata u shkarkuan nga regjimi brutal. Edhe pse e drejta e tyre për kompenzim u njoh nga Gjykata Kushtetuese në 2010, vendimi ende injorohet nga qeveria. rasti i ish-punëtorëve të fabrikës së tubave thekson një realitet shqetësues: vetëm protestat e dhunshme e kapin vëmendjen e elitës sonë politike. Këta njerëz kanë protestuar paqësishtp ër më shumë se një vit, por askujt s’po i bëhet vonë.

Ai që ndoshta ishte veprimi më i shquar civil (pa parti politike) u përbë prej qindra protestuesve të mbledhur para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që kërkonin pezullimin e vendimit të marrë nga këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës për ta shkarkuar Rektorin Ramadan Zejnullahu. Mbështetja e madhe erdhi si rezultat i shumë reformave të nisura nga Zejnullahu për t’i ndërprerë ndërhyrjet e rënda politike në institucionin kryesor publik të arsimit të lartë të Kosovës. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e gjeti vetën pa zgjidhje tjetër, dhe e rikthei në pozitë rektorin.

Fitorja e Popullit shkon për njerëzit që u ngritën dhe luftuan për kauza të ndryshme, jo pse u urdhëruan, por sepse besuan në të. Shpresojmë që viti 2016 sjell më shumë veprime civile!

10. Kasetofon i Prishur

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizim të vizave”. Na është thënë përsëri e përsëri nga Kryeministri Isa Mustafa dhe Zëvendës KM Thaçi, si dhe nga anëtarë të ndryshëm të qeverisë së tyre: Vitin tjetër do të mund të lëvizim lirshëm brenda Evropës; veç sa s’kemi mb’rri!

Eh, jo bash ashtu, sipas Komisionit Evropian, dhe fatkeqësisht, ata pyetën për këtë. Raporti i fundit për progresin e Kosovës drejt përfundimit të “udhërrëfyesit” të vet për liberalizim të vizave thotë se Kosova ende duhet t’i përmbush 8 prej 95 rekomandimeve origjinale. Por kjo duhet të jetë inkurajuese, veç sa s’kemi mb’rri… Komisioneri i BE na tha se shpreson që do të jetë e mundur të rekomandohet Kosova për liberalizim të vizave “në fillim të vitit të ardhshëm”. Por e kemi dëgjuar këtë edhe më parë: Në 2010 Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, premtoi liberalizim të vizave brenda 15 muajve, në 2013 i kërkoi 15 muaj më shumë për ta përmbushur premtimin e tij… Javën tjetër do të jemi në vitin 2016, dhe kosovarët janë i vetmi popull në Ballkan Perendimor që është i shpërfillur sa i përket udhëtimit të lirë pa viza.

Ndërroje kasetën! Boll ma me fjalë, t’shohim vepra!

11. Të Paktën Nuk Kemi Humbur Gjithçka

Shumë politikë dhe politikanë kanë qenë në qendër të vëmendjes në lajmet e përditshme të Kosovës sivjet, por si zakonisht, populli e bëri dallimin, duke sjellur momente epike të shpresës. Pasi u njoh në fund të vitit 2014 si anëtare e plotë e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, në 2015 Kosova garoi në kampionatin e parë me sporte të ndryhme në verë, në Lojërat Evropiane inauguruese, të mbajtura në Baku (Azerbaixhan), për herë të parë sivjet. Dhe për herë të parë në histori, një delegacion i sportistëve përfaqësuan flamurin e Kosovës zyrtarisht në një eveniment ndërkombëtar me sporte të ndryshme ku sportistët përfaqësuan Komitetet Kombëtare Olimpike të Evropës. Xhudistja Majlinda Kelmendi, mbretëresha e sportit të Kosovës, simbolikisht e mbajti flamurin në ceremoninë e hapjes, edhe pse nuk garoi për shkak të lëndimit. Megjithatë, kolegja e saj xhudiste, Nora Gjakova, morri pjesë në gara dhe u kthye me medaljen e parë të Kosovës në lojëra me evenimente të ndryshme, një medalje bronz.

Dhe një grua tjetër, Alketa Xhafa Mripa, ishte përgjegjëse për atë që me gjasë u bë instalacioni më i madh artistik i Kosovës, “Thinking of You”. Edhe pse nisi si ide e thjeshtë për të rritur ndërgjegjësimin për të mbijetuar të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë, artistja rekrutoi mbështetjen e vullnetshme të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që ishte simbol aktiv i mbështetjes. Me mbështetje të Këshillit Kombëtar të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale (që Jahjaga e themeloi dhe e kryeson), Xhafa Mripa mbledhi 5,000 funde, të dhëna kryesisht pre jgrave, disa prej të cilave u përdhunuan gjatë luftës, dhe i instaloi ato në stadionin e futbollit në Prishtinë. Dhjetëra vija me funde të varura e uzurpuan fushën për një ditë. Rëndësia e këti instalimi nuk është vetëm në konceptin artistik, por edhe në aftësinë e punës për ta ngritur profilin e kësaj çështje në sipërfaqe, duke nisur një diskutim publik për dhunën kundër grave, diçka që nuk ka ndodhur më parë.

12. Ta Kemi Parasysh

Deri sa 2016-shi po na troket në dyer, përgatituni të njiheni shumëm e fjalën “gjykatë”. Për një gjykatë do të dëgjojmë shumë,  dhe ajo është “gjykata specialiste” që do të merret me akuza të krimeve të luftës, gjatë dhe pas luftës. Gjykata, që do të themelohet në Holandë, pritet të nis meaktakuzat e parë në fillim të vitit të ri. Ka pasur aludime se ngërçi i vazhdueshëm politik në Kuvendin e Kosovës në fakt po u bënë mirë shumë prej liderëve politik që janë të përfshirë, pasi që ata mendohet të jenë caqe të mundshme të “gjykatës specialiste”. Themelimi i gjykatës – që me gjasë është jokushtetuese – më në fund u miratua në përpjekje të dytë në korrik 2015 pas presionit të madh nga komuniteti ndërkombëtar për deputetët kosovar. Por nëse themelimi i gjykatës mbizotëroi në lajme të vitit 2015, ky fiasko pritet të bëhet i parëndësishëm kur dhe nëse gjykata e nis punën vitin e ardhshëm.

Si veprim praktikisht i fundit i vitit 2015, Gjykata Kushtetuese vendosi për kushtetutshmërinë e themelimit të Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe. Por la shumë paqartësi dhe hapësirë që të gjithë të mund ta interpretojnë vendimin ashtu si i përshtatet interesave të tyre. Në thelb, Asociacioni i planifikuar është jokushtetues (fitore për opozitën) por duhet të zbatohet ashtu kështu (fitore për qeverinë). Përpjekja për t’i bashkërenduar këto dy informata, dhe interpretimi i asaj se çfarë leshi u mundua të thotë Gjykata Kushtetuese, do të na sigurojë mjaft debat në ditët dhe javët që po vijnë!

Dhe nëse nuk ishte boll me gjykata për një vit, komuniteti ndërkombëtar na ka siguruar se të gjithë do ta shohim këtë fjalë edhe në ëndrra në muajt që vijnë. Tri prej tetë kushteve të shquara që Kosova duhet t’i përmbush para se të rekomandohet nga BE për liberalizim të vizave kanë të bëjnë me trajtimin e mungesave në sistem të drejtësisë.

Gjykata, gjykata dhe më shumë gjykata në 2016!

13. Shokë e Shoqe të Ngushtë Përgjithmonë!

Ajo gjithmonë ka qenë aty, në kohë të mira e të këqija. Zëvendës presidentja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e Kosovës brenda këti organi, Ulrike Lunacek, do të jetë aty edhe kur të bëhet mut krejtë, duke ua thënë përfaqësuesve institucional kosovar të njejtat gjëra që zëra të peshuar në Kosovë veç se po ua thënë… por me më shumë dinjitet, seriozitet dhe solemnitet në sjellje.

Lunacek gjithmonë ka qenë mbrojtëse e fuqishme e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe veçanërisht mbështetëse e kauzave të barazisë gjinore dhe të drejtave LGBTIQ. Si gjithë shokët e ngushtë, në të mund të llogarisim edhe për të na i thënë të vërtetat e hidhura, që nuk duam t’i dëgjojmë gjithmonë: Ishte aty për t’i treguar politikanëve të Kosovës të vërtetën për Kosovën në fushatën UNESCO: në parim, se strategjia e tyre ishte palidhje.

Pas dështimit të Kosovës në UNESCO, një kauzë për të cilën ajo loboi, Lunacek paralajmëroi Komisionin Evropian që të mos tolerojnë shkelje sistematike të parimeve të fqinjësisë së mirë, duke iu referuar fushatës negative, agresive dhe jo aq fqinjësore të Serbisë. Ajo madje e çoi aq larg duke thënë se nuk duhet t’i ipen më koncesione Serbisë deri sa të zbatohen konkluzionet e marrëveshjes në mes të dy vendeve.

Raportuesja e Kosovës zëshëm mbështeti nismën e Vjosa Osmanit të LDK dhe rebelit të Vetëvendosjes, Ilir Deda, si alternativa e parë racionale për ngërçin e vazhdueshëm në Kuvendin e Kosovës. Dhe si Jiminy Cricket, ajo përsëriti se nuk mund ta bind askënd që t’i jep Kosovës rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave nëse gazi lotsjellës vazhdon të hidhet në mes të Parlamentit të Kosovës – sepse, fiuuuuu, hej, gaz lotsjellës/Parlament/demokraci/viza janë fjalë që thjeshtë nuk përshtaten shumë mirë në mendjet e liderëve liberal evropian, koncepti i të cilëve për “shko q*ju” është “do t’iu nxerrim nga balta, iu pëlqeftë e mos iu pëlqeftë”.

Por Lunacek ka qenë gjakftohtë. Ajo nuk dënoi thjeshtë anëtarët rebelë të opozitës dhe gazin lotsjellës e epizodat e sulmeve me ve; ajo dënoi edhe arrestimin e deputetëve në Kuvend, dhe masat e ashpra që policia i morri për të arrestuar dhjetëra protestues, dhe figurën udhëheqëse të opozitës, Albin Kurtin, me 28 nëntor, ndërsa liderët tjerë ndërkombëtar në Kosovë, si Ambasadori i SHBA, Greg Delaëie, vazhdimisht i ka lëvduar.

Duke kritikuar edhe qeverinë, edhe opozitën, Lunacek tregon se ajo me të vërtetë qëndron për interesat e popullit.

Ulrike, në ty besojmë!

14. Dështaku Më i Madh i 2015

E kemi parë në fushata, me gishtin e madh lart, por këtë herë Hashim Thaçi duhet ta kthejë atë gisht teposhtë, pasi ai është zyrtarisht, pa pikë dyshimi, dështaku i vitit – në të gjitha fushat e mundshme.

Si ministër i punëve të jashtme dhe zëvendës kryeministër, Thaçi e pati një synim të rëndësishëm për ta përmbushur – që ai e zgjodhi vet! – që i zgjati tërë vitin deri në nëntor: ta anëtarësojë Kosovën ne UNESCO, agjencinë intelektuale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Tërë vitin, konferencë pas konference, Thaçi dhe deputeti i tij, Petrit Selimi, thonin se UNESCO do të jetë sfidë e vështirë, por pavarësisht lobimit të Serbisë kundër, gati ishim aty. Maaaaac! Gabim!

