Biseda | Politika

Korab Sejdiu: “Pavarësisht posteve, nëse mendohet në aspekt afatgjatë, unë besoj se ka qenë vendim i gabuar i AKR-së”

Nga - 13.09.2017

Deputeti tashmë i pavarur flet për arsyet e largimit nga AKR-ja dhe të ardhmen e tij politike.

Deputi i ri i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, u bë më i përfoluri në skenën politike kur dha dorëheqje nga Aleanca Kosova e Re (AKR) pasi që ajo lidhi marrëveshje për bashkëqeverisje me koalicionin PAN. “Është më se e qartë se unë dhe Aleanca Kosova e Re kemi mendime të ndara sa i përket asaj se çka mendojmë që është në të mirë të vendit, dhe në këtë është evidente që qëndroj i vetëm në këtë subjekt”, tha ai në deklaratën e parë publike të tij pas dorëheqjes.

Ndërkohë, Sejdiu do të vazhdojë të ushtrojë mandatin si deputet i pavarur. Jurist me profesion, 39-vjeçari beson se vendimi i tërheqjes nga AKR-ja ishte i drejtë dhe i bazuar në premtimet që ai u kishte dhënë mbi 8,500 votuesve të tij në zgjedhjet e 11 qershorit.

Megjithatë, ai vazhdon të tregohet i matur kur flet për ish-partinë e tij. Ndonëse nuk pajtohet me vendimin për bashkëqeverisje me koalicionin PAN, ai e quan atë “demokratik”.

Sejdiu ishte pjesë e AKR-s në katër vitet e fundit duke mbajtur edhe pozitën  nënkryetarit të partisë derisa karrierën politike e kishte filluar me LDK-në në vitin 2008.

Në një intervistë për K2.0, Sejdiu flet për detajet tjera që kanë të bëjnë me vendimin e tij për t’u larguar nga partia, të ardhmen e tij në politikë, si dhe çfarë ai synon të përçojë tek të rinjtë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Dorëheqja juaj nga AKR-ja është vlerësuar nga shumë si konsistente me qëndrimet dhe premtimet tuaja në të kaluarën — pra, se nuk do të bashkëpunoni me ata për të cilët konsideroni se e kanë dëmtuar vendin e që këtu e keni nënkuptuar koalicionin PAN. Por ka edhe të tjerë që kanë thënë se nuk ka nevojë të heroizohet vendimi juaj, por se ai është thjesht mbajtje e qëndrimeve politike. Si e shihni ju këtë akt?

Me thënë të drejtën, unë pajtohem me deklarimin tim të mëhershëm por edhe të atyre që kanë thënë se nuk është diçka e veçantë çfarë kam bërë unë. Fatkeqësia e madhe qëndron në faktin që skena politike tek ne ka degraduar në atë nivel ku edhe një akt normal — që është pra mbajtja e fjalës — trajtohet si diçka e veçantë. Në vend që të ishte si rregull, tash është bërë përjashtimi nga rregulli. Më me dëshirë kisha me avoku që të gjithë të veprojnë në një mënyrë, [pra që] mosmbajtja e fjalës të merrte mbulesën mediatike e jo mbajtja e fjalës.

Ata që e kanë përshëndetur veprimin tuaj gjithashtu e kanë pasur parasysh se AKR-ja ka një trashëgimi politike të bashkëpunimit me PDK-në.

Nëse shikohet historia e re e Kosovës pas luftës, kuptohet që tërë skena politike ka pas bashkëpunim të ndërsjelltë. Mirëpo vendimi im nuk ka qenë se a ka bashkëpunu AKR-ja në të kaluarën me subjektet që janë pjesë e PAN-it, por thjesht ka qenë i bazuar në platformën që ne e kemi ndërtuar jo vetëm gjatë fushatës dhe para fushatës, por edhe [nga] mësimet që i kemi marrë nga bashkëpunimet e kaluara — [pra] kur një bashkëpunim i tillë e ka lënë AKR-në jashtë parlamentit në zgjedhjet e 2014-ës. Plus edhe LDK-ja ëshë dëmtuar nga koalicioni me PDK-në.

“Është vështirë të braktiset një subjekt ku ke kaluar katër vite duke kontribuuar dhe duke e rindërtuar pothuajse nga zeroja”

Platforma jonë është ndërtuar si e tillë dhe votat tona kanë qenë në tërësi të bazuara në njërën nga premisat që në fakt ne nuk do të bashkëpunojmë me ata që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë që vendimi për t’ju bashkëngjitur PAN-it ka ardhur me pajtim të kryesisë së partisë për të nisur bisedimet me PAN-in për një koalicion qeverisës. Pra, z. Pacolli ka dashur ta ndajë përgjegjësinë duke lënë të kuptohet se nuk ka qenë vendim individual. Si e keni parë ju këtë deklarim? A ka pasur vendim të kryesisë dhe a ka pasur mospajtime të tjera përveç jush?

Unë lirisht mund të them se qëndrimi im ka qenë konsistent që nga fillimi dhe këtë ua kam bërë me dije të gjithëve, duke përfshirë z. Pacolli. Nuk mund të flas për vendimet që janë marrë nga presidenti apo dikush tjetër, dhe në asnje mënyrë nuk synoj që vendimi im të merret si një lloj gjykimi ndaj vendimit që kanë marrë ata. Unë jam vetëm deputet dhe ai drejton partinë dhe ka përgjegjësi edhe të tjera.

Por ju keni qenë edhe nënkryetar i AKR-së?

Unë kam qenë njëri nga nënkryetarët, por po them se përgjegjësia e liderit është tjetër [nga ajo] e një personi që është nënkryetar. Kështu që ajo pyetje është më mirë të drejtohet kah AKR-ja dhe z. Pacolli.

Cili ka qenë reagimi i parë kur keni kuptuar prej z. Pacolli se është duke shkuar në koalicion me PAN-in?

Mua më është komunikuar njoftimi për vullnetin që të shqyrtohet mundësia e bashkëpunimit me PAN-in. Unë e kam marrë si shumë serioz këtë njoftim dhe kam kaluar disa ditë goxha të trazuara shpirtërisht derisa kam marrë një vendim që ështe jashtëzakonisht i vështirë.

Është vështirë të braktiset një subjekt ku ke kaluar katër vite duke kontribuuar dhe duke e rindërtuar pothuajse nga zeroja, për arsye se [partia] ka qenë në një pozitë të jashtëzakonshme pas humbjeve që kemi pësuar në zgjedhjet e kaluara ku patëm mbetur jashtë parlamentit. Poashtu ka pasë edhe njerëz që ndër vite kemi kontribuu edhe bashkëpunu, prandaj më ka marrë pak kohë të marr një vendim të vështirë — por një vendim që edhe në shpirt edhe në mendje e kam ditur që është i drejtë.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

A e keni konsideruar mundësinë e ndjekjes së praktikave të tjera në politikën kosovare për të mos e votuar bashkëqeverisjen me PAN-in, por të mbetni pjesë e AKR-së? Shembull i tillë ka qenë Vjosa Osmani, e cila ka votuar edhe kundër qeverisë Mustafa por ka vazhduar të jetë në LDK, dhe as nuk është përjashtuar por as nuk ka dhënë dorëheqje. A e keni konsideruar ju këtë praktikë?

Patjetër që e kam konsideruar. Unë besoj se rrethanat e znj. Osmani me Lidhjen Demokratike kanë qenë pak më ndryshe.

Pse mendoni ashtu?

Për arsye se ajo nuk ka qenë e vetme në të menduarit dhe në kundërshtimin, por ka pasë edhe deputetë të tjerë të Lidhjes Demokratike dhe një pjesë e elektoratit që ka kundërshtuar.

A ka pasur kërkesë nga AKR-ja që ju të vazhdoni të qëndroni edhe po të mos e përkrahnit me votë PAN-in?

Po patjetër.

Në deklaratën e z. Rrahim Pacolli [sekretar organizativ i AKR-së] dukej sikur kishte një moskokëçarje rreth largimit tuaj. Sikur dyert janë të hapura për secilin dhe njerëzit mund të shkojnë e vinë. Njëfarë mospërfillje ndaj jush derisa keni qenë nëkryetar i partisë.

Raportet e mia kanë qenë me presidentin Behgjet Pacolli, natyrisht me kolegët e tjerë, kryetarët dhe kryesinë. Ka pasur përkrahje nga AKR-ja që unë të qëndroj e të jem pjesë përbërëse e AKR-së pa asnjë ndikim në votën time as nga presidenti Pacolli as nga ndonjë nga ish-kolegët e tjerë dhe jam shumë falënderues.

Pse jeni falënderues? Ju ishit figurë e njohur e AKR-së dhe a nuk do të duhej që ata ta shihnin si humbje një profil si i juaji?

Unë çka dua të them është se jam mirënjohës ndaj faktit se edhe presidenti edhe kolegët e tjerë kanë ofru që unë të vazhdoj rrugëtimin politik me ata.

Po doni të jeni shumë konstruktiv. Megjithatë ju jeni larguar nga pakënaqësia?

Jo, dua të jem real dhe vlerësues i veprimeve të tyre të mira politike në të kaluarën.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

AKR-ja e definon veten si parti liberale. Mirëpo shpesh është parë edhe si parti që udhëhiqet nga familja Pacolli. Madje disa nuk kanë hezituar ta quajnë si parti biznesi. Si e shihni ju këtë?

Po tashmë fjala është bërë e lirë këtu tek ne dhe ka paragjykime të ndryshme, qoftë [ndaj] një partie politike, qoftë ndaj një deputeti. Unë nuk jam njëri prej tyre. AKR-ja si parti liberale është shembull edhe për parti tjera, por në anën tjetër natyrisht i ka edhe të metat siç i kanë edhe krejt partitë e tjera.

Cili beson se ka qenë motivi i AKR-së për të hyrë të koalicion me PAN-in?

Arsyeja besoj ka qenë pragmatizmi. Ideja që të jemi pragmatikë e ta zbërthejmë ngërçin politik. Është diçka [një situatë] që nuk ka mundur të qëndrojë pezull edhe të pritet që rrethanat të marrin kahjen e vet. Natyrisht ata [AKR] janë fuqizu politikisht në kontekst të asaj se çfarë përgjegjësie kanë marrë në këtë qeveri, dhe besoj se kanë marrë goxha përgjegjësi të mëdha.

E ju, sa ndiheni të zgjënjyer nga AKR-ja? Nga kjo që biseduam deri tash nuk po vërehet ndonjë zhgënjim nga ana juaj dhe po e paraqisni si një gjë shumë normale, përderisa ju jeni tërhequr nga pakënaqësia e një vendimi.

Unë jam shumë i zhgënjyer me shumicën shqiptare të cilët kanë pasë një mundësi të rrallë që t’i lënë anash interesat partiakë dhe personalë dhe ta formojnë një shumicë në parlament dhe pastaj edhe një qeveri që ështe e kontrolluar drejtëpërdrejt nga shumica shqiptare, natyrisht pjesë e së cilës do të ishin edhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Por jo të jemi të kushtëzuar nga Lista Serbe.

Por specifikisht në relacion me AKR-në?

Natyrisht nuk më bëhet qejfi fare që AKR-ja ka marrë këtë vendim sepse edhe jeta ime është trazuar. Por natyrisht nuk mund ta gjykoj një vendim të tillë sepse e ka marrë partia.

Pse nuk mund ta gjykoni nëse keni dhënë dorëheqje, dhe a besoni se ishte vendim demokratik?

Është demokratik.

Me sa vota ka kaluar vendimi?

Nuk jam i sigurtë për detajet, me sa vota, mirëpo vendimi ka qenë një ose dy vota kundër kur ka qenë vendimi a me i dhënë presidentit Pacolli kompetencën që me dalë dhe me kërku zgjidhje jashtë koalicionit LAA. Në kuvendin e AKR-së kanë qenë dy vota kundër dhe shumica dërrmuese kanë marrë vendim që presidenti Pacolli me gjetë zgjidhje jashtë koalicionit.

A do të ishte më mirë të qëndronit me LAA-në?

Nuk e di sa do të ishte ajo zgjidhje e ngërçit politik.

Por ky ka qenë arsyetimi i z. Pacolli se nuk ka zgjidhje të ngërçit politik?

Unë prapë po them se nuk ka pasë vullnet as nga Lëvizja Vetëvendosje as nga Lidhja Demokratike që të ketë përafërim që të ecet tutje për formimin e një shumice shqiptare. Unë personalisht nuk e kam parë të arsyeshme që përkundër mungesës së zgjidhjeve të vazhdohet në drejtimin ku mbetemi peng i Beogradit.

“Shoqëria jonë ka ardhë në atë gjendje kur mbajtja e fjalës është përjashtimi nga rregulli”

A po e konsideroni gabim shkuarjen e AKR-së me PAN-in pavarësisht posteve të shumta që ka marrë në qeveri?

Pavarësisht posteve, nëse mendohet në aspekt afatgjatë, unë besoj se ka qenë vendim i gabuar sepse AKR-ja nuk ka traditë të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të ministrive që i ka për krijim të militantizmit të punësimeve e keqpërdorimit të buxhetit.

Por AKR-ja ka qenë pjesë e qeverisë Thaçi II dhe e dimë se si eksponentë të AKR-së janë përfolur për afera të ndryshme korruptive.

Nuk e di që ka pasë.

Për shembull, ndërtimi i ndërtesës qeveritare nga MABETEX-i [kompani në pronësi të Pacollit] e cila pati filluar diku për 7 milionë euro dhe pati përfunduar në 15 milionë euro. Kritikët e kanë parë këtë si ndikim të Pacollit.

Nuk i di detajet dhe ka qenë ndoshta edhe para përfshirjes sime aty.

Për ju si individ, çfarë shenje është rasti juaj personal kur partia duket se nuk mërzitet për premtimet dhe parimet e potencuara dhe kur duket se çdo premtim tejkalohet kur vihen në pyetje interesat e ngushtë të individëve?

Për atë arsye e fillova tërë intervistën me atë që është shqetësuese që shoqëria jonë ka ardhë në atë gjendje kur mbajtja e fjalës është përjashtimi nga rregulli.

Shpresa ime është që në gjeneratën e re të politikanëve që gjinden në të gjitha partitë, e dërgon një mesazh që është në rregull të refuzohen edhe poste edhe avansimi politik kur bëhet për mbajtjen e premtimeve që ia ke dhënë elektoratit edhe qytetarëve. Natyrisht duhet të jemi të kujdesshëm që mos të japim premtime të paarritshme sepse e qet veten në pozitë të palakmueshme.

Qëllimi im ka qenë që me shërbimin tim publik t’i ndihmoj vendit edhe qytetarëve, por edhe Republikës së Kosovës si shtet.

A mund të dalë triumfues një profil i tillë politikë në kulturën politike në Kosovë kur shpesh interesi personal vihet mbi të gjitha?

Ndoshta edhe nuk mundet. Ndoshta ky ka qenë një gabim politik i imi që të mbaj fjalën dhe të bëj një gjë të tillë. Ndoshta ka edhe nga të tillë që më kanë thënë: “Mos u ban budallë se mas tre ditëve harrohet çfarë ke thënë. Merre postin që të ofrohet sepse ke fuqi më të madhe politike”.

“Unë do të votoj kundër çdo herë që në vlerësimin tim personal një propozim i caktuar është në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe të vendit”

Por unë besoj që kur kam kandiduar për deputet e kam marrë shumë seriozisht përgjegjësinë e deputetit dhe kam mendu shumë qartë për rininë tonë. Ne duhet t’udërgojmë atyre mesazh se si duhet edhe ata të veprojnë në situata të vështira.

Të rinjtë që janë shumicë dërrmuese ta kuptojnë se ata nuk duhet të kënaqen me dikë që vozit xhipa të qeverisë ose dikë që fiton tendera por me dikë që ia don vendit të mirën dhe synojnë të bëhen të mirë e marrin vendime qe i mëshon shkelmë gjitha ofertave të mundshme sepse dëshiron me mbetë parimor.

Tash jeni deklaruar se jeni deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës. Si do ta vazhdoni aktivitetin tuaj politik?

Unë jam deklaruar se do të qëndroj për një kohë si deputet i pavarur dhe synoj që kontributin tim konstruktiv ta jap si deputet i pavarur por natyrisht [edhe] si pjesë e komisioneve përkatëse. Shpresoj se emërimi ka me qenë për komisionet që i takojnë sferës sime që mund të jap kontribut më të madh. Synimi im është që të punoj në tri pikat që kam garuar në fushatë — në fuqizim të rinisë, në hapjen e vendeve të punës përmes zhvillimit ekonomik dhe natyrisht drejtësi për qytetarët.

Nga intervista e kaluar për K2.0 keni thënë se edhe për disa vjet synoni të jeni në politikë. Me cilin subjekt synoni t’i arrini këto qëllime?

Unë kam një rehati kohore pasi mandati im sapo po fillon dhe do ta shfrytëzoj këtë kohë që të bëj vlerësimin tim personal — nën një, nëse do të vazhdojë në politikë, dhe nën dy, me cilën parti do të shkonja.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Nëse hipotetikisht mbeteni në politikë, atëherë Vetëvendosje dhe rikthimi në LDK mbeten dy opsionet më të natyrshme duke marrë parasysh qëndrimet tuaja të deritanishme. Cili është opsioni më i mundshëm?

Po më lejoni që fillimisht me iu përgjigj pyetjes suaj duke ju thënë se unë nuk e shoh veten time si njëri nga ata deputetë që votojnë kundër për hir të votimit kundër. Unë do të votoj kundër çdo herë që në vlerësimin tim personal një propozim i caktuar është në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe vendit. Mirëpo unë do të votoj pro, pavarësisht pozitë apo opozitë, çfarëdo propozimi që është në të mirë të Kosovës. Unë kam bashkëpunim të gjatë me shumë deputetë. Disa i njoh më gjatë e disa më shkurt, disa më mirë e disa më pak. Mirëpo bashkëpunimi i mirë do të jetë i mirë me të gjithë.

Nuk është që nuk është përfolur kalimi juaj në këto dy parti opozitare?

Po, por pak njerëz i njohin raportet e mia personale me anëtarë specifikë qoftë të Lidhjes Demokratike apo të Vetëvendosjes.

Por a nuk do të duhej të ishin idetë dhe përafërimet ideologjike arsye për afrim dhe jo raportet e tua individuale me njerëz të caktuar?

Pikërisht, edhe unë mendoj se njerëzit duhet me u bashku në aspekt ideologjik por po flas për raportet personale, sepse raportet e mia personale që i kam dhe shoqëria ime me ta po komunikohet nganjëherë si ndonjë përafërim potencial politik. Prandaj, po keqintepretohet kur unë ndalem e bisedoj me të tjerët. Unë mund të jem shok shumë i mirë me dikë ose mund të mos pajtohem në aspekt të tatimeve ose mënyrës se si mund të zhvillohet ekonomia apo si mund të zhvillohet drejtësia.

A po e lë si mundësi largimin nga politika?

Natyrisht, në fund të mandatit unë mund t’i kthehem profesionit tim dhe të mos merrem me politikë. Në politikë ka ngarkesa të mëdha dhe natyrisht je në sy të publikut jo vetëm personalisht por edhe familja edhe miqtë, dhe ajo ështe ngarkesë dhe sakrificë për familjen.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.