Pikëpamje | Politika

Klika e tradhtarëve

Nga - 15.08.2017

Deklarata e OVL-së së UÇK-së - Kush ka faj?

Në seancën e fundit themeltare të Kuvendit të Kosovës, e cila për të pestën herë me radhë u ndërpre, kësaj radhe në mungesë kuorumi, iu dha rasti disa deputetëve që me fjalën e tyre t’u drejtohen të pranishmëve dhe, natyrisht, atyre të cilët po i ndiqnin në transmetim të drejtpërdrejtë.

Ndër ta ishte edhe një deputet i Vetëvendosjes i cili drejtoi shumë kritika ndaj koalicionit PDK-AAK-Nisma, i ashtuquajturi ‘krahu’ i luftës, për shkak të refuzimit të tyre për të marrë pjesë në seancë. Ai kritikoi individë nga radhët e këtij koalicioni se nuk kishin lënë asgjë të keqe pa bërë duke u thirrur në emër të “komandantllëkut” dhe luftës së fundit në Kosovë.

Natyrisht, ky fjalim i këtij deputeti hasi në kundërshtim si brenda Kuvendit (me disa reagime të çastit) ashtu edhe jashtë tij. Në orët e pasditës erdhi edhe reagimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ndër të tjera thuhej:

“Ne ju bëjmë me dije të gjithëve, se në rast rreziku, do të jemi prapë ne veteranët e UÇK-së dhe do të jenë prapë ata komandantët që po fyhen në Kuvend, që do i dalin zot këtij vendi; e klika e kamarierëve, përkthyesve e komesarëve, do të struken në vrimën më të afërt që do e gjejnë, ashtu siç vepruan gjatë Luftës Çlirimtare”.

Ky reagim, edhe pse në dukje automatik e i parapërgatitur, është në të vërtetë pasqyrim i realitetit të mjerë të Kosovës. Ky reagim tregon për shtresimin dhe ndarjen shoqërore të cilën dikush përpiqet ta bëjë e ta paraqesë në Kosovë. Ndarja është e qartë dhe jo e panjohur. Është kjo ndarje ndërmjet ‘nesh’ dhe ‘atyre’, ndërmjet ‘të mirëve’ dhe ‘të këqijëve’, ndërmjet ‘atdhedashësve’ dhe ‘tradhtarëve’, e kështu me radhë.

Nuk e kisha dëgjuar moti fjalën klikë. Prandaj shikova fjalorin dhe gjeta këtë shpjegim:

KLIKË f. keq.
Grup i vogël njerëzish që bashkohen nga ambicie, interesa e qëllime të këqija e që zhvillojnë një veprimtari të dëmshme. Klikë tradhtarësh (renegatësh). Klikë ushtarake. Klikë revizioniste.

Të flasim pak për klikat e lartpërmendura.

Klika e kamarierëve

Të jesh kamarier në Kosovë do të thotë të punosh për një pagë mizore, në kushte të tmerrshme të punës, pa kontratë, me orar të tejzgjatur e me shumë e shumë telashe të tjera. Unë kam takuar edhe kamarierë që kanë punuar me pagë nën minimalen e paraparë sipas kontratës kolektive të Kosovës, dhe të cilët kanë punuar edhe mbrapa banakut edhe i kanë shërbyer mysafirët. Në anglisht (meqë i përkas klikës së përkthyesve) kjo mund të quhet one-man show.  

Shumë të rinj këtë profesion e bëjnë ose gjatë studimeve, ose derisa të gjejnë një punë tjetër, ose thjesht sepse fabrikat dhe ndërmarrjet e tjera shoqërore na i kanë privatizuar me çmime tragjikomike, duke i shndërruar ato nga potenciali prodhues në shkretina ose vend ndërtimesh (mundësisht pa leje).

Kamarierët e bëjnë këtë punë për t’i paguar shpenzizmet e tyre të përditshme , rrymën e ujin, për t’i paguar studimet e tyre me shpresë se një ditë do të gjejnë një vend më të mirë, i cili i përshtatet profesionit apo ëndrrës së tyre.

Klika e përkthyesve

Kryesisht përkthyesit paskan faj. Për deklaratat e papërkthyeshme të “ajkës sonë politike”, të cilët i hapin kllapat dhe kurrë nuk i mbyllin ato. Për bashkëpunimin me të huajt, si dhe me armikun. Për shkaktim të keqkuptimeve në seanca e takime të tjera të rëndësishme për shkak se “nuk e ke përkthy qysh duhet”. Për faktin që Kosova është Kosovo e jo Kosovë, e kështu me radhë. Fajtorë se jo mahi.

Mungesa e simpatisë ndaj përkthyesve në Kosovë ka qenë e pranishme që nga paslufta. Një prej arsyeve përse përkthyesit shihen me sy të keq në Kosovë që nga paslufta, është se ata kryesisht janë para duke punuar për të huajt, dhe si rrjedhojë e paragjykimit që “të huajt nuk na e donë të mirën” edhe përkthyesit janë konsideruar si kolaboracionistë.

Përkthyesit, e sidomos interpretët (ata që përkthejnë me gojë), gjithmonë janë në hije, në plan të dytë. Shpeshherë nuk konsiderohen të barabartë në shumë takime, shpeshherë duhet t’i ndrydhin qëndrimet dhe mendimet e tyre, sepse profesioni ua kërkon konfidencialitetin, paanshmërinë, etikën, nderin e kështu me radhë. Po ashtu, nuk duhet harruar që përkthimi është veprimtari intelektuale. Për t’u bërë përkthyes i mirë nevojitet njohja e së paku dy gjuhëve, njohja e terminologjisë së llojllojshme, si dhe përvoja e gjatë për shkak se është pnë shumë stresuese dhe me përgjegjësi të madhe. Por, ky profesion, për fat të keq, nëpërkëmbet dhe nënçmohet, duke paragjykuar se gjithkush mund ta bëjë këtë punë.

Në vend se t’i marrin me të mirë dhe ta shfrytëzojnë këtë klikë për arritjen e synimeve të tyre madhore (meqë kjo klikë e flet edhe gjuhën e “armikut”), pjesëtarët e organizatës së lartpërmendur po ia kthejnë shpinën këtij potenciali!

Unë, siç e thashë më lart, jam pjesë e kësaj klike.

Klika e komesarëve

Kush janë komesarët? Çka janë komesarët? Kjo fjalë tingëllon si nëpër filma, seriale e romane kriminalistike. S’kam se si të mos i rrekem përsëri fjalorit për të parë domethënien e kësaj fjale. Dhe kam frikë se fjalori ynë (i vaktit) do t’i japë konotacion pozitiv kësaj fjale për shkak të rrethanave që tashmë i dimë. Të shohim…. Nuk e gjeta fjalën komesar sepse deklaratën e paskan shkruar me (një) gabim shtypi. Mos ishte ky gabim i qëllimshëm, sarkastik?!

Fjalori ndër të tjera thotë:

KOMISAR m.
Udhëheqës i punës politike në një njësi ushtarake, përgjegjës kryesor në komandë, që merret me edukimin politik e luftarak. Komisar politik. Komisarët e kuq (partizanë). Komisari i çetës (i batalionit i brigadës, i divizionit, i njësisë).

Meqë kjo fjalë paska konotacion ushtarak, do të përmbahem dhe do të dorëzohem. Nuk konsideroj që mund ta shtjelloj dhe të nxjerr kuptimin e asaj që është dashur të përçohet me këtë cilësim. Ndoshta për shkak se Lëvizja Vetëvendosje është pozicionuar si parti socialdemokrate, ndoshta pse i kundërshton politikat djathtiste, kushedi…   

Për fund, për fat të keq, shumë deklarata që vinë si nga politikanët ashtu edhe nga organizatat e shoqatat e ndryshme në Kosovë shpeshherë, me ose pa qëllim, përmbajnë gjuhë ofenduese ndaj një shtrese të gjerë popullore. Gabojnë kur nisen me premisën se populli është i paarsimuar, se populli nuk merr vesh, se fjalët nuk u ishin drejtuar atyre, e kështu me radhë.

Është për keqardhje që një deklaratë e tillë nëpërkëmbë profesione të një pjese të madhe të shoqwrisë. Për më tepër, është për keqardhje që këtë nëpërkëmbje e bën organizata që normalisht do të duhej ta përfaqësonte idealin e populit, përfshirë këtu kamarierët, përkthyesit, punëtorët e krahut e të gjithë ata që e bëjnë punën me nder, për liri dhe pavarësi.

Mua hiç nuk më vjen keq që e kam zgjedhur këtë profesion. E ti, çka je?!

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO