Në thelb | Film

Kinematë në ankand

Nga - 18.12.2017

Si po shuhen kinematë e qyteteve përmes privatizimit.

Në Ferizaj gjatë vitit 1936 kishte mbërritur një pajisje që mundësonte shfaqjen e filmave në ekran të madh. Ky vit do të shënonte nisjen e traditës kinematografike të disa dekadave në këtë qytet. Nuk dihet nga kishte ardhur pajisja, apo cilat ishin rrethanat në të cilat ishte shfaqur filmi i parë. Por është i njohur fakti se ajo kishte zënë vendin në hapësirën e dikurshme të njërës prej bujtinave të qytetit që më vonë u bë kinemaja e Ferizajt.  

Kinemaja nuk ekziston më, por pajisja po. Që prej vitit 2004 ajo ka zënë vend në shtëpinë e Bejtullah Maliqit, që prej mesit të viteve të ‘80-a ia kishte kushtuar jetën e tij kinemasë së qytetit të Ferizajt.

Edhe pas mbylljes së kinemasë së Ferizajt në vitin 2004, Bejtullah Maliqi në shtëpinë e tij ende e ruan pajisjen e projektimit të vitit 1936. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Maliqi e kishte drejtuar kinemanë deri në vitin 2004, kur Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (sot Agjencia Kosovare e Privatizimit) kishte marrë vendim ta privatizojë objektin e kinemasë. Ai ishte kundër këtij vendimi i cili, sipas tij, do ta linte qytetin pa kinema dhe në shenjë revolte dhe në përpjekje për të shpëtuar historinë e saj dhe të qytetit, e kishte bartur pajisjen nga objekti tek shtëpia e tij, për t’ia kthyer sërish qytetit kurdo që ndërtohej kinemaja e re.

“Në rast se do dëmtohej apo zhdukej pajisja, do të zhdukej edhe një pjesë e historisë së qytetit”, thotë Maliqi duke arsyetuar veprimin e tij si në të mirë të shoqërisë.

Dyshimet e Maliqit se në objektin e vjetër pajisja nuk do të mund të ruhej, ishin vërtetuar jo shumë kohë pas privatizimit të tij. Po atë vit, privatizuesi e rrënoi objektin që gjendet në qendër të qytetit, për ta shëndrruar vendin në një ndërtesë afaristo-banesore.

Maliqi flet me zemërim edhe pas më shumë se dhjetë vjetësh qëkur objekti i kinemasë u rrënua. Sipas tij, me këtë akt u rrënua edhe vetë tradita pesëdekadëshe e kinematografisë në Ferizaj. Kujtimet për kohët kur, përkundër kushteve të vështira, shfaqeshin filmat janë ato që mbesin në kujtesën e Maliqit, të cilën ai e ndan me të tjerët.

"As edhe një ditë pasi u privatizua objekti i kinemasë, ajo nuk funksionoi më si e tillë, edhe pse me ligj nuk lejohet që të ndodh një gjë e tillë’’.

Bejtullah Maliqi

“Sot është a pakuptueshme që kinemaja nuk funskionon”, thotë ai duke pasur parasysh mundësitë më të mëdha për ta zhvilluar këtë traditë. “Veprimtaria e kinemasë kryesisht ushtrohej duke bashkëpunuar me festivale të ndryshme vendore, apo nga Shqipëria”, i tregoi ai K2.0.

Ai e veçon një përvojë interesante të bashkëpunimit me kampin ushtarak amerikan ‘‘Bondsteel’’ në vitin 2002 kur e kishin dhënë premierën e filmit të famshëm ‘‘Gladiator’’.

‘‘As edhe një ditë pasi u privatizua objekti i kinemasë, ajo nuk funksionoi më si e tillë, edhe pse me ligj nuk lejohet që të ndodhë një gjë e tillë’’, thotë Maliqi duke iu referuar Ligjit për Kinematografinë i cili nuk lejon ndryshimin e destinimit të kinemave.

Ai shpreh mllef edhe sa i përket shumës me të cilën është shitur objekti i kinemasë, sepse vetëm pajisja për shfaqjen e filmave, sipas tij, ka vlerë prej 150 mijë eurove. “… mos të flasim për tokën që gjendet në qendër të qytetit’’.   

Një festival filmi në shenjë proteste  

Ajo që i kishte ndodhur kinemasë së qytetit të Ferizajt, në vitin 2013 do t’i bënte bashkë artistët e këtij qyteti, kryesisht aktorë, regjisorë, piktorë dhe artdashës të tjerë, në një protestë kundër shkatërrimit të traditës kinematografike.

E protesta do të bëhej me filma.  

Artistët e qytetit themeluan festivalin e filmit “FerFilm”. Qysh në tetorin e vitit 2013 u realizua edhe edicioni i parë i këtij festivali, ndërsa deri më tani janë realizuar pesë edicione me një kërkesë të vazhdueshme – zgjidhjen e problemit të mungesës së kinemasë në qytet.  

Sipas drejtorit të festivalit, Arbnor Karaliti, mënyra e protestës së tyre bart një absurd në vete.

Arbnor Karaliti është drejtor i festivalit “FerFilm”, i cili u organizua për herë të parë në vitin 2013 si protestë ndaj mungeses së një kinemaje në Ferizaj. Foto e dërguar nga Arbnor Karaliti.

“Një festival i filmit organizohet në një qytet që nuk ka kinema”, thotë ai. Organizatorët kishin zgjedhur hapësirat alternative për shfaqjen e filmave, si teatrin, sheshet publike, dhe qendrën rinore të qytetit, për të shfaqur filmat e tyre.

Në fund të vitit 2015, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt kishin marrë vendim për ndërtimin e objektit të kinemasë së re dhe Qendrës Rinore të qytetit.  

Karaliti flet me modesti rreth kësaj arritjeje, por beson se vendimi ishte ndikuar, ndër të tjera, edhe nga protesta përmes festivalit. ‘‘Para se të organizohej festivali [nga përfaqësuesit e institucioneve] as që flitej për kinema, e lëre më të planifikohej që të ndërtohet një objekt’’, thotë ai.

Por punimet ende po vazhdojnë, dhe kjo bëri që edhe në edicionin e fundit të festivalit regjisorët vendorë por edhe 31 regjisorë ndërkombëtarë që shfaqën filmat e tyre në kuadër të festivalit të detyroheshin sërish të shfrytëzonin hapësira alternative dhe jo objektin e ri.

Kinematë në shuarje

Kinemaja e Ferizajt nuk është e vetmja e cila ka pësuar nga procesi i privatizimit që kishte nisur në Kosovë pas luftës në korrik të vitit 2003 dhe po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Objekti i kinemasë së Gjilanit, i cili ishte ndërtuar gjatë viteve të ‘80-a dhe kishte funskionuar për një periudhë të shkurtër pas vitit 2000, ishte privatizuar nga AKP-ja në vitin 2008.

Por ky proces nuk është i vetmi që e bën të ngjashëm Ferizajn dhe Gjilanin. Edhe jeta kulturore në këto dy qytete në vitet e ‘80-a dhe të 90-a kujtohet të jetë më e larmishme se sot. Njësoj sikurse Bejtullah Maliqi, ish-punëtori i kinemasë në Ferizaj, edhe sociologu Avni Rudaku nga Gjilani, mungesën e kinemasë në qytetin e tij e sheh si paradoksale për kohën e sotme.

Ngase në vitet e mëhershme, përkundër kushteve të vështira, ai kujton se Gjilani kishte jetë më të pasur kulturore sesa sot.  

Ai nuk arrin ta besoj se si është e mundur që vite më parë, përkundër kushteve më të vështira, Gjilani kishte jetë më të pasur kulturore se që e ka sot.  

Fajin për këtë ai e hedh tek neglizhenca e institucioneve karshi artit në përgjithësi, sepse sipas tij ajo vjen edhe si pasojë e asaj që partitë politike në programet  e tyre nuk merren fare me kulturën. “E edhe kur merren me këtë fushë, këtë e bëjnë vetëm sipërfaqësisht”. Si argument për këtë ai përmend faktin që në zgjedhjet e fundit lokale të këtij viti asnjë prej kandidatëve për kryetar të komunës, të Gjilanit ta zëmë, nuk e ka përmendur kinemanë dhe nevojën për të.