Pas një viti me udhëtime të rregullta në Paris, ku është selia e UNESCO, dhe me reklama të mëdha pa pagesë nëpërmjet inkurajimit të çdo qytetari për ta përdorur hashtagun #KosovoInUNESCO, vetëm tri vota e lanë jashtë Kosovën nga pranimi përfundimtar në këtë organ. Me fjalë tjera, një strategji më e mirë e diplomacisë do ta kishte mundësuar për Kosovën kalimin e kësaj vije, pavarësisht lobimit të fuqishëm të Serbisë kundër saj.

Dhe jo vetëm kjo. Si ministër i punëve të jashtme, Thaçi nuk ka pranuar asnjë njohje të vetme shtetërore prej që është në këtë pozitë. Uh, prit! Po në fakt. Ai i morri tri: njohje nga Antigua dhe Barbuda, që kanë nofkën “Toka e 365 plazhave”, dhe njohjet shumë të rëndësishme nga Niue dhe Ishujt Cook, të dyja të konsideruara si shtete nga OKB, por që nuk funksionojnë bash si shtete sovrane, pasi që janë në “asociacion të lirë” me Zelandën e Re, që drejton pjesën më të madhe të marrëdhënieve diplomatike në emër të tyre – kështu që po, aleatë fantastik me shumë ndikim, përnime… Pak ka ndryshuar sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare.

Në vendlindje, sipas premtimit të dhënë nga Thaçi në janar, kosovarët duhet të kishin pasur mundësi të udhëtojnë në Maqedoni me leternjoftime prej korrikut të vitit 2015… Eh, Babadimri sapo hyri nga oxhaku, Hashim – a t’u ka kujtu me ia kërku këtë?

Për ta mbyllur këtë vit me dëshmi të mungesës së përgjegjësisë nga ana e tij, me 15 dhjetor Komisioni Evropian dha, përsëri, rekomandim negativ për liberalizimin e vizave për Kosovë, dhe Thaçi reagoi duke ia drejtuar KREJTë fajin Brukselit… Sepse, Kosova? Cila Kosovë? Ah, ai shteti në t’cilin unë jam gjysëm-kryeministër a?

Përnime, gishtin e madh lart, Hashim.

15. Personi i Vitit

Pasi Kosova më në fund themeloi qeveri në dhjetor 2014, pas një hiati gjashtë-mujor, fillimi i vitit u shënua me dëshpërim dhe mundim të mijëra kosovarëve të cilët, pasi kishin humbur besimin në këtë vend, e lanë atdheun dhe u hodhën kah udëhtimi shumë i rrëzikshëm nëpër kufijtë e Serbisë dhe Hungarisë drejt Evropës Perendimore, ose më konkretisht, drejt Gjermanisë. Ky eksod modern përfaqëson situatën në të cilën Kosova ka mbetur, në formën më të frikshme të shprehjes së saj. Ata që kanë vendosur të ikin nuk duhet të shihen si pjesë e një problemi të vogël ose si pjesë e një problemi që nuk ndikon në ata që qëndruan:Emigrantët e parregullt kosovar janë Personat e Vitit, sa i përket Kosovo 2.0, për shkak të mishërimit të mundimit me të cilin kosovarët vazhdojnë të përballen çdo ditë.

Gjatë muajve të parë të vitit 2015, kosovarët panë në TV dhe gazeta imazhet e grupeve të mëdha të njerëzve, familje të tëra, duke stërmbushur stacionin e autobusëve të Prishtinës, ku merrnin autobusa për në Beograd, dhe vazhdonin rrugët e tyre kah veriu. Këto imazhe shokuese, që erdhën prej qyteteve të ndryshme në Kosovë, shfaqën burra të ri, fëmijë të frikësuar duke qarë, si dhe gra, që kishin vendosur se largimi është më mirë se qëndrimi. Jo vetëm që i rezistuan temperaturave nën 0, duke fjetur në kushte të këqija, shpeshherë pa kulm mbi kokë; shumë përjetuan abuzim policor, dhe shkelje të të drejtave të njeriut, kur mbetën në atë situatë të parregullt në Hungari, ku është ngritur një rrethojë në muajt e fundit për të ndalur lëvizjen transnacionale të personave. Përsëri e përsëri, atë që u mbajtën në qendra të dënimit zbuluan se kishin shumë mundësi për t’u trajtuar me poshtërsi. Kah fillimi i shkurtit të vitit 2015, Komisioni Evropian lajmëroi se 1,500 kosovarë po e kalonin kufirin hungarez çdo ditë. Në muajt e parë të vitit, 42,000 kosovarë aplikuan për azil në BE, duke iu shtuar 37,000-ve që aplikuan në 2014; në realitet, numri i atyre që u përpoqën të ikin nga Kosova me gjasë ishte më i lartë.

Edhe pse me marrje të vizës Shengen është ende e mundshme që disa kosovarë të udhëtojnë me siguri në Evropë – megjithëse me shumë kufizime – mundësitë e udhëtimit të ligjshëm për ata që kanë të hyra të ulëta ose nuk kanë punë janë shumë të kufizuara, për ta thënë butë. Largimi i mijëra e mijëra kosovarëve gjatë fundit të vitit 2014 dhe muajve të parë të 2015 solli tri probleme strukturore, me të cilat kosovarët duket se janë mësuar, në agjenda dhe diskutime publike: varfëri, apati drejt institucioneve dhe izolim. Edhe pse kjo valë e migrimit të paligjshëm u bë problem ndërkombëtar, pasi që kosovarët përfaqësuan, muaj pas muaji, grupin e tretë më të madh të azilkërkuesve në vende të ndryshme evropiane, pas sirianëve dhe afganëve, kjo rrjedhë e migrimit nga Kosova nuk ishte shokuese vetëm për komunitetin ndërkombëtar, por edhe për shoqërinë kosovare, dhe jo vetëm në mesin e elitës politike.

Përfaqësuesi Special i BE, Samuel Zbogar, e edhe vet Kancelarja gjermane Angela Merkel, dërguan mesazhe për kosovarët në disa raste, duke kërkuar prej tyre që ata të mos kërkojnë azil në Perendim, sepse nuk do ta merrnin. Atyre individë që u ndjenë si të detyruar për të ikur nuk patën zgjedhje tjetër pos kthimit në vendlindje, në një vend ku zgjedhja përsëri iu merret.

Këtë tetor, Dimitrious Avramopoulos, Komisioneri Evropian për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Qytetari, kur u pyet për çështjen e fluksit të fundit të migrimit nga Kosova, e citoi si shenjë pozitive dialogun për liberalizim të vizave me Kosovën, për të cilën tha“mbetet si instrument i fuqishëm për të forcuar institucionet e Kosovës që ta adresojnë migrimin e parregullt, kontrabandimin e njerëzve dhe kërcënimet ndaj sigurisë së brendshme të BE”.

Me 15 dhjetor, Komisioni Evropian i refuzoi Kosovës liberalizim të vizave përsëri, duke e detyruar Kosovën që të jetojë në një geto ku niveli i varfërisë është 29.7 përqind, niveli i papunësisë është mbi 35 përqind, dhe ka mungesë të madhe të kualitetit të punës, kur i konsiderojmë vetëm disa tregues. Nëse Evropa vazhdon ta ndërtojë këtë burg rreth kufijve të vet të jashtëm, dhe liderët e Kosovës nuk janë të gatshëm t’i trajtojnë problemet që motivojnë fluksin e madh të migrimit të parregullt edhe në rrethana ekstreme, atëherë migrimi i parregullt mund të mos jetë thjeshtë zgjedhje, por opsion i vetëm, për shumë njerëz.K

Raportimi nga Cristina Mari, Dafina Halili, Eraldin Fazliu dhe William Hammer.