Shkurt | Politika

Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme

Nga - 10.05.2017

Kuvendi shpërbëhet pas miratimit të mocionit të mosbesimit.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar një mocion të mosbesimit ndaj qeverisë, duke rezultuar në shpërbërjen e ekzekutivit aktual. Mocioni, që kishte nevojë për një mazhorancë të thjeshtë prej 61 votave për t’u miratuar, i morri 78 vota në favor, 34 kundër, si dhe 3 abstenime. Zgjedhjet e reja parlamentare tani pritet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.

Edhe pse qeveria u formua kryesisht prej anëtarëve të dy partive më të mëdha në Kuvend, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përfaqësuesit e të cilave përbëjnë më shumë se gjysmën e parlamentit, ajo nuk i mbijetoi mocionit të mos-besimit pasi kryeministri Isa Mustafa i LDK-së nuk arriti që të mbledh mbështetje të mjaftueshme prej partnerit kryesor në koalicion, PDK-së së Kadri Veselit. 

Mocioni i mosbesimit u inicua me 4 maj të këtij viti, nga një koalicion i partive opozitare, të cilat siguruan 42 nënshkrime prej anëtarëve të Kuvendit, përfshirë katër deputetë nga PDK. Mocioni deklaroi që “kabineti i qeverisë ka krijuar një mosbesim të thellë publik, dhe një pasqyrim që nuk ka funksionim të brendshëm”.

Përpara votimit, deputetët në parlament shfrytëzuan rastin që të japin mendimet e tyre rreth qeverisë, për më shumë se tri orë debat.

Në përpjekjen e tij të fundit për të mbrojtur trashëgiminë e qeverisë para votimit, Mustafa pohoi që qeveria ka bërë shumë arritje, duke përfshirë zhvillimin ekonomik, luftën kundër ekstremizmit, narkotikëve dhe trafikimit me qenie njerëzore dhe sigurimin e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sportive dhe kulturore. “Ky është pamflet politik, pa ndonjë bazë argumentuese”, tha ai për mocionin. “Kjo sjellje është e papranueshme dhe shërben për larje të hesapeve politike. Vlerësoj që ky mocion përfaqëson destabilizimin e vendit”.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka përkrahur kryeministrin e tij, duke thënë se partia e tij ka vlerësuar qeverinë aktuale si më të suksesshmen qëkur ka përfunduar lufta, meqë ka një varg arritjesh në rrethana jo të lehta. “Ne jemi të gjithë dëshmitarë të ngecjeve të mëdha në punën e qeverisë, në parlament dhe jashtë saj, dhe fatmirësisht ato janë tejkaluar”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, pra partnertit të koalicionit qeverisës, deputeti Zenun Pajaziti nuk është pajtuar ndërkaq me fjalën e kryeministrit Mustafa. “Ka pasur zhvillim dhe për atë kanë punu të gjithë burrat dhe gratë e këtij vendi”, tha ai.

“Por sot do të flas si përfaqësues i grupit parlamentar për mocionin të cilin e kemi përpara dhe e vërteta është se në Kosovë ka pasur ngecje”, vazhdoi ai. Pajaziti përmendi qindra mijëra të rinj të papunë, ngecjen e shtetit si pasojë e veprimeve të opozitës dhe tha se vullneti i qytetarëve është sot në parlament dhe ftoi deputetët që të votojnë pro vullnetit qytetarëve.

“Kjo qeveri ka qenë ndër me të dobëtat që ka përjetu qytetari i Kosovës”.

Përfaqësuesi i grupit parlamentar të AAK, Pal Lekaj

Glauk Konjufca, nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka dhënë arsyet pse partia e tij do të përkrahë mocionin duke thënë se 900 ditët e deritashme të qeverisë me tre kryeministra, kanë 900 arsye pse duhet të shkojnë në shtëpi. “Presidentin që vepron si kryeministër, kryeparlamentarin që sillet si kryeministër dhe kryeministri që më së paku është kryeministër”.

Duke iu referuar arrestimit të aktivistëve të partisë së tij, dhe vdekjes së aktivistit të ri Astrit Dehari, vitin e kaluar, Konjufca e quajti qeverinë e koalicionit LDK dhe PDK, qeveri që dhunon demokracinë, pushtet që mbyt në burg aktivistët politik, eliminon politikisht ata duke i shpallur terroristë.