Rudaku po ashtu kritikon Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK) e cila sipas tij ka heshtur ndaj fenomenit të ndërrimit të destinimit të veprimtarisë së kinemave në qytetet e ndryshme.

“Dyshoj që niveli estetik i personave që përfaqësojnë institucionet kulturore është adekuat”, thotë ai duke kritikuar në të njëjtën kohë edhe komunitetin e artistëve për mungesë reagimi. “Asnjëherë nuk ka treguar ekzistencën e vet si komunitet’’.

Avni Rudaku beson se institucionet kulturore duhet të bëjnë shumë për t’i mbrojtur kinematë, siç ishte ajo e Gjilanit. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Ligjërisht, duket se mjetet për të siguruar që kinematë në Gjilan dhe në Ferizaj të mos zhdukeshin kishin ekzistuar. Neni 8 i Ligjit për Kinematografinë në Kosovë thotë: ‘‘Kinemave në pronësi shoqërore, publike apo të privatizuar nuk mund t’u ndryshohet qëllimi i veprimtarisë pa pëlqimin e QKK-së”.

Megjithatë, duhet pasur parasysh faktin se deri në vitin 2008 të gjitha astetet shtetërore apo shoqërore që janë privatizuar kanë kaluar përmes spin off-it special, e që ka nënkuptuar se destinimi i asteve të privatizuara nuk guxon të ndryshohet pas privatizimit.

K2.0 nuk ka arritur t’i shohë kontratat për kinematë në fjalë, dhe nuk ka marrë as përgjigje nga AKP-ja për mënyrën e privatizimit të tyre dhe për përgjegjësitë e blerësve. Megjithatë, Ligji për Kinematografinë është në fuqi prej vitit 2004 dhe thekson faktin se destinimi i kinemave që privazitohen nuk guxon të ndryshohet pa lejen e QKK-së.

Arben Zharku, drejtor i QKK-së, pranon se institucioni të cilin ai drejton ka pasur një armë në dorë që ia ka dhënë ligji e cila, po të përdorej, do t’i shpëtonte kinematë që janë privatizuar. Megjithatë, ajo nuk është përdorur si duhet.

Zharku, i cili është në krye të QKK-së pas vitit 2014, nuk jep përgjigje të qartë se pse nuk ka vepruar QKK-ja më parë, dhe thotë se edhe vet është i çuditur nga kjo neglizhencë. Por në anën tjetër ai thotë se në QKK as që ka pasur ndonjëherë kërkesë për pëlqim, për ndërrimin e veprimtarisë së ndonjë kinemaje. “Por edhe mundësitë që të veprohet janë të limituara, kjo për shkak se nuk kemi mekanizma që na mundësojnë punën në terren”, ka thënë ai.

Më e shpejtë dhe efikase në reagim QKK-ja është treguar në rastin e ‘‘Kino Lumbardhit’’ në Prizren, si dhe në rastin e kinemasë ‘‘Jusuf Gërvalla’’ në Pejë. Të dy këto kinema ishin në plan të privatizoheshin, vendim që kishte nxitur reagime nga shoqëria civile dhe komuniteti i artistëve në vitin e kaluar. Duke pasur parasysh fatin e kinemave të qyteteve të tjera, Prizreni dhe Peja ishin mobilizuar për ta penguar shuarjen e kinemave të tyre.  

‘‘Kino Lumbardhi’’ tashmë është shpallur pjesë e trashëgimisë kulturore, ndërsa në rastin e kinemasë ‘‘Jusuf Gërvalla’’ ishte iniciuar një peticion kundër vendimit të AKP-së për privatizimin e saj dhe deri më tash nuk ka ndonjë vendim. Këtë vit kinemaja ‘‘Jusuf Gërvalla’’ nën menaxhimin e festivalit ‘‘Anibar’’, ka filluar të shfaqë filma për herë të parë pas 15 vitesh.  

Kinematografia si nevojë për zhvillim shoqëror

Aktualisht nga 7 rajonet e mëdha në Kosovë vetëm Prishtina, Prizreni dhe Peja kanë kinema funksionale. Këto dy të fundit nuk shfaqin filma rregullisht. Në anën tjetër, qytetet si Ferizaj, Gjilani, Mitrovica e Gjakova nuk e kanë fatin të shfaqin filma në hapësira të dedikuara vetëm për këtë.

Në mungesë të kinemave shfrytëzohen hapësira alternative, dhe kjo kryesisht për shkak të kërkesës së qytetarëve për të parë filma. Paradoksal, përkundër kësaj, mbetet fakti se shumë shpesh zyrtarët komunalë nga këto qytete kanë arsyetuar mungesën e punës së tyre për t’i funskionalizuar kinematë duke thënë se nuk ka kërkesa për to, apo se nuk ka para për to.

“Si mund të flitet për kualitet të pamjes së një filmi, si mund të flitet për detaje tjera të një filmi kur ai shihet vetëm në ekran të kompjuterit?’’

Arben Rudaku

Për sociologun Rudaku, argumente të tilla veçse ia forcojnë bindjen se zyrtarët komunalë nuk e kanë idenë për nevojën e kulturës në qytetet e tyre. “Mungesa e kinematografisë ka kushtëzuar kritikën vendore për filmin… kinematë ndikojnë në rritjen e nivelit estetik të përgjithshëm [të shoqërisë]”, thotë ai.  

“Si mund të flitet për kualitet të pamjes së një filmi, si mund të flitet për detaje tjera të një filmi kur ai shihet në ekran të kompjuterit?’’, thotë Rudaku, i cili është i bindur se nuk duhet shumë investim për të ndarë një hapësirë për të shfaqur filma. ‘‘E gjitha që na duhet është të jemi kreativë dhe të përzgjedhin njerëz adekuatë që do t’i udhëhiqnin ato [kinematë]’’.

Një mundësi, sipas Rudakut, është shfrytëzimi i hapësirave aktuale të qyteteve si teatrot, sallat e institucioneve, shkollat e qendrat rinore.

Një ide e tillë po mendohet të realizohet nga QKK-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, tregon drejtori i QKK-së, Arben Zharku.  

“Në bashkëpunim me Kosova Filmin kemi kryer një studim për kinematë ekzistuese – duke përfshirë këtu edhe shtëpitë e kulturës – dhe gjetjen e disa objekteve të tjera të përshtatshme dhe pajisjen e tyre me projektorë e me mjete të tjera përcjellëse dhe krijimin e kinemave alternative në ato objekte”, ka treguar Zharku, i cili tutje thotë se kjo mënyrë është adekuate me kushtet e tanishme për ta funksionalizuar kinematografinë.

Arben Zharku, drejtor ekzekutiv i QKK-së shpreson që Kosova të mund të adaptojë modelin e Maqedonisë, që ka siguruar projektorë për hapësira publike për t’i shëndrruar ato në kinema të improvizuara. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Zharku ka treguar shembullin e Maqedonisë, dhe të investimeve që ky shtet ka bërë në blerjen e disa projektorëve të cilët i kanë shpërndarë nëpër komuna të ndryshme që ato t’i shfrytëzojnë për shfaqjen e filmave në hapësirat e tyre publike.

Në anën tjetër Zharku po ashtu shpjegon se ideja është që filmat e bashkëprodhuar nga QKK-ja të shpërndahen nëpër komuna dhe të shfaqen në këto kinema alternative, ndërsa paratë e biletave të shërbejnë për funksionalizimin e tyre të mëtutjeshëm.

“Në kontratat për subvencionimin e filmave ka obligime për producentët që filmat të shfaqen si premierë së paku një javë rresht në kinematë publike, pastaj të arrihet marrëveshje me ndonjë televizion vendor, si dhe në fund të shfaqen online”, ka treguar Zharku.

Kjo formë, duke pasur parasysh edhe faktin se QKK-ja bashkëprodhon filma me para të taksapaguesve kosovarë, do të shërbente po ashtu që në të ardhmen qytetarët të kenë qasje në filmat për të cilët paguajnë nga xhepi i tyre. Deri më sot, ky shërbim ndaj qytetarit nuk ka arritur të përmbushet nga shteti pikërisht për faktin se shteti kishte vendosur t’i çojë në ankand publik të vetmet hapësira kulturore të dedikuara enkas për filmin.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.