“Pushtet që të fut në burg nëse e kritikon pushtetin e kriminalizuar, pushtet që përdor gjyqësorin për të eliminuar kundërshtarët politik, pushtet që shet dhe blen prokurorë”, tha ai. Duke shtuar tutje se një qeveri që nuk mund ta kontrrollojë as profilin e Facebook –ut të kryeministrit e “lëre më kufijtë e Kosovës”. “Qeveri e djemëve dhe kushërinjëve që marrin tendera … qeveri që e shet dhe e blen stausin e veteranit, qeveri që e bënë gjykatën speciale, qeveri që se bënë as ushtrinë”, tha ai.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përfaqësuesi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj nisi fjalimin e tij duke kritikuar kryeministrin që nuk qëndroi në sallë për të dëgjuar fjalimet e deputetëve. “Nuk mund të durojë dhe e lëshojë kolltukun dhe dhashtë Zoti që të mos kthehet më këtu”, tha ai duke vazhduar tutje të flas për papunësinë dhe shërbimet shëndetësore të dobëta. “I thamë zotëri kryeministër, kjo qeveri ka qenë ndër me të dobëtat që ka përjetu qytetari i Kosovës”, tha ai.

Enver Hoti ndërkaq nga grupi parlamentar i Nismës e përshkruajti mocionin si diçka që ofron përspektivë të re dhe një qeveri më të denjë për të qeverisur vendin. Ndërsa Danush Ademi përfaqësues i komunitetit ashkali, ka thënë se si deputet do ta votojë pro mocionit sepse qeveria nuk po e mbështet komunitetin e tij.

“Ju nuk i keni mbështetur projektet tona për ta ndihmuar komunitetin. Nuk jam kundër as njerës parti në qeveri, as PDK-së e as LDK-së, por po e votoj mocionin sepse na duhet një qeveri që i përfaqëson të gjitha komunitetet si të  barabarta. Kjo qeveri nuk ka mundësi të përfaqësojë interesat e komunitetit tim ashkali”, ka thënë ai.  

Derisa debati vazhdoi para votimit, deputetët tjerë nga parti të ndryshme u rreshtuan që në mënyrë efikase të lansojnë fushatat e tyre zgjedhore, derisa deputetët e LDK-së dhe PDK-së fajësuan njëri tjetrin për dështimet e koalicionit.

Demarkacioni në pritje

Votimi i sotëm vjen dy ditë pas përpjekjes për të ratifikuar në qeveri marrëveshjen e diskutueshme për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, për të cilën u luftua një betejë e ashpër 18-muajshe në mes të partnerëve të koalicionit dhe opozitës. Së fundmi, kjo çështje ka shkaktuar përçarje edhe brenda koalicionit.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit u planifikua që të vendoset në votim së pari në mbledhjen e qeverisë, e pastaj në Kuvend të hënën (8 maj) e kësaj jave, por u shtye pasi ishte vendosur mocioni i mosbesimit. U raportua se Mustafa nuk arriti që t’i bind deputetët “e rebeluar” të partisë së tij për të votuar në favor të marrëveshjes, dhe se partneri në koalicion, PDK-ja, kishte treguar shenja të padurimit, për shkak paaftësisë së këtij të parit.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Mustafa e thirri një mbledhje të mbyllur dhe “të detyrueshme” për të gjithë deputetët e LDK-së të martën (9 maj), takim në të cilin morri pjesë edhe ambasadori amerikan Greg Delawie dhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Anëtarët e opozitës e etiketuan praninë e tij si presion të jashtëm që po i aplikohet ligjvënësve të Kosovës. Kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, deklaroi që edhe pse e respekton angazhimin amerikan në Kosovë, “presioni [i jashtëm] kurrë nuk është demokratik”. Është raportuar që Delawie dje po ashtu u takua me përfaqësuesit e PDK-së, që kanë qenë të zëshëm në kundërshtimin e tyre për marrëveshjen e demarkacionit.

Mustafa dhe anëtarë tjerë të lartë të partisë së tij shpeshherë kanë deklaruar se ratifikimi i marrëveshjes do t’i jepte fund regjimit të vizave me BE, që aktualisht i kufizon kosovarët si popullin e vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë lëvizje të lirë në zonën Shengen. Pas shtyerjes së seancës të hënën, Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Arban Abrashi, deklaroi se po të miratohet marrëveshja, kosovarëve do t’u mundësohet liberalizimi i vizave brenda 90 ditëve.

Kjo deklaratë u kundërshtua disa orë më vonë nga Apostolova, e cila deklaroi se nuk ka garancione për liberalizim të vizave, edhe po të miratohet marrëveshja e demarkacionit. Kur Komisioni Evropian rekomandoi që të lejohet udhëtimi i kosovarëve pa viza në zonën Shengen, dy kushte u imponuan: ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit dhe reduktimi i nivelit të korrupsionit në vend.

Çështjet si liberalizimi i vizave dhe marrëveshja e demarkacionit si duket do të përfshihen shumë gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore, meqë PDK, LDK dhe partitë opozitare synojnë që t’i përmirësojnë qëndrimet përkatëse të tyre në Kuvend, e ta formojnë qeverinë e ardhshme të Kosovës.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